Do të ishte naive të besoj se me këtë diskurs procesi i Brukselit mund të prodhojë një marrëveshje të qëndrueshme për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Është e qartë se mungesa e pranisë së fuqishme amerikane dhe britanike në dialogun e Brukselit, hap pas hapi e ka deformuar qëllimin e dialogut, i cili në vend të normalizimit, viteve të fundit ky dialog ka shërbyer më shumë si një instrument për menaxhimin e status quosë. Dhe ndoshta pikërisht kjo qasje shërben si pikënisja më e mirë për ta kuptuar paradigmën e luhatjes gjermane
Para 16 vjetësh Gjermania qe një nga shtetet e para që e njohu pavarësinë e Kosovës, e cila e shënonte përmbylljen e procesit të krijimit të shteteve të reja të krijuara në kontekstin e shpërbërjes së Jugosllavisë shumëkombëshe, si realitet politik. Kështu, pas katër luftërave, vrasjeve masive dhe spastrimeve etnike u vulos shkërmoqja e pjesës së fundit të krijesës politike të Versajës, pikërisht aty ku kishte nisur para më shumë se tri dekadave, në Kosovë. Ky transformim i Ballkanit do të ishte i papërfytyrueshëm dhe i paarritshëm pa rënien e Murit të Berlinit dhe pa mbylljen e çështjes gjermane, e cila ishte epiqendra kryesore e Luftës së Ftohtë. Përveç kësaj, Republika Federale e Gjermanisë, sidomos nga ribashkimi i saj në vitin 1990, është konsideruar si promotor jo vetëm i evropianizimit të shtetit gjerman, por edhe i rajonit të Evropës Juglindore. Qëkur Sllovenia dhe Kroacia shpallën pavarësitë e tyre dhe kriza e shpërbërjes së Jugosllavisë mori përmasa tragjike, Gjermania, në bashkëpunim të ngushtë me Francën dhe me Britaninë e Madhe, ishin aktorët më me peshë në menaxhimin e krizës. Mbyllja e çështjes gjermane dhe rritja e angazhimit gjerman dhe e partnerëve të tjerë evropianë në Evropën Juglindore i ka shërbyer edhe Kosovës si një mundësi për adresimin e çështjes së statusit politik në fund të viteve ‘90. Krijimi i shtetit të Kosovës në vitin 2008, ndodhi edhe si rezultat i ngritjes së bashkëpunimit dhe partneritetit gjermano-amerikan, gjë që u manifestua me kohezionin e NATO-s dhe profilizimin e BE-së në rrafshin e politikës së jashtme dhe të sigurisë. Por, pa dyshim, angazhimi ushtarak gjerman në luftën e Kosovës konsiderohet si moment historik për transformimin paradigmatik të politikës së jashtme gjermane.
Ishte 24 marsi i 1999-s, kur kancelari Gerhard Schröder (SPD), në një fjalim televiziv i tha publikut gjerman se ushtarët e Bundesvehrit ishin angazhuar në një operacion luftarak ajror, për herë të parë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Kjo nënkuptonte se ekuipazhet e avionëve luftarakë gjermanë “Tornado ECR”, që i përkisnin skuadronit operacional Luftwaffe, ishin stacionuara në bazën ajrore ushtarake italiane në Piacenza. “Tornado ECR” gjermane duhej të zbulonte, identifikonte dhe më pas të eliminonte mbrojtjen ajrore serbe me ndihmën e raketave të tyre HARM.
“Tani është luftë, po. Dhe unë kurrë nuk do ta kisha ëndërruar që edhe koalicioni kuq-gjelbër do të jetë pjesë e kësaj lufte. Por kjo luftë nuk ka ndodhur që 51 ditë, por që nga viti 1992 [...] Ajo tashmë ka kushtuar jetën e qindra mijëra njerëzve, dhe kjo është pika ku në të cilën Aleanca 90/Të Gjelbërit nuk janë më një parti protestuese [ ...] Unë qëndroj mbi dy parime: Asnjëherë më luftë! Kurrë më Aushvic, kurrë më gjenocid, kurrë më fashizëm! Për mua të dyja janë të lidhura”. Me këto fjalë, ministri i Jashtëm gjerman dhe politikani i Gjelbër, Joschka Fischer, u bëri thirrje delegatëve të Asamblesë së Jashtëzakonshme Federale të Aleancës 90/Të Gjelbrit më 13 maj 1999 në qytetin Bielefeld për t’i dhënë atij mbështetjen në politikën e jashtme dhe për vendimin e Qeverisë së koalicionit kuq-gjelbër për pjesëmarrjen e Bundewehrit në sulmet ajrore të NATO-s.
