OpEd

Ngrohja globale, budallakitë lokale

Kryeministri i dorëhequr, Haradinaj, për të martën që e lamë pas caktoi një takim me kryeparlamentarin Veseli dhe zëvendëskryeministrat Limaj dhe Pacolli. Kur u pyet ish-kryeministri, gjatë konferencës për shtyp, se për çfarë teme do të bisedonin, ai ashtu duke qeshur u përgjigj se do të diskutonin për ngrohjen globale. E kuptueshme, ai atë e tha me ironi, por ajo që mbetet e vërteta e hidhur është se ngrohja vazhdon të mbetet globale, mirëpo budallakia jonë lokale

Sa shpejt ikën një javë dhe vjen koha e rikapitulimit të kabllogrameve diplomatike në ditarin tim.

Në skenën politike vendore vazhdon loja e përhershme e krerëve të shtetit me lojën Pidpidak ndaj Gjykatës Kushtetuese dhe pyetjet banale të drejtuara asaj me të vetmin qëllim, blerje kohe të animozitetit politik. Mbes me shpresën se Gjykata Kushtetuese do t’ua bëjë pilifunc kësaj radhe dhe do t’i lërë ashtu me gishta në gojë.

Kryeministri i dorëhequr, Haradinaj, për të martën që e lamë pas caktoi një takim me kryeparlamentarin Veseli dhe zëvendëskryeministrat Limaj dhe Pacolli. Kur u pyet ish-kryeministri, gjatë konferencës për shtyp, se për çfarë teme do të bisedonin, ai ashtu duke qeshur u përgjigj se do të diskutonin për ngrohjen globale. E kuptueshme, ai atë e tha me ironi, por ajo që mbetet e vërteta e hidhur është se ngrohja vazhdon të mbetet globale, mirëpo budallakia jonë lokale.

Presidenti Thaçi vazhdon që ta blejë kohën e tij në kalkulimet e veta pas zgjedhjeve të kryetarit në LDK, të cilat

do të mbahen këtë të shtunë. Me disa nga kandidaturat e njohura dhe të paraqitura publikisht deri tash, LDK-ja mund të vazhdojë të funksionojë e të mbijetojë si forum rinor i nëndegës së PDK-së, por a do ta gjejë forcën LDK-ja që të transformohet në një parti me ide fluide dhe progresive, e udhëhequr nga breza të rinj, të aftë dhe shpresëdhënës për këtë vend, mbetet të shihet.

Partitë e tjera opozitare të mëdha, si p.sh VV-ja momentalisht është duke u sjellë sikur të jetë në muajin e mjaltit. Pritjet e saj bazuar në zgjedhjet e fundit si duket janë shumë të mëdha, edhe pse që të gjithë jemi dëshmitarë të thyerjes së madhe, e cila i ndodhi përbrenda vitin e kaluar dhe kalimin e një pjese të aktivistëve të saj në PSD. Në fakt, energjia e VV-së gjatë vitit të kaluar ishte kryesisht e kanalizuar kundrejt kritikave dhe sulmeve ndaj ish-anëtarëve të saj sesa diçka konkrete në terren, ashtu siç jemi mësuar nga kjo lëvizje më parë. Jo nuk mund të them se ishte totalisht e zbehur, sepse ajo nuk ishte e tillë, mirëpo mendoj se një energji dhe kohë e tepruar u kalua duke u marrë me ish-anëtarët e saj tashmë të katapultuar në një parti tjetër opozitare.

Ish-aktivistët e VV-së, të cilët kaluan në PSD nga ana e elektoratit të VV-së, votat e të cilëve edhe i kanë futur ata si deputetë në Kuvend, konsiderohen si "tradhtarë", ndërsa ata si elektorat "të mashtruar". Pozicionimi i tyre dhe koketimi pak me pushtetin e pak me opozitën nuk do t’i vendosë në pozitë aq lakmuese tash në zgjedhjet e jashtëzakonshme, të cilat do të duhej që të mbaheshin në një të ardhme të afërt.

Nga kabllogramet ndërkombëtare vlen të veçohet zgjedhja e Boris Johnsonit si kryeministër i ri i Mbretërisë së Bashkuar. Në hallakamën e quajtur Brexit, ku ai ishte një nga mbështetësit kryesorë të saj gjatë fushatës do të jetë interesant zhvillimi i situatës në javët dhe muajt që po vijnë, dhe ta kujtojmë atë thënien e vjetër kineze "jetofshi në kohëra interesante".

Tash do ta bëj një digresion nga ngjarjet aktuale politike, do të shkruaj në ditarin tim përvoja personale. Gjatë javëve të fundit kam bërë mjaft kilometra duke bërë atë që e dua të bëj, që është hikingu. Anglia nuk ofron male dhe bjeshkë të larta si Kosova apo Shqipëria, por prapëseprapë natyra është e bukur, fshatrat e bukura dhe të mirëmbajtura, bregdeti jugor me dalje në oqeanin Atlantik me greminat e shumta dhe pamjet filmike, të cilat gjithsesi se edhe i fotografoja. Kur nuk dal ashtu që t’i eksploroj bukuritë natyrore jashtë Londrës, gjatë javës, atëherë atë e kompensoj duke dalë në mbrëmje për të ecur nëpër qytet. Ashtu ishte edhe mbrëmë.

