Kosova nuk hyn në agjendën e takimit të ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës. Franca, Gjermania dhe Italia e bëjnë të qartë se e mbështesin projekt-statutin e BE-së për themelimin e Asociacionit të komunave serbe. Kosova humbi një mundësi të artë që nuk dihet se kur do t’i vijë sërish për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës. Por, anëtarësimi i saj u fundos në momentin kur u shfaq kushti i ri – ai për Asociacionin e komunave me shumicë serbe të Republikës së Kosovës (AKSHS i RK-së). Me rregullore të Komitetit të Ministrave të KiE-së, që përbëhet nga 46 vende anëtare, mblidhet një herë në vit, që do të thotë se takimi i radhës do të jetë në maj të vitit 2025
Kosova nuk hyn në agjendën e takimit të ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës. Franca, Gjermania dhe Italia e bëjnë të qartë se e mbështesin projekt-statutin e BE-së për themelimin e Asociacionit të komunave serbe. Me këtë vendim, Këshilli i Evropës për herë të dytë u tregua unik në ndëshkimin ndaj Kosovës. Hera e parë ishte në janar të vitit 2011, kur Këshilli i Evropës miratoi raportin e Dick Martyt, i cili mbështetej mbi pretendimet e ish-kryeprokurores së Tribunalit të Hagës, Carla del Ponte dhe deponimeve të shërbimeve serbe dhe ruse. Sidoqoftë, kjo rezolutë i hapi rrugë bërjes së gjykatës monoetnike, Gjykatës Speciale, e cila në mandatin e saj ka dënimin vetëm të pjesëtarëve shqiptarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Ndërkaq, Serbia mund të fle e pashqetësuar mbi varrezat masive të shqiptarëve dhe në Batajnicë e gjetiu.
Kosova humbi një mundësi të artë që nuk dihet se kur do t’i vijë sërish për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës. Por, anëtarësimi i saj u fundos në momentin kur u shfaq kushti i ri - ai për Asociacionin e komunave me shumicë serbe të Republikës së Kosovës (AKSHS i RK-së). Me rregullore të Komitetit të Ministrave të KiE-së, që përbëhet nga 46 vende anëtare, mblidhet një herë në vit, që do të thotë se takimi i radhës do të jetë në maj të vitit 2025. Por, njohësit e zhvillimeve ndërkombëtare dhe deklarimet e disa përfaqësuesve të vendeve anëtare nuk e përjashtojnë mundësinë që të ketë një takim të jashtëzakonshëm, nëse Qeveria e Kosovës në ndërkohë e dorëzon në Gjykatën Kushtetuese një projekt-statut të BE-së për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serb të Republikës së Kosovës. Por, duket se kjo po bëhet vetëm për ta ulur dëmin nga frustrimi që mund të shkaktojë ky vendim aspak popullor i KiE-së. Pra, është e qartë se është pak i mundshëm një opsion i tillë, pasi si në Evropë ashtu edhe në Kosovë së shpejti pritet të ndodhin zgjedhjet për Parlamentin Evropian, përkatësisht Parlamentin e Kosovës.
Se do të ndodhte një situatë e tillë ishte lehtësisht e kuptueshme për nga mënyra sesi Beogradi e bëri teatrin politik viktimizues dhe njëkohësisht kërcënues, kur më 16 prill Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës votoi pro anëtarësimit të Kosovës. Kishte një parandjenjë se diplomacia evropiane do të kujdesej t’i “ruante fytyrën” Serbinë dhe njëkohësisht çështjen e anëtarësimit të Kosovës në KiE ta zhvillonte sipas skenarit të telenovelës së liberalizimit të vizave. Nëse nisemi nga opsioni skeptik i liberalizimit të vizave, nuk duhet përjashtuar edhe opsionin që Kosova ka mundur të mos merrte votat e mjaftueshme në Komitetin e Ministrave të Jashtëm të kësaj organizate edhe po të kishte dërguar statutin në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Prandaj, duhet të jemi të kujdesshëm se përderisa Serbisë i lejohet pa pengesë të lobojë kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatat evropiane dhe ndërkombëtare, nuk duhet marrë si të mirëqenë se anëtarësimi i Kosovës në KiE është i garantuar vetëm me dërgimin e draftstatutit të Asociacionit. Në ndërkohë, nuk duhet përjashtuar që Kosovës t’i kërkohet edhe një kompromis shtesë sipas pikës 7 të Marrëveshjes së Brukselit, e cila parasheh që “Kishës ortodokse serbe në Kosovë t’i ofrohet nivel i fortë mbrojtjeje për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane”. Pra, vargut të kompromiseve të filluara me 6 pikat e Ban Ki-moonit në dhjetor të 2008-s nuk i dihet fundi. Dihet vetëm se BE-ja e ka normalizuar idenë e mosnjohjes së Kosovës nga pesë vendet anëtare dhe nga Serbia.
