Bangladeshi është shkëputur prej Indisë më 1947 në baza fetare dhe më pas është këputur nga Pakistani, më 1971, për arsye gjuhësore dhe kulturore. Për dekada me radhë, ishte një objekt i shpërfilljes si nga India, ashtu edhe Pakistani. Ama jo më. Duke qenë tani një model i ndritur zhvillimi, ky shtet i copëtuar dy herë ofron mësime për vendet në telashe, prej të cilave dikur edhe ishte lindur
I dërrmuar periodikisht nga fatkeqësitë natyrore, i varur kaherë nga ndihmat e huaja dhe remitencat, dhe burimi shumëvjeçar i refugjatëve dhe emigrantëve, Bangladeshi ishte dikur “koshi i mjerimit”, siç Zia Haider Ragman e përshkroi në romanin e tij madhështor debutues “In the Light of What We Know”. Por, në 50-vjetorin e pavarësisë, Bangladeshi po shndërrohet nxitimthi në një paragon zhvillimi – në një Mrekulli në Meghna.
Mes të arriturave të saj të shekullit radhitet përmirësimi dramatik i standardit jetësor të qytetarëve të shtresës së mesme. Sipas të dhënave më të fundit nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, GDP-ja e Bangladeshit për kokë banori (e matur në aspektet e barazisë së fuqisë blerëse) ishte sa gjysma e asaj të Pakistanit më 1987 dhe dy e treta e Indisë deri më 2007. Por më 2020, Bangladeshi ka tejkaluar atë të parën dhe po i afrohet kësaj të fundit, pjesërisht falë shndërrimit të suksesshëm në eksportuesin prijës të tekstilit dhe veshjeve, duke u rreshtuar vetëm prapa Kinës dhe Vietnamit.
Çfarë ia vlen edhe më shumë të përmendet është përmirësimi i shënuar në indikatorët shoqërorë, si jetëgjatësia, mortaliteti i fëmijëve dhe nënave, fertiliteti dhe pjesëmarrja e grave në forcën punëtore. Dhe, po kaq e rëndësishme, Bangladeshi ia ka dalë që ta ruaj një stabilitetin demokratik – duke e mbajtur ushtrinë në kazerma.
Por përtej këtyre parametrave, përvoja e Bangladeshit është dalluese në dy mënyra që ende nuk janë vlerësuar plotësisht nga një këndvështrim më i gjerë zhvillimi. E para ndërlidhet me formimin dhe kapacitetin e shtetit. Karakteristika definuese e shtetit modern është se e mban një monopol mbi dhunën legjitime, zhvatjen legjitime (më saktësisht taksat), dhe ofrimin e shërbimeve esenciale.
Monopoli i dytë i shërben qëllimit të së tretit dhe, edhe kur shteti nuk i ofron shërbimet drejtpërsëdrejti, i dikton kushtet.
Në Bangladesh, megjithatë, shteti e ka dorëzuar vullnetarisht monopolin e ofrimit të shërbimeve te sektori joqeveritar. BRAC dhe një numër i OJQ-ve tanimë të njohura kanë luajtur rol të madh në ofrimin e përkujdesjes shëndetësore, shkolla dhe shërbime financiare, si dhe në fushatat kryesore të shëndetit publik për të dhënë terapi orale të rehidratimit dhe imunizimit. Me gjithë praninë e shtuar të sektorit të OJQ-ve, liderët e Bangladeshit nuk i kanë perceptuar aktivitetet e tyre si uzurpim të autoritetit të shtetit.
Kësisoj, Bangladeshi e ofron një studim mbresëlënës në rrafshin e ekonomisë politike. Normalisht, shtetet demokratike synojnë që të sigurojnë mbështetje popullore me anë të ofrimit të shërbimeve për të cilat qytetarët kanë nevojë. Shumica ngurrojnë që të heqin dorë prej funksionit, ashtu që të mos e humbin fuqinë dhe legjitimitetin (le të mos i përmendim mundësitë për korrupsion). Sa më efikas që të bëhen këta akterë jo-shtetërorë në ofrimin e shërbimeve, aq më të kërcënuar ndihen shumica e shteteve.
Por, Bangladeshi është shkëputur prej kësaj dinamike.
