Ky Kuvend, më i keqi që kemi pasur ndonjëherë, nuk do të duhej të vazhdonte (mos)punën dhe do të duhej të shpërndahej. Por jo pa i vendosur vijat e kuqe, dhe bile një hije të platformës për bisedime. Me Kuvendin e shpërndarë, e pa vija të kuqe, Thaçit i hapet rruga edhe më shumë që t’i “grahë” ashtu siç ia merr mendja, pa asnjë kontroll nga askush
Po e nisi këtë zgafelle pak më ndryshe se rëndom, ngase pak çaste para se t’ia nisja shkrimit kuptova se njëri nga këshilltarët e Haradinajt i kishte akuzuar, jashtë kamerave, debatuesit me të cilët ishte ballafaquar para ekraneve, se ishin “pjesë e opozitës së udhëhequr nga Flaka dhe se ata po i bënin argat agjendës së saj”.
Jo pak e befasuar me një konstatim të këtillë, ngase më atribuohet një fuqi shumë më e madhe seç edhe do të mundë ta kisha, u ndala të mendoja se cila qenka opozita që po e udhëhiqja dhe cila na qenka agjenda ime që po zbatohej.
Pra, për një person që ka mendim politik dhe atë e shpreh duke mbajtur përgjegjësi për fjalët që i shkruan, të vetmin opozitarizëm që do të mund ta shprehja është ai kundër një qeverisjeje të keqe që po na çon në humnerë, meqenëse udhëhiqet nga interesat e ngushta meskine të njerëzve të bërë me pushtet, duke shkelur parime, njerëz e ligje.
E tash, nëse këshilltari ka menduar se opozitarizmi im lidhet për ndonjë agjendë politike, me fjalë të tjera, me ndonjë ambicie timen politike për t’u bërë faktor politik partiak, parlamentar a qeveritar – atëherë ia ka huq, ashtu siç kabineti, pjesë e të cilit është, ia ka huq krejt punëve të cilave iu ka rrekur në vitin e shkuar. Ai do të duhej ta dinte, edhe nga përvoja personale, se unë nuk jam e interesuar për t’u marrë me politikë aktivisht, sepse nuk e vlerësoj veten të përgatitur për të, e nga ana tjetër nuk e kam as ambicien më të vogël për t’u marrë me të. Nëse për asgjë tjetër, për shkak se e udhëheq një kompani mediale që as nuk është në shitje e as nuk mund të blihet me favore politike, as ekonomike e as çfarëdo tjetër.
E udhëheq kompaninë ku gazetarët profesionistë informojnë drejt dhe pa shtrembërime për atë që ndodh; dhe se po të mos kishte qenë raportimi i mediumeve tona shumë gjëra do të kishin ikur të papërfillura dhe shumë gjëra as që do të ishin marrë vesh. Për t’ia bërë edhe më të qartë këshilltarit dhe shefit të tij: ne nuk mbajmë syze ngjyrë roze për të treguar se mjerimi i Kosovës është bukuri natyrore. Dhe, se nuk funksionojmë me të “tekne”, por e raportojmë atë që e zbulojmë, e shohim dhe e dëgjojmë. Nuk jam e sigurt nëse kjo është ajo që ka menduar kur ka folur për agjendën time – nëse po, atëherë vetëm mund t’i them se do të duhet ta durojë atë përderisa të jem në krye të kësaj kompanie. Por mbase kur të bjerë nga pushteti edhe do ta ndërrojë mendjen.
Merruni vesh
Pra, në vazhdën e agjendave të mia opozitare do të vazhdoj me përshkrimin e sagës të cilën jemi duke e jetuar si kolektivitet që e ka humbur rrugën në oborrin e vet.
Kuvendi kinse nisi sesionin e vet të rregullt të enjten, dhe qysh në përpjekjen e parë mbeti pa kuorum, për shkak të bojkotit të dy partive më të mëdha opozitare: LDK-së dhe VV-së. Seanca u shty për dje, dhe njësoj dështoi.
