Boksi profesional, si një prej sporteve më përfituese dhe më të çrregullta, ofron shumë mundësi. Por, do të vazhdojë të mbetet i paqartë. Prandaj, ne që e duam boksin do të vazhdojmë të mos e kuptojmë plotësisht atë. Dhe, kjo nuk do të ndryshojë
Nuk është rastësi që Florian Marku aktualisht është prej sportistëve më të përfolur shqiptarë. Edhe prej më të famshmëve dhe më të pëlqyerve po ashtu.
Shqiptarët e duan boksin. Shumë madje. Si te popujt e tjerë, një pjesë e shqiptarëve - që duket se nuk është e madhe - boksin nuk e llogarisin sport. E shohin shumë të dhunshëm dhe jo në përputhje me qëllimin që sporti duhet ta ketë për ndërtim të duhur psiko-fizik të njeriut.
Por, shumica e duan. Dhe e përcjellin.
Rrjedhimisht, Florian Markun, që veten e quan “Albanian King” (Mbreti Shqiptar), e njohin shumë.
Në kohën kur ndikimi i rrjeteve sociale në shoqëri është i madh, Marku ka ditur të dalë në skenë dhe të bëjë për vete shumë shqiptarë. E ka ndihmuar edhe fakti që jo shumë shqiptarë të tjerë po paraqiten aktualisht në nivele serioze të boksit profesionist. Natyrisht, ka luajtur edhe në kartën e “patriotizmit”, që ka rritur ndjeshëm bazën e tij të tifozëve. Bazën që tani është goxha masive.
Jo të gjithë megjithatë e dinë që fama e Markut aktualisht shkon shumë përtej suksesit të tij në boksin profesionist. Se Florian Marku nuk është kampion i botës në boks dhe që luftërat për tituj të botës janë ende shumë të largëta për boksierin, që famën e ka fituar edhe me rrëfimet për të kaluarën e vështirë, madje edhe në burgje.
Javën e kaluar Florian Marku fitoi një meç të vështirë në Tiranë. I mbijetoi një rrëzimi për të fituar me pikë në fund ndaj një boksieri nga Meksika. Boksierit nga Lushnja e që jeton në Angli iu nda një brez në fund. Jo të gjithë e kishin të qartë që brezi nuk ishte për titull të botës. Apo për titull të madh ndërkombëtar. Atij iu nda brezi “WBC Silver Interim” në kategorinë uelter. Pra, nuk bëhet fjalë për titull të botës. Floriani, me gjithë famën që ka në vitet e fundit, është ende larg titullit të botës.
Mënyra se si boksi profesional është i organizuar lë hapësirë për mëdyshje e interpretime të ndryshme. Boksi profesional sa është sport, është edhe biznes. Në raste e situata të caktuara është më shumë biznes se sport. Dhe kjo bën që gjërat të mos jenë të qarta, të mos kenë rrjedhë të natyrshme. Mundëson, ndër të tjera, që boksierë të caktuar me karrierë solide të kenë famë e përfitime më të mëdha se boksierët e nivelit më të lartë, me nivel dukshëm më superior. Mundëson që boksierët të fitojnë breza të ndryshëm kampioni dhe në opinion, gabimisht, të njihen si kampionë të botës.
Kur bëhet fjalë për sportin, njerëzit janë të prirë që të lexojnë e të shikojnë rrëfime suksesi. Nëse personazhet kanë të kaluar të vështirë, në raste kriminale, rrëfimet bëhen edhe më interesante dhe më intriguese. Dhe në kërkim të lexuesit e të shikuesit, edhe mediat nuk bëjnë përzgjedhjen e duhur të asaj që publikojnë. Apo të paktën nuk e paraqesin gjithë të vërtetën. Në këtë mënyrë i shërbejnë krijimit të bindjes së padrejtë, ndërkohë që do të duhej të kujdeseshin për ruajtjen e vlerave sportive.
Për Markun, si për shumë boksierë të tjerë shqiptarë, ka pasur plot tituj bombastikë për fitimin e titullit të kampionit të botës, për pushtimin e boksit profesionist, për brezin e kampionit të botës.
Ka pasur raste edhe më të rënda në të kaluarën. Boksierë të caktuar shqiptarë, me karrierë shumë inferiore, janë mburrur që janë kampionë të botës. Madje për tituj të botës kanë boksuar në qyteza të Kosovës. Ka pasur edhe transmetime televizive, ndërkohë që niveli i boksit të shfaqur nuk ishte as i nivelit të sparingjeve në klubet amatore të vendit.
Boksi profesional është i koklavitur, por megjithatë ka një lloj hierarkie. Dihet që katër versionet e mëdha janë WBC, WBA, IBF dhe WBO. Nëse fiton titull të botës në këto katër versione, atëherë llogaritesh kampion i botës.
