Nuk duhet lejuar që motivi kryesor për vaksinim të jetë paniku. Kosovarët u vaksinuan më së shumti pas verës, kur shifrat e infektimeve dhe vdekjeve morën përmasa tragjike. Me rënien e këtyre shifrave ka rënë edhe interesi për vaksinim. Shembuj të shumtë nga Evropa mësojnë se as niveli prej 80 për qind i vaksinimit nuk jep siguri të plotë. Por nuk ka ilaç më të mirë sesa vaksinimi
Kosova sot, për nga numri i të infektuarve dhe pasojat nga COVID-i, duket si një oazë në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe Ballkanit në përgjithësi. Krahasuar me katastrofën që po kalojnë vendet fqinje, Kosova qëndron shumë mirë. Në Serbi rreth 7000 të infektuar në ditë, mbi 50 vdekje. Njëlloj është edhe në Kroaci. Në Rumani e Bullgari afro 500 vdekje në ditë, ndërkohë që në disa komuna varret duhet të hapen me ekskavator, sepse nuk po arrijnë të hapin sa duhet varreza për të vdekurit.
Është kështu për shkak se Kosova përjetoi përmasat tragjike të pandemisë në fund të verës. Atëherë kur u grumbulluan pasojat e ardhjes masive të diasporës, në numër të papritur të pavaksinuar, hapjes totale dhe mungesës së çfarëdo masash. Duke parë ato pasoja, njerëzit u bënë më shumë përgjegjës. Nisën të kenë më shumë kujdes dhe të vaksinohen. Falë këtyre masave dhe vullnetit të madh për vaksinim, Kosova arriti të ndryshojë trajektoren.
Kur Kosova përballej me numra të mëdhenj të infektimeve dhe vdekjeve, Kroacia kalonte mirë, pa ndonjë numër të madh dhe me një sezon të mirë turistik. Por në Kroaci tash shënohen rekordet e infektimeve dhe vdekjeve prej kur ka nisur pandemia. Kroatët, pas bullgarëve dhe rumunëve, janë të fundit në BE për nga përqindja e vaksinimit. Dhe tash po e paguajnë çmimin. Sikur kosovarët, edhe kroatët tash masivisht u janë drejtuar qendrave të vaksinimit, madje duke pritur në radhë deri në mesnatë.
Në Kroaci nuk kanë munguar vaksinat. As në Bullgari e Rumani. Madje këto shtete kanë dhënë edhe donacion vaksina, një pjesë të të cilave i janë dhënë edhe Kosovës nga ana e Kroacisë. Por kombinimi i papërgjegjësisë së qytetarëve, i egoizmit, mungesës së besimit në strukturat e shtetit, zërat e papërgjegjshëm nga ana e organizatave fetare, ndikimi i teorive të konspiracionit, kanë bërë që në Bullgari niveli i të vaksinuarve të jetë vetëm 27 për qind, në Rumani 34 për qind e në Kroaci rreth 50 për qind e qytetarëve të moshës madhore. Për dallim nga kjo, Belgjika ka rritur shifrat mbi 80 për qind, ndërsa Portugalia, Irlanda e Malta rreth 90 për qind.
Sikur vërtet uji i bekuar të ishte ilaç kundër COVID-it pse do të vaksinohej Papa atëherë. Por në Bullgari e Rumani akoma shumë njerëz u besojnë më shumë priftërinjve, fallxhinjve, plakave që shkrijnë plumb, vendosjes së hudhrave rreth qafës për të dëbuar shtrigat, sesa shkencës dhe mjekëve. Dhe për fat të keq këtë po e paguan tërë shoqëria me pasoja fatale.
Pasi askush nuk mund të jetë i sigurt se sa banorë ka Kosova, që janë rezidentë të Kosovës realisht e jo vetëm të regjistruar, nuk mund të dihet saktësisht as niveli i vaksinimit. Por sado që ai duket i madh, për rajonin është tepër i vogël për të pasur qetësi dhe për të qenë të sigurt se më nuk do të ketë valë të reja me pasoja aq të rënda siç ishte në fund të gushtit dhe i gjithë shtatori. Nëse nuk rritet numri i të vaksinuarve dhe nëse ata që u vaksinuan në fazën e hershme nuk e marrin tash edhe dozën e tretë, situata mund të përkeqësohet dhe, siç na mësojnë shembujt nga Evropa, me siguri do të përkeqësohet.