Pas disa kilometrash ecjeje u ndala në oborrin e një kishe, jo fort larg nga ku banoj. Doja vetëm të çlodhesha për disa minuta. Posa e nxora telefonin nga xhepi që të shikoja se çfarë risish mund të kishte në kabllogramet diplomatike, pranë meje u ul një plakë angleze, e cila pa ngurrim e filloi bisedën. Ajo që mua më ra në sy menjëherë ishte se ajo po mbante në dorë një shishe birrë, aso të qershisë së cilës edhe mund t'ia hetoja edhe erën. Për të qenë i sinqertë në ato orë të vona zakonisht janë lypsarët ata që do të afrohen në këtë kohë dhe do të kërkojnë ndonjë lëmoshë nga ti. Me gjithë faktin se kjo zonjë e vjetër kishte edhe sandale të mbathura në këmbët e saj të rrudhura e të zbathura, kishte diçka që më thoshte se kjo nuk ishte ndonjë lypsare, unë e fillova bisedën pa e çarë më shumë kokën se çka ishte puna e saj. Biseda zakonisht filloi me motin dhe me komentin e saj se asgjë më nuk është ashtu siç ka qenë dikur. U pajtova me thënien e saj, mirëpo insistova se ajo shkon edhe përtej ndryshimeve klimatike. Më tha shtjelloje si po e mendon. Po thashë ja p.sh unë Londrën e njoh që nga viti 1992, kur erdha këtu dhe që nga ajo kohë edhe Londra ka pësuar ndryshime dhe nuk është ajo e njëjta, e cila ka qenë dikur e të mos flasim për vendin tim.

Aty më pyeti se prej nga isha. Në mënyrë që të mos dilja nga konteksti i temës se asgjë nuk është ashtu siç ka qenë dikur, dhe jo duke dashur që të ndërlidhesha vetëm me ndryshimet klimatike e as që të shpreh ndonjë nostalgji, i thashë se vendi ku unë isha lindur ishte pjesë e një shteti që dikur quhej Jugosllavi. Sot njihet si Republika e Kosovës. Më tha se i dinte që të dyja edhe Jugosllavinë, edhe Kosovën. Në fakt tha e paske telefonin e mençur në dorë, hape atë dhe kërkoje titullin e një libri të cilin do ta sugjeroj që ta lexosh, quhet "Black Lamb and Grey Falcon" (Qengji i zi dhe skifteri i përhimët) nga Rebecca West. Më tregoi se libri ishte i shkruar para Luftës së Dytë Botërore, por i botuar në vitin 1941 dhe në të sqarohen shumë gjëra sa u përket ngjarjeve të asaj kohe, si dhe mentalitetit të atyre trojeve sipas këndvështrimit të autores. Libri është voluminoz prej afro 1000 faqesh dhe sigurisht se kur do ta lexoj do ta komentoj edhe në ditarin tim. Pas një leximi të shpejtë ashtu ndërmjet rreshtash mbi librin derisa ajo po fliste mund ta kuptoja se ky libër më shumë përqendrohej në kulturën e serbëve dhe të kroatëve, si dhe në kohën e mbretërisë serbo-kroate-sllovene.

Unë ia sugjerova librin nga Edith Durham "High Albania" (Shqipëria e Epërme). Gjithashtu, ia dhashë vetes lirinë që të vlerësoja po aq lart sa veprën e Rebecca West, edhe pse ende nuk e kisha lexuar, por këtë thjesht duke u nisur nga kredencialet e Edith Durhamit.

Mikesha ime e re, por e shtyrë në moshë më tregoi se në Jugosllavi kishte qenë në fundvitet e 70-ta në një rrugëtim me veturë, për në Greqi. Tregoi edhe disa nga përvojat e saj.

Me profesion kishte qenë disenjatore. Më tha se dikur edhe Bitëllsat kishin qenë klientë të saj dhe kishin veshur kreacionet e saj, e edhe shumë emra të tjerë të njohur, porse nuk ishte e rëndësishme për këtë bisedë.

Temat e tjera, të cilat i prekëm kishin të bëjnë me simbologjinë, shoqëritë sekrete, historinë e "vërtetë" të njerëzimit, spiritualizmin dhe këso temash të exopolitikës.

Ajo rrezatonte shumë pozitivitet, si dhe diapazon dhe njohuri të gjera mbi botën dhe njerëzit. Ishte lexuese e apasionuar dhe të shumtën e kohës po e kalonte në libraritë e caktuara, të cilat kishin edhe vendin e posaçëm për lexim, ku gjithashtu çdo ditë ka ndonjë prezantim të caktuar për një temë ose libër të caktuar. I premtova se një ditë do të shkoja me të.

Pasi që u ndamë më shkoi mendja tek ministrja në largim, Dhurata Hoxha. Jo se pati ndonjë ngjasim me mikeshën time të re e në moshë të shtyrë, por disi do të doja t’i thosha se liberalizimi do të vijë atë ditë kur ajo pra ministrja në largim dhe gjenerata e saj do të bëheshin plaka, sikur mikesha ime e re në moshë të shtyrë, dhe do të kenë se çfarë t'iu tregojnë njerëzve që do t’i njoftojnë e deri atëherë i mbetet Evgjenie Thaçit, që me çdo mënyrë e çdo çmim të mos i lejojë LDK-në dhe Vetëvendosjen që të vijnë në pushtet. Që është nevoja le të fillojë Evgjenia një luftë civile, veç aman ajo dhe familjarët e saj të mos i humbin të vjelat e 20 vjetëve të fundit.

Axhës së Evgjenisë, Hashimit, do t’ia uroja 728-vjetorin e shtetësisë së Zvicrës, pasi që atë e kemi "historian të diplomuar" atje, e që kurrë një fjalë, në jetë, në gjuhën gjermane nuk ia dëgjova.

P. S. Ramush tash si ish-kryeministër, pasi që po merresh me temën e ngrohjes globale, të kisha sugjeruar që 80 zëvendësministrave edhe qindra këshilltarëve me ua trusë 100% taksë në emetim të dyoksidit të karbonit kot në ambient, se send tjetër të hairit s’kanë bërë.