OpEd

Përmbyllja non-grata e një epoke

Emërtimi zyrtar nga Departamenti i Shtetit për ish-kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, për përfshirje në korrupsion me peshë, i zuri pak në befasi opinionin publik gjithëshqiptar. Reagimet ishin nga më të ndryshmet. Kundërshtarët e Berishës u ekzaltuan. Nga ana tjetër, ky veprim nga Departamenti i Shtetit u quajt edhe i padrejtë e hipokrit. Njerëzit pyetën pse Berisha e jo edhe Meta e bile edhe Rama. Pse Berisha e jo Gruevski, Vuçiqi? Por, pati komente që SHBA-ja ka gjetur një politikan pa të ardhme në një ndër vendet më miqësore, por më të brishta të transmetojë një sinjal për politikanët e korruptuar në vendet në zhvillim.

Përgjatë dekadës së fundit, diplomacia amerikane lëvizi duke ndryshuar qasjen kundrejt vendeve në transicion. Përderisa më parë qëllimi i diplomacisë amerikane ishte ruajtja e stabilitetit politik e ekonomik në këto shtete, pa marrë parasysh shpejtësinë e reformave, në vitet e fundit është vërejtur një tendencë për stimulimin e transformimit të sistemeve të drejtësisë që krimi i organizuar dhe korrupsioni të mos kalojnë të paprekur. Diplomacia amerikane tani duket që synon pastrimin e politikës nga korrupsioni signifikant, për të përdorur terminologjinë e Departamentit të Shtetit.

Sali Berisha nuk është në pushtet dhe gjasat që ai të marrë ndonjë funksion me peshë publike janë të vogla. Ai nuk është as në krye të PD-së, partisë që ka themeluar, udhëhequr dhe mbi të cilën vazhdon të ketë ndikim të madh. Por, Berisha është fytyra njerëzore e transicionit në Shqipëri. E nuk do shumë analizë për të vlerësuar me notën më të ulët të mundshme këtë transicion. Përderisa designimi i Berishës është i qartë për përfshirje në korrupsion signifikant, duket që ky emërtim është një mbyllje e notës për transicionin 30-vjeçar në Shqipëri.

Mbase problemet më të mëdha që ka shkaktuar transicioni në Shqipëri është e vështirë të kualifikohen dhe kuantifikohen. Kushdo që ka pasur punë me institucionet shtetërore në Shqipëri, e ka pasur të lehtë ta evidentojë kulturën e miratimit të heshtur të korrupsionit si në institucione ashtu edhe në shoqëri. Si mund të ndërtohet një sistem i përmirësimit të nivelit të integritetit në institucione publike përderisa korrupsioni është gjerësisht i pranueshëm nga shoqëria e për më keq lartësohet. Natyrisht Berisha është fytyra publike e këtij mentaliteti.

Si mund të harrohet dështimi që nën udhëheqjen e tij i ndodhi Shqipërisë më 1997, shkaktuar nga skemat e toleruara piramidale dhe dyshimi i bazuar për keqpërdorim zgjedhjesh? Rrënimi i tërësishëm i institucioneve që ndodhi atëherë e ktheu trenin e progresit dekada prapa dhe Shqipëria ende edhe sot vuan pasojat. Si mund të harrohet katastrofa me të drejtat pronësore që shkaktoi udhëheqja e këtij politikani? Si mund të vlerësohet që nën udhëheqjen e tij nuk u arrit as për së afërmi të ndërtohet një sistem me ndarje të qartë të pushteteve demokratike?

Kushdo që ka vëzhguar sado pak zhvillimet politike në Shqipëri e ka evidentuar lehtësisht që përballja politike pa dhembshurinë më të vogël është zhvilluar në kosto të lartë publike. Pozita është angazhuar vazhdimisht ta rrënojë opozitën e opozita është angazhuar ta denoncojë qeverinë e vendit jashtë shtetit, duke i shkaktuar kështu vendit kosto të madhe dhe ngadalësuar përfitimet nga politika e jashtme. Z. Berisha është pa dyshim ndërtuesi i këtij sistemi të mbrapshtë, që do të marrë kohë të transformohet. Klasa politike duhet ta kuptojë që nuk guxon të dëmtohet interesi shtetëror në politikën e jashtme për garë të brendshme.

SHBA-ja është angazhuar fuqishëm në shtyrjen përpara të reformave të thella të sistemit të drejtësisë. Ende është herët të vlerësohet sa të suksesshme kanë qenë këto reforma dhe sa do të arrijnë ta pamundësojnë korrupsionin në të ardhmen, por kundërshtarët e këtyre reformave kanë qenë evidentë se Berisha pa dyshim e mban flamurin.

Trajtimi nga Berisha i PD-së si pronë private gjithashtu meriton kritikë. PD-ja doli si mekanizëm i kanalizimit të ambicies kolektive për pluralizëm e demokraci në Shqipëri, dhe nuk është një ndërmarrje private e z. Berisha. Njerëzit e thonë me ironi që Berishën e kemi parë në televizorët e mëdhenj bardhezi, vazhduam ta shihnim në televizorët kolorë, pastaj në kompjuterë, pastaj në ata plazma dhe së fundmi na ka hyrë në xhep nëpërmjet telefonave celularë. Pse na qenka një njeri aq i rëndësishëm dhe i pazëvendësueshëm!?

Por, ndoshta krimi më i madh i Berishës është instalimi i kulturës shoqërore të “ad-hoc"-izmi. Shqipëria berishiane jeton sot për nesër pa një vizion afatgjatë. Një shoqëri pa vizion dhe ambicie natyrisht do të stagnojë dhe është roli i liderëve t’i ndërtojë vizionin e ambicien afatgjate shoqërore. Pozicioni i liderit shoqëror nuk është t’i avancojë veset e veta e të kënaqet duke e parë veten në krye të shtetit e as të shërojë komplekse personale, por të vihet në krye të shoqërisë për të ndërtuar vizionin e përbashkët dhe për të orientuar shoqërinë drejt arritjes së qëllimeve kolektive. Qartë ky designim nga Departamenti i Shtetit është sinjal për krejt politikanët në Shqipëri por edhe në krejt rajonin, përfshirë Kosovën. Ky publikim është deklarim që mungesa e vizionit dhe korrupsioni, edhe nëse nuk ndëshkohen nga drejtësia dhe votuesit me kohë, do të vijë një moment kur do të marrin damkën e merituar.