OpEd

NATO në Kosovë, derisa Kosova të jetë në NATO

Janë joreale parashikimet që Kosova të bëhet anëtare e NATO-s. Për NATO-n, Kosova si shtet nuk ekziston e në NATO anëtare bëhen vetëm shtetet. Por siç ndodhi transformimi i FSK-së në ushtri pa pëlqimin kolektiv të NATO-s, ashtu duhet edhe të zhvillohen forcat ushtarake të Kosovës me mbështete bilaterale të atyre vendeve që janë aleate të Kosovës. Ndërkohë, duhet të vlejë ajo që në vitin 1999 e kishte thënë një diplomat i lartë i NATO-s se “NATO duhet të jetë në Kosovë, derisa Kosova të mos jetë në NATO”

Nuk ka dyshim se besimi i shqiptarëve të Kosovës dhe i shqiptarëve në përgjithësi në NATO ka përmasa pothuajse religjioze. Kjo është edhe e kuptueshme, sepse është pjesë e kujtesës kolektive, asaj se NATO-ja na ka shpëtuar. Kur shihet agresioni barbar ndaj Ukrainës dhe refuzimi i NATO-s që ta ndihmojë këtë shtet nga frika e përballjes direkte me Rusinë, arsyet e kosovarëve për falënderim ndaj NATO-s bëhen edhe më të mëdha.

Sot, sa i përket agresionit rus ndaj Ukrainës, NATO-ja më shumë thotë se çfarë nuk do të bëjë sesa çfarë do të bëjë. NATO-ja tash e disa muaj ka përsëritur se “nuk do të përfshihet në konfliktin në Ukrainë” me çka, me apo pa dashje, i ka dhënë sinjal Putinit se mund të zbatojë planet e tij, ndërsa do të përballet vetëm me popullin hero të Ukrainës. Kur sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltennberg, flet për ndihmën ndaj Ukrainës, që të jetë në gjendje për t’u vetëmbrojtur, ai gjithmonë flet për “ndihmën që i kanë dhënë dhe i japin aleatët”. Pra e vërteta është se Ukrainën fare nuk e ka ndihmuar NATO-ja, por disa vende anëtare. Sepse në NATO nuk ka konsensus që të ndihmohet ushtarakisht Ukraina përmes aleancës. U pa kjo edhe kur Polonia propozoi që ajo, përmes NATO-s, t’i japë ushtrisë ukrainase avionë luftarakë MIG. Dhe NATO-ja nuk pati pajtim për këtë. Është e pavërtetë edhe thënia se “NATO i ka shpallur sanksione Rusisë”. Sepse Turqia, një prej anëtareve më të rëndësishme të NATO-s, nuk i ka mbështetur këto sanksione.

Fokusi i NATO-s rreth agresionit rus në Ukrainë është që të mobilizohet për ta mbrojtur veten, pa hapësirën ajrore, tokësore dhe detare të vendeve anëtare. Pra, bëhet e qartë se kufijtë e angazhimit të NATO-s janë kufijtë gjeografikë që përfshijnë 30 vende të saj anëtare. Në pamundësi për të mbrojtur Ukrainën, shefat e shteteve anëtare të NATO-s kërcënojnë Putinin se do të përballet “me përgjigje të rreptë” nëse merr guximin të sulmojë ndonjë vend të NATO-s. Në bazë të Artikullit 5 të Traktatit të Washingtonit për mbrojtje kolektive, sipas të cilit sulmi në një vend është sulm ndaj të gjitha vendeve anëtare, NATO zotohet se “do të mbrojë çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s”. Ndërkohë Putini i ka duart e lira ta shkatërrojë Ukrainën, t’i përzërë nga shtëpitë, fshatrat dhe qytetet e tyre miliona njerëz. Siç i pati Milosheviqi deri më 24 mars 1999.

Kështu, Kosova dhe banorët e saj sot e kësaj dite mbeten të vetmit në historinë e NATO-s për të cilët NATO-ja ka ndërhyrë për të parandaluar gjenocidin. Ishte hera e parë dhe e fundit që NATO-ja ndërhyri “jashtë territorit” të saj, krahas disa sulmeve të kufizuara që në vitin 1995 i bëri në pozicione të serbëve në Bosnjë. Dhe prej atëherë NATO-ja është në Kosovë për ta garantuar, siç përsërisin pandërprerë me vite, “sigurinë për të gjithë njerëzit e Kosovës”.

Me sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës ka ndryshuar në mënyrë dramatike arkitektura politike dhe e sigurisë në Evropë dhe botë. Gjërat tash janë zhvilluar me një shpejtësi dramatike. Por shkatërrimi barbar i Ukrainës, akoma më shpejt sesa vendimet në Bruksel, Londër e Washington për sanksione.

Në këto rrethana u testua e tërë bota. Dhe rezultatet e rreshtimit në anën e drejtë të historisë nuk janë edhe aq ideale. Është gabim që votimi për një rezolutë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, e cila ka peshë politike, por nuk ka edhe fuqi obliguese, të thuhet se, “ pothuajse e tërë bota e izolon Rusinë”. Sipas atij votimi do të dilte se vetëm një shtet sovran dhe i pavarur ka qenë kundër kësaj rezolute. Është kjo Koreja e Veriut. Sepse katër të tjerat kanë qenë: Rusia, e cila ka nën kontroll edhe pushtetin në Bjellorusi dhe Siri, dhe Eritrea, e cila nuk funksionon si shtet. Shumë shtete ishin të përmbajtura. Por kishte dhe shtete si Serbia, përfaqësuesi i së cilës tha se “ndonëse nuk pajtohet me shumë pjesë të saj, do të votojë në favor të Rezolutës”.

