Dhe më 2025, të mos kemi frikë të provojmë gjëra të reja. Sikurse unë me hebraishten, jo vetëm si gjuhë, por dhe si aventurë më vete. Edhe nëse ndonjëherë nuk duken aq të qarta, të mos hezitojmë, sepse çereku i shekullit të 21-të po përmbyllet
Mendimi se me ardhjen e vitit 2025 po e përmbyllim çerekun e parë të shekullit të 21-të, i jep kuptim tjetër këtij viti, por edhe e ndryshon këndvështrimin për kohën. Po t’i referohemi sa për krahasim vetëm shekullit të kaluar, dhe vetëm zvhillimeve në trojet shqiptare, këta 25 vjetët e parë të shekullit të 21-të po na duken më ndryshe, apo edhe mendimi se nuk po flasim për periudhë me kohëzgjatje të njëjtë.
Sidoqoftë, për ne, ky vit do të jetë edhe më interesant, pasi gjatë 2025-tës do t’i kemi dy procese zgjedhore. Nga përvoja e këtij çerekshekulli, jemi të vetëdijshëm që do të na presin procese të stërzgjatura, duke filluar nga fushata parazgjedhore, e cila zyrtarisht fillon më 11 janar, megjithëse parafushata ka filluar muaj më parë, nga viti i kaluar. E me këtë, edhe kontaminimi i diskursit publik. Akuzat e ndërsjella, komentet e “analizat” vend e pa vend, nga njëri ekstrem në tjetrin, tashmë kanë eskaluar. Prania e kësaj edhe në rrjetet tona sociale, vetëm po e shton edhe më tepër disponimin negativ te secili. Por, me këtë edhe shmangia nga këto nuk është e pamundur. Andaj, të kujdesemi edhe për shëndetin tonë mendor, e të mos lejojmë të ndikohemi nga ky diskurs.
Në një përmbledhje të vitit 2024, nga këndvështrimi personal u shënua me një nga hapat më interesantë, por edhe të rëndësishëm. Mësimi i hebraishtes. Pasi kaloi periudha e dimrit, në pranverë e pikërisht më 1 maj u bëra pjesë e programit “Ulpan”, për mësimin e hebraishtes. Udhëtova në Izrael, në një periudhë jo të lehtë në regjionin e Lindjes së Mesme, dhe u vendosa në një kibbutz afër Jerusalemit. I gjendur në një lartësi mbidetare afërsisht 730 metra, kibbutz Tzova do të ishte vendbanimi im për pothuajse pesë muaj, aq sa do të zgjaste programi për ta mësuar hebraishten. Me alfabetin plotësisht të ndryshëm nga sa kisha mundur të mësoja më parë, përveç shkronjave latine dhe atyre cirilike, karakteret e Alefbetit ishin krejt të panjohura. Duke qenë gjuhë që nuk i përket familjes ku ndodhet gjuha shqipe, me hebraishten ishte sfidë në vete të ndërlidhja kuptimin e fjalës me tingullin. Sidoqoftë, me një planprogram të kuruar mirë, me këngë, shëtitje, e aktivitete të tjera, nga java në javë gjërat filluan të ndryshonin. Karakteret u bënë shkronja, bashkimi i tyre në fjalë mori kuptim, ndërsa fillova të isha në gjendje të zhvilloja një bashkëbisedim bazik.
Të ardhur nga vende të ndryshme të botës, pjesëmarrësit e tjerë, që shumë shpejt do të bëheshin miq shumë të mirë, nuk i dinin detajet e shtetit prej nga vija, megjithëse për Kosovën kishin dëgjuar. Koncepti i jetesës në komunitet të përbashkët, siç është jeta në kibbutz, e bënte të pashmangshme afrimin e njëri-tjetrit. Dhe, me kalimin e ditëve e javëve, filluam të vërenim që ne jo vetëm ishim miq, por edhe i nevojiteshim njëri-tjetrit. Përderisa krijonim miqësitë e ngushta, e kuptonim që banorët e kibbutzit, dhe jo vetëm ku ishim ne, por në të gjithë kibbutzët, komuniteti i përbashkuar është bërthama e gjithçkaje. Puna, gëzimet, telashet të gjitha ndaheshin mes kibbutznikëve (siç quhen banorët e kibbutzit) dhe gjithçka bëhej më e lehtë.
