OpEd

Një tërmet politik në Gjermani

Zgjedhja e kryeministrit të landit të Thüringenit në Gjermaninë lindore me vota të partisë ekstremiste AfD ka shkaktuar tronditje të madhe në politikën gjermane. Për herë të parë pas vitit 1945 në Gjermani një politikan merr një funksion kaq të lartë me vota të neofashistëve. Deputetë të AfD-së në parlamentin gjerman e quajnë Kosovën “shtet artificial dhe të dështuar”, kundërshtojnë themelimin e ushtrisë së Kosovës, kërkojnë tërheqjen e ushtarëve gjermanë nga Kosova.

Në landin e Thüringenit në Gjermani sot në rendin e ditës të parlamentit ishte zgjedhja e qeverisë së re. Tri parti – e majta, socialdemokratët dhe të gjelbrit – në parlament kanë 42 vende. Këto mandate nuk mjaftonin për të zgjedhur qeverinë e re. Kryeministri i deritanishëm Bodo Ramelow nga partia DIE LINKE (e majta) shpresonte se do të merrte pak vota nga partia konservatore CDU dhe kështu do të siguronte rizgjedhjen e një qeverie të pakicës.

Ramelow kandidoi në raundin e parë dhe dështoi. Kandidoi në raundin e dytë dhe dështoi. Në dy raundet e para ai e pati kundërkandidat një politikan të pavarur, por të përkrahur nga partia neofashiste Alternativa për Gjermaninë (AfD). As kandidati i AfD-së nuk i mori votat e mjaftueshme për t’u bërë kryeministër. Në raundin e tretë, vendimtar, kërkohej vetëm një shumicë e thjeshtë. Tani befas e paraqiti kandidaturën një politikan i liberalëve (FDP), i quajtur Thomas Kemmerich. Dhe Alternativa për Gjermaninë menjëherë e ndërroi strategjinë: e injoroi kandidatin e saj dhe votoi për kandidatin liberal.

Me gjasë duke besuar se AfD do të vazhdojë të votojë për kandidatin e vet, disa konservatorë të CDU-së ia dhanë votat Thomas Kemmerichut. Dhe rezultati i la pa fjalë jo vetëm një pjesë të madhe të deputetëve në parlamentin e landit të Thüringenit: me 45 vota Thomas Kemmerich u bë kryeministër. Për herë të parë pas vitit 1945 në Gjermani një politikan zgjidhet kryeministër me votat e një partie të ekstremit të djathtë.

Pritej se Thomas Kemmerich do të refuzojë zgjedhjen. Por ai bëri të kundërtën: e pranoi atë. Pastaj në parlament ndodhi një skenë që do të mbahet gjatë në mend në Gjermani: kryetarja e së majtës në Thüringen iu afrua kryeministrit të ri dhe, ndërsa ky priste të merrte buqetën me lule, ajo ia hodhi lulet para këmbëve, nuk ia dha dorën dhe u kthye në vendin e saj.

Zgjedhja e kryeministrit në Thüringen ka shkaktuar tërmet politik në Gjermani. Deri më tani të gjitha partitë kanë pasur një qëndrim të qartë: askund, në asnjë rrethanë nuk do të ketë bashkëpunim me Alternativën për Gjermaninë. Tani, me a pa dashje, me a pa qëllim, CDU dhe liberalët e Thüringenit, janë shndërruar në instrument të një partie neofashiste.

Kryesia e CDU-së në Berlin (CDU është partia e kancelares Angela Merkel) ka kërkuar menjëherë zgjedhje të reja në Thüringen duke thënë se CDU e këtij landi ka vepruar kundër urdhrave të partisë dhe kështu ka mundësuar zgjedhjen e një kryeministri me vota të ekstremistëve. Shto kësaj edhe faktin që liberalët, FDP, në zgjedhjet për parlamentin e Thürigenit kanë fituar vetëm 5 për qind të votave. Përmes një bashkëveprimi politik të (pa)kalkuluar, dy parti (CDU dhe FDP) siguruan pushtetin me ndihmën e AfD-së, një parti pjesërisht raciste, antisemite, proruse.

Deputetë të AfD-së në parlamentin gjerman e quajnë Kosovën “shtet artificial dhe të dështuar”, kundërshtojnë themelimin e ushtrisë së Kosovës, kërkojnë tërheqjen e ushtarëve gjermanë nga Kosova. Një funksionar i AfD-së është Dubravko Mandiqi, i lindur në Sarajevë në një familje etnikisht të përzier (babai kroat, nëna serbe). Një kandidat për deputet i AfD-së hapur ka kërkuar bashkëpunim me partinë ekstremiste serbe Dveri. Ekstremistë të AfD-së kanë vizituar Beogradin dhe janë takuar me ultranacionalistë. Në vitin 2017 në Beograd qëndroi, me ftesë të presidentit Aleksandar Vuçiq, politikania udhëheqëse e AfD-së, Alice Weidel.