Jo vetëm kjo, por edhe me rastin e vendimit të GJND-së pro pavarësisë së Kosovës, bashkësia ndërkombëtare (BE dhe SHBA) së bashku me Serbinë nxituan të sponsorizonin dhe të kalonin për miratimin Rezolutën për dialog të 9 shtatorit të 2010-s, e cila i hapi rrugën një dialogu pa cak dhe pa qëllim të qartë, ndërkohë që Beogradi “e shiti” nëpër botë si dialog për statusin. Kryesorja, BE-ja heshti dhe bëhej sikur nuk kuptonte. Për më tepër, kjo qasje e BE-së ma kujton një thënie të diplomatit të njohur gjerman, Gehrt Ahrens, i cili, lidhur me dialogun e Gjenevës ndërmjet Kosovës dhe Beograd për zgjidhjen e çështjes arsimit në fillim të viteve 90, kishte deklaruar se përmes këtyre negociatave teknike shqiptarëve të Kosovës iu krijonim përshtypjen se është ndërkombëtarizuar problemi i tyre, ndërsa serbëve u thoshin se kjo çështje po trajtohet si problem i brendshëm i Serbisë, përderisa qëllim final ishte krijimi i momentumit për hapjen e negociatave politike për statusin politik të Kosovës. Edhe tash, kur çështja e anëtarësimit në KiE dështoi, pa marrë parasysh a me fajin e Kurtit apo të QUINT-it, nuk është e pamundshme të ndryshojë edhe dinamika e dialogut të Brukselit, nëse jo për të mirë, atëherë për të keq edhe nuk përjashtohet.
Pamundësia e anëtarësimit të Kosovës në KiE tregon qartë se dialogu i Brukselit, i projektuar si një proces për lehtësimin e integrimit të Kosovës në sistemin ndërkombëtar, gradualisht është deformuar dhe ka rrezik të shndërrohet në barrierë dërmuese për Kosovën. Njëkohësisht, nga sot kur u bë e qartë se për shkak të dialogut të Brukselit nuk arriti të anëtarësohet në Këshillin e Evropës, nëse rruga e integrimit të Kosovës në BE mbetet vetëm frazë retorike dhe nëse ky dialog prej vjetësh është shndërruar në frenues të njohjeve ndërkombëtare të Kosovës, atëherë shtrohet pyetja nëse mund të vazhdohet me një dialog të tillë, ku edhe përdorimi i valutës euro në veri të vendit promovohet si “krizë humanitare” apo “mjet për pastrim etnik.”
Një kushtëzim i (pa)pritur
Përjashtimi i Kosovës nga agjenda e KiE-së ndodhi pasi Qeveria e Kosovës refuzoi kërkesën e vendeve të QUINT-it për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese statutin e Asociacionit, të hartuar nga ndërmjetësuesit e BE-së, por që deri më tani është mbajtur sekret. Në këtë situatë, tre krerët e Republikës së Kosovës, Kurti, Konjufca dhe Osmani i dërguan KiE-së një letër zotuese në të cilën u deklaruan se do ta bënim Asociacionin e kërkuar nga Beogradi në emër të serbëve lokalë të Kosovës. Por, si duket, letra zotuese e liderëve kosovarë nuk ishte mjaftueshëm e besueshme. Dhe vetëm pak ditë më parë, më 15 maj, presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Olaf Scholz dhe kryeministrja italiane Georgia Meloni i kishin dërguar një letër kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në të cilën ata shprehnin mbështetje për propozimin e BE-së për Asociacionin, por jo edhe për zotimet e liderëve kosovarë. Ishte e qartë ata po kërkonin hapa konkretë.