Më vonë, Fischeri e përshkroi fjalimin, i cili gjithashtu u bë i njohur për “krahasimin e tij me Auschvicin”, si më të rëndësishmin e jetës së tij. Qëllimi i angazhimit gjerman në fushatën ajrore të NATO-s kundër objektivave ushtarake dhe represive serbe ishte ndalimi i dhunës shtetërore ndaj shqiptarëve në Kosovë dhe stopimi i vrasjeve masive dhe i spastrimit etnik. Me këtë vendim, shteti gjerman kishte braktisur “kulturën e vetëpërmbajtjes”, pozicionin e deriatëhershëm hezitues dhe në këtë mënyrë filloi të merrte më shumë përgjegjësi në nivelin evropian dhe ndërkombëtar, edhe pse politika gjermane mbetej edhe më tej e ankoruar thellë në militarizëm dhe në konceptin e njohur të “zivilmachtit”. Ruajtja e paqes në Ballkan është përgjegjësia jonë.
Treshja gjermane, kancelari Gerhard Shreder, ministri i Jashtëm Joshka Fisher dhe ministri i Mbrojtjes Rudolf Sharping, u bënë protagonistët më të njohur në nivelin evropian për të ashtuquajturin “kurs të luftës”, i cili i kontribuoi kohezionit të Aleancës Veriatlantike dhe zhvillimit institucional të BE-së. Gjermania mori pjesë në një aksion, i cili në radhë të parë, para se të ishte ushtarak, ishte emancipues për veten e saj. Gjermania e kishte të qartë se Kosova nuk mund të lihej në mëshirën e fatit, sidomos pas asaj çfarë kishte ndodhur në Bosnjë, përkatësisht në Srebrenicë. Vendosmëria e kancelarit Shrëder forcoi radhët e koalicionit dhe bashkoi sërish radhët me të gjelbrit gjermanë, të njohur për orientimin pacifist. Sipas Fischerit, pa besimin dhe kryesimin e fuqishëm të Shrëderit, do të kishte qenë e vështirë të mbahej qeveria dhe koalicioni Kuq-Gjelbër. Ky qëndrim i qeverisë gjermane ishte edhe një shkëputje me rregullin e vazhdimësisë, që deri atëherë kishte qenë në fuqi në politikën e jashtme të Gjermanisë. Për politikën e jashtme gjermane, politika e Millosheviqit në Kosovë që nga vitit 1989 pothuajse deri në detaj ishte identike me elaboratin e nacionalistit radikal serb, Vasa Çubrilloviqit, i cili ishte hartuar në mars të vitit 1937 në Beograd, e që në prill të vitit 1999 e botoi edhe e përditshmja e njohur “Frankufrter Rundschau”. Lidhur me këtë, ministri i atëhershëm i Jashtëm i Gjermanisë, Joshka Fischer, në memoaret e tij shkruan: “Millosheviqi dukej se kishte harruar se Evropa nuk jetonte më në vitin 1937, porse kishte arritur në vitin 1999 dhe se bazohej në vlera krejtësisht të reja”.
Mbështetur në këto vlera, Republika Federale e Gjermanisë përfundimisht hoqi dorë nga pozicioni i saj historik hezitues dhe vendosi të merrte një rol aktiv politik në skenën evropiane dhe botërore, duke iu bashkuar këndvështrimit amerikan për Kosovën, duke i dhënë zë angazhimit të saj në kuadër të Grupit të Kontaktit, G8-s, NATO-s dhe BE-së. Për politikën gjermane ndaj Kosovës, ky pozicionim do të thoshte korrigjim faktik nga qëndrimi i gabuar për njohjen e Jugosllavisë së mbetur të Millosheviqit në vitin 1996, kur Kosova dhe shqiptarët bënin jetë në rrethana të një aparteidi të vërtetë. Mbi këto premisa, Gjermania do të vazhdojë të mbetet e përkushtuar ndaj rolit paqësor që luan KFOR-i në Kosovë, ku ushtarët gjermanë kanë ndihmuar në etablimin e stabilitetit për më shumë se dy dekada. Në të njëjtën kohë, politika e jashtme gjermane ka luajtur rol aktiv në procesin e adresimit të statusit politik të Kosovës, njohjen ndërkombëtare të shtetësisë së Kosovës dhe mbrojtjen e saj juridike ndërkombëtare në procesin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), e cila konfirmoi se pavarësia e Kosovës nuk cenonte të drejtën ndërkombëtare dhe se Kosova është një rast unik dhe i pakrahasueshëm.
