Në shtetin ku një politikan i kthyer në profesor universiteti e “rrëzoi” teorinë e relativitetit të Elbert Einsteinit, nuk është çudi që legjislatura e re dështon për të dhjetën herë të konstituohet. Politikanët e sotëm, në laboratorin e quajtur Kuvend, teorinë e gjeniut të shekullit XX e kanë kthyer në strategji veprimi: gjithçka është relative, përveç aftësisë për të prodhuar kriza e paaftësisë për të gjetur zgjidhje. Prandaj, e meritojnë 10-she të pastër. Një 10-she për mungesë përgjegjësie, për bllokadën, për rekordin e zi në Kuvend, për të 10 dështimet e derisotme
Një politikan kosovar i kthyer më pas në studiues të pasionuar të fizikës, pati marrë guximin intelektual për ta “sfiduar” njërin nga mendjet më brilante që njeh historia moderne – Albert Einsteinin. Pasi u zhyt thellë në botën e formulave dhe teorive që përcaktuan shekullin XX, në vitin 2018 pushtoi ekrane e ballina, me deklaratën se Einstein bëri gabime në tri faza të zhvillimit të teorisë speciale të relativitetit. Dhe, guximshëm tha: Teoria është e gabuar, prandaj është e padobishme.
Politikanët e sotëm, larg librave e laboratorëve të universitetit, teorinë e njëjtë të Einsteinit e kanë kthyer në strategji të përditshme veprimi: Gjithçka është relative, ndërsa e vetmja që nuk ndryshon është aftësia për të prodhuar kriza dhe paaftësia për të gjetur zgjidhje.
Këtë po e demonstrojnë në laboratorin e quajtur Kuvend. Për të dhjetën herë që prej certifikimit të rezultatit zgjedhor të 9 shkurtit, të 120 deputetët kanë dështuar ta përmbyllin seancën konstituive. Pra, seancë që do të duhej të shihej si moment solemn e festiv që shënon lindjen e një mandati të ri, e kanë kthyer në mundësi për ta prodhuar një krizë të re.
***
Einsteini, përpos që shpiku teorinë e relativitetit e cila ndryshoi mënyrën se si e kuptojmë kohën dhe hapësirën, la edhe një aksiomë që së fundmi shumë politikanë e zunë në gojë në korridoret e Kuvendit: “Është çmenduri të bësh veprimin e njëjtë dhe të presësh rezultat të ndryshëm”.
Deputetë të partive që në mandatin e shkuar ishin në opozitë, po operojnë me të, për të bërë me gisht drejt Lëvizjes Vetëvendosje që i fitoi zgjedhjet.
Gjashtë herë radhazi, Vetëvendosja ka propozuar të njëjtin emër për kryeparlamentar, dhe gjashtë herë mori përgjigjen e njëjtë: S’ka vota mjaftueshëm. Herën e parë mori 57 nga 120. Edhe të dytën njësoj. Më vonë ra numri, shkaku i mungesave. Dhe, pavarësisht kësaj, ka refuzuar ta ndryshojë propozimin.
Të dyja kampet thonë se janë në të drejtën që ua garanton Kushtetuta.
Po, ekskluzivisht partisë fituese Kushtetuta ia garanton të drejtën për të propozuar kandidatin për kryeparlamentar. E njëjta Kushtetutë ua garanton të drejtën deputetëve për të votuar lirshëm. Të dyja janë parime kushtetuese. Por, në mungesë fleksibiliteti ato përplasen dhe prodhojnë ngërç.
***
Në episodet e para të seancës konstituive, deputetët kanë ditur të përmbysin edhe aksioma të famshme si ajo e Einsteinit, e për autorësinë e të cilit pati dyshime një nga liderët politikë këtë të shtunë. Në praktikë, edhe duke bërë veprimin e njëjtë, mund të prodhosh rezultat të ndryshëm.