“Së pari, projektstatuti i paraqitur nga përfaqësuesi special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, nuk është thjesht një ‘propozim xhentëlmenësh’. Është një model solid, i hartuar me kujdes me ndihmën e juristëve dhe ekspertëve evropianë, bazuar në praktikat më të mira ekzistuese në Evropë. Ai merr plotësisht parasysh të gjitha vijat tuaja të kuqe si dhe kuadrin kushtetues dhe ligjor të Kosovës. Si i tillë ai gëzon mbështetjen tonë të plotë. Le të theksojmë edhe një herë se ne nuk duam një Kosovë jofunksionale, Asociacioni nuk është në asnjë mënyrë i krahasueshëm me Republikën Serbe”, thuhet në letrën e tre udhëheqësve evropianë.
Pas kësaj letre, ishte i qartë se pranimi i Kosovës po shkonte drejt dështimit, pasi as Berlini, as Parisi dhe as Roma nuk do ta mbështesnin anëtarësimin e Kosovës në KiE, pa një përparim konkret për Asociacionin. Për më tepër, në Kosovë për të gjithë ishte e qartë se kryeministri Kurti nuk do të lëvizte nga pozicioni i tij, aq më pak muaj para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Ndërsa ambasadori gjerman në Prishtinë u befasua se si Kurti u befasua që Asociacioni u bë kusht për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Kush humbi dhe kush fitoi
Ka dy fitues dhe dy humbës nga mosanëtarësimi i Kosovë në KiE: Së pasi, kanë humbur Kosova dhe Perëndimi, së dyti, kanë fituar Serbia dhe Rusia.
Mosanëtarësimi i sotëm i Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës paraqet goditjen më të madhe që ka marrë Kosova që nga dështimi për dy vota i anëtarësimit në UNESCO më 2015. Me këtë humbje, qytetarët e Kosovës, duke përfshirë edhe të akuzuarit e Gjykatës Speciale në Hagë, nuk do të kenë qasje në Gjykatën e KiE-së në Strasburg. Sigurisht, ky vendim i Komitetit të KiE-së do të dëmtojë Kosovën në tri drejtime: së pari, në procesin e njohjeve do të ketë edhe më tej ngecje dhe dëmtimit të komunikimit me partnerët ndërkombëtarë; së dyti, procesi i anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare ka marrë goditje të njëjtë si me rastin e humbjes së betejës së Kosovës për anëtarësim në UNESCO dhe më pas në INTERPOL; dhe së treti, vendimi i sotëm i KiE-së do ketë pasoja në rend të parë për Kosovën, pasi pas një situate të tillë është rrënuar si asnjëherë më parë mirëbesimi ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe BE-së e vendeve të QUINT-it, ndërkaq me Serbinë e amnistuar për gjithë obstruksionin e saj ndaj Kosovës dhe sidomos edhe pas agresionit ushtarak në fshatin kosovar të Banjskës, do të jetë më e lehtë fushata dhe kushtëzimet rreth anëtarësimeve të reja. Duhet të sjellim ndërmend se dështimi për dy vota i anëtarësimit të Kosovë në UNESCO nëntë vite më parë, ndikoi që Kosova ta humbiste një momentum të tillë dhe një aplikim i tillë më nuk u provua asnjëherë.
Fajtorët sigurisht që janë në mesin e ndërkombëtarëve, por edhe të brendshëm, pasi kemi humbur shumë kohë me kauza të paqena, duke sajuar “tradhtar” dhe “tregtar” të atdheut apo duke pohuar me krekosje infantile se çdo gjë duhej bërë nga e para. Në pikë të ulët në të cilën ndodhet Kosova, si asnjëherë më parë kemi nevojë për një kthesë strategjike, të cilën një mik i imi diplomat e formuloi si një nevojë për “një Zeitwende” kosovare. Kjo kthesë nënkupton që në themelin e politikës së jashtme kosovare duhet të jenë qartë të formuluara orientimet me rezon shtetëror kur bëhet fjalë për BE-në dhe SHBA-në. Në këtë orientime strategjik, Kosova guxon të mos pajtohet me BE-në dhe SHBA-në në çështjet e rëndësishme shtetërore, por asnjëherë nuk guxon të bëjë politikë kundër BE-së dhe SHBA-së.
