Të gjithë veten e gjetëm nën mëshirë të rrethanave, pa ndihmën e një shteti që luftë virusit i shpalli vetëm deklarativisht e me manuale… shtetit që gjendjen mundohej ta menaxhonte me apele për respektim masash; shtetit që lajm në botë do të bëhej me rrëzim të qeverisë në pikun e një beteje të sertë me një armik të panjohur
“… Zojë, në hotel me 5 yje kena me e çu”
Përgjigjja cinike e me ton arrogant e mjekes kujdestare të Klinikës së Pulmologjisë në atë ditë të fundgushtit, më zuri në befasi. E mbërthyer nga frika, instinktivisht e kisha pyetur për kushtet në spital. Më shumë se për një raportim të gjendjes faktike, prisja ngushëllim. Pavetëdijshëm, prej saj kisha pritur të më thotë se gjithçka do të ishte në rregull dhe se do të bënin çmos për tim shoq, Liridonin, i predispozuar gjenetikisht të sëmurej rëndë, me frymëmarrjen që i keqësohej dita-ditës. Në të qindtat e sekondës, para se befasia të më kthehej në shpërthim mllefi e breshëri fjalësh, vetja do të më dukej naive. Mantelbardhët, heronj të betejës me koronavirusin, nuk i kisha përshtatur në kontekstin kosovar. Në kokën time, mbase, kisha gjeneralizuar gjithçka, duke përjashtuar përjashtimet. Në mendje nuk kisha sjellë fare pagat, kushtet e rënda, mungesën e pajisjeve e edhe faktorin e lodhjes dhe humbjes së durimit, pas muajsh përballjeje me virusin që po e bënte kërdinë në botë. Paralajmërimet e mia se do të ankohesha dhe të sajat se do të ankohej edhe ajo, se i duhej të merrej me sa e sa njerëz, do t’i ndërpriste Liridoni. “Ndaluni, se s’po mundem më”, do të thoshte ai me fuqitë që i kishin mbetur.
* * *
Të paimagjinueshme ishin përmasat e asaj që po na prisnin, atëherë kur Kina tregoi për 27 raste të një “pneumonie misterioze”. Nuk do të kalonte shumë kohë dhe 27 rastet do të ktheheshin në miliona. Koronavirusi nuk do ta kursente asnjërin shtet. I pamëshirshëm do të ishte edhe me ekonomitë. Miliarda njerëz do të përballeshin me humbje, atë të më të dashurve, të vendit të punës, të lëvizjes së lirshme. Me sistemet shëndetësore në pikë kritike në shumë shtete, mjekët veten do ta gjenin përballë dilemave të pakapërdishme, se për jetën e kujt do të luftonin, e cili do të lihej. Kudo në botë, spitalet do të mbusheshin shpejt, shkaku i një virusi që përhapej me shpejtësi edhe më të madhe. Për sistemin e brishtë shëndetësor të Kosovës, si ishim mësuar ta njihnim, kisha shkruar e lexuar. Në verën e 2020-s, në atë që do ta njihnim si pik i valës së parë të koronavirusit, po e përjetoja nën lëkurë.
Të mbërrije deri te “hoteli me 5 yje” nuk kishte qenë fare e lehtë. Rrugëtimi do të ngërthente orë pritjeje në radhë, kontrolle mjekësore, mbledhje udhëzimesh e sfida në çdo kthesë. Sfidë do të ishte edhe të testoheshe, për t’u konfirmuar rast Covidi… për t’u kthyer në shifrën e asaj dite. Sigurimin e një shtrati në spital duhej ta quaje fat të mirë, teksa të priste rrugëtimi tjetër, ai që krahas betejës së brendshme të organizimit tënd me virusin ngërthente edhe atë të sigurimit të oksigjenit e të barnave. Në këtë betejë, kontributi im, si familjare e një të sëmuri, do të ishte esencial. Kjo do të më thuhej qysh në fillim. Dhoma me tre shtretër, në katin e dytë të Pulmologjisë, do të më bëhej destinacion kryesor në gjashtë netët e ankthshme. Do të blija e sillja ilaçe, do të mësoja për dozat e duhura të oksigjenit e për rreziqet e D-Dimerit. Do të isha dëshmitare e kaosit zaptues, aparaturave të vjetra dhe orvatjeve të mjekëve dhe infermierëve që mundoheshin me tërë fuqinë t’i bënin ballë kësaj gjendjeje. Të gjithë, përballë rrezikut të humbjes, aleate do ta kishim shpresën. Përmirësimi i gjendjes të sillte optimizëm, sado kalimtare të ishte kjo ndjesi. S’kishe se si të mos e merrje edhe për ogur të zi, se mos diçka e rëndë do ta pasonte. Në Pulmologjinë “me pesë yje” virusit nuk pata se si të shpëtoja as vetë. Disa ditë më vonë, do të infektohesha.
* * *
Rrëqethëse kanë qenë gjatë tërë vitit rrëfimet për betejat titanike me një grimcë mikroskopike. E imja pati fund të lumtur. Në secilin prej këtyre rrëfimeve, te ne mungonte njëri personazh. Teksa shëndeti na ishte rrezikuar më shumë se kurrë, dora e shtetit ishte e pavërejtshme. Të gjithë veten e gjetëm në mëshirë të rrethanave, duke bërë luftë në krye me një pushtet që virusin synonte ta mposhtte vetëm deklarativisht e me manuale… shtetit që gjendjen mundohej ta menaxhonte me apele për respektim masash; shtetit që lajm në botë do të bëhej me rrëzim të qeverisë në pikun e një beteje të sertë me një armik të panjohur, në të cilin zhgënjimi do të shpërfaqej te të gjithë, përfshirë mjeken e asaj dite të gushtit. Në betejën me koronavirusin, të gjithë u gjetëm të pambrojtur. E motet mund të ndërrohen, por beteja do të vazhdojë. E këtë betejë, si e pamë, s’mund ta fitosh me manuale e thirrje.