"Krahu i luftës" krejt çka ka dëshmuar deri tash është të jetë krahu që i solli mjerim Kosovës së pas 1999-s. Përderisa deri në luftë e kishim më lehtë ta fajësonim të huajin për mjerimin tonë, tash po dhemb shumë kur duhet pranuar se nuk jemi të pjekur as për të bërë shtet e lëre më për ta udhëhequr.
“Ndeshja me Kosovën do të jetë një stërvitje e lehtë”, kishte deklaruar trajneri i Danimarkës, para ndeshjes me Kosovën që u luajt të enjten. Kjo thuajse e nxori në pah një "virtyt" tonin: inatin. Përfundimi i ndeshjes qe falja e barazimit për një fije pakujdesie, ku Kosova u tregua shumë ekip serioz, me gjithë faktin se përbëhet prej lojtarëve të cilët takohen mes vete vetëm tri-katër ditë para ndeshjeve me përfaqësuese të tjera.
Dhe me shumë të drejtë edhe u shkruan komentet e "analistëve" të Fejsbukut, sipas të cilëve kjo përfaqësuese po tregon edhe vullnet, edhe talent për shkak se aty nuk hyn askush pse është "djali i tezës së baxhanakut të Nijazisë" dhe për shkak se përfaqësuesja nuk është Telekomi i Kosovës. Për shkak se aty, së paku jo ende, nuk i kanë futur hundët ata që tashmë i kanë okupuar krejt institucionet e ndërmarrjet që mund të jenë si profitabile ashtu edhe para falimentimit -- njësoj është. Me rëndësi punësimi, "sipas ligjit, në kushte të barabarta", por me përparësi për militantin partiak.
E se edhe përfaqësuesja mund ta pësojë një fat të ngjashëm e paralajmëron aktiviteti i shtuar i Veselit që shkon e bën vizita "befasi" në pikë të natës, për t'iu premtuar 1 milion euro shpërblim futbollistëve nëse kualifikohen. Nuk po e di a do t'i marrë ato para nga BQK-ja a Telekomi ku i ka militantët, porse si kryetar i Kuvendit nuk e ka prerogativën për të ndarë ose jo mjete buxhetore. Po nejse, me siguri i nxjerrin paratë nga rezervat shtetërore, nuk e kishin pasur sefte.
Kush e di edhe sa të punësuar janë e që nuk e dimë
Seria e storieve të KTV-së dhe e shkrimeve të KOHËS Ditore për nepotizmin e partive në pushtet do të jetë vetëm një copëz e vogël e hartës së shpërndarjes së militantëve e kushërinjve të udhëheqësve politikë nëpër institucione, agjenci të pavarura e ndërmarrje publike. Të thuash se me vite ke qenë i diskriminuar në punësim dhe tash po e shfrytëzon rastin është argumentimi më i keq i mundur që të rinjtë e Kosovës mund ta dëgjojnë: kjo nënkupton se për ta nuk ka shans punësimi, përderisa nuk bëhen militantë partish "të diskriminuara", të cilave u kanë ardhur "5 dakikat".
Do të jetë vetëm një copëz se e besoj se asnjë ushtri gazetarësh nuk do t'ia dilte t'i zbulonte të gjitha punësimet e këtij lloji, për shkak se janë bërë shumë. Aq sa administrata shtetërore, e cila edhe ashtu ka qenë e stërpopulluar vazhdon të rritet pa asnjë kriter dhe se në hallakamat që krijohen rreth taksës, bisedimeve, presioneve etj., humben koha dhe energjia për ta zbuluar të vërtetën: se me qindra njerëzit që punësohen në Telekomin i cili do të privatizohet, në fakt bëhen hisedarë të 20% që do t'u ndahet punëtorëve, pasi që kjo ndërmarrje të privatizohet. Dhe për ta nuk do të jetë me rëndësi çmimi i shitjes, për shkak se me këtë rast si ata që kanë punuar me dekada, sikur këta që punojnë me muaj do të paguhen njësoj...