Mesazhi i kancelares Merkel në Beograd
Pas angazhimit gjerman në kuadër të intervenimit ushtarak të NATO-s në luftën e Kosovës dhe njohjes së pavarësisë, moment i rëndësishëm i politikës gjermane në raport me Kosovën ka qenë qëndrimi i kancelares gjermane, Angela Merkel, lidhur me pritjet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Vizita e Merkelit në Beograd, në gusht të vitit 2011, e shënon një moment kthese në marrëdhëniet Kosovë-Serbi, pasi që Merkeli i kërkoi Tadiqit që Serbia t’i përmbushte tri kushte nëse dëshironte të merrte statusin e vendit kandidat të BE-së: E para, duhet të fillojë një dialog direkt me fqinjin e saj, Kosovën; së dyti, duhet të mos e pengojë operimin e EULEX-it në komunat veriore të Kosovës dhe, së treti, duhet t’i shpërbëjë strukturat ilegale serbe brenda Kosovës.
Në të njëjtën kohë, në kuadër të vizitës së tij në Kosovë, shefi i diplomacisë gjermane, Guido Westerwelle, nën përcjelljen e komandantit të KFOR-it, Erhard Bühler, më 11 gusht të 2011-s, kishte vizituar edhe pikën kufitare në Jarinjë, të djegur asokohe nga protestuesit serbë.
Ndërsa një vit më vonë, politikani dhe deputeti gjerman, Andreas Shokenhof (CDU), një kritik i shquar i presidentit rus, Vladimir Putinit dhe një përkrahës i hapur i sanksioneve të ashpra kundër Rusisë pas aneksimit të Krimesë, (për disa, rrethanat e vdekjes së tij më 2014 e kujtonin spontanisht sulmin me helm ndaj një ish-agjenti rus dhe kritiku të Kremlinit në Londër në vitin 2006), gjatë një vizite në Beograd në shtator 2012 kishte paraqitur 7 kushtet që Serbia duhet t’i përmbushte për nisjen e negociatave për anëtarësimin në BE.
Asokohe, Gjermania priste që Serbia, para nisjes së negociatave për pranimin si anëtare në Bashkimin Evropian, të nënshkruante me Kosovën marrëveshjen e përbashkët juridiko-obliguese, e cila do të zbatohej deri në fund të negociatave për pranim. Në këtë kuadër, shteti gjerman e theksonte nevojën e arritjes së progresit të prekshëm lidhur me zgjidhjet e çështjeve ende të hapura bilaterale me Kosovën, në këtë rrafsh procesin e dialogut ndërmjet Beogradit e Prishtinës dhe ujdia për vazhdimin e dialogut jashtë temave tani më të parashikuara, sikurse janë energjetika dhe telekomunikacioni. Në kuadër të këtyre kushteve, Berlini zyrtare tregohej i vendosur për t’i kërkuar Beogradit ndriçimin e sulmit mbi Ambasadën Gjermane në Beograd në shkurt të vitit 2008, kur Gjermania e ka njohur pavarësinë e Kosovës, dhe ndjekjen dhe dënimin e autorëve. Gjithashtu, Bundestagu priste sinjale të qarta në drejtim të vazhdimit të pajtimit në rajon dhe në këtë linjë Berlini zyrtar e cilësonte si hap prapa deklaratën e autoriteteve të Beogradit se “në Srebrenicë nuk ka pasur gjenocid”. Bundestagu pret sinjale të qarta në drejtim të vazhdimit të pajtimit në rajon. Ndërkaq, kushti i pestë kishte të bënte me strukturat paralele serbe në veri të Kosovës.
“Bundestagu pret fillimin e heqjes në vazhdimësi të strukturave paralele në aparatin e sigurisë e të administratës si dhe të financimin e tyre”, nga Beogradi. Në këtë frymë, në pikën gjashtë, i kërkohej Beogradit që të përdorte “ndikimin e vet dhe të ndikojë në vazhdimësi tek serbët në veri të Kosovës që aktivisht të bashkëpunojnë me EULEX-in dhe KFOR-in.
Përmes këtyre kushteve pala gjermane i bënte të qartë Serbisë se përafrimi i saj me BE-në nuk guxon të bartë konflikte të pazgjidhura fqinjësore. Sipas palës gjermane, Serbia, para hapjes së negociatave për anëtarësim, lypsej të tregojë vullnet evident se është e gatshme të arrijë normalizimin juridikisht obligues të raporteve me Kosovën me perspektivën se të dy anëtaret me të drejta të barabarta në kuptimin e traktatit të BE, mund t’i realizojnë të drejtat dhe detyrimet e veta, pavarësisht nga njëra-tjetra.
