OpEd

Në BE hyn Shqipëria e jo partitë e saj politike

Problemi i drogës në Shqipëri nuk ka përfunduar me ardhjen e Edi Ramës dhe të PS-së në pushtet e as nuk ka filluar me largimin e Sali Berishës dhe të PD-së nga pushteti. Këtë e dinë në BE, siç e dinë se ky problem për një kohë të gjatë ka qenë aq i rëndë, saqë Shqipëria nuk ka pasur as kapacitete ta luftojë. E shpesh nuk ka pasur as vullnet të vendosur politik që kjo të ndodhë. Tash kur duket se ekziston vullneti politik, me ndihmën e aleatëve krijohen edhe kapacitetet për ta luftuar. Kjo ka ndihmuar që të vlerësohet se Shqipëria meriton nisjen e negociatave të anëtarësimit, që është lajm i cili duhet t’i gëzojë edhe Qeverinë, edhe opozitën

Para 18 vjetësh në Zagreb ishte zhvilluar Samiti i parë i vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të Bashkimit Evropian, ku u përmend perspektiva e integrimit të këtij rajoni në BE. Ky premtim u formula fuqishëm tre vjet më vonë në Selanik të Greqisë. Por prej atëherë vetëm Kroacia arriti të kalojë tërë qarkun dhe të bëhet anëtare e plotë e Bashkimit Evropian. Vendet e tjera, me sukses të ndryshueshëm, po ecin shumë ngadalë në këtë rrugë, ndërsa për disa, si Kosova, kjo rrugë praktikisht ende nuk është hapur. Të gjitha vendet që kanë dalë nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë kanë pasur disa probleme karakteristike që kanë qenë trashëgimi nga e kaluara e afërt. Bosnjë-Hercegovina ka qenë shumë e goditur nga lufta dhe ndasitë ndëretnike ende nuk janë tejkaluar. Ato po e mbajnë vendin ende në një gjendje jofunksionale. Serbia ka qenë dhe vazhdon të jetë vend që duke ushtruar agresion ndaj fqinjëve ishte fajtore për luftërat që shpërthyen. Ndërkohë ajo ishte në një bashkësi me Malin e Zi dhe fitoi pavarësinë pa e kërkuar fare, pasi të gjithë rreth saj u pavarësuan dhe Serbia mbeti vetëm. Maqedonia ka pasur problemet e brendshme ndëretnike dhe problemin deri tash të pakapërcyeshëm me Greqinë rreth emrit. Mali i Zi është shtet i ri dhe ka humbur shumë kohë në bashkësi me Serbinë. Kosova nuk është ende vend i njohur si shtet i pavarur nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së, dhe kjo ia mban të mbyllur rrugën drejt anëtarësimit në BE për momentin.