Dita e sotme shënon po ashtu një goditje të madhe edhe për vetë Perëndimin (BE-në dhe SHBA-në), për shkak se e minon projektin e etablimit dhe të suksesit të Perëndimit në Kosovë dhe në rajon.
Sipas Michael Roth, kryetar i Komisionit për Politikë të Jashtme të Bundestagut gjerman, me ketë vendim të KiE-së “Evropa do të humbasë gjithnjë e më shumë ndikim në Ballkanin Perëndimor. Situata po përkeqësohet. Nacionalizmi, autoritarizmi, ndikimi në rritje i Kinës dhe Rusisë në rajon janë një kërcënim. Këshilli i Evropës nuk do të jetë i plotë pa Kosovën”.
Nisur nga kjo, mospërfshirja e çështjes së anëtarësimit të Kosovës në mbledhjen e Komitetit të Ministrave të Jashtëm të KiE-së paraqet fitore për Serbinë dhe për platformën e saj politike e hegjemoniste të “botës serbe”, që si orientim strategjik e ka dekonstruktimin e shtetit të Kosovës, krijimin e barrierave për konsolidimin e brendshëm dhe ndërkombëtar të Kosovës. Edhe pse me Marrëveshjen Bazë të Brukselit dhe Aneksin e Ohrit ishte proklamuar me pompozitet njohja de facto e Kosovës nga ana e Serbisë dhe moskundërshtimi i anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, Serbia loboi me agresivitet të paparë kundër anëtarësimit të Kosovës në KiE. Ndërkaq BE-ja jo vetëm që nuk i ka kërkuar Serbisë që në frymën e marrëveshjeve të lartpërmendura ta votojë pranimin e Kosovës në KiE, por ka heshtur dhe është bërë e verbër dhe e pa zë për fushatën agresive serbe dhe për shkeljen e pikave të Aneksit të Ohrit.
Në vend të qortimit, Perëndimi i dha fitoren e dytë të madhe Serbisë, pas kushtëzimit dhe presionit enorm që i kishte bërë Kosovës për formimin e Gjykatës Speciale, e cila si në fillim ashtu edhe tani duket qartë se ka për qëllim deformimin e luftës çlirimtare të Kosovës dhe krijimin e një simetrie artificiale në mes të krimeve dhe vrasjeve të mijëra dhe dëbimit të 80 për qind të shqiptarëve të Kosovës, si dhe një duzinë vrasjesh si rrjedhojë e situatës së pasluftës, ku pushtetin ekzekutiv absolut e kishte UNMIK-u dhe KFOR-i.
Sot, fitoi gjithashtu Rusia, pasi nga ky moment politika e “botës serbe” merr një shtysë të madhe për ta shtrirë më tej ndikimin rus në rajon dhe për ta penguar stabilitetin e veriu të Kosovës, i cili, duhet ta pranojmë, se u krijua nga neglizhenca e Perëndimit, nga mungesa e vullnetit të UNMIK-ut dhe KFOR-it për të eliminuar mbetjet e strukturave të vjetra të regjimit të Millosheviqit. Në vend të kësaj, që nga pavarësia, nuk kanë pushuar thirrjet publike dhe sekrete se Kosova duhet ta bëjë këtë apo atë kompromis. Sapo të jetë kryer Asociacioni, Kosovën e pret kompromis tjetër i radhës, çështja e të drejtave dhe favoreve shtesë të Kishës Serbe, e cila gjithmonë, më shumë se me çështje fetare, ka qenë strumbullar i politikës serbomadhe. Pra, kushdo që mendon se është politikë vizionare që Plani i Ahtisaarit të jetë pikënisje për kompromise të reja, atëherë me apo pa qëllim punon për paralizimin e shtetit të Kosovës.
