Deri në krijimin e Vetëvendosjes nuk kishte asnjë parti serioze politike të Kosovës që e konsideronte veten si parti e spektrit të majtë politik. Të gjitha pretendonin se i takonin qendrës së djathtë. Tash në të majtë orientohen edhe Nisma e Fatmir Limajt dhe rebelët nga GDP që kanë dalë nga Vetëvendosje. Të gjitha do të synojnë të bëhen pjesë e familjes së madhe të Socialistëve Evropianë. Në anën e qendrës së djathtë LDK-ja është e vetmja që është profilizuar përmes lidhjeve me Partinë Popullore Evropiane. PDK-ja ka bërë lëvizjen më të çuditshme. Në fillim synonte qendrën e majtë, pastaj thanë se janë parti e qendrës së djathtë, që do të lidhen po ashtu me EPP-në, dhe së fundi janë duke tentuar të lidhen me grupin e Konservatorëve dhe Reformistëve Evropianë, ku janë partitë euroskeptike, por që nuk janë ekstreme. Në grupin e Liberalëve Evropianë figurojnë edhe Aleanca për Kosovën e Re e Pacollit dhe Partia Liberale e Gjergj Dedajt
Ishte periudha e pasluftës kur në Kosovë një ndër politikanët më të dashur botërorë konsiderohej kryeministri i atëhershëm britanik Tony Blair. Kjo për shkak të mbështetjes së tij të madhe për bombardimet e NATO-s dhe çlirimin e Kosovës. Hasim Thaçi, që ishte vënë në krye të partisë së sapoformuar atëherë PDK, e cila grumbullonte kryesisht ish-pjesëtarë të UÇK-së, kishte po ashtu simpati për Blairin, me të cilin edhe ishte takuar.
Duke u konsoliduar kjo parti, në të cilën ishin shumë njerëz që në të kaluarën e tyre kishin orientim të majtë, madje shumë më të majtë sesa socialistët evropianë dhe shpesh edhe simpati për diktatorë komunistë, nisi të orientohej drejt lidhjeve me të majtën evropiane. PDK-ja atëherë mendonte se një ditë do të lidhej me Socialistët Evropianë, njërin prej dy grupeve më të mëdha në Evropë që i takon qendrës së majtë. Në atë kohë ishte e qartë se LDK-ja do të bëhej pjesë e Partisë Popullore Evropiane, grupi momentalisht më i madh në Evropë që i takon qendrës së djathtë ku janë partitë konservatore dhe demokristiane.
Përderisa LDK dhe PDK ishin dy partitë kryesore në Kosovë, fitohej përshtypja se kështu do të jetë ndarja në qendrën e majtë dhe të djathtë në Kosovë. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e Ramush Haradinajt, që po ashtu kuptohej si parti e “krahut të luftës”, nisi të jepte shenja se do po ashtu të orientohet nga qendra e djathtë. Një ditë papritmas edhe Hashim Thaçi tha se PDK-ja është parti e qendrës së djathtë. Dhe se e tillë paraqitet ende. E vetmja parti e majtë në Kosovë prezantohej Partia Socialdemokrate e udhëhequr nga Kaçusha Jashari e më vonë atë mendoi ta udhëheqë Agim Çeku, ish-komandant i UÇK-së i cili më vonë hyri edhe në AAK, edhe në PDK. Por Socialdemokratët asnjëherë nuk ishin as afër që të kalonin pragun zgjedhor dhe mbeti si parti margjinale. E majta në Kosovë, kryesisht në popull, perceptohej si komuniste.
Qytetarët nuk mund të kuptonin se si ideologji politike socializmi nuk ka asgjë të bëjë me komunizmin. Për dallim nga Shqipëria, ku pak a shumë ekziston një ndarje në dysh mes qendrës së majtë dhe të djathtë, në Kosovë asnjëherë nuk ka pasur profilim të qartë të partive politike. Se a janë të majta apo të djathta varej prej disponimit momental të liderit të partisë e jo prej programit të saj konkret. Se a janë të majta apo të djathta më shpesh si kriter merrej qëndrimi ndaj diktaturës komuniste, ndaj Luftës së Dytë Botërore, se a kanë më shumë simpati për Fatos Nanon apo Sali Berishën. Se ku dallojnë të majtët nga të djathtët në Evropë rreth mbledhjes së taksave, politikave sociale, të drejtave të punëtorëve, liberalizimit të tregut e çështjeve të tjera në Kosovë nuk u interesonte shumë. Për këtë arsye edhe është vonuar kaq shumë emancipimi politik dhe profilizimi i partive Kosovare.
Deri në krijimin e Vetëvendosjes nuk kishte asnjë parti serioze politike të Kosovës që e konsideronte veten si parti e spektrit të majtë politik. Të gjitha pretendonin se i takonin qendrës së djathtë. Tash në të majtë orientohen edhe Nisma e Fatmir Limajt dhe rebelët nga GDP që kanë dalë nga Vetëvendosje. Të gjitha do të synojnë të bëhen pjesë e familjes së madhe të Socialistëve Evropianë. Në anën e qendrës së djathtë LDK është e vetmja që është profilizuar përmes lidhjeve me Partinë Popullore Evropiane. PDK-ja ka bërë lëvizjen më të çuditshme. Në fillim synonte qendrën e majtë, pastaj thanë se janë parti e qendrës së djathtë që do të lidhen po ashtu me EPP-në, dhe së fundi janë duke tentuar të lidhen me grupin e Konservatorëve dhe Reformistëve Evropianë, ku janë partitë euroskeptike, por që nuk janë ekstreme. Në grupin e Liberalëve Evropianë figurojnë edhe Aleanca për Kosovën e Re e Pacollit dhe Partia Liberale e Gergj Dedajt.