Më pas e arsyetoi këtë me “mbrojtjen e parimit se Kosova është pjesë e Serbisë”.

Më i saktë është gjykimi në bazë të shpalljes së sanksioneve ndaj Rusisë. Këtu del se pjesa më e madhe e botës nuk i ka mbështetur këto sanksione. Nuk i kanë mbështetur as shtetet e rëndësishme si Kina, India e Brazili, por as shteti i NATO-s, Turqia, apo aleatët e Perëndimit, si Izraeli e Arabia Saudite. Disa madje e kanë parë këtë si rast për të përfituar. Nuk i ka mbështetur as Serbia, e cila është kandidate për anëtarësim në BE.

Këto ndryshime dramatike në skenën politike ndërkombëtare do të kenë pasoja edhe për rendin e ri botëror. Dhe kjo ka bërë që të shohim hapa të pashembullt deri më tash.

Ukraina, Gjeorgjia dhe Moldavia kanë dorëzuar kërkesat për anëtarësim në BE. Rusia është suspenduar dhe pritet të përjashtohet nga Këshilli i Evropës. Moska thotë se është larguar vetë nga Këshilli i Evropës. Dje edhe në Kosovë janë paraqitur kërkesa që të aplikohet për anëtarësim në NATO, në BE dhe në Këshillin e Evropës. Për këtë të fundit edhe ka gjasa. Por duhet pasur kujdes nga pritjet e mëdha për në NATO dhe BE, pasi janë organizata të cilat veprojnë me konsensusin e të gjitha vendeve anëtare. Rreshtimi i Kosovës në anën e duhur, krahas Ukrainës, e nuk ka qysh të rreshtohet ndryshe sepse e ka përjetuar fatin e njëjtë që sot po e përjeton Ukraina, deri në këtë moment nuk ka bërë që të shohim sinjale se po ndryshon qëndrimi i katër vendeve të NATO-s apo i pesë të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën. Për më tepër, zyrtarët në Bruksel më shumë po e lavdërojnë Serbinë për një votë në Asamblenë e OKB-së sesa shtetet e tjera të rajonit që u janë bashkëngjitur edhe sanksioneve ndaj Rusisë. E Serbia është shteti i vetëm që nuk i ka mbështetur sanksionet dhe ku organizohen tubime në mbështetje të Rusisë. E mediat e Serbisë, pothuajse e tërë skena politike, pushtet e opozitë, janë në anën e Moskës.

Për dallim nga BE-ja, NATO-ja i ka pak më të thjeshta procedurat për anëtarësim dhe kërkesat për reforma. Por edhe në NATO ka procedura. Ato nisin me pjesëmarrjen në Programin e Partneritetit për Paqe, pastaj me inicimin e Planit të Veprimit për Anëtarësim (MAP) dhe në fund me anëtarësim. Në rastin më të mirë është një proces katër apo pesëvjeçar. Dhe kjo, sikur në të gjitha procedurat në NATO, vendimet merren me pajtimin e të gjitha vendeve anëtare.

Janë joreale parashikimet që Kosova të bëhet anëtare e NATO-s, ani pse kërkesa për një gjë të tillë do të duhej të shihej si përkushtim ndaj orientimit strategjik. Për NATO-n Kosova si shtet nuk ekziston e në NATO anëtare bëhen vetëm shtetet. Por, siç ndodhi transformimi i FSK-së në ushtri pa pëlqimin kolektiv të NATO-s, ashtu duhet edhe të zhvillohen forcat ushtarake në Kosovë me mbështete bilaterale të atyre vendeve që janë aleate të Kosovës. Ndërkohë duhet të vlejë ajo që në vitin 1999 e kishte thënë një diplomat i lartë i NATO-s se “NATO duhet të jetë në Kosovë, derisa Kosova të mos jetë në NATO”.

Kosova nuk duhet të presë që të bëhet anëtare e NATO-s për të rritur kapacitetet e saj të mbrojtjes. Duhet të bëhet e kundërta, që Kosova të forcohet dhe si e tillë të hyjë një ditë në NATO. E kjo bëhet përmes shteteve anëtare të NATO-s, para së gjithash Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe, Turqisë, por edhe vendeve të rajonit si Shqipëria e Kroacia. Natyrisht edhe me të gjitha shtetet e tjera që duan ta ndihmojnë Kosovën. Armatimi i Serbisë, qëndrimi tepër i qartë i saj krah Rusisë, defilimet para disa muajsh i ushtarakëve rusë në afërsi të kufirit me Kosovën dhe dislokimi i armatimit të Serbisë në atë zonë, krahas retorikës shumë të ngjashme të Rusisë dhe Serbisë për kinse “gatishmëri për të mbrojtur serbët”, janë arsye për shqetësim serioz. Këtë duhet ta kuptojë seriozisht Kosova, por edhe BE-ja dhe NATO-ja. Por pasi NATO është një organizëm kompleks, i ngadaltë, duhet krijuar kanale alternative përmes marrëveshjeve bilaterale për mbrojtje me aleatët në NATO, përderisa të mos ndryshojë qëndrimi i NATO-s ndaj shtetësisë së Kosovës. Sepse dhe vetë fyerjet e Serbisë, nga politikanët e deri te mediat duke e quajtur Kosovën si “shtet i rrejshëm”, duhet të kuptohen si kërcënim, krahas kërcënimeve të hapura me forcat ushtarake dhe projekte për “botën serbe”, sipas modelit të “botës ruse”.

Është mirë që kjo është kuptuar dhe misioni i udhëhequr nga NATO-ja në Kosovë ka rritur vigjilencën. Por në një afat jo shumë të largët, Kosova duhet të ketë edhe kapacitetet e saj mbrojtëse. Kjo natyrisht me ndihmën e miqve.