OpEd

Nuk mund të llogaritet në moral të politikanëve për të mbrojtur paratë e taksapaguesve

Keqpërdorimin e parave të taksapaguesve në Kosovë nuk mund ta parandalojë asnjë thirrje në moral dhe etikë e politikanëve, por vetëm sistemi që e pengon dhe sanksionon një gjë të tillë. Kjo vlen edhe për manipulimin shokues me mëditjet për udhëtime jashtë tash e 15 vjet. “Mundësia krijon keqpërdoruesin”, thotë një fjalë. Është shokuese që për udhëtime në Shqipëri politikanët dhe zyrtarët kosovarë të kenë mëditje më të mëdha sesa për udhëtime në Bruksel. Këto mëditje UNIMK-u i ka kurdisur për nevoja të stafit të vet dhe me shumë dëshirë i ka kopjuar elita politike e Kosovës për t’i keqpërdorur. Ku patën mundësi, keqpërdorime të tilla bënë edhe deputetët e Parlamentit Evropian

Çfarë është mëditja? Ajo është një shumë e mjeteve financiare që u jepet zyrtarëve apo edhe punonjësve të kompanive private kur udhëtojnë jashtë shtetit të tyre, apo edhe vendbanimit, për të kryer punë në emër të punëdhënësit, e me to i mbulojnë shpenzimet e ushqimit dhe disa shpenzime të tjera. Por në disa raste mëditjet kuptohen si mundësi për të pasur të ardhura shtesë, krahas rrogës që kanë.

Dhe shpesh ndodh edhe manipulimi me mëditje, nëse ekziston një mundësi për manipulim. Kështu duket se ka ndodhur në Kosovë në 15 vjetët e fundit, siç ka sqaruar “Koha Ditore” në mënyrë të detajuar në numrin e së dielës para një jave. Nuk ka asnjë sqarim tjetër pse qeveritë e Kosovës, të gjitha deri tash, me mbështetje të madhe të të gjitha partive politike, kanë lejuar që të mbetet në fuqi një rregullore e UNMIK-ut për mëditje, pos interesit që kjo të keqpërdoret për përfitime të tyre personale.

Nuk është fshehtësi se thirrja në çfarëdo roli të UNMIK-ut automatikisht është mohim i shtetësisë së Kosovës. Dhe si rrjedhojë kushdo që dëshiron përforcimin e identitetit të Kosovës si shtet duhet të insistojë se UNMIK-u ishte një qeverisje e përkohshme, ndërkombëtare, për të cilën nuk ka më nevojë në Kosovë, prej kur Kosova është bërë shtet. Por kjo puna me mëditjet është dëshmi se si kur është në interesin e tyre personal politikanët e Kosovës nuk kanë asgjë kundër rregulloreve të UNMIK-ut.

Nuk ka asnjë problem që ata të cilët në emër të shtetit udhëtojnë jashtë të kenë të mbuluara të gjitha shpenzimet dhe të kenë mëditje të cilat u sigurojnë një qëndrim dinjitoz në ato udhëtime kur përfaqësojnë shtetin. Por në Bruksel janë të shokuar kur dëgjojnë se për udhëtime në Shqipëri zyrtarët kosovarë marrin mëditje të njëjta sikur kur udhëtojnë në Bruksel. Zakonisht mëditjen caktohen në bazë të standardit dhe çmimeve në vendin të cilin e vizitojnë. Dhe nuk ka dyshim se diku rreth 200 euro mund të jenë pak a shumë çmim real, nëse jo edhe i vogël, për Brukselin nëse nga ato para duhet paguar edhe fjetjen në hotel. Por kjo kurrsesi nuk mund të vlejë për udhëtime në Shqipëri. Për krahasim, sipas vendimeve të Qeverisë në Kroaci, ku rroga mesatare është shumë më e madhe se në Kosovë dhe ku bruto prodhimi i brendshëm është shumëfish më i lartë, mëditjet për Belgjikë janë 70 euro në ditë, ndërsa për Shqipëri 35 euro. Këtu nuk llogaritet çmimi i akomodimit në hotel për të cilin caktohet një maksimum. Dhe realisht 70 euro në Belgjikë vlejnë në ditë sa edhe 35 euro në Shqipëri. Si ndodh atëherë që zyrtarët kosovarë të kenë mëditje për Shqipëri sa edhe për Bruksel. Ndodh sepse kështu na paska vendosur UNMIK-u.

