OpEd

Ndërkohë që viktima e parë e virusit po bëhet gati për varrim...

...çfarë duhet të bëjnë tani Albin Kurti dhe Isa Mustafa? Mund të vazhdojnë të shahen. Njëri duke u bërë pishman për koalicionin, tjetri duke u sjellë si karateist politik. Kësisoj humbës do të jenë të dy. Ose të dy kthehen në terrenin racional dhe vendosin që urgjentisht të ndërmarrin disa hapa për dalje nga kriza politike ndërkohë që virusi i koronës mori viktimën e parë. Edhe pse dëshira humane njerëzore është të themi: qoftë kjo viktima e vetme, logjika dhe zhvillimet në botë tregojnë për një trend tjetër të pandemisë. Asgjë nuk kemi parë, çfarë mund të shohim në javët në vijim. A kanë Albin Kurti dhe Isa Mustafa nevojë për syze me dioptri të re? Sistemi shëndetësor mund të pësojë kolaps. Nuk ka as mjaft mjekë virologë, as mjaft infrastrukturë teknike për t’u përballur me një epidemi që shtrihet më gjerë në Kosovë. Tani duhet vetëdije dhe përgjegjësi e jashtëzakonshme, jo vrapim pas agjendave të jashtëzakonshme të figurave destruktive politike jashtë qeverisë. Për çdo hap në fushën e sigurisë duhet konsultim me KFOR-in.

Liderët e përgjegjshëm, mbi supet e të cilëve qëndron fati i qeverisë së Republikës së Kosovës, do të duhej të takoheshin dhe t’i diskutonin e po deshën e patën vullnet edhe t’i zgjidhnin e tejkalonin keqkuptimet, mospajtimet, konfliktet, lëndimet e ndërsjella. Nëse e arrijnë këtë, njerëzit do t’i vlerësojnë edhe gjatë vendimeve të ardhshme politike – pa marrë parasysh ku merren ato: në kuti të votimit apo në parlament.

Shigjetat me helm ndaj njëri-tjetrit tregojnë se vetëm Kosova po e ka luksin e thellimit të krizës përballë një rreziku tjetër të padukshëm dhe shumë të rrezikshëm – koronavirusit, i cili sot mori viktimën e parë. Edhe pse dëshira njerëzore është të themi: qoftë kjo viktima e vetme, logjika dhe zhvillimet në botë tregojnë për një trend tjetër të pandemisë. Asgjë nuk kemi parë, çfarë kemi për të parë.

Kur të bien përtokë lisat, sepse duhen për dërrasa të varreve të reja dhe kur të numërojmë me trishtim arkivolet, ka gjasa që edhe atëherë do të vazhdojë debati irracional i politikanëve: “Jo ti i pate fajet, jo ti, jo, jo, jo, ti i pate se shkaktove panik me një deklaratë, pastaj unë për ta zbutur panikun shkaktova një panik edhe më të madh”. Kështu bëjnë vetëm aventurierët politikë, që edhe në çastet e një rreziku të madh për qindra e ndoshta mijëra njerëz të këtij vendi të vjedhur dhe ligështuar, s’kanë punë tjetër pos ta etiketojnë njëri-tjetrin në mënyrën më bizare.

Dikur njerëzit e humbin durimin. Zemërimi me këtë klasë politike dhe paniku nga pandemia janë një miks shpërthyes që mund ta fundosin Kosovën. Por edhe atëherë debati do të vazhdojë: “Jo ti shkaktove panik, jo ti i pate fajet”.

A ka rrugëdalje? Përherë ka rrugëdalje. LDK dhe VV bartin bashkë përgjegjësi për gjendjen në vend. Dhe gjendja në vend do të përkeqësohet, s’ka dilemë. Infektimet do të shtohen. Më shpejt se ç’mendohet. Sistemi shëndetësor mund të pësojë kolaps. Nuk ka as mjaft mjekë virologë, as mjaft infrastrukturë teknike për t’u përballur me një epidemi që shtrihet më gjerë në Kosovë. Nuk mund të pritet ndihmë as nga vendet e tjera, secili vend po përballet me vështirësi të mëdha.

Albin Kurti duhet ta kuptojë se nuk i zgjidh problemet e Kosovës me retorikë dhe metoda karateiste të vendimmarrjes, ndërsa Isa Mustafa është dashur qëmoti ta kuptojë se nuk mund ta reduktojë LDK-në në parti që vrapon pas agjendave të jashtëzakonshme të figurave të tjera politike jashtë qeverisë.

Në këtë situatë të ndjeshme masat që duhet të ndërmerren në të ardhmen për të luftuar koronavirusin duhet të jenë edhe më drastike – dhe këtë qeveritarët duhet ta bëjnë në koordinim të plotë edhe me KFOR-in dhe strukturat e NATO-s.

LDK mund të bëjë edhe një gjë tjetër: t’i dërgojë një letër ambasadorit amerikan Richard Grenell dhe ta njoftojë se tarifat doganore do të hiqen më 1 prill. 9 ditë duhet të presë edhe Grenelli, sepse nuk është as zot, as nuk e pret ferri Kosovën po tregoi kjo klasë politike e LDK-së pak dinjitet e rezistencë kundër presionit tejet destruktiv dhe të njënashëm të Grenellit. Nuk mund të jetë ndërmjetësues i mirë dikush që prej disa muajsh krejt presionin e orienton nga pala më e dobët dhe e cila e ka vështirë të kundërshtojë për shkak të rolit historik të SHBA-ve në çlirimin e Kosovës.