Për skenën politike të Kosovës dhe për mbrojtjen e interesave të saj lidhjet e partive kosovare me familjet e mëdha partiake në Evropë janë të domosdoshme. Këtë e ka vërejtur mirë LDK-ja, së cilës i ka ndihmuar shumë anëtarësimi si vëzhgues në EPP. Kryetari i LDK-së kështu së paku katër herë në vit ka mundësi të marrë pjesë në mbledhje, ku marrin pjesë edhe liderët evropianë që vijnë nga radhët e këtij grupi, si kancelarja gjermane Merkel, presidenti i Këshillit Evropian, Tusk, i Komisionit, Juncker, dhe shumë të tjerë. Ndonëse në masë të vogël kjo vlen edhe për AKR-në e Pacoillit dhe Gjergj Dedajn e Liberalëve, ndonëse nuk dihet se a ekziston apo jo kjo parti në praktikë.
Lëvizja Vetëvendosje është në kontakte të ngushta me Socialistët Evropianë. Takimet janë të shpeshta jo vetëm në Bruksel, por edhe me partitë nacionale të qendrës së majtë si SPD në Gjermani. Por kur mund të bëhet edhe formalisht Vetëvendosja pjesë e këtij grupi është vështirë të thuhet. Ka rezerva nga disa qarqe për shkak të përdorimit të lotsjellësit nga aktivistët e Vetëvendosjes në Kuvendin e Kosovës. Në anën tjetër, tash edhe në krahun e majtë Vetëvendosje ka konkurrencë. Në fund, në Evropë do të preferojnë atë parti të qendrës së majtë në Kosovë e cila do të jetë më e forta dhe do të ketë më së shumti mbështetje në vend.
Sa i përket PDK-së, ajo ka pasur dëshirë të jetë pejsë e EPP-së. Për këtë edhe ka pasur pak gjasa kur PDK-ja ishte në koalicion me LDK-në. Madje, duke dashur ta arsyetonin lidhjen e papritur të koalicionit LDK-PDK nga Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi shpesh edhe nga këto parti thoshin se “kjo është bërë me kërkesë të EPP-së”. Por konkretisht PDK-ja asnjëherë nuk ka qenë afër që të bëhet pjesë e EPP-së, sidomos nëse me këtë nuk pajtohet LDK-ja që tashmë është anëtare e kësaj familjeje.
Ndoshta duke dashur të jetë pjesë e një grupi evropian, e duke e ditur se nuk ka shumë gjasa të jetë në EPP, PDK-ja tash po lidhet me një formacion mjaft të çuditshëm evropian, me ECR, që është shkurtes për konservatorët dhe reformistët evropianë. Kjo parti është serioze, nuk është e ekstremit të djathtë, por e ardhmja e saj në nivel evropian është shumë e paqartë dhe mund të devijojë lehtë edhe nga e djathta ekstreme. Këtë grup e kishte krijuar Partia Konservatore Britanike kur në krye të saj ishte kryeministri i atëhershëm Davic Cameron. Ai këtë e kishte bërë pasi kishte vendosur të dilte nga EPP-ja, të cilën e konsideronin tepër “Euro-federaliste” dhe si porosi se konservatorët britanikë nuk duan thellim të integrimeve evropiane.
Kësaj ideje iu bashkuan disa parti kryesisht nga vendet e Evropës Lindore dhe asaj Qendrore që janë bërë euroskeptike. Edhe sot konservatorët britanikë përbërjen pjesën më të madhe të deputetëve në këtë grup në Parlamentin Evropian. Por kur të largohen nga kjo pas vitit 2019, është pikëpyetje se çfarë do të bëhet me ECR-in në Parlamentin Evropian. Prandaj nuk është e sigurt se a ka bërë apo jo zgjedhje të mirë PDK-ja duke hyrë në një grup, orientimi i së cilës është skeptik ndaj BE-së apo ndoshta e ka bërë këtë qëllimisht. Me këtë grup është e lidhur edhe partia e presidentit të Turqisë, Erdogan. Por për momentin nuk ka ndonjë qëndrim të këtij grupi që do të shkonte kundër interesave të Kosovës. Lidhjet me partitë kosovare ndikojnë që nga radhët e deputetëve të Parlamentit Evropian më lehtë të krijohet një shumicë që mbështet Kosovën kur miratohen raporte dhe rezoluta. Prandaj duhet përshëndetur përpjekjet që bëjnë partitë e Kosovës për t’u lidhur me ato evropiane. Kjo do t’u ndihmojë të profilizohen dhe të reformohen nga brenda. Pa reformimin e duhur dhe profesionalizmin e partive politike nuk mund të bëhet më e mirë as skena politike në Kosovë.