Kështu qysh ka nisur, nuk do të ketë mundësi ta kalojë asnjë ligj e mos ta marrë as edhe një vendim që në këto çaste do të ishte kyç për t’ia ndalë hovin Thaçit, i cili me paratë kosovare është duke paguar kompani lobimi për ta shtyrë idenë e tij të këmbimit territorial deri në fund. Opozita me të drejtë kërkon që të caktohet seanca ku duhej diskutuar çështjen e platformës dhe caktimit të vijave të kuqe. I shantazhuar nga Thaçi, Haradinaj e prishi planin duke thirrur seancë tjetër për ta caktuar ekipin qeveritar të negociatave. Dhe pas një pauze të gjatë e të kotë verore, në vend se të mblidheshin e të binin një vendim, u caktuan dy seanca veç sa për ta krijuar një konfuzion edhe më të madh, dhe për t’i dhënë Thaçit kohë për edhe një lëvizje politike, aso të llojit që prek sentimentin nacional me të cilin ose do që t’i mbështetë të gjithë për muri ose t’i lajë duart.
Sido që të jetë, ky Kuvend, më i keqi që kemi pasur ndonjëherë, nuk do të duhej të vazhdonte (mos)punën dhe do të duhej të shpërndahej. Por jo pa i vendosur vijat e kuqe dhe bile një hije të platformës për bisedime. Me Kuvendin e shpërndarë, e pa vija të kuqe, Thaçit i hapet rruga edhe më shumë që t’i “grahë” ashtu siç ia merr mendja, pa asnjë kontroll nga askush.
Nga ky nokaut thuajse i paevitueshëm, këtë Kuvend dhe këtë Kosovë mund ta shpëtojë vetëm Gjykata Speciale, e cila thuajse qëllimisht është ndalur nga politika në veprimet e veta. Me porositë e hallakatura që vijnë nga kundërshtarët e Pavarësisë nga Amerika, edhe nuk është çudi që kjo të ndikojë drejtpërdrejt te prokurori i Speciales që, rastis të jetë për të tretën herë, amerikan.
Tre shqiptarë, pesë parti
Skena politike në Luginë nuk ia ka dalë me vite të tëra të sigurojë më shumë sesa një deputet në Kuvendin e Serbisë, për shkak se faktori politik është i shpërndarë në disa subjekte politike duke e humbur fuqinë e kohezionit.
Por, befasisht, para disa ditësh ndodhi ndodhia dhe subjektet politike shqiptare u bënë bashkë dhe e nënshkruan një dokument ku i kërkonin Thaçit që të negocionte këmbimin e territorit të Luginës me atë të veriut të Kosovës, ani që kjo nuk thuhej bash kështu direkt. Ose, që së paku të kërkonin që ky t’ua përfaqësonte interesat, duke kërkuar reciprocitet, në bisedimet në Bruksel. Për më tepër e kishin përgatitur një rezolutë që kërkohej të votohej nga Kuvendi i Kosovës, edhe pse përmbajtja e saj në esencë paraqet shkeljen e Kushtetutës, ngase shpreh pretendime territoriale ndaj një shteti tjetër.
Duke e parë se nuk e kishte përkrahjen e shumicës politike për ta hapur çështjen e Luginës në Bruksel, Thaçi, i cili e kishte kundërshtuar deklarativisht idenë e këmbimit të territoreve, dhe i cili i kishte injoruar lunginasit hiç më pak se shtatë vjet, prejse i ka marrë titimikat në dorë, përnjëherë i gjeti dhe i futi në skenë. E përfaqësuesit e Luginës, me gjasë duke i besuar dhe duke u përpjekur të tregojnë se po punojnë për të mirën e popullit, u çuan me shpejtësi për të ardhur në Prishtinë.
Dhe tash, natyrisht, topi do të hidhet në Kuvend, me kusht që ky Kuvend edhe ia del të ketë ndonjëherë kuorum. Nëse kalon rezoluta e Luginës, do të legalizohet ideja e Thaçit. Nëse jo, Thaçi do të dalë hero, e i gjithë Kuvendi tradhtar. Kjo natyrisht në versionin e politikës shqiptare ku krejt është o bardh o zi.
Përçarje gjithandej
Kështu pra, në këtë situatë, nisën takimet e ndërsjella me politikanë shqiptarë në Shqipëri e Maqedoni – dhe varësisht nga simpatitë politike, u paraqit në formë shumë të prekshme përçarja e grupimeve politike që simpatizojnë njëri-tjetrin dhe jo domosdo për punë ideologjie.
Një delegacion i çuditshëm – Veseli, Limaj e Dardan Gashi vizituan krerët institucionalë të Shqipërisë, por jo edhe Edi Ramën. E takuan rrugës edhe Sali Berishën. Kurti veproi pak a shumë njësoj, në vizita të ndara, dhe as ky nuk e takoi Ramën.
