Duke pritur vitin e ri 1990 një plak në Dukagjin qante nga gëzimi duke parë rënien e Murit të Berlinit. Plaku nuk dinte gjë nga gjeopolitika, por dinte një të vërtetë të vjetër. Fatet e vendeve të vogla diktohen nga dinamikat që vendosën oqeanet dhe hemisferat larg tyre. Kështu sot edhe ne duke pritur vitin 2026 gëzohemi për të ardhmen që na pret
Përderisa i afrohemi fundit të këtij viti me të drejtë sodisim për atë se çfarë ka ndodhur vitin e kaluar dhe çfarë na pret vitin tjetër. Janë shumë gjëra që na preokupojnë lidhur me zhvillimet në vendin tonë, por shpesh edhe më shumë na preokupojnë zhvillimet në botë. Ndoshta kjo është edhe një ves i vjetër ballkanik: të merremi më shumë me punët e botës se punët tona. Në filmin kult boshnjak “Tokë e Askujt” është një skenë e bukur ku në mes të një llogori gjatë luftimeve në mes ushtrisë boshnjake dhe serbe një ushtar është duke lexuar gazetat. Duke lexuar kështu lajmet nga bota ushtari rënkon “Ah, çfarë tmerri në Ruandë”. Skena kap bukur ironinë e jetës sonë ballkanike ku në mes gjithë telasheve tona ne merremi me punët e largëta të botës.
Por në këtë ironinë tonë ballkanase fshihet edhe një e vërtetë e vjetër sa bota. Fati i vendeve të vogla çdo herë është diktuar nga vullneti i vendeve të mëdha. Shpesh e tregoj një rrëfim që kap bukur thelbin e kësaj të vërtete. Në vitin 1989 diku thellë në rajonin e Dukagjinit një plak ishte duke parë pamjet e rrënimit të Murit të Berlinit. Duke i parë këto pamje plaku filloi të qante nga gëzimi. Duke iu përgjigjur fytyrave të habitura që e rrethonin, ai tha: “Janë lot gëzimi. Kjo punë nuk ndalet më. Shumë shpejt liria do të vijë edhe në Kosovë”.
Ndonëse liria në Kosovë u vonua edhe dhjetë vjet të tjera, ky rrëfim apokrifik kap bukur thelbin e fatit të vendeve të vogla. Fatet e tyre diktohen nga dinamikat që vendosën oqeanet dhe hemisferat larg tyre. Dhe asnjë vend nuk ka diktuar kursin e historisë së re moderne më shumë se SHBA-ja. Kjo është edhe arsyeja përse sot jemi më të brengosur, ndonëse jo të alarmuar për fatin tonë. Sot zhvillimet në SHBA janë arsye për brengosje, por edhe për optimizëm.
Që nga ardhja në pushtet Trump ka sulmuar themelet e jetës demokratike amerikane. Ndryshe nga mandati i tij i parë, kësaj radhe Trump është duke përdorur levat e pushtetit me më shumë efikasitet dhe me më shumë zell revanshizmi.
Me ardhjen në pushtet Trump ka militarizuar si asnjëherë më parë institucionet amerikane. Sikur në traditën e vjetër ballkanike të “kapjes së shtetit” Trump ka mbushur institucionet kyçe amerikane me lojalistë politikë të tij dhe ka ndëshkuar të gjithë shërbyesit publikë të cilët kanë refuzuar të zbatojnë urdhrat e paligjshëm të tij. Pasi që kishte siguruar se kishte kapur institucionet e drejtësisë Trump urdhëroi ndjekjen politike të të gjithë kundërshtarëve të vet. Kështu në listën e të përndjekurve politikë u gjetën ish-presidenti Joe Biden, senatori Adam Schiff, senatori Mark Kelly, senatorja Elissa Slotkin, z. George Soros, filantrop, z. Jack Smith, ish-prokurori special, z. James Comey, ish-drejtor i FBI-së, z. John Bolton, ish-këshilltar i Sigurisë Nacionale, znj. Letitia James, ish-prokurore e shtetit të Nju-Jorkut, z. John Brennan, ish-drejtori i CIA-s, dhe shumë të tjerë. Të gjitha këto raste të përndjekjes politike u nisën mbi baza qartësisht politike dhe disa prej tyre - sikur në rastin e senatorit Schiff, z. Comey dhe znj. James - veçse janë refuzuar nga gjykatat.