Në tentativën e parë të seancës konstituive, Kuvendi nuk arriti ta kalojë as hapin më elementar procedural – Raportin e komisionit për verifikimin e mandateve të deputetëve. Opozita e mandatit të shkuar votoi kundër, nën arsyetimin se me të u konfirmuan deputetë edhe kryeministri dhe anëtarë të tjerë të qeverisë dhe se dorëheqjet publike që i kishin bërë, nuk ishin të mjaftueshme për ta evituar papajtueshmërinë e ushtrimit të njëkohshëm të mandatit legjislativ dhe ekzekutiv. Tentativa e dytë u përmbyll pa rezultat. Të tretës i parapriu një konsultë, pas së cilës komisioni shkroi raportin e njëjtë, që më pas u votua unanimisht nga ligjvënësit.
Kjo kthesë mund t’i ketë dhënë mesazhin Vetëvendosjes se qëndrimet e deputetëve mund të ndryshojnë edhe për kandidatin për kryeparlamentar. Prandaj, precedenti mund t’i ketë rritur apetitet, e ndoshta edhe ta ketë mbjellë besimin se insistimi shpërblehet.
Koha është flori, veçmas në situatat kur nuk ke numrat për ta bërë Qeverinë. Ata nuk i ka as partia fituese dhe as partitë që ishin në opozitë. Meqë afatet kohore për krijimin e qeverisë nisin të rrjedhin pas konstituimit të Kuvendit, strategjikisht të dyja palët mund të angazhohen për bllokadë sa më të gjatë në Kuvend. Të dyja palëve u shërben kjo nesër edhe si mjet arsyetimi para elektoratit se bashkëqeverisja u imponua, meqë ngërçit institucional nuk i shihej fundi.
***
Historia e konstituimit të institucioneve pas zgjedhjeve që janë mbajtur në Kosovë, është histori pritjesh të gjata dhe kompromiseve të vonuara. Ajo ka dëshmuar se presioni kohor, lodhja politike dhe nevoja për zhbllokim i ndryshon rrethanat dhe se, edhe duke përsëritur veprimin e njëjtë, dikur mbërrihet rezultati që do.
Në vitin 2001, kur polarizimi politik ishte në kulm, u organizuan zgjedhjet e pasçlirimit. Atëkohë ndërkombëtarët imponuan bashkëqeverisjen, duke gjetur edhe kandidat konsensual për kryeministër.
Koalicionet e tjera morën kohë me muaj. Sepse, politikanët e kthyen ngërçin në normë. Në metodë për të ushtruar presion politik, për të ruajtur pozicion, për të tregtuar poste.
Tregues i kësaj është kriza që u pa pas zgjedhjeve të 2014-s. Shpërndarja e Kuvendit prodhoi zgjedhjet e parakohshme të 8 qershorit, në të cilat sërish PDK-ja mori vota më së shumti. Partitë refuzuan t’i bashkoheshin në koalicion. Pas një interpretimi që dha Gjykata Kushtetuese për kryeparlamentarin, LDK-ja bëri një marrëveshje me PDK-në dhe braktisi bllokun me subjektet e tjera politike, me të cilat rezistoi për rreth gjashtë muaj. Nga kjo lëvizje, kryetari i LDK-së fitoi postin e kryeministrit.
Krizat si kjo nuk kanë shërbyer për mësim. Edhe sot shihen si precedente.
Verdikti i Kushtetueses për rastin e 2014-s, është kthyer në mjet interpretimi edhe në situatën e tashme. Ai i ka shërbyer Vetëvendosjes në dy tentativat e fundit të seancës konstituive, përfshirë këtë të së shtunës, që të insistojë të themelohet një komision që siguron votim të fshehtë për kryeparlamentarin, me shpresën se me këtë formë, kandidatja për kryeparlamentare i siguron votat e nevojshme. Por, edhe në eksperimentin demokratik të radhës, ka dështuar të sigurojë votat e mjaftueshme.
***
Në shtetin ku politikani i kthyer në profesor universiteti e “rrëzoi” teorinë e relativitetit të Elbert Einsteinit, nuk është çudi që legjislatura e re dështon për të dhjetën herë të konstituohet. Politikanët e sotëm, teorinë e gjeniut të shekullit XX e kanë kthyer në strategji veprimi: gjithçka është relative, përveç aftësisë për të prodhuar kriza e paaftësisë për të gjetur zgjidhje.
Prandaj, e meritojnë 10-she të pastër. Një 10-she për mungesë përgjegjësie, për bllokadën, për rekordin e zi në Kuvend, për të 10 dështimet e derisotme.