Edhe nëse populistët evropianë në Hungari dhe Poloni duket se po shmangin përgjegjësinë përsëri, pozita e tyre do të lëkundet edhe më shumë në të ardhmen. Një BE që nuk ka nevojë të shqetësohet për kolapsin e euros do të ketë më shumë kohë, energji dhe zgjidhje për t’u përballur me armiqtë e brendshëm
Vala e dytë e COVID-19 ka goditur Evropën më rëndë sesa është pritur. Shpresa për një këndellje të shpejtë është zëvendësuar me frikën nga recesioni i dyfishtë, duke nënkuptuar se nuk do të ketë rikthim normal të rregullave buxhetore të Bashkimit Evropian.
Më shqetësuese, Evropa e gjen veten të detyruar që të hyjë në marrëveshje mes dy objektivave, të dyja janë vendimtare në qëndrueshmërinë e saj si bllok shumëkombëtar politik dhe ekonomik. Tani më shumë se kurrë, angazhimi i BE-së në sundimin e ligjit duket si tullë që bëhet copash.
Lajmi nuk është aq i keq. Për shkak të vendimeve largpamëse nga liderët e BE-së, marrëdhëniet mes veriut dhe jugut brenda bllokut janë më të forta sesa kanë qenë vite më parë. Një prej shenjave të kësaj është përhapja e nivelit të interesit gjerman dhe italian. Tani është në nivel të ulët që tregon se pozicioni i Italisë në euro është i qëndrueshëm.
“Shqetësimi i përhapur” për qëndrueshmërinë e euros është ulur në gjithë nivelin jugor të eurozonës.
Harrojini problemet politike të paraqitura nga anëtaret e Evropës Qendrore me kërcënimet për t’i vënë veto fondit të BE-së për rimëkëmbjen ekonomike. Mbështetja e konvergjencës politike dhe ekonomike veri-jug do të jetë prioritet i BE-së në javët dhe muajt e ardhshëm. Derisa ngushtimi i përhapjes së normave të interesit fillimisht pasqyroi politikat e Bankës Qendrore Evropiane për lehtësimin e sasisë, është fondi i ri i rimëkëmbjes – i quajtur BE-ja e Gjeneratës së Re - ai që çoi në nivele rekorde. Investitorët nuk po shesin bonet për shtetet jugore me krizë të thellë, sepse e kanë kuptuar se politikanët veriorë, sidomos në Gjermani, janë të gatshëm të ofrojnë përkrahjen e nevojshme (grante dhe huazime) për ta parandaluar rënien e euros.
Pas njoftimit për BE-në e Gjeneratës së Re, erdhën edhe më shumë lajme të mira. Në muajin tetor, lëshimi i obligacioneve të para të Komisionit Evropian me të cilat financoi programin është mirëpritur. Investitorët vendosën oferta për më shumë se 233 miliardë euro, shumë më tepër se 17 miliardë eurot e ofruara fillimisht. Ky reagim i tregut çoi një sinjal të qartë se programi i rimëkëmbjes ekonomike prej 750 miliardë eurosh shpejt do të ishte realitet.
Ani pse u përkrah shumë, Hungaria dhe Polonia e kanë vënë në dyshim të ardhmen e fondit, duke kërcënuar me veto nëse BE-ja lë anash kushtet që fondet e saj të jenë në bazë të sundimit të ligjit nëpër shtete. Fakti që përhapja veri-jug mbetet në nivel rekord, pavarësisht përplasjeve të reja politike brenda BE-së, reflekton besimin se politikanët evropianë do të kryejnë punë para samitit vendimtar 10-11 dhjetor, kur është afati i fundit për përfundimin e një marrëveshjeje buxhetore para vitit 2021.