Dhe Trump nuk u ndal vetëm me përndjekjen e kundërshtarëve politikë ndaj të cilëve ai synonte revanshizëm politik, ai vazhdoi të përdorë institucionet e kapura si mjet për të luftuar këdo që kundërshtonte agjendën e tij politike. Kësisoj ai drejtoi institucionet e drejtësisë kah mediat më të rëndësishme liberale siç janë “Wall Street Journal”, “The New York Times”, “ABC”, “CBS” dhe shumë të tjerë. Madje as universitetet prestigjioze sikur Harvard, Columbia dhe UCLA nuk u shpëtuan përndjekjes së Trumpit. Këtë javë duke komentuar përdorimin e institucioneve të drejtësisë kundër kundërshtarëve politikë edhe vetë shefja e stafit të Shtëpisë së Bardhë, znj. Susie Wiles, pranoi se disa nga këto hetime “duken sikur revanshizëm politik”.
Dhe përveç militarizimit të institucioneve represive të drejtësisë Trump provoi të militarizojë politikisht edhe ushtrinë. Gjatë një mbledhjeje me krerët ushtarakë amerikanë Trump kërkoi nga ata që të “përgatiten të zbarkojnë në qytetet amerikane dhe t’i hapin luftë armikut të brendshëm”.
Të gjitha këto zhvillimet janë gjërat të cilat na bëjnë të brengosemi. Kapja e shtetit, keqpërdorimi i institucioneve publike, përndjekja e kundërshtarëve politikë, represion mbi media – të gjitha këto jemi mësuar t’i shohim në vendet sikur Rusia, Kina dhe Irani, por jo Amerika. Prandaj kur sot shohim çfarë po ndodh në Amerikë brengosemi për të ardhmen tonë.
Por jo çdo gjë është zi. Edhe gjatë mandatit të parë të Trumpit, por edhe sot, demokracia amerikane vazhdon të rezistojë dhe të luftojë përpjekjet e Trumpit për shkatërrimin e themeleve demokratike amerikane. Opozita amerikane vazhdon të jetë alternativë e respektueshme në sytë e popullit amerikan. Performansa e shkëlqyer e demokratëve në një numër të zgjedhjeve lokale të vitit 2025 tregoi se populli amerikan nuk toleron ngritjen e autokratëve në tokë amerikane. Sistemi gjyqësor vazhdoi të sanksionojë aktet joligjore të Trumpit. Pothuaj të gjitha përpjekjet e tij për ndjekje politike dhe sulmet mbi media dhe universitetet u sanksionuan. Ushtria amerikane ruajti profesionalizmin e vet të jashtëzakonshëm dhe refuzoi të instrumentalizohet për qëllime politike. Sistemi unik kushtetues amerikan po vazhdon të ofrojë “checks and balances” ndaj pushtetit të Trumpit me fuqinë e konsiderueshme që kanë ushtruar guvernatorët dhe kryetarët e qyteteve të mëdha sikur New York, Chicago dhe Los Angeles gjatë këtij viti. Shoqëria civile amerikane në përgjithësi përfshirë media, universitete, biznese, grupe avokimi – të gjithë u bashkuan për t’i shërbyer si mburojë demokratike traditës politike amerikane ndaj sulmeve të Trumpit.
Prandaj sot përderisa mendojmë për çfarë na pret në vitin 2026 kemi arsye që të jemi optimistë për vitin 2026. Sikur ai plaku i Dukagjinit që gëzohej për rënien e Murit të Berlinit, ashtu edhe ne sot gëzohemi kur shohim se si demokracia amerikane vazhdon të qëndrojë e palëkundur nga sulmet e paprecedenta mbi vlerat më sublime demokratike. Benjamin Franklin do të ishte i gëzuar sot kur do të shihte se populli i tij me të vërtetë qe i aftë ta ruajë republikën e vet. Dhe në gjithë këtë mes ka mësim edhe për ne. Ashtu sikur populli amerikan edhe ne kemi përgjegjësinë që ta ruajmë republikën tonë. Viti që është para nesh do të na ofrojë mjaft mundësi të tregojmë këtë aftësi. Uroj që do ta kalojmë testin.