Shumë zhvillime ka pasur në botë brenda 365 ditëve. Po aq sa zhvillime, ka pasur edhe opinione të kosovarëve për kapërcim krizash anembanë globit. Shumë syresh me hashtagë, ndonjë like, apo koment
“Përse gjermanët duhet ta zgjedhin Merkelin?”.
Do të ishte ky titulli i një statusi të gjatë në “Facebook”… për gjermanët … shkruar në shqip.
Ishte mesi i shtatorit. Në 2017-n, që në Evropë do të konsiderohej vit vendimtar për drejtimin që do ta merrte kontinenti, zgjedhjet ishin mbajtur në disa shtete. Pas humbjeve të populistëve në Holandë e Francë, radhën e kishte Gjermania. Partia e ekstremit të djathtë atje kishte rritur përkrahje. Debati në Gjermani po e mbërrinte pikën e vlimit.
Ky debat do ta pushtonte edhe Kosovën. Gjithçka do të zhvillohej në hapësirën virtuale. Politikanë, analistë, njohës e njerëz të zakonshëm e ndienin obligim të flisnin. Gati të gjithë kishin mendim për atë që mund të ndodhte, apo do të duhej të ndodhte. Secili kishte rekomandimet e veta dhe preferencën, ani pse nuk kishte të drejtë vote në Gjermani.
Zgjedhjet në Kosovë tashmë kishin kapërcyer. Shtatori e kishte gjetur Kosovën me qeveri të re. Pas ngërçit disamuajsh, numrat disi ishin siguruar.
Tani mendjet dhe zemrat e kosovarëve ishin kthyer gjetkë… kah Gjermania. Por kjo nuk do të zgjaste shumë. Dy javë më pas, fokusi do të ishte dikah tjetër.
* * *
Dhuna policore në Katalonjë, në tetor, do të nxiste zemërim gjithkah nëpër botë. Derisa katalonjasit po votonin në referendumin për pavarësi, që ishte shpallur i paligjshëm nga Madridi, në rrjetet sociale shpërndaheshin fotografi tmerri. Votues që tërhiqeshin zvarrë nga vendvotimet. Xhirime të dhunës policore mbi qytetarë.
Skena të tilla do të pushtonin hapësirën virtuale. Në Kosovë, që kishte kaluar nëpër të njëjtën situatë, një reagim i tillë do të vinte natyrshëm.
“Me katalonjasit”, një solidarizim masiv në “Facebook”.
Kriza në Spanjë do të vazhdonte gjatë tërë vitit. Lideri katalonjas do të shpallte pavarësinë. E pastaj Madridi do të vendoste kontrollin direkt. Dikur do të shpalleshin zgjedhje.
Zhvillimet do të përcilleshin më vëmendje në Kosovë. Lajmet do të shpërndaheshin. Por do të kishte të tillë që nuk do të kufizoheshin vetëm në solidarizim e shpërndarje. Kosovarë, jo domosdo ekspertë, do t’i jepnin këshilla Spanjës se si ta kapërcente krizën më të rëndë politike të dekadave të kaluara. Apo katalonjasve rreth rrugës përpara.
Botë e madhe, zhvillime sa të duash! Sidomos më 2017.
* * *
Në 365-ditëshin e 2017-s janë shpërndarë lajme të lidhura me spektaklet e Trumpit. Në Kosovë janë dhënë mendime se çfarë nënkupton presidenca e tij atëherë kur liderët nëpër botë nuk po mund t’i binin në fije.
Është komentuar Turqia. Kosovarët e kanë ndier disi obligim të rreshtohen në kampin pro e kundër Erdoganit. Kjo sidomos në prill, kur Erdogani me referendum do ta legalizonte përqendrimin e pushtetit në duart e tij.
Ka pasur solidarizim me viktimat e sulmeve nëpër Evropë! Në kohën kur furgonët janë shndërruar në një armë vdekjeprurëse, që mbjell frikë dhe terror, hapësira virtuale kosovare është pushtuar nga #. Solidarizim i njëjtë ka ndodhur edhe në rastin e spastrimit etnik të myslimanëve në Birmani.
Kur uragani “Irma” bëri kërdi në SHBA, përpos mendimeve e hashtag-solidarizimit, i pari i Kosovës do të dilte me një propozim konkret. Do të kërkonte që SHBA-së t’i dërgohet ndihmë financiare.
Edhe populizmi do të bëhej pjesë e diskursit në rrjetet sociale, në një fjali bashkë me Evropën. Atë që dikur asociohej me integrim e perspektivë.
Teknologjia e ka bërë të veten. Në periudhën e telefonave të mençur lajme, të vërteta e të pavërteta, po përhapen me shpejtësi. Secili që ka qasje në internet mund të informohet. Paralelisht me teknologji kanë avancuar edhe “ekspertët”. Të tillë që nuk hezitojnë ta japin mendimin, madje edhe për gjërat për të cilat këshillohen me “Google”.
Nganjëherë mendimi bazohet vetëm tek ndonjë titull portali. E tituj ka sa të duash. Për SHBA-në, Korenë Veriore, Zimbabvenë e të tilla. Lajme që shpërndahen shpesh. Apo që bëhen status, shoqëruar me thënien e ndonjë të famshmi.
Në rrjetet sociale në Kosovë nuk është e thënë të jesh njohës. Mendim mund të japësh për gjithçka.
Është kjo gjeneratë ajo që ka jetësuar mallkimin shqiptar: Folsh me gishta.
Fokusi në rrjetet sociale po e bën të veten. Realiteti po lihet anash. Teknologjia fatkeqësisht nuk ka mbërritur në atë nivel sa ndryshimet të arrihen me një like a share.
* * *
E në realitetin kosovar, jo atë virtual, gjendja kurrkah! Kaosi vazhdon. Mu atëherë kur duket se s’ka ku shkon më keq, politikanët e dëshmojnë se ka edhe më zi... se do të vijë dita kur do të kujtohet me nostalgji e sotmja.
Edhe këtë vit, në Kosova ka vazhduar të jetë në fund të listave në Evropë, sipas të gjithë treguesve ekonomikë, socialë e të tjerë. Por ka mbetur e para me ndotjen e ambientit dhe dëshirën e të rinjve për t’u larguar.
Në krye të listave do të dilte edhe nëse do të merrej për bazë numri i analistëve. Së paku në rrjetet sociale. Apo po të protestohej në mënyrë digjitale!
Gjithçka për like! Prandaj, like për 2018-n!