Nuk duhet lejuar që motivi kryesor për vaksinim të jetë paniku. Kosovarët u vaksinuan më së shumti pas verës, kur shifrat e infektimeve dhe të vdekjeve morën përmasa tragjike. Me rënien e këtyre shifrave ka rënë edhe interesi për vaksinim. Shembuj të shumtë nga Evropa mësojnë se as niveli prej 80 për qind i vaksinimit nuk jep siguri të plotë. Por nuk ka ilaç më të mirë sesa vaksinimi.
Ata që besojnë në teori të konspiracionit mund të gjejnë prapë arsyetime për këtë. Në vendet e Bashkimit Evropian tashmë shumica e atyre që infektohen kanë qenë të vaksinuar. Madje edhe numri i atyre që përfundojnë në spital është më i madh nga radhët e të vaksinuarve. Por, siç tërheqin vërejtjen ekspertët, kjo kurrsesi nuk mund të keqkuptohet dhe të interpretohet si dëshmi se vaksinimi nuk mbron. Është e kundërta.
Ja për shembull Belgjika, që tash po përballet me valën e katërt të pandemisë. Në këtë shtet vërtet numri më i madh i të infektuarve është te të vaksinuarit. Por kjo ka shpjegime logjike. Të vaksinuarit përbëjnë afro 80 për qind të popullatës, jo vetëm të moshës madhore por të popullatës në tërësi. Prandaj është logjike që numri i të infektuarve të jetë më i madh edhe nga kjo pjesë. Në anën tjetër kanë kaluar shumë muaj prej kur pjesa më e madhe u vaksinuan dhe, siç pritej, me kalimin e kohës zvogëlohet edhe imuniteti. E ndërkohë kanë dalë variante të reja të virusit, që shpërndahen më shpejt.
Por akoma edhe në Belgjikë gjasat për të përfunduar në kujdesin intensiv në spital si pasojë e virusit janë 14 herë më të vogla për të vaksinuarit.
Edhe nëse krahasohet periudha e këtij viti me atë të para një viti, shihet qartë ndikimi i jashtëzakonshëm pozitiv i vaksinimit. Këto ditë Belgjika shënon rreth 7000 infektime në ditë, ka në spital 1900 veta, nga të cilët në kujdesin intensiv 380. Ndërkohë rreth 20 veta në ditë vdesin si pasojë e virusit në shtetin që ka afro 12 milionë banorë.
Për krahasim, para një viti Belgjika shënonte 22.000 infektime në ditë, në Spital kishte mbi 8.000 persona, prej të cilëve mbi 2.000 në intensive. Shënonte edhe 120 vdekje në ditë. Situata para një viti në Belgjikë ishte aq dramatike, saqë ushtarët u desh t’u vinin në ndihmë spitaleve, ndërsa në mungesë të shtretërve të lirë pacientët dërgoheshin në Gjermaninë fqinje. Në ditë vdisnin rreth 120 persona, gjashtë herë më shumë sesa tash. Pra, vaksinimi ka bërë që sado e rëndë të jetë kjo valë e katërt, ajo të jetë shumë më e lehtë sesa para një viti, kur ende nuk kishte vaksinë në përdorim.
Mund të ketë ndodhur që edhe belgët të kenë vepruar në mënyrë të përgjegjshme për shkak të përvojës së hidhur. Sepse në valën e parë dhe të dytë të pandemisë, Belgjika zinte vendin e parë në botë për nga përqindja e vdekshmërisë nga radha e të infektuarve. Kjo gjithsesi ka bërë që njerëzit të jenë më pak hezitues apo kundërshtarë të vaksinimit.
Tash kur në Kosovë nuk ka tollovi para qendrave të vaksinimit, e vaksina ka në dispozicion, qytetarët do të duhej të vaksinoheshin sa më shpejt. Sepse deri te festat e vitit të ri kanë mbetur një muaj e gjysmë, saktësisht aq sa kanë nevojë vaksinat të fillojnë të kenë efekt. Vetëm në këtë mënyrë mund të jenë qytetarët më të përgatitur për të festuar, me më pak frikë nga pasojat. E kësaj radhe diaspora, që duhet të jetë e mirëseardhur, duhet t’i bëjë testet, apo të dëshmojë vaksinimin e kryer, sikur bëjnë kur udhëtojnë në vendet e tjera.