Me çmimin e unitetit veri-jug në tavolinë, do të ketë presion të lartë për të blerë dy prishësit e marrëveshjeve. Zhvatja është veçanërisht e mundshme, sepse Hungaria dhe Polonia kanë të drejtë vetoje dhe vullnet politik për ta përdorur atë. Për më tepër, dy qeveritë e dinë se ndoshta ky është shansi i tyre i fundit - dhe më i miri - për ta parandaluar vendosjen e kushteve për shpërndarjen e fondeve të BE-së edhe në të ardhmen.
Lojtarja kryesore, si zakonisht, është kancelarja gjermane Angela Merkel. Në ditët kur ka shënuar 15-vjetorin e pushtetit të saj, Merkeli nuk do të lejojë që BE-ja e Gjeneratës së Re – që është pjesa kryesore e trashëgimisë së saj - të dalë nga binarët. Rrezikimi i solidaritetit veri-jug dhe kohezioni i arritur rishtas në eurozonë janë çmime të larta për t’u paguar me qëllim që t’u dilet përballë Hungarisë dhe Polonisë.
Sigurisht, do të ketë momente të rrejshme. Hungaria dhe Polonia do të pretendojnë se u përkushtohen parimeve demokratike (të cilat do të vazhdojnë t’i shkelin) dhe udhëheqësit e BE-së do të pretendojnë se po u besojnë. Si i tillë, fondi i rimëkëmbjes ekonomike do t’i kushtojë Evropës më shumë sesa që duhej.
Kur bëhet fjalë për planet afatgjate, ankandi i boneve nga Komisioni Evropian solli lajme të mira për Bankën Qendrore Evropiane, që përfiton nga një efekt i rëndësishëm i fitimeve nga kthimi i politikës së fortë fiskale. Huat nga BE-ja e Gjeneratës së Re për vendet anëtare do të heqin një lloj presioni nga BQE-ja pas viteve të politikës monetare që mbajti krejt barrën.
Sipas Reutersit, Këshilli qeverisës i BQE-së është duke diskutuar “se si të ofrojë përkrahje më pak bujare për qeveritë në borxhe kur bën bashkë pakon stimuluese në muajin e ardhshëm, duke u bërë presion që të aplikojnë për kreditë e Bashkimit Evropian që lidhen me investimet produktive”. Duke zvogëluar centralitetin e Bankës Qendrore në mbështetje të solidaritetit evropian, ky rezultat më në fund do ta bënte Këshillin qeverisës një organ më pak kundërshtues.
Ky zhvillim është premtues në termet afatgjate. Përplasjet e pafundme të skifterëve dhe pëllumbave të BQE-së mbi QE-në nuk janë vetëm të lodhshme, por minojnë solidaritetin evropian në një kohë të revanshizmit rus, paparashikueshmërisë së Shteteve të Bashkuara, vendosmërisë kineze dhe të gjitha përçarjeve të nisura me Brexitin. Përkundër këtij sfondi të zymtë gjeopolitik, pretimi i fondit të rimëkëmbjes për ta zbehur përçarjen e Këshillit qeverisës nuk mund të ishte më i mirëpritur. Nuk është çudi që presidentja e Bankës Qendrore Evropiane, Christine Lagarde, dëshiron që politikanët e BE-së ta përkrahin BE-në e Gjeneratës së Re si mekanizëm të përhershëm politik sesa të përkohshëm.
Jean Monnet, një prej përkrahësve të integrimit evropian pas Luftës së Dytë Botërore, famshëm kishte thënë se projekti evropian “gjithmonë ecën përpara gjatë krizave”. Në këtë përmbajtje, pandemia përfaqëson një mundësi unike që integrimi evropian të avancojë si kurrë më parë.
Edhe nëse populistët evropianë në Hungari dhe Poloni duket se po shmangin përgjegjësinë përsëri, pozita e tyre do të lëkundet edhe më shumë në të ardhmen. Një BE që nuk ka nevojë të shqetësohet për kolapsin e euros do të ketë më shumë kohë, energji dhe zgjidhje për t’u përballur me armiqtë e brendshëm.
(Melvyn Krauss është pjesëtar i Hoover Institution në Universitetin e Stanfordit. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë ndërkombëtare “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)