Për çka votoi sot Zvicra, çka ndryshon dhe për sa miliarda franga bëhet fjalë?
► Votuesit në Zvicër kanë hedhur poshtë me 61,7 për qind një iniciativë të partisë populliste SVP për kufizimin e shpërnguljes së shtetasve të BE-së në Zvicër. Pa qarkullim të lirë të personave, BE do të kufizonte qasjen e Zvicrës në tregun e përbashkët të vendeve të BE-së. Kjo do të kishte pasoja të paparashikueshme për ekonominë zvicerane. BE është tregu më i madh për prodhimet zvicerane. Qëndrimi i BE-së është ky: Zvicra mund të ketë qasje në tregun e përbashkët vetëm nëse vazhdon ta mbajë të hapur tregun e punës, pra nëse shtetasit e 27 vendeve të BE-së vazhdojnë të kenë të drejtë të kërkojnë punë në Zvicër. Tregu zviceran i punës është tepër atraktiv për shtetas të BE-së, sepse rrogat në Zvicër janë deri në 50 për qind më të larta se në vendet e BE-së. Bile në krahasim me Rumaninë në Zvicër një person fiton 18 herë më shumë. Shpërngulja e gjithnjë e më shumë shtetasve të vendeve të BE-së në Zvicër rrezikon të ulë rrogat për shkak të konkurrencës së lirë. Një rumun a sllovak, për shembull, është i gatshëm të punojë shumë më lirë në sektorin e ndërtimtarisë se sa një zviceran. Rrjedhimisht, kundër hapjes së vazhdueshme të Zvicrës nuk janë vetëm popullistët. Edhe sindikatat, tradicionalisht të majta, janë skeptike, sepse duan t’i mbrojnë rrogat e punëtorëve. Në Zvicër jetojnë 1,4 milionë qytetarë të BE-së. 320 mijë shtetas nga vendet e BE-së vijnë çdo ditë për të punuar në Zvicër (në zonat kufitare). 450 mijë zviceranë kanë vendbanim në BE. Zvicra i ka 8,6 milionë banorë. Shumë zviceranë i frikësohen perspektivës që vendi mund të ketë në të ardhmen 10 milionë banorë dhe kjo paraqet problem për infrastrukturën e vendit.
► Me 50,2 për qind, pra me një shumicë tepër të ngushtë, zviceranët kanë votuar për blerjen e avionëve të rinj ushtarakë. Vendimtare kanë qenë vetëm 8760 vota. Deri në vitin 2030 Zvicra do të blejë 30 deri 40 avionë luftarakë (ende është e paqartë se çfarë tipi avionësh do të blejë). Për këtë nga buxheti do të harxhohen 6 miliardë franga. Sa për krahasim tërë buxheti i shtetit të Kosovës është rreth 2 miliardë euro. Kundërshtarët e blerjes kanë argumentuar se Zvicrës nuk i duhen avionë luftarakë duke theksuar se duhet investuar në projekte të tjera të mbrojtjes (për shembull mbrojtje nga sulmet kibernetike). Meqë avionët duhet të mirëmbahen, shpenzimet mund të arrijnë në 12 miliardë franga, nëse llogaritet se avionët do të jenë në përdorim rreth 30 vjet.
► Shumica e zviceranëve (51,9 për qind) kanë hedhur poshtë ndryshimin e ligjit për gjuetinë. Po të kalonte ndryshimi i ligjit në kutitë e votimit, atëherë do të lejohej vrasja preventive e ujqve. Në kantonet malore bujqit ankohen se ujqit po ua sulmojnë kopetë e deleve. Por kundërshtarët e ndryshimit të ligjit, kryesisht miq të natyrës dhe mbrojtës të ambientit, lansuan një referendum dhe e pyetën popullin: a është për apo kundër ujkut? Një shumicë e ngushtë tregoi zemërgjerësi ndaj ujkut.
► Në të ardhmen kush bëhet baba në Zvicër, ka të drejtë që brenda 6 muajsh pas lindjes së fëmijës të marrë dy javë pushim me pagesë. Për këtë kanë votuar sot shumica e zviceranëve (60,3 për qind). Sa i përket pushimit për nënat që lindin nuk ndryshon asgjë: që nga viti 2015 nënat pas lindjes kanë të drejtë në 14 javë pushim me pagesë (80 për qind të rrogës ose maksimum: 196 franga në ditë).