OpEd

Përse Trump s’mund të fitojë

Trumpi i humbi zgjedhjet e 2020-s dhe më pas nxiti një kryengritje. Që atëherë ai nuk i ka moderuar as retorikën dhe as sjelljen e tij; përkundrazi, është bërë edhe më ekstrem. Nëse kjo e tkurr qoftë edhe pak daljen e votuesve republikanë në zgjedhje, atëherë Trumpi ndodhet buzë një disfate të madhe. Thjesht, nuk ka votues të mjaftueshëm amerikanë që janë të gatshëm ta kthejnë atë në Shtëpinë e Bardhë

Donald Trumpi ishte më i pagjasi ndër presidentët amerikanë. Kur e nisi fushatën më 2016, më së afërmi që iu pati afruar një autoriteti ekzekutiv ishte të shtirej se i shkarkonte nga puna konkurrentët e reality-showit me temë biznesin. Sado qesharake të dukej, pamja e Trumpit ulur prapa tavolinës së sallës masive tek e shqiptonte frazën e tij të imitueshme – “Je i shkarkuar” – i bindi me miliona votues amerikanë, përfshirë edhe shumë syresh që nuk kanë votuar më parë, se ai ishte burri që dinte se si t’i kryente punët.

Kjo përshtypje, bashkë me kohën e përshtatshme dhe fatin e mirë, mundësoi që Trumpi ta mposhtte ikonën politike, Hillary Clinton, në garën që dukej të ishte e qepur për të. Por në kundërshtim me atë që Trumpi mund të pretendojë, fitorja e tij ishte jashtëzakonisht e ngushtë. Në fakt, ai e humbi votën e popullit me 2.8 milionë vota – margjinë kjo më e madhe sesa e cilitdo president tjetër të Shteteve të Bashkuara gjatë historisë.

Që atëherë Trumpi është dëshmuar toksik në kutitë e votimit. Në zgjedhjet e mesmandatit të 2018-s, demokratët e dërrmuan Partinë Republikane të Trumpit. Në zgjedhjet presidenciale të 2020-s Trumpi pësoi humbje të ngushtë në Kolegjin Elektoral, si dhe rrëshqitje të konsiderueshme në votën e popullit. Në zgjedhjet e mesmandatit të 2022-s, kandidatët e përzgjedhur enkas nga Trumpi u shpartalluan kudo përreth vendit, ndërsa kandidatët demokratë ose i mbajtën vendet e tyre ose i firuan vendet e republikanëve në shtet kyç – përfshirë Arizonën, Michiganin, Pennsylvanian dhe Wisconsinin – rëndom me margjina të thella.

Përderisa krejt këto dështime mund të frymëzojnë njëfarë murmuritje republikane, Trumpi përfundoi ta ketë vendosmërisht nën kontrollor gjithë aparatin partiak, udhëheqjen e edhe anëtarët më ekstremë të tij. Ky është një model për të cilin republikanët do të pendohen gjatë vijimit të vitit, kur sikur Trumpi ashtu edhe Partia Republikane do të përballen me atë që pritet të jetë disfatë shkatërruese zgjedhore.

Sjellja e çrregullt, retorika antidemokratike dhe kërcënimet e Trumpit kundër rivalëve të tij do t’i kontribuojnë humbjes së tij në zgjedhjet presidenciale të nëntorit. Por është përbërja demografike e Amerikës ajo që përfundimisht do ta dërgojë Trumpin drejt pensionimit të përhershëm. Mençuria e moçme se “demografia është fati” – e sajuar nga filozofi francez, Auguste Comte – mund fare lehtë të jetë më e rëndësishme për rezultatin sesa për cilat do zgjedhje të mëhershme presidenciale.

Në periudhën midis zgjedhjeve të viteve 2016 dhe 2024, rreth 20 milionë votues të moshuar do të duhet të vdesin dhe rreth 32 milionë amerikanë më të rinj do ta mbërrijnë moshën e votimit. Shumë votues të rinj i përbuzin që të dy partitë, ndërsa republikanët janë duke rekrutuar aktivisht (kryesisht burra të bardhë) në kampuse kolegjesh. Por çështjet që janë më përzemër mes përfaqësuesve të Gjeneratës Z – siç janë e drejta e riprodhimit, demokracia dhe mjedisi – do t’i shtyjnë shumicën prej tyre t’i votojnë demokratët.

Realiteti është se që kur Trumpi ka hyrë në skenën politike të SHBA-së më 2016, Partia Republikane është bërë më e mplakur, më e bardhë, më e burrave dhe më ekstreme. Është bërë po ashtu edhe më e vogël, ndërsa jogatishmëria e Trumpit për ta kapërcyer bazën e tij po e bën më të vështirë, nëse jo të pamundur, tërheqjen e të moderuarve dhe të të pavarurve.

