Para 25 vjetësh, NATO dhe vendet e saj anëtare kishin bërë çmos për të mos ndërhyrë në mbrojtje të Kosovës. Dhe sulmet ajrore ndodhën si dështim i atyre përpjekjeve. Ndërhyrja erdhi si rezultat i shumë dështimeve për të gjetur zgjidhje paqësore, si rezultat i dështimeve për të parandaluar gjenocidin në Bosnjë-Hercegovinë dhe si rezultat i besimit naiv se me Millosheviqin mund të ndërtohej paqe. Ndërhyrja e NATO-s ishte e vonuar dhe sikur të ndodhte më herët, do të shpëtonte më shumë jetë njerëzish
Rreth ndërhyrjes së NATO-s para 25 vjetësh për të ndalur spastrimin etnik dhe krimet ndaj shqiptarëve të Kosovës, ka dallime të mëdha në qasje. Serbët dhe ata që apriori janë kritikë ndaj politikës perëndimore, e shohin këtë si një “agresion” dhe pretendojnë se ishte “shkelje e së drejtës ndërkombëtare”. Perëndimi e sheh si një operacion i cili, sado kontradiktor mund të ketë qenë nga aspekti i së drejtës ndërkombëtare, ishte i domosdoshëm. Ndërsa shqiptarët e shohin këtë operacion si nisje të çlirimit të tyre nga një shtypje e paparë në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore.
25 vjet janë një çerek shekulli, kjo nuk është periudhë aq e gjatë saqë faktet rreth këtij operacioni të mësohen nga shkencëtaret, gazetarët, komentatorët apo nga deklaratat e politikanëve të sotëm, në kohën kur akoma janë gjallë njerëzit që e kanë përjetuar tmerrin në Kosovë, krimet që sollën deri te bombardimet. Ata që analizojnë këtë operacion të NATO-s shpesh nisen nga qëndrimet e tyre të formuara dhe kërkojnë argumente për t’i vërtetuar ato qëndrime. Nuk krijojnë qëndrimet në bazë të argumenteve.
Fakti se në Serbi as sot nuk ka as përpjekje për të kuptuar, e lëre më për të shpjeguar se pse dhe si erdhi deri te ndërhyrja e NATO-s, për fat të keq, flet edhe për mungesën e gatishmërisë për pajtim me fqinjët. Sepse pajtimi nuk mund të ndërtohet duke e harruar të vërtetën. Në Serbi pak a shumë dominon narracioni se disa keqbërës në Perëndim pa asnjë arsye vendosën një ditë që të bombardojnë një shtet, i cili për asgjë nuk kishte faj. Ata që janë sot në pushtet në Serbi, më mirë se kushdo tjetër e di pse NATO u desh të ndërhyjë. Sepse e dinë se çfarë ka bërë pushteti ndaj shqiptarëve të Kosovës, pasi vetë ishin pjesë aktive e atij pushteti. E dinë se çfarë kishte bërë edhe në Kroaci e Bosnjë-Hercegovinë para Kosovës. Por ata, me mbështetje të mediave, shoqërisë akademike dhe Kishës Ortodokse Serbe, mundohen të luftojnë për një të kaluar më të mirë, duke përmendur vetëm viktimat serbe, e duke injoruar në tërësi ato shqiptare.
Secila viktimë meriton respekt dhe pietet dhe nuk është shumë etike që viktimat të shndërrohen në numra. Por sa për të vërtetën, NATO-ja ka vrarë më shumë shqiptarë sesa serbë. Vetëm në një varrezë masive në Serbi janë gjetur më shumë kufoma të civilëve të vrarë nga forcat serbe sesa të gjitha viktimat civile të regjistruara nga sulmet ajrore të NATO-s, përfshirë edhe ato shqiptare. Dhe ato viktima ishin dhunuar dy herë. Një herë për së gjalli kur ishin vrarë dhe herën e dytë kur ishin nxjerrë nga varret në Kosovë dhe dërguar me qindra kilometra larg për t’i mbuluar gjurmët e krimit. Ato varreza u zbuluan falë dëshirës së kryeministrit të atëhershëm të Serbisë, Zoran Gjingjiq, i cili edhe pse nuk pajtohej me pavarësinë e Kosovës, nuk donte që ta mbante barrën morale për vendin dhe popullin të tij që të heshtet për krimet dhe të injorohet fakti se nën tokë ka kufoma të civilëve shqiptarë. Por pas vrasjes së tij, pak u zbuluan varrezat e tilla, prandaj akoma ka të pagjetur jo vetëm nga Kosova, por edhe nga Kroacia dhe Bosnjë-Hercegovina.
Nuk duhet harruar as viktimat civile serbe si pasojë e bombardimeve të NATO-s. Sepse do të ishte e pamoralshme dhe historikisht e pavërtetë të harrohen ato. Por NATO-ja nuk ka vrarë qëllimisht civilë. Nuk ka nisur operacion me qëllim që të vrasë civilë. Nuk kanë shkuar ushtarët e NATO-s nëpër shtëpi për të nxjerrë serbë: burra, gra e fëmijë që t’i ekzekutojnë. E ushtarët, policët dhe paramilitarët serbë qëllimisht kanë ekzekutuar civilë. Por nga bombat e NATO-s shumë shqiptarë kanë pësuar për shkak të bombardimeve edhe nga hakmarrja serbe. Shumë të mbijetuar të masakrave serbe në Kosovë gjatë dëshmive në Tribunalin e Hagës kanë dëshmuar se si forcat serbe, para se t’i ekzekutonin i pyesnin “ku e keni tash NATO-n t’ju shpëtojë”. Dhe sot në Serbi duhet t’i dinë këto fakte e jo të mendojnë se sulmet e NATO-s ishin “agresion fashist ndaj popullit serb”, siç pretendon pushteti apo “rezultat i raportimeve të mediave perëndimore” siç pohojnë disa media në gjuhën serbe. Më mirë se kushdo tjetër për vuajtjet e shqiptarëve në Kosovë deri te ndërhyrja e NATO-s dhe gjatë saj duhet të dinë vetë serbët e Kosovës që kanë mundur të jenë dëshmitarë direkt. Natyrisht edhe shqiptarët duhet të dinë se ka pasur krime ndaj serbëve pas ardhjes së NATO-s në Kosovë.
Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë ka qenë shumë e vështirë. Nuk ka ndodhur as për shkak të urrejtjes ndaj serbëve e as për ndonjë miqësi ndaj shqiptarëve. Nuk ka ndodhur as për inat të Rusisë as për hir të Amerikës. Ka ndodhur për shkak se kishin kaluar nëntë vjet, gjatë të cilave bota e lirë demokratike shikonte në heshtje masakrat e forcave të Sllobodan Millosheviqit nga Kroacia e Bosnja, e deri në Kosovë. Dhe vetëm lëshonte deklarata ku dënonte dhunën, bënte ftesë për zgjidhje politike dhe për respektim të të drejtave të njeriut. Por Millosheviqi i injoroi të gjitha ato, siç injoroi edhe vërejtjen e fundit që në Beograd pak ditë para bombardimeve ia pati dhënë i dërguari i posaçëm amerikan, Richard Holbrook. Dhe NATO-s nuk i mbeti rrugëdalje tjetër pos të ndërhyjë.
Para 25 vjetësh NATO dhe vendet e saj anëtare kishin bërë çmos për të mos ndërhyrë në mbrojtje të Kosovës. Dhe sulmet ajrore ndodhen si dështim i atyre përpjekjeve. Ndërhyrja erdhi si rezultat i shumë dështimeve për të gjetur zgjidhje paqësore, si rezultat i dështimeve për të parandaluar gjenocidin në Bosnjë-Hercegovinë dhe si rezultat i besimit naiv se me Millosheviqin mund të ndërtohej paqe. Ndërhyrja e NATO-s ishte e vonuar dhe sikur të ndodhte më herët do të shpëtonte më shumë jetë njerëzish.
NATO-ja në atë kohë pohonte se ka bazë për të ndërhyrë dhe se një rezolutë direkte e Këshillit të sigurimit të OKB-së “do të ishte e dëshirueshme, por jo edhe e domosdoshme”. Sepse NATO-ja nuk donte që për një situatë, që për të ishte bërë turpëruese në Ballkan, të jetë peng i Rusisë.
Serbia është e fundit që mund të thirret në të drejtën ndërkombëtare. E drejta ndërkombëtare ka konfirmuar se në Srebrenicë, forcat serbe kanë bërë gjenocid, por Serbia e sotme këtë nuk e pranon. Në Srebrenicë për katër ditë janë vrarë dhjetëfish më shumë civile sesa gjatë gjithë 78 ditësh të bombardimeve të NATO-s. Këtu përmendim shifrat më kredibile që ka dhënë Fondi për të drejtën humanitare nga Beogradi. Drejtësia ndërkombëtare ka konfirmuar, edhe përmes verdikteve finale në gjykata, se forcat serbe në Kosovë kanë bërë krime sistematike, të planifikuara, të përgatitura dhe të ekzekutuara. Dhe janë dënuar krerët politikë, ushtarakë dhe policorë të Serbisë për këtë, por Serbia nuk e pranon dhe nuk përmend viktimat e këtyre krimeve.
Ndërhyrja e NATO-s nuk kishte për qëllim madje as pavarësinë e Kosovës. Kjo ishte një arritje përmes proceseve politike. Akoma as sot NATO si organizatë nuk pranon pavarësinë e Kosovës. Sepse qëndrimet e NATO-ja janë peng i kundërshtimit të vetëm katër nga 32 vendeve anëtare, të cilat nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Dhe formalisht ambasadori amerikan në Beograd ndoshta ka të drejtë kur thotë se “Serbia është më afër NATO-s sesa Kosova”. Sepse Serbia është në Programin e Partneritetit për paqe të NATO-s e Kosova nuk është. Por me këtë logjikë, edhe Rusia mund të thuhet se është më afër NATO-s sesa Kosova. Rusia ka qenë deri në vitin 2022 partnere e NATO-s në Këshillin e Partneritetit Euro – Atlantike, e Kosova jo. Aktivitetet me Rusinë janë suspenduar, por formalisht ka kontakte mes NATO-s e Rusisë akoma. Por nëse ambasadori Hill mendon se Serbia është afër NATO-s me qëndrimet e saj le të shikojë pak mediat në Serbi, apo ndeshjen e futbollit Rusi-Serbi, apo ndeshjen e Cërvena Zvezdës me Zenitin e Rusisë, që nga stadiumi e përcolli presidenti i Serbisë Vuçiq. Aty do ta gjejë përgjigjen se sa afër NATO-s është Serbia e sotme.
Duhet bërë dallime në qëndrimet politike të NATO-s, e cila si organizatë që bazon vendimet në unanimitet, nuk e trajton Kosovën si shtet. Dhe në anën tjetër, NATO si një organizatë, e cila me vendime politike ndërmori operacionin ushtarak me qëllime humanitare dhe shpëtoi popullin e Kosovës. Sjellja e NATO-s nga aspekti politik nuk është shumë miqësore ndaj Kosovës. Por kjo nuk ka ndikuar që shqiptarët të harrojnë se çfarë bëri NATO për ta. Dhe nuk kishte vetëm një arsye për ndërhyrje, por disa.