Pa dashur që të akuzojmë direkt dikë në sistemin e OKB-së mund të themi se UNMIK-u i ka shikuar interesat e personelit të tyre. Pse të mos marrin edhe mëditje kur nga Kosova shkojnë në Shqipëri apo Maqedoni. Dhe këtë me dëshirë e kanë kopjuar edhe qeveritë e Kosovës. Kemi dëgjuar nganjëherë privatisht nga politikanët e Shqipërisë sesi gjatë ditëve të vikendit marrin ftesa për të pirë një kafe nga kolegët kosovarë. Takohen me ta, bëjnë foto, ato postohen në faqet e rrjeteve sociale si takime zyrtare gjatë vizitës zyrtare në Tiranë, dhe kështu arsyetohen edhe mëditjet, ndonëse praktikisht ka qenë një vikend i këndshëm me familje në Shqipëri. Dhe nga vizita të tilla janë kthyer me më shumë para sesa që kanë shkuar.

Tash në Kosovë dëgjohen thirrje që kjo të ndryshojë sa më shpejt, në mënyrë që të mos ketë keqpërdorime të mëditjeve për të shfrytëzuar paratë e taksapaguesve, të cilat do të ishin të mirëpritura në raste shumë më të nevojshme si shëndetësia, shkollimi apo diçka tjetër.

Keqpërdorimin e parave të taksapaguesve në Kosovë nuk mund ta parandalojë asnjë thirrje në moral dhe etikë të politikanëve, por vetëm sistemi që e pengon dhe sanksionon një gjë të tillë. Kjo vlen edhe për manipulimin shokues me mëditjet për udhëtime jashtë tash e 15 vjet. “Mundësia krijon keqpërdoruesin”- thotë një fjalë. Është shokuese që për udhëtime në Shqipëri politikanët dhe zyrtarët kosovarë te kenë mëditje më të mëdha sesa për udhëtime në Bruksel. Këto mëditje UNIMK-u i ka kurdisur për nevoja të stafit të vet dhe me shumë dëshirë i ka kopjuar elita politike e Kosovës për t’i keqpërdorur. Kur patën mundësi, keqpërdorime të tilla bënë edhe deputetët e Parlamentit Evropian.

Në Parlamentin Evropian deputetët marrin diku rreth 300 euro në ditë si mëditje, qoftë gjatë javës kur takimet zhvillohen në Bruksel apo në Strasbourg. Me to ata mund të paguajnë akomodimin dhe ushqimin ditor. As në Bruksel e as në Strasbourg nuk i shpenzojnë të gjitha, kështu që shpesh këto mëditje edhe për deputetët e Parlamentit Evropian janë sikur një shtesë në të ardhurat e tyre. Ekziston një kusht që duhet ta plotësojnë. Duhet të nënshkruhen në listë se kanë marrë pjesë në seanca të Parlamentit apo komisioneve. Nëse një ditë nuk kanë marrë pjesë nuk kanë të drejtë në mëditje. Dhe kjo ka bërë që të ketë raste që dikush të nënshkruhet për kolegët. Ka pasur raste edhe kur të enjteve (ditën e fundit të seancave)në orët e hershme të mëngjesit të shihen deputetë edhe nga shtetet e pasura, si Gjermania apo Britania, që vijnë në Parlament me valixhe, nënshkruhen në listë dhe shkojnë në shëtitje, por e marrin mëditjen për atë ditë. Pra, sa rroga prej rreth 8000 eurosh në muaj, as përfitimet e tjera, nuk i kanë parandaluar që të keqpërdorin mëditjet në interes personal. Asnjë ndjenjë e tyre morale nuk i ka penguar ta bëjnë një mashtrim të tillë, derisa nuk është ndërruar sistemi i cili nuk i lejon që ta bëjnë një gjë të tillë dhe derisa mediat nuk i kanë vënë në shtyllën e turpit.

Pse politikanët në Kosovë e kanë keqpërdorur aq paranë publike? Sepse kanë pasur mundësi dhe nuk janë sanksionuar asnjëherë për një gjë të tillë. Dhe kjo do të vazhdojë derisa të mos ketë pasoja për këtë.

Mëditjet, rolet nëpër bordet mbikëqyrëse, pagesa e dyfishtë e shpenzimeve, janë shpesh përfitime në zonën e zymtë publike. Në to mendohet kur thonë se “rrogat nuk janë aq të mëdha, por të ardhurat janë shumë të mëdha”, sepse përmes keqpërdorimeve të tilla shpesh sigurojnë gati edhe një rrogë të dytë. “Hajt se paguan shteti”, është një thënie me të cilën e arsyetojnë sikur shteti të jetë i dikujt tjetër. Dhe këto keqpërdorime në fakt tregojnë më së miri se sa shpërfillës ata janë edhe ndaj shtetit, edhe ndaj popullit në emër të të cilit flasin.