Ka edhe plot versione të tjera, më të mëdha e të vogla, që ofrojnë tituj të botës e tituj të tjerë.
Por edhe versionet e mëdha, përkatësisht këto katër federata të mëdha, ofrojnë tituj të ndryshëm. Tituj kontinentalë, interkontinentalë, tituj të përkohshëm, tituj “silver” e plot tituj të tjerë.
Dhe kjo, për ata që jo çdo ditë merren me sport, natyrshëm e bën të vështirë për t’u kuptuar. Dhe rrjedhimisht lë hapësirë për interpretim, kur për shembull Florian Marku e zhvillon në Tiranë një luftë “për titull”.
Boksi prej fillimit është parë shumë edhe si biznes, si mundësi për përfitime materiale. Në shumë raste më shumë fitojnë organizatorët se ata që janë në ring. Ndarja në kategori, pastaj në versione (federata), pastaj titujt e ndryshëm në një kategori e në një federatë, e bën boksin profesional platformë për promovimin e vlerave të dyshimta sportive dhe për krijimin e personazheve dhe heronjve sportivë, pa e merituar në fakt një vlerësim të tillë.
Më ndryshe qëndron situata me boksin amator. Është një organizatë ombrellë ndërkombëtare e boksit amator që organizon kampionatet botërore dhe degët e saj organizojnë kampionatet kontinentale dhe garat e tjera. Ka një rrugë për të arritur te titulli i botës apo te medalja botërore.
Kur bëhet fjalë për boksin shqiptar, edhe në amatorizëm ka përpjekje për të lajthitur opinionin. Për shembull në shumë gara, sidomos për të rinj, boksierët tanë fitojnë medalje edhe nëse e humbin meçin e parë. Kjo për shkak të konkurrencës së vogël.
Lajthitje e opinionit është edhe kur nga federata nuk paraqitet rezultati i një meçi apo një përballjeje. Dhe kjo nuk është praktikë vetëm në boks.
Ka vite që ka tendencë për të fshehur rezultatet e zbehta në arenën ndërkombëtare. Për shembull, shumë federata sportive në Kosovë njoftojnë për pjesëmarrjen në ngjarje ndërkombëtare. Shpesh me mburrje paralajmërojnë rezultate. Por, kur rezultatet mungojnë, përkatësisht humbjet janë të menjëhershme e të thella, apo pozitat janë të fundit, nuk lëshojnë njoftime për këtë. Dhe, nuk u vjen mirë kur mediat shkruajnë për ato rezultate.
Ka edhe shumë raste kur tentohet të fshihet rezultati i vërtetë. Për shembull, shkruhet pozita që e ka arritur sportisti ynë, por jo që ajo pozitë ishte e fundit apo e parafundit.
Qartë se secili sportist jep më të mirën në tentim për sukses. Se meriton respekt dhe përkrahje për djersën dhe mundin që e bën në stërvitje. Por kjo nuk nënkupton fshehje apo maskim të rezultatit. Apo paraqitje gjysmake të së vërtetës.
Kuptimi i sportit është tjetër. Është garë ku marrin pjesë shumë dhe vetëm më të mirët dalin në pah. Fshehja e rezultateve dhe shtrembërimi i së vërtetës është më shumë mungesë respekti ndaj sportistëve kulmorë, që për fat i kemi, se ndihmë ndaj sportistëve të nivelit më të ulët.
Florian Marku me karrierën e deritashme nuk mund të llogaritet sportist kulmor. I famshëm po, por kulmor assesi. Rezultatet e tij nuk mund të krahasohen me medaljen e artë evropiane të atletes Luiza Gega. Apo me medaljet e mëdha që i kanë fituar peshëngritësit shqiptarë, ata që nuk janë zënë me doping. Nuk mund të krahasohen as me medaljen e bronztë botërore të boksieres Donjeta Sadiku apo të bronztës botërore të boksierit Alban Beqiri.
Dhe rezultatet e Markut nuk bën fare të përmenden kur flitet për rezultatet e xhudisteve të Kosovës, Majlindës, Norës e Distrisë, që kanë medaljen më të vlefshme të mundshme në sport – të artën olimpike.
Marku do të vazhdojë të mbetet i famshëm. Do të ngjallë ndjenja atdhedashurie te shqiptarët kur të shfaqë flamurin kuqezi pas fitoreve të ardhshme. Do të marrë shumë pëlqime e komente në rrjete sociale dhe do të përfitojë mirë financiarisht. Ndoshta në të ardhmen edhe do të luftojë për titull të botës dhe do të fitojë ndonjë trofe.
Boksi profesional, si një prej sporteve më përfituese dhe më të çrregullta, ofron shumë mundësi. Por, do të vazhdojë të mbetet i paqartë. Prandaj, ne që e duam boksin do të vazhdojmë të mos e kuptojmë plotësisht atë. Dhe, kjo nuk do të ndryshojë.