Një moment tjetër i rëndësishëm për Kosovën ishte edhe “Non Paper”-i i Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjermanisë mbi Kornizën Negociuese të BE-së me Serbinë, i diskutuar në fund të gushtit 2013 në takimin e COELA (grupit punues për zgjerim dhe vendet negociatore – “EU Enlargement and Negotiation Countries”). Me atë rast, Mbretëria e Bashkuar (UK) dhe Gjermania (DE) kishin “qartësuar pozicionin e tyre lidhur me kornizën negociuese për Serbinë” përmes një “non–paperi” mbi normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë e Kosovës.
Dokumenti i përbashkët i Britanisë së Madhe dhe i Gjermanisë përmbante 10 pika, të cilat zbërthehen në kushtëzim të jashtëzakonshëm për Serbinë. Ndërsa fokusi kryesor i këtij dokumenti është procesi i normalizimit, ku është përdorur termi tashmë jo i ri i “full normalisation”, i cili nënkuptonte që normalizimi i plotë duhet të formësohet në një marrëveshje ligjore të detyrueshme për të dyja palët dhe i cili do t’u garantonte Kosovës dhe Serbisë të vazhdojnë rrugëtimet e tyre përkatëse drejt BE-së, bashkë me të gjitha të drejtat dhe përgjegjësit që kjo do të duhej të jetësohet si kushtëzim final i Kapitullit 35. Kjo do të siguronte që normalizimi trajtohet në të gjithë kapitujt që kanë rëndësi për Kosovën. Kjo nënkuptonte se procesi i negociatave për të gjithë kapitujt do të kushtëzoheshin nga niveli i progresistë mjaftueshëm drejt normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën.
Nëpërmjet këtyre dokumenteve, Gjermani kishte bërë një hap të madh në fuqizimin e pozicionit dhe të shtetësisë së Kosovës, si dhe i kishte dhënë dinamikë të qartë dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë, duke i njohur Serbisë pronësinë e bllokimit të anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Për më tepër, me këtë pozicion, diplomacia gjermane kontribuoi në formulimin e kornizës negociuese ndërmjet Kosovës e Serbisë dhe bashkë me këtë edhe të kushteve që duhej të përmbushte Serbia për anëtarësim e saj në BE. Këto kushtëzime gjermane u shndërruan në kushtëzime evropiane për Serbinë dhe, sipas tyre, Serbia deri në fund të procesit për anëtarësim në BE obligohej të nënshkruante me Kosovën një marrëveshje ligjërisht të obligueshme. Këto kushtëzime nënkuptonin gjithashtu se Serbia nuk do të mund të hynte në BE pa nënshkrimin e një marrëveshjeje bilaterale me Kosovën dhe pa e njohur pavarësinë e saj. Dhe më domethënës ishte fakti se ky pozicion gjerman kishte mbështetjen e fuqishme të Britanisë së Madhe, njërin nga aleatët më strategjikë në Evropë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Mungesa e pranisë së qartësisë gjermane
Trembëdhjetë vjet më pas, vizita e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, përmbyllet pa asnjë mesazh të qartë për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të cilat, duhet pranuar, janë edhe më të këqija sesa që ishin në vitin 2011 apo 2013. Në vend të kushtëzimeve gjermane dhe evropiane si një dekadë më parë u tha se “litiumi e sjell Serbinë më pranë Evropës”. Në Beograd nuk ishte protagonist kancelari gjerman Scholz, as nënpresidenti i Komisionit të BE-së, Maros Sefcovic, por presidenti serb Aleksandar Vuçiq, i cili mori bonusin më të madh në karrierën e tij politike përmes nënshkrimit të një marrëveshje bashkëpunimi për shfrytëzimin e lëndëve të para dhe për prodhimin e baterive, veçanërisht për makinat elektrike. Prania e Schlozit në Beograd vetëm sa e konfirmoi mungesën e pranisë së qartësisë gjermane.
Për politikën gjermane në Ballkan, si duket, më nuk vlejnë parimet dhe përgjegjësitë e saja të formuluara në qëndrimet e një dekade më parë, kur të gjithë ne në Kosovë shpresonim se shteti gjerman po luante në rol aktiv dhe se ishte një adresë e rëndësishme politike për shtyrjen përpara të procesit të evropianizimit të Ballkanit dhe të normalizimit të marrëdhënieve fqinjësore Kosovë-Serbi.