Nga ana tjetër, Thaçi shkoi në Mal të Zi e u takua me homologun e tij të cilin me vetiniciativë e njoftoi për negociatat me Serbinë, por jo edhe me shqiptarët atje, e më pas shkoi në Shkup, ku u takua me kryeministrin (e jo homologun, Ivanov), e më pas edhe me Ali Ahmetin. Ndërkohë, Haradinaj e takoi Menduh Thaçin.
Nuk e di se çfarë kanë mundur të bisedojnë e çfarë të merren vesh në këto takime, porse kësaj pune nuk po i vjen era mirë dhe ka rrezik që të dalë komplet jashtë kontrollit nëse nuk ulen me koka të ftohura të bisedojnë e të dakordohen për zgjidhjen më të mirë që do t’i sillte Kosovës qetësi dhe prosperitet.
Një gjë është e sigurt: politika e zhvilluar me inate e improvizime përfundimisht nuk çon përpara.
Evropa dëshpëruese, me përjashtime
Dhe kur ne nuk dimë t’i rregullojmë punët tona, pse do të duhej dikush të mërzitej për ne. E ata të cilët nga ne duan të krijojnë karriera edhe më të mëdha politike do të jenë dy politikanë që na kanë vizituar shpesh dhe që kanë jo pak ndikim në krejt këtë që po ndodh: Mogherini dhe Hahn. Rastësisht, asnjëri nuk flet kundër ideve për kufij. Flasin për marrëveshje para se t’ju skadojë mandati.
Dje në Twitter qarkullonte një postim i këshilltares së lartë të Mogherinit, Tocci, që thoshte: “Këmbimet territoriale nuk janë shpesh ide të mira për të zgjidhur konflikte në afat të gjatë, porse nëse ka konsensus nga baza që të shkohet në këtë drejtim, kush jemi ne për ta refuzuar një marrëveshje ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”. Natyrisht, nga Zyra e Mogherinit do të thonë se ky mund të jetë mendimi i saj personal, porse është tepër e rrezikshme se dikush që e këshillon ndërmjetësen do të mundë t’ia fuste në kokë një ide të këtillë. Për shkak se i vetmi konsensus që mund të ekzistojnë këtu është ndërmjet Thaçit, Mogherinit e Vuçiqit për ta arritur një marrëveshje në një copë letër pa logo, pa kurrgjë, ku Serbia do ta siguronte anëtarësimin në BE më 2025, e Kosova do ta merrte mbi vete obligimin që ta falë një të katërtën e territorit të vet në këmbim për tri katunde.
Mogherini do të hynte në histori si superndërmjetësuese, Vuçiqi do t’ia ndërtonte një kishë Milosheviqit duke i treguar kështu se amanetin ia çoi në vend dhe i bashkoi tokat serbe (se pas Kosovës vjen Bosnja, e besa edhe Mali i Zi), kurse Thaçi..., Thaçi do të porosiste që t’ia shkruajnë edhe librin tjetër – Krejt “fitoret” e mia. Në fund, Kosova do të mbetej edhe më e vogël se që është, ende në proces të përmbushjes së obligimeve që dalin nga MSA-ja.
Deri tash Gjermania më zëshëm se kushdo tjetër po e kundërshton këmbimin e territoreve dhe lëvizjen e kufijve. Britania po ndihet, porse ajo i ka telashet e veta dhe shpejt do të dalë nga BE-ja. Kështu, duket se e vetmja fuqi racionale te e cila mund të mbështetemi është zonja Merkel dhe vendosmëria e saj për të mos lejuar hapjen e krizave të reja në Evropë.
* * *
E ndërkohë, Qeveria vazhdon me nepotizma dhe me zhvatjen e buxhetit përderisa i kërkon ndihmë Finlandës për ta pastruar Kosovën nga bërlloku që e krijon vetë. Po ta kishte përnjëmend punën në përmirësimin e ambientit në Kosovë, Haradinaj kishte mundur ta krijonte një brigadë vullnetarësh për ta pastruar Kosovën fizikisht të përbërë nga 100 zëvendësministrat e 500 këshilltarët që e gëlltisin buxhetin kot. E këtyre kishte mundur t’ua bashkëngjiste edhe ata veteranët fals “që kanë luftuar i madh, e i vogël” që sot marrin pensione, sepse i kanë sjellë vota.
S’ka dert që rrugën ia ka lënë çelur Thaçit për të bërë atë që iu ka tekë – qoftë ajo edhe copëtimi i Kosovës, humbja e Ujmanit dhe e “Trepçës”.
Me rëndësi është me i ndjek opozitat me agjendë.