Janë dy momente që ky punësim partiak i krijon: i pari është se brendia e Kosovës po zbrazet dhe Prishtina po shndërrohet në punëdhënësin e vetëm që ka ky vend. Se njerëzit me apo pa kualifikime punësohen nëpër ndërmarrje e institucione përderisa tokat na mbeten të djerra, sepse nuk ka kush t’i punojë. Sepse më me qejf do ta mbanim kravatën rreth qafës sesa plugun në duar. E dyta është se deklarata se "këta po punësohen për të krijuar vende të reja pune" është rrenë e kulluar. Për shkak se puna në administratë e ngarkon buxhetin dhe nuk krijon vende pune aty ku s'ke bujqësi e fabrika, përkundrazi. Nga ana tjetër, të punësohesh në Telekomin që i ka me miliona borxhe, nuk mund të krijojë assesi vende të reja pune, përkundrazi, vetëm mund ta falimentojë edhe më shpejt dikur të vetmen ndërmarrje fitimprurëse.
Tash PDK-ja çohet e thotë se për shkak të këtyre punësimeve njerëzit po na ikin nga Kosova. Sinqerisht nuk e di si po ia bëjnë: me viza pak si zor (njëmend, për hair njëvjetorin e miratimit të demarkacionit që pati me na i liberalizu vizat menjëherë) se s'ka kush dëshirë që të na i japë, e pa viza e besoj edhe më zor, pos nëse u futesh fajdeve -- sepse asnjë udhëtim i tillë nuk kalon pa disa mijëra euro. E PDK-ja ka më së paku të drejtë që ta kritikojë këdo, po qe se këtë që e thonë është e vërtetë. Në kohën e PDK-së ndodhi Tisa; në kohën e bashkëqeverisjes me Mustafën ikën 100 mijë njerëz, që, sipas Mustafës, kishin iPhone, pra jo në nevojë për të ikur. Dhe tash në bashkëqeverisje me AAK-në, NISMA-n dhe 22 parti të tjera, po vazhdon t’i punësojë akraballëkun dhe militantët kudo që po mbërrin.
Kazinotë dhe lojërat e fatit
Ndodhën dy vrasje në dy kazino dhe u mor nisma që, siç e do zakoni, me rezolutë, të ndalohen lojërat e fatit.
Duke e ditur historikun e rezolutave që i miraton Kuvendi, edhe ky mund të jetë njëri nga ato dokumente që miratohen kot, sa për ta qetësuar opinionin, e që ligji për ndalimin e tyre për 10 vjetët e ardhshëm të lihet nëpër sirtarë për një kohë.
Por debati në Kuvend e zbuloi një fakt: sipas ministrit të Financave, asnjëri nga këto vendmbledhjesh për harxhimin dhe pastrimin e parasë nuk ka licencë operimi në Kosovë. Dhe me gjithë mungesën e licencave, shteti i arkëton diku rreth 16 milionë euro në vit nga akciza dhe tatimi prej këtyre kazinove. Dhe çka tregon ky fakt? Tregon që lojërat e fatit paskan operuar ilegalisht, pra pronarët e tyre kanë kryer vepra penale, dhe se shteti i ka arkëtuar paratë e pista, meqë janë ilegale, nga kjo veprimtari e palicencuar.
Se përse kanë vazhduar të funksionojnë me vite, do të mundë t'i paramendojmë arsyet. Porse argumenti në favor të "rregullimit të veprimtarisë së tyre" që, sipas propozuesit të ligjit, "do të krijojnë vende të reja pune" nuk ka treguar kujdes për qytetarët, por realizimin e një interesi të ngushtë që e ka lejuar shfaqjen e këtyre lokaleve kudo, në çfarëdo vendi, pa asnjë kriter. Dhe, për më tepër, duke mos e respektuar as legjislacionin aktual që i ndalon kazinotë dhe bastoret në afërsi të objekteve shkollore.