Kjo qasje gjermane tregon një luhatje nga qëndrimet e mëhershme parimore ose një kontinuitet në ndryshim, i cili më shumë sesa një udhërrëfyesi për një politike të re ndaj Ballkanit, shpërfaq një tendencë për gjetjen e balancës mes interesave nacionale dhe vlerave. Kjo është ashpërsia që tani e tutje e pret Kosovën. Dhe, si për ironi, pikërisht në përvjetorin e katërmbëdhjetë të opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila shënon një fitore të jashtëzakonshme në aspektin e të drejtës ndërkombëtare, Këshilli i Bashkimit Evropian miratoi rregulloren që u lejon edhe serbëve të Kosovës, të cilët bartin pasaporta të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese në Beograd, të udhëtojnë pa viza sikurse të gjithë qytetarët e rajonit të Ballkanit Perëndimor! Ky vendim është hiq më pak se kontestim i shtetësisë së Kosovës, trimërim i strukturave ilegale serbe dhe njëkohësisht cenon integritetin territorial të Kosovës, ngase prej këtij Brukseli legalizon një lloj dualizmi juridik-shtetëror në Kosovë: Kosovën serbe dhe Kosovën tjetër multientike, por jo shqiptare. Ndërkaq, deklarata e kryeministrit Kurti se “ne nuk kemi mundësi të mëdha që të ndikojmë tek vendimet e Brukselit," nuk është justifikim i zakonshëm i një kryeministri të vendit.
Nëse ne vërtetë nuk kemi asnjë peshë dhe asnjë ndikim në vendimet që Bruksel merr për Kosovën, atëherë cili është qëllimi i shkuarjeve tona në takimet e Brukselit dhe vazhdimi i këtij dialogu. Mendoj se pakta që duhet të thuhet në këtë moment është, se ato pasaporta do të shpallen ilegale dhe do të konfiskohen. Ky vendim i Brukselit dhe qëndrimi gjerman, francez dhe italian kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës më shumë duhet lexuar si pozicionim në favor të qëndrimit të Beogradit në dialogun e Brukselit sesa ndonjë qëndrim parimor, kur tashmë Asambleja e Këshillit të KiE-së e kishte dhënë dritën jeshile për pranim. Nëse kjo qëndron, atëherë politika e vendeve anëtare të BE-së po e minon qëllimin kryesor të dialogut, integrimin e Kosovës në sistemin ndërkombëtar dhe evropianizimin e Serbisë si parakusht për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës e Serbisë. Përveç kësaj, me këtë qasje asimetrike, vendet kryesore të BE-së e bashkë me të edhe politika e jashtme e BE-së po ndihmojnë realizimin e intencës dhe narracionit serb të përkohshmërisë së çdo gjëje dhe të dualitetit në Kosovë. Natyrisht, në këtë situatë specifike gjeopolitike, ky nxitim i BE-së për njohjen e pasaportave ilegale serbe, ku Kosova figuron si territor i Serbisë, objektivisht shndërrohet në përkrahje te politikes serbe për kontestimin e shtetësisë së Kosovës edhe nga brenda. Ky diskurs absurd i Brukselit duhet të jetë një paralajmërim i qartë për Qeverinë e Kosovës se Aneksi i Ohrit, i cili gjithçka lë të hapur, mund të ketë prodhojë një ndarje të brendshme, e cila bashkë me aranzhimet e reja për Kishën Ortodokse Serbe, do ta bënin jofunksional shtetin e Kosovës.
Në këtë situatë specifike gjeopolitike, kur rolin udhëheqës evropian e ka marrë Gjermania së bashku me Francën, është e dukshme se ka ndryshuar edhe qasja ndaj Beogradit, e cila nënkupton heqje dorë nga pozicionet e dikurshme të qeverisë Merkel. Prandaj, do të ishte naive të besoj se me këtë diskurs procesi i Brukselit mund të prodhojë një marrëveshje të qëndrueshme për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Është e qartë se mungesa e pranisë së fuqishme amerikane dhe britanike në dialogun e Brukselit, hap pas hapi e ka deformuar qëllimin e dialogut, i cili në vend të normalizimit, viteve të fundit ky dialog ka shërbyer më shumë si një instrument për menaxhimin e status quosë. Dhe ndoshta pikërisht kjo qasje shërben si pikënisja më e mirë për ta kuptuar paradigmën e luhatjes gjermane.