Por çfarë problemesh ka Shqipëria? Kryesisht ajo përballet me probleme të brendshme, të cilat janë reflektuar edhe në avancimin e saj drejt BE-së. Me përjashtim të Bosnjë-Hercegovinës dhe Kosovës të gjitha shtetet e tjera janë para Shqipërisë në këtë proces. Ajo ka qenë më e ngadalshme. Ka aplikuar për anëtarësim në BE në vitin 2009, ndërsa statusin e kandidatit e ka marrë në vitin 2014. Tash gati nëntë vjet prej kur kishte kërkuar anëtarësimin ende nuk ka as një datë për të nisur negociatat e anëtarësimit. Natyrisht se në Shqipëri ka shumë sfida që janë të lidhura me transicionin. Por gati 30 vjet pas rënies së komunizmit nuk mund të arsyetohen të gjitha këto ngecje me regjimin e ashpër komunist të Enver Hoxhës. Ka sot shtete të suksesshme në BE që kanë qenë po ashtu komuniste. Problem në Shqipëri ka qenë konflikti i vazhdueshëm politik i cili ka parandaluar çfarëdo përparimi konkret në rrugën drejt BE-së. Gjithçka ka qenë në Shqipëri aq e polarizuar dhe e politizuar, saqë gjithmonë ata që ishin në opozitë kritikonin për inat të atyre në pushtet edhe vetë shtetin e tyre. Të drejtën për të qenë patriotë, të pakorruptuar, heronj të drejtësisë gjithmonë e kanë kuptuar si pronësi të tyren, ndërsa për kundërshtarët politikë gjithmonë i kanë pasur akuzat më të rënda për kriminalitet. Epitetet “vrasës”, “trafikant droge” “kriminel” rrallë kund në botën demokratike përdoren aq lehtë për politikanët si në Shqipëri, dhe atë pa kurrfarë pasojash, pos pasojave për popullin dhe shtetin. Në secilin vend ndodhin garat e shpesh edhe konfliktet politike. Por askund në Evropë kjo nuk është sikur në Shqipëri. Edhe tash kur më në fund Komisioni Evropian rekomandon nisjen e negociatave të anëtarësimit në BE për Shqipërinë, në këtë shtet vazhdojnë konfliktet e ashpra mes opozitës dhe Qeverisë. Nëse Shqipëria do që të avancojë drejt integrimeve evropiane, për të kapur hapin me vendet e tjera të rajonit, atëherë duhet të kuptohet edhe në këtë vend se së paku për këtë qëllim duhet të jenë njëzëri të gjithë, opozita dhe Qeveria. Sepse në BE nuk hyjnë partitë politike, por shtetet.

Tash pas shumë vjetësh Shqipëria ka një shans të bëjë një hap të madh. Ajo në paketën e fundit të zgjerimit dhe në raportet e progresit të Komisionit Evropian vlerësohet për suksesin në rezultatet që po sjellin procesi i vetingut dhe reforma në drejtësi. Prandaj Komisioni Evropian pritet të rekomandojë hapjen e negociatave të zgjerimit. Të njëjtën gjë Komisioni do ta bëjë edhe për Maqedoninë, por për të kjo nuk është ndonjë risi, pasi Komisioni këtë rekomandim e ka dhënë shtatë herë deri me tash, por negociatat nuk janë hapur për shkak të bllokadës së Greqisë në Këshillin e BE-së. Por për Shqipërinë është hera e parë që bëhet një rekomandim i tillë.

“Shqipëria ka vazhduar të bëjë përparim të qëndrueshëm në implementimin e pesë prioriteteve kyç për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Reforma e administratës publike është konsoliduar, me qëllim të rritjes së profesionalizimit dhe depolitizimit. Janë ndërmarrë veprime shtesë për të përforcuar pavarësinë, efikasitetin dhe llogaridhënien e institucioneve gjyqësore, posaçërisht përmes avancimit të reformës së drejtësisë. Kjo përfshin dhe rezultatet e para të prekshme në rivlerësimin e të gjithë gjykatësve dhe prokurorëve”, thuhet për Shqipërinë. Dhe më pas jepet edhe rekomandimi:

“Në dritën e përparimit të arritur, Komisioni Evropian rekomandon që negociatat e anëtarësimit të hapen me Shqipërinë. Mbajtja dhe thellimi i momentit të tanishëm të reformave në fushën kyç të sundimit të ligjit, sidomos në të gjitha pesë prioritetet kyç, dhe vazhdimi i dhënies së rezultateve konkrete dhe të prekshme në rivlerësimin e gjykatësve dhe prokurorëve, do të jenë vendimtarë për progresin e mëtejmë të Shqipërisë. Për të mbështetur këtë komisioni do të zbatojë qasjen e forcuar për negocimin e kapitujve për drejtësinë, gjyqësorin dhe të drejtat themelore, lirinë dhe sigurinë” thuhet këtu.