Po ashtu LDK, duke u bazuar edhe në orientimet e saj bazë nga dokumenti i vitit 2018, duhet të ngulë këmbë që në negociatat për marrëveshjen gjithëpërfshirëse të jetë e kyçur edhe BE. Fushata që kanë nisur argatët e Grenellit në Prishtinë kundër BE-së është ndër gabimet më të mëdha të viteve të fundit. Pa BE-në, pa shtete të fuqishme si Gjermania, Franca dhe pa Britaninë e Madhe (e cila nuk është në BE, por ka fuqi të vetos në OKB) Grenelli do të shtyjë një zgjidhje gjysmake dhe Kosovën do ta harrojë si tymin e një cigareje që zhduket në horizont.

Aventurierët (para)politikë që e ruajnë Grenellin orë e çast në Twitter se çfarë po shkruan për Kosovën, me siguri e kanë vërejtur se ai, si i dërguar i Donald Trumpit për rajonin, nuk e tha asnjë fjalë solidariteti apo përkrahëse për vendet e Ballkanit pas përhapjes së koronavirusit. BE, ndërkaq, ndau 5 milionë euro për Kosovën. Për kokë banori kjo i bie shumë më tepër se shuma që BE ia akordoi Serbisë. Që BE nuk ia ka hequr vizat Kosovës, është padrejtësi, por kjo nuk ia heq fajin klasës politike të Kosovës, e cila qe 10 vjet humb energji në beteja të brendshme dhe kalkulime elektorale dhe një kohë të gjatë nuk i ka plotësuar as kushtet për liberalizim – nëse si plotësim kushti nuk e konsiderojmë vjedhjen e majme me tenderin e pasaportave biometrike dhe mbushjen e sistemit të sigurisë me militantë partiakë të partive të vjetra.

Në këtë situatë gjithnjë e më të rrezikshme përballë koronavirusit, Lëvizja Vetëvendosje duhet të jetë shumë më proaktive në gjetjen e një kompromisi me LDK-në, sjellja sikur nuk ka ndodhur asgjë, sjellja arrogante se “e kemi futur në qoshe LDK-në” dhe tani bëjmë çfarë të duam, është mentalitet i kohës së hedhjes së gazit lotsjellës. Sa më shpejt që VV braktis këtë mentalitet, më mirë edhe për të dhe për të gjithë Kosovën. Për ta mbrojtur Kosovën VV-së i duhen partnerë. Vetëm nuk ka mundur ta pengojë demarkacionin e diskutueshëm me Malin e Zi. Vetëm zor se e shpëton Kosovën nga ndonjë plan i keq që mund të jetë përpiluar nga presidentët e Kosovës dhe Serbisë.

Por edhe LDK duhet të përballet me shumë pyetje: si mund të propozohet shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme pa një diskutim serioz brenda atyre që e kanë nënshkruar marrëveshjen e koalicionit? Me kë e mbron kjo parti Kosovën e 17 shkurtit: me këtë qeveri apo me politikanë që i kanë nxjerrë në pazar kufijtë e Kosovës? A ka sukses LDK në elektorat me politikanë të saj të popullarizuar, që marrin dhjetëra-mijëra vota, apo me politikanë që bartin buqeta lulesh dhe që flasin me ton demagogjik dhe një a dy takime me Grenellin na i prezantojnë si akte madhështie sikur ia paskan tundur dorën Hyjnisë së Gjithëmadhërishme?

A ka sukses LDK me ata që përdorin retorikë boshe dhe parulla për “rugovizmin” apo me profesionistët e rinj? Me çfarë logjike dalin e bërtasin në opinion figura të LDK-së dhe thonë do t’ia tregojmë vendin “qeverisë antiamerikane”? Si paska qenë e mundur që këta proamerikanë të lejojnë që LDK të bëhet pjesë e një “qeverie antiamerikane”? A është proamerikane të vraposh pas agjendave që mund të jenë në dëm të Kosovës dhe komplet në kundërshtim me vetë orientimet bazë të LDK-së?

Por me gjasë LDK sapo të nisë të dalë nga kontrolli i partnerëve të vjetër, e humb orientimin. Para zgjedhjeve të 6 tetorit LDK ka premtuar edhe luftimin e korrupsionit, krimit e shumë të zezave të tjera. Me kë dëshiron t’i bëjë këto LDK? Me ata që janë provuar e sprovuar në plaçkitjen e vendit? Do të jetë interesante të shohim krerët e LDK-së se si do ta mbrojnë tërësinë territoriale të Kosovës pasi të zbulohen detajet e marrëveshjes që është negociuar prapa kulisave me vite. Opinioni duhet t’i jetë falënderues kryetarit të LDK-së që sot tha se është pishman që ka bërë koalicion me VV-në. Dhe po ky kryetar tha para do kohe: “Nuk jam pishman që e kemi zgjedhur Hashim Thaçin president”. Kësaj i thonë sinqeritet. Sinqeritet i tipit: votat i fitojmë me Vjosa Osmanin, Lumir Abdixhikun dhe Anton Qunin, ama vendimet në parti i marrin ata që nuk kanë asnjë votë nga zgjedhjet e fundit.

PS. Ju, qytetare e qytetarë të Kosovës, që jeni të shqetësuar nga rreziku i koronavirusit dhe për të ardhmen e vendit – ndihmoni vetes dhe shoqërisë më shumë se kurrë: RRINI NË SHTËPI! Jashtë shtëpisë politikanët nuk e kanë problem të shembin qeveri, të shembin shtetin dhe të llomotisin për zgjedhje të reja, inate të vjetra dhe primitivizma të përhershme!