Për një gjë të tillë, njëmbëdhjetë vjet më parë kishte tërhequr vërejtjen bashkëhartuesi i Planit të Ahtisaarit, Albert Rohan, i cili ka nënvizuar se pala kosovare nuk duhej të bënte lëshime shtesë për veriun në kuadër të negociatave të Brukselit. “Mendoj se autonomia komunale, që ofrohet me Planin Ahtisari i ofron komunitetit serb vetëqeverisje në masë të madhe dhe kjo është ajo që duhet në të vërtetë,” kishte sqaruar Rohan. Ndërsa, në lidhjen me thirrjen e baroneshës Ashton se Kosova dhe Serbia duhet të gjejnë kompromise të reja, diplomati i shquar austriak dhe miku i madh i Kosovës deklaronte se Kosova kishte bërë kompromise dhe koncesione të mëdha kur kishte pranuar Planin e Ahtisaarit.
“Së pari, më duhet të them se kompromisi nga ana e palës kosovare është bërë në vitin 2007, kur ata pranuan Planin Ahtisaari. Ka pasur shumë provizione, të cilat ishte vështirë për liderët kosovarë që t’i pranojnë, por ata e bënë në frymë të kompromisit. Andaj, Plani Ahtisaari nuk mund të jetë pikënisje për kompromise të tjera e të reja, nga të dyja palët. Kompromiset kryesore janë bërë atëherë”, deklaronte Rohan në prill të vitit 2013.
Prandaj, nëse marrim për bazë vërejtjet e bashkëhartuesit të Planit të Ahtisaarit dhe mënyrën se si Beogradi vazhdon të sjellët me një qasje hegjemoniste, atëherë duket qartë se Komiteti i Ministrave të Jashtëm të KiE-së ka zgjedhur mënyrë jo të duhur për t’i bërë presion Kosovës. Sikur Kosova të pranojë, sigurisht që BE-ja dhe KiE-ja do të kishin më shumë kredibilitet për të kërkuar realizimin e zotimeve të dhëna me shkrim të tre liderëve shtetërorë të Kosovës për bërjen e Asociacionit. Në të njëjtën kohë, pranimi i Kosovës do t’i jepte shpirt Aneksit të Ohrit, i cili ditë më parë ka përjetuar vdekje klinike, dhe në këtë mënyrë do të evitohej çdo tentativë e Serbisë për të qëndruar në dialog përmes kushtëzimeve të ambalazhuara si kërkesa të BE-së. Përveç kësaj, nëse BE-ja vërtetë është e interesuar për stabilitet, pranimi i Kosovës në KiE do t’i jepte më shumë shanse njohjes së Kosovës edhe nga pesë vendet tjera anëtare të BE-së dhe gjithë procesit të anëtarësimit të Kosovës në nismat dhe organizatat multilaterale.
Por, si më parë ashtu edhe tani me rastin e trajtimit të kërkesës së Kosovës për anëtarësim në KiE, duket qartë se diplomatët perëndimorë kanë kaluar caqet dhe objektivat e dialogut të Brukselit, të cilat u formuluan mbi bazën e Rezolutës AP të OKB-së të 9 shtatorit 2010, sipas së cilës në vend të kushtëzimeve, premtohej promovimi i normalizimit të raporteve ndërmjet Kosovës dhe autoriteteve të Beogradit dhe progres në rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian.
Natyrisht, nga kjo situatë e re do të ndikohet edhe dialogu i Brukselit, i cili edhe ashtu, më shumë se drejt normalizimit, për 14 vite me radhë i ka shërbyer ruajtjes së status quosë, e cila si e tillë shkon në favor të rritjes së ndikimit gjeopolitik rus në rajon dhe njëkohësisht Serbisë i mundëson ta kushtëzojë dhe ta vështirësojë procesin e konsolidimit të shtetësisë së Kosovës në rrafshin ndërkombëtar, ndërsa tek serbët lokalë kosovarë të mbajë gjallë shpresën se kjo situatë paraqet një përkohshmëri, e cila në një moment të favorshëm gjeopolitik mund të transformohet në një përhershmëri serbe. Prandaj, nuk është e rastit që raportet mes Kosovës dhe Serbisë mbeten më të acaruara sesa ishin para fillimit të dialogut trembëdhjetë vite më parë.
Që të ketë një start më të mirë dhe të ri, ka ardhur koha që edhe Perëndimi, përkatësisht BE-ja ta trajtojë Kosovës si shtet dhe që 5 vendet e saj anëtare ta njohin shtetësinë e Kosovës para se të merren me çështjen e Palestinës.