Një shpjegim i pjesshëm është se Bangladeshi ishte tepër i varfër dhe në vitet e hershme të tij edhe në mungesë të kapacitetit shtetëror prej të cilit vuajti ofrimi i shërbimeve, duke e krijuar një boshllëk që do ta mbushnin akterët e tjerë. Ata që e rrëmbyen këtë mundësi mandej e gëzuan qasjen në prurjet e shumta të ndihmave të huaja, me një mesatare prej 5 për qind të GDP-së për 25 vjet, deri në ndërrimin e shekullit. Por faktorët më të thellë kanë luajtur po ashtu rol.
Duke e pasur parasysh se Bangladeshi ka një raport relativisht të ulët të taksave karshi GDP-së, prej më pak se 10 për qind, mund të konstatohet se shteti në mënyrë të nënkuptuar ka zgjedhur të heqë dorë nga monopoli i tij në ofrimin e shërbimeve për ta shmangur ushtrimin e monopolit politikisht më të kushtueshëm të taksave. Kësisoj, derisa Pakistani po konsiderohet si një shtet i dështuar, dhe India si në “gjendje flagrante”, Bangladeshi është një shtet axhami, megjithëse më efikas se sa fqinjët e tij të Azisë Jugore.
Tipari tjetër dalluese i zhvillimit të Bangladeshit është performanca eksportuese. Është fakt se suksesi i tij në prodhim i ka kontribuuar si këmbim arsimimit dhe veprimit më të madh për gratë e Bangladeshit ka qenë fare mirë i dokumentuar nga ekonomistët, Rachel Heath dhe A. Mushfiq Mobarak. Më pak i vlerësuar është paradoksi që fshihet në epiqendrën e suksesit të tij në eksport. Siç ka treguar studimi i im i kryer bashkë me Raghuram G. Rajanin nga Universiteti i Chicagos, sektorët e eksportit historikisht kanë ecur relativisht dobët në vendet në zhvillim që kanë pranuar shumë ndihma, duke e sugjeruar një lloj “mallkimi të ndihmës” – një variant ky i mallkimit të burimeve natyrore. Ndihmat e huaja, jo më pak se bollëku i naftës dhe gazit, priren që ta përforcojnë shkallën reale të kursit të këmbimeve, duke i bërë sektorët e eksportit jokonkurrues.
Por Bangladeshi sërish i është kundërvënë këtij trendi.
Përtej fatit dhe shansit, faktorët shtesë që mund t’i kenë kontribuuar suksesit të Bangladeshit në eksportim përfshijnë punën e zellshme, e cila i mbajti pagat në dollarë mjaftueshëm të ulëta për ta kompensuar shkallën shumë të lartë të kursit me anë të ndihmave të huaja dhe remitencat; si dhe qasjen preferenciale tregtare për tregjet e huaja, së pari nën Marrëveshjen Multi-Fiber (derisa të shfuqizohej), e më pas edhe nënprogramet e krijuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.
Si rrjedhojë e kësaj, Bangladeshi me standarde të ulëta, natyrisht, përballet me një sfidë serioze të ndryshimeve klimatike, porse aftësia e saj për ta ruajtur transformimin e tij ekonomik do të varet nga ajo se si këto dy tipare të ndryshme do të evoluojnë. Nëse akterët joshtetërorë hyjnë në politikë, ato mund ta trazojnë ekuilibrin aktual, duke e nxitur shtetin që ta përvetësojë sërish monopolin mbi ofrimin e shërbimeve. Nëse kjo gjë ndodh, shteti do të duhej që pothuajse sigurt t’i rrisë taksat për të treguar se mund të jetë po aq efikas sa OJQ-të. Po kështu, konkurrenca e Bangladeshit në eksport mund të minohet nga pagat në rritje, zbatimi i standardeve dhe rregullave të kostos së rritur të punës dhe nga humbja e qasjes preferenciale eksportuese në tregjet e kamura.
Bangladeshi është shkëputur prej Indisë më 1947 në baza fetare dhe më pas është këputur nga Pakistani, më 1971, për arsye gjuhësore dhe kulturore. Për dekada me radhë, ishte një objekt i shpërfilljes si nga India ashtu edhe Pakistani. Ama jo më. Duke qenë tani një model i ndritur zhvillimi, ky shtet i copëtuar dy herë ofron mësime për vendet në telashe, prej të cilave dikur edhe ishte lindur.
(Arvind Subramanian, ish-këshilltar kryesor ekonomik për Qeverinë e Indisë, është autor i librit “Eclipse: Living in the Shadow of China’s Economic Dominance”. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin ndërkombëtar të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).