Nuk e besoj se ndalimi i veprimtarisë së lojërave të fatit do ta zgjidhë problemin me to. Duke e ditur ngathtësinë e organeve të ndjekjes, e sidomos të Prokurorisë së Shtetit, nuk ka asnjë garanci të vetme se kjo veprimtari nuk do të zhvillohet ilegalisht. Ata që u takojnë gjeneratave pak më të vjetra e kanë të njohur nocionin e "taketukes": hapësirave private ku i zoti i shtëpisë u ofron konak "pontaxhinjve" për të luajtur poker me para, dhe që për detyrë te vetme që ta mbledhë kundërshpërblimin nga taketukja, kuptohet.
Të pasionuarit pas lojërave të fatit do të vazhdojnë të luajnë, ndërkohë që shteti nuk do të mundë të vjelë asnjë cent, pos nëse bën konfiskime parash në rast se dikush zbulohet tek luan ilegalisht. Disi nuk po mund ta parafytyroj policinë tek hyn në banesa private me i mbledhë taketuket.
* * *
Para 20 vjetësh na dolën në ndihmë çlirimtarët e njëmendtë të Kosovës. Falë bombave të tyre, ne që mbijetuam, sot kemi mundësinë edhe të evokojmë kujtime e edhe t'i gëzohemi lirisë. Në të njëjtën kohë, falë "çlirimtarëve" që uzurpuan gjithçka në Kosovën e çliruar nga NATO-ja, ne të mbijetuarit e qajmë jetën tonë në pasluftë, dhe jo një herë pyetemi se kush na ka nëmur kështu.
Nuk e di pse, por jo rrallë më kujtohet Nikaragua sa herë që flas për Kosovën nën udhëheqjen e "krahut të luftës". Udhëheqësi aktual i këtij shteti ka qenë marksist-leninist, tash i konvertuar në socialdemokrat. Ka qenë udhëheqës i "revolucionit" që e rrëzoi diktaturën, u bë kryetar i saj. Dikur i humbi zgjedhjet nja dy a tri herë, derisa nuk ia bëri vetes kushtet për t'u kthyer në pushtet. Kjo s'i doli boll, e ndërroi Kushtetutën që ia mundëson tash rizgjedhjen pa kufi. Është udhëheqës i njërit ndër shtetet më të varfra të Amerikës Latine dhe nuk duron kundërshtime. Protestat i shuan me dhunë dhe nuk u beson të tjerëve, prandaj edhe gruan e vet e ka bërë nënkryetare të shtetit.
Nuk ka ditë që nuk më pyesin dhe nuk pyetem nëse gjërat mund të shkojnë edhe më keq seç i kemi tash. Për ta ngushëlluar veten, dhe në përpjekje për ta gjetur një fije shprese, them: jo më, se më duket e kemi mbërritur kufirin e tolerancës. E mandej më kujtohet Nikaragua dhe vetëm të mendoj se praktika e atij shteti mund të replikohet këtu, ma mbush trupin mornica.
"Krahu i luftës" krejt çka ka dëshmuar deri tash është të jetë krahu që i solli mjerim Kosovës së pas 1999-s. Përderisa deri në luftë e kishim më lehtë ta fajësonim të huajin për mjerimin tonë, tash po dhemb shumë kur duhet pranuar se nuk jemi të pjekur as për të bërë shtet e lëre më për ta udhëhequr.
Nuk e di se cilat janë kalkulimet e partive politike në Kosovë, sepse na ngopën më me fjalë të kota. Porse një gjë është e sigurt, se pa u çliruar Kosova nga "çlirimtarët", zor se do të mundë të ndryshojë për të mirë. Për më keq, e dëshmuam se s'ka kush të na e kalojë: atyre për krejt dallaveret që i bëjnë, e neve për ankesa në FB.