Po të shikohet në këndvështrimin historik, koncepti i kibbutzëve ka një rrugëtim mjaft interesant, por ai koncept fillestar në shumë prej tyre në ditët e sotme nuk ekziston, apo thënë më mirë është transformuar. Megjithatë, në disa sosh, më është thënë dhjetëra, koncepti i vjetër ka mbetur. Sido që të jetë, ajo që më së shumti më ka lënë përshtypje është që të gjithë kibbutznikët ishin të afërt me njëri-tjetrin, të lidhur mes vete, si një familje e madhe – në rastin ku isha unë, si një familje qindraanëtarëshe. Puna në komunitet është e mishëruar dhe as nuk vinte në pyetje ndonjëherë që dikush në nevojë të mos ndihmohej. Në çfarëdo forme. Për ata nuk ishte asnjëherë dilema se a do të ishte dikush aty për ta. Sepse gjithmonë ishte.
Në periudhën kur unë isha pjesë e programit, situata në Lindjen e Mesme nuk ishte aspak e qetë dhe lufta ishte pjesë e asaj atmosfere të përditshme. Por, edhe në raste kur tensionet shtoheshin, kibbutznikët përkujdeseshin që edhe ne “të huajt” (që nuk ishim kibbutznikë) të ndiheshim të sigurt dhe të kuptojmë që nuk jemi vetëm. Pranvera dhe vera ishin mjaft të këndshme, meqë ishte në një lartësi të konsiderueshme mbidetare, me vegjetacion të jashtëzakonshëm, dhe vapa e cila e karakterizon Izraelin dhe Lindjen e Mesme, nuk vërehej aspak. Shtatori e solli edhe përfundimin e programit, ndërsa unë tashmë i kisha marrë hapat e parë të komunikimit në hebraisht, gjuhë të cilën deri para pak muajsh nuk e kuptoja fare. Ndërsa tash, ato karaktere që nuk e kisha idenë se çka do të thoshin, i shoh si shkronja e fjalë me kuptim. Në aspektin personal, një arritje e madhe. Në kohë lufte në regjion, por pa frikë.
Përgjatë tërë asaj periudhe, sa isha i angazhuar me mësimin e hebraishtes, kur kishim ligjërata për tetë orë në ditë, e pastaj edhe angazhimet ditore në kibbutz apo edhe jashtë, përveç komunikimit me familjarët dhe miqtë, nuk kam arritur t’i përcjell zhvillimet e aktualitetit politik në Kosovë. Dhe sikurse më lart, për shkak se mundohesha të kujdesesha për shëndetin tim mendor nga kontaminimi i diskursit.
Shoqëria jonë, për më tepër gjenerata jonë e çlirimit, formimit dhe ndërtimit të shtetit tonë, Kosovës sonë të dashur, nuk bën t’ia lejojë vetes një devijim të këtillë. Shpesh i referohemi Lëvizjes kombëtare të Pajtimit të Gjaqeve, si shembulli më i fuqishëm kur përçarjet u zhdukën dhe populli u bashkua për një kauzë edhe më të madhe dhe ekzistenciale, për çlirimin e atdheut. Prandaj, si një vit zgjedhor që tashmë ka hyrë me polarizim të madh të shoqërisë, 2025-shi nuk duhet të na sfidojë edhe më shumë.
Dhe më 2025, të mos kemi frikë të provojmë gjëra të reja. Sikurse unë me hebraishten, jo vetëm si gjuhë, por dhe si aventurë më vete. Edhe nëse ndonjëherë nuk duken aq të qarta, të mos hezitojmë, sepse çereku i shekullit të 21-të po përmbyllet.
Andaj, për një vit pa frikë për realizimin e ëndrrave, gëzuar 2025!