Pra, çelësi i normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi nuk duhet të jetë në Beograd, por në Bruksel, i cili që nga Brexiti ka ndjekur një qëndrim asimetrik ndaj Kosovës dhe si rrjedhojë Brukseli prej vjetësh ka hequr dorë nga Marrëveshja Gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obliguese. Por, kjo qasje asimetrike e evropianëve nuk është as e para dhe as e fundit, sigurisht. Nëse shikojmë vetëm nga fillimi i procesit të shpërbërjes së Jugosllavisë e deri më sot, politika evropiane ka vuajtur shumë nga sindroma e ballkanizimit dhe sjellja skajshmërish brutale dhe klienteliste përgjatë viteve 1991, 1992, 1995, 1996, 2007, 2008 dhe 2010.
Nëse kësaj radhe për refuzimin e rekomandimit të AP të KiE-së për pranimin e Kosovës u justifikua me mosbërjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe të Republikës së Kosovës (AKSHS i RK-së), për liberalizimin e vizave u krijuan dhe u shpikën alibi nga më të ndryshme, madje edhe pas ratifikimit të Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi. Ose a mund të na e sqarojë ndonjë diplomat perëndimor se cila është arsyeja e Kosovës për mospranim në organizatën rajonale të Kartës së Atlantikut (A-5), në UNESCO, OSBE apo për herë të tretë në INTERPOL, aty ku më 2017 ishte pranuar madje edhe Palestina.
Nëse në të ardhmen nuk ndryshon qasja e Perëndimit ndaj Serbisë, është e paimagjinueshme që procesi i Brukselit do të ketë sukses apo se mund të vazhdojë në këtë formë. Për trembëdhjetë vjet, ky dialog më shumë sesa që ka çuar Kosovën dhe Beogradin drejt normalizimit të raporteve, ka ndikuar më shumë në ruajtjen e status quosë dhe forcimit të intencës serbe mbi parimin të përkohshmërisë në Kosovë. Simbolika më e mirë e kësaj strategjie për Serbinë është “çështja e dinarit,” e cila u sajua nga Beogradi si “rrezik” nga përdorimi i valutës euro si “mjet për pastrim etnik” të serbëve të Kosovës. Kjo qasje i jep Serbisë potencial që nëpërmes politikës së vet hegjemoniste të ushtrojë ndikimin e pengimit të konsolidimit të Kosovës. Po ashtu, duhet të kihet parasysh se marrëveshja për Asociacionin është arritur në kohën kur dialogu i Kosovës dhe Beogradit ishte i fokusuar në krijimin e kushteve për arritjen e një Marrëveshje Gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obliguese, që nënkuptonte njohjen e Kosovës nga Serbia. Ndërsa tani ndodhemi në situatën kur Qeveria e Serbisë, në dhjetor 2023, e ka njoftuar zyrtarisht Bashkimin Evropian se nuk do të pranojë asgjë që do të ishte njohje de facto e Kosovës. Ky qëndrim i Serbisë dëshmon qartë se BE-ja i ka njohur Serbisë “ekuivalentin gjerman”, respektivisht të drejtën që Beogradi ta konsiderojë të hapur çështjen e statusit të Kosovës. Pos kësaj, Franca dhe Gjermania, nëse nuk kishin sukses për ta zbatuar dhe mbrojtur propozimin e famshëm franko-gjerman të Ohrit, ato të paktën ia dolën ta stopojnë anëtarësimin e Kosovës në KiE. Dhe, përderisa të jetë kështu, në Bruksel mund të negociohet edhe për trembëdhjetë vjet të tjera, por shanset e suksesit do të jenë minimale, ndërsa dialogu do të vazhdojë të dergjet në pat-pozicionin në të cilin është futur prej vjetësh. Ndërkohë, masat e BE-së ndaj Qeverisë së Kosovës do të vazhdojnë të mbeten në fuqi bashkë me refrenin e nevojës së zbatimit të Aneksit të Ohrit, brenda së cilës janë “paketuar” me mjeshtri dhe eufemizëm koncesionet për Serbinë, të cilat shkojnë përtej Planit të Ahtisaarit, dokument ky që komunitetit serb i ofron vetëqeverisje të gjerë.