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka më shumë votues në dispozicion të tijin sesa që ka Trumpi. Kjo nuk do të thotë se fitorja do të jetë e lehtë, por po që do të thotë se ai mund t’i mbijetojë më shumë votuesit që zgjedhin të qëndrojnë përbrenda shtëpive. Nëse Trumpi do që të fitojë, atëherë do t’i duhet që secili votues i mundshëm i partisë së tij të dalë në votime, dhe i duhet gjithashtu që t’i mbledhë votat e amerikanëve të pavendosur, të cilët që prej kohësh mund të jenë hidhëruar me të, jo veç shkaku i sjelljeve të tij personalisht, por edhe për shkak të politikave të tij.

Partia Republikane ndodhet në anën e gabuar të secilës çështje madhore me të cilën përballet populli amerikan. Kijeni parash të drejtën e riprodhimit. Gjykata Supreme amerikane, e kapur nga republikanët, vendosi më 2022 që ta rrëzojë vendimin Roe v. Wade, i cili e garantoi të drejtën e abortit për një gjysmëshekulli. Legjislaturat ultrakonservatore shtetërore e bënë abortin të jashtëligjshëm edhe në rastet e përdhunimit apo të incestit. E Gjykata Supreme e Alabamas e nxori së fundi vendimin që i barazonte embrionet e ngrira me fëmijët. Ky trend i ka shtyrë gratë dhe të moderuarit edhe më vendosmërisht kah demokratët – apo, të paktën, kah të pavendosurit apo “cilitdo kamp tjetër përpos Trumpit”.

Në aspektin e sigurisë kombëtare, Trumpi shpesh është përafruar me kundërshtarët tradicionalë të Amerikës, duke e mërzitur, zemëruar apo ngatërruar një grup kyç elektoral. Shumë republikanë më të moshuar ende e mbajnë në zemër frymën e Ronald Reaganit dhe e shohin Amerikën si një “qytet të ndritshëm mbi kodër”, si një fener të lirisë dhe të demokracitë për popujt përreth botës. Për ata që janë mjaftueshëm të moshuar për ta mbajtur mend Luftën e Ftohtë, Rusia është një armik i Amerikës.

Këta republikanë e konsiderojnë pushtimin e Rusisë mbi Ukrainën demokratike si të papranueshme: një studim i kohë mëparshëm tregoi se 43 për qind e republikanëve besojnë që Shtetet e Bashkuara po ofrojnë ose tepër pak, ose sasinë e duhur të ndihmës për Ukrainën. Ata pa dyshim që nuk i miratojnë kërcënimet e Trumpit për largim nga NATO-ja dhe madje trimërimin e agresionit rus ndaj anëtareve që nuk e përmbushin obligimin për shpenzimet ushtarake. Tërheqja e Trumpit kah shtetet autoritare – nisur nga Rusia e Hungaria dhe deri te Arabia Saudite – është anatemë për ta.

Deri në këtë javë, republikanët e patën një opsion tjetër: Nikki Haleyn, ish-ambasadoren amerikane në Kombet e Bashkuara. Sulmet e përshkallëzuara të Haleyit drejt historikut politik të Trumpit duket se e patën një ndikim. Në zgjedhjet paraprake në New Hampshire, Nevada dhe në Karolinën e Jugut, ajo mblodhi rreth 30 për qind të votave. Por Haleyi tani i dha fund fushatës së saj presidenciale, pasi humbi votimet e “Super të Martës” në 14 shtete.

Megjithëkëtë, Haleyi deri më tani refuzoi ta mbështesë Trumpin, duke deklaruar se i takon atij që ta sigurojë mbështetjen e votuesve të saj. Dhe ekziston goxha një arsye e mirë për të dyshuar në suksesin e tij. Në fakt, në vend që të votojnë për Trumpin në nëntor, shumë prej mbështetësve të Haleyit pritet që të qëndrojnë në shtëpi apo të votojnë për Bidenin. Në Iowa, 49 për qind e mbështetësve të vetëidentifikuar të Haleyit thanë se do ta bëjnë pikërisht këtë.

Trumpi i humbi zgjedhjet e 2020-s dhe më pas nxiti një kryengritje. Që atëherë, ai nuk i ka moderuar as retorikën dhe as sjelljen e tij; përkundrazi, është bërë edhe më ekstrem. Nëse kjo e tkurr qoftë edhe pak daljen e votuesve republikanë në zgjedhje, atëherë Trumpi ndodhet buzë një disfate të madhe. Thjesht, nuk ka votues të mjaftueshëm amerikanë që janë të gatshëm ta kthejnë atë në Shtëpinë e Bardhë.

(Reed Galen është bashkëthemelues i “The Lincoln Project”, një organizatë kjo pro demokracisë që është themeluar nga strategë republikanë me synimin për mposhtjen e Donald Trumpit, si dhe moderator i “The Lincoln Project Podcast”. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)