Reformën në drejtësi duhet ta kuptojnë edhe opozita, edhe Qeveria si diçka të dobishme për të gjithë, siç po e kupton edhe populli. Sepse edhe nëse dikujt mund t’i konvenojë sot ndonjë gjykatës apo prokuror i dyshuar për korrupsion, shoqëria asnjëherë nuk do të ketë dobi nga njerëz të tillë që ndajnë drejtësinë. Prandaj nuk është e rastësishme pse BE-ja pikërisht këtë e ka vënë si kusht për Shqipërinë dhe pse vlerësimi se ky kusht po përmbushet i hap dyert rekomandimit për nisjen e negociatave.

Në vend që të bëjë fushatë kundër vendit të vet, me motivin se në këtë mënyrë po luftohet Qeveria, opozita duhet të ndihmojë që Shqipëria të marrë datën për nisjen e negociatave, sepse tash pas rekomandimit të Komisionit Evropian puna kalon tek shtetet anëtare.

Për të marrë pra një datë për nisjen e negociatave të anëtarësimit, Shqipërisë i duhet mbështetje e njëzëshme e të gjitha vendeve anëtare të BE-së në takimin e Këshillit Evropian, që zhvillohet në muajin qershor të këtij viti. Dhe tek shtetet anëtare entuziazmi nuk është aq i madh sa në Komisionin Evropian, së paku tek disa shtete anëtare. Fundi i fundit vetëm një herë merret data për nisjen e negociatave, sikurse vetëm një herë u dha statusi i kandidatit. Qeveritë do të shkojnë e vijnë derisa Shqipëria të bëhet anëtare e BE-së. Gjatë procesit të integrimit në BE në Kroaci janë ndërruar pesë qeveri.

Nuk duhet krejtësisht hedhur po ashtë kritikat për krim të organizuar dhe trafikime në Shqipëri. Jo vetëm vendet e BE-së, por edhe vetë Qeveria e Shqipërisë është e vetëdijshme për këtë problem. Shqipëria ka probleme serioze me këtë, por e mira është se tash ka filluar seriozisht, me mbështetje të BE-së dhe të disa vendeve anëtare, t’i luftojë këto. Madje duke qenë e hapur për vendet që kanë dyshime që t’i dërgojnë edhe shërbimet e tyre në Shqipëri për operacione të përbashkëta të shkatërrimit të grupeve të krimit të organizuar. Por është e pakuptimtë që kjo të bëhet si betejë mes partive politike. Problemi i drogës në Shqipëri nuk ka përfunduar me ardhjen e Edi Ramës dhe të PS-së në pushtet e as nuk ka filluar me largimin e Sali Berishës dhe të PD-së nga pushteti. Këtë e dinë në BE, siç e dinë se ky problem për një kohë të gjatë ka qenë aq i rëndë, saqë Shqipëria nuk ka pasur as kapacitete ta luftojë. E shpesh nuk ka pasur as vullnet të vendosur politik që kjo të ndodhë. Tash kur duket se ekziston vullneti politik, me ndihmën e aleatëve, krijohen edhe kapacitetet për ta luftuar. Sepse nuk është problem vetëm i Shqipërisë, por më gjerë i Evropës dhe nuk vjen ky problem vetëm nga Shqipëria. Sikurse grupet e krimit të organizuar që janë të lidhura pa dallim etnie dhe shteti, ashtu edhe lufta kundër tij kërkon koordinim ndërkufitar dhe ndërkombëtar. Dhe kjo tash po ndodh. Nisja e negociatave të anëtarësimit në BE do t’u jepte një shtytje të re proceseve pozitive në Shqipëri dhe ky proces do ta ndryshonte për të mirë gjithë vendin dhe shoqërinë. Prandaj tash duhet të shfrytëzohet periudha dymujore për të bindur të gjitha shtetet se edhe Shqipëria meriton nisjen e negociatave, jo pse i ka zgjidhur të gjitha problemet, por për shkak se është e gatshme të bëjë një gjë të tillë. Dhe kjo bëhet më e lehtë në një proces korrekt të negociatave të anëtarësimit.