OpEd

Miniera e pafund e arit

Deri tash për rrugën e Shkupit janë paguar rreth 540 milionë euro apo afro 90% të vlerës së kontratës. Në mars kishin përfunduar 82% e punëve të përcaktuara sipas kontratës. Pra, ku qenka problemi? Cilat qenkan vonesat në pagesa? Çka ka të fshehur tash pas këtyre shifrave dhe pse është dashur të nënshkruhet aneks- kontrata? Çka dinë Pal Lekaj dhe Qeveria e që nuk duan të na tregojnë? Pse duhet t'ia falim 53 milionë euro një konsorciumi që i ndërton rrugët zeher të shtrenjta? Kush është përfituesi i vërtetë i kësaj fizkulture?

Oj Kosovë, oj miniera ime,

ndose jam o i padije

Pasunin' tane zemra

Kurrë s'ka me harrue!

Për ta nisur këtë kolumne më frymëzoi hiti i Shkurte Fejzës, që ua kishte kushtuar mërgimtarëve. Një, për shkak se teksti mund t'i përshtatet fare lehtë kontekstit tonë aktual, dhe dy, për shkak se mërgimtarët më shumë se kushdo tjetër i kanë shumë milionë arsye për ta vajtuar vendin të cilin e mbajnë gjallë qysh moti.

Ku mbetën çelësat?

“Po ia ndajmë pasi nuk është mirë që të përballemi me procese gjyqësore që do ta dëmtonin vendin”, qe ajo që e tha Ramush Haradinaj në mbledhjen e Qeverisë, kur u vendos që konsorciumit “Bechtel-Enka” t'i ndaheshin madje 53 milionë (nga 63 sa u paralajmëruan para një kohe) në emër të penaleve. Se përse Kosova duhet t'i paguajë 53 milionë euro, nuk mundëm ta merrnim vesh dje nga ministri Lekaj. Thjesht, ngase nuk diti ta arsyetonte.

Nuk po e dimë kush sa para i dha kujt; nuk po e dimë se kush u vonua për çka; nuk po e dimë se si duket projekti, nuk po e dimë asnjë send deri në fund në lidhje me këtë rrugë, pos që ka me na kushtu, me gjasë, më shumë sesa ajo rruga tjetër që kurrë nuk u bë 100-kilometërshe siç ishte kontraktuar.

Duhet rikujtuar se kur është shpallur tenderi, ashtu kosovarçe, e dini, pa fillim e pa fund e me shumëçka në mes, ishin kërkuar opsionet me tunel 2,2 kilometërsh kah Kaçaniku dhe pa tunel. Oferta me tunel kishte pasur vlerën e rreth 600 milionë eurove, kurse ai pa tunel nja 500 milionë euro. Ky çmim nuk i përfshinte shpronësimet që është kalkuluar se do të ishin rreth 60 milionë euro.

Kur nisi ndërtimi i kësaj rruge u tha se kostoja e saj do të ishte 599.944.263,54 euro. Pra, nëse ky ishte çmimi i ofertuar nga “Bechteli”, e paska nënkuptuar pra edhe ndërtimin e tunelit. Po çfarë ndodhi me atë tunel? A mos doli kush të na tregojë se u ndërrua projekti, ose që diçka ndodhi ndërkohë, porse që nuk ndikoi në çmim? Jo natyrisht.

Në vend të kësaj atë që shohim në atë rrugë janë disa shtylla marramendëse që “t'i shtinë ethet në bark” dhe që do ta lidhin Kaçanikun me Hanin e Elezit. Gjatë ndërtimit disa nga ato shtylla ishin rrëzuar, për shkak se janë ndërtuar mbi Lepencin dhe në një terren, siç po shihet, ku mund të ketë rrëshqitje dheu. A garanton kush se ajo pjesë e trasesë është vërtet e sigurt?

Por t'i kthehemi prapë kontratës. Në një studim të bërë nga Riinvesti më 2015-n, në lidhje me këtë rrugë, që mbase nuk del të jetë aq rentabile, është thënë edhe kjo: “Nga takimet tona me zyrtarë të MI-së rezulton se “Rruga 6” do të ketë çmim fiks (rreth 650 milionë EUR), që është një përparësi e madhe krahasuar me kontratën e mëhershme për “Rrugën 7” (rruga për në Shqipëri, v.i.). Bëhet fjalë për kontratë, siç quhet, me “çelësa në dorë”, e cila do të ketë përparësitë e veta edhe në aspektin e prokurimit. Kostoja e përgjithshme e ndërtimit të “Rrugës 6” përbëhet nga kosto e shpronësimit të pronave private dhe nga kostoja e ndërtimit të rrugës”.

Cilat vonesa?

Tenderi u shpall kur Thaçi ishte kryeministër. Punët nisën pak para zgjedhjeve (si zakonisht) të 2014-s, kurse segmenti i parë deri në Babush u përurua kur Isa Mustafa qe kryeministër. Segmenti deri në Ferizaj u përurua me Ramush Haradinajn kryeministër.

Më 27 shtator 2017, pra 17 ditë pasi u formua Qeveria aktuale, u nënshkrua një aneks i kontratës të cilën s'e pamë kurrë, ashtu siç nuk e pamë as aneksin. Porse, një kërkesë që e kishte dërguar konsorciumi në adresë të Qeverisë në shkurt të sivjetmë tregonte se amendamentimi ishte bërë me kërkesën e Kosovës për zgjatjen e afatit të përfundimit të punëve. E ky është një nonsens edhe kontraktual e edhe ndërtimor -- zgjatjen e afateve për përfundim zakonisht e kërkon punëkryerësi, për shkak të problemeve që lidhen për gjëra të paparapara në terren. Pse pra kjo kërkesë?

Me sa kam informacione, deri tash për këtë rrugë janë paguar gjithsej 539.816.778,95 euro apo 89,98% e vlerës së kontratës. Nga ana tjetër, i njëjti burim thotë se deri në muajin mars kanë përfunduar 82% e punëve të përcaktuara sipas kontratës. Për pasojë, e kam shumë të paqartë ta kuptoj se ku qenka problemi: cilat qenkan vonesat në pagesa? Çka ka të fshehur tash pas këtyre shifrave dhe pse është dashur të nënshkruhet aneks-kontrata? Çka dinë Pal Lekaj dhe Qeveria e që nuk duan të na tregojnë? Pse duhet t'ia falim 53 milionë euro një konsorciumi që i ndërton rrugët zeher të shtrenjta? Kush është përfituesi i vërtetë i kësaj fizkulture?

Tjetër problem është edhe memorandumi i konsorciumit drejtuar Qeverisë. Pasi që e lexova mund t'ju them se kurrë më shumë pallavra me një vend nuk i kam parë sesa në këto katër faqe dokument. Citimi i ligjeve andej-këndej; arsyetimi për angazhimin e nënkontraktuesve dhe të punëtorëve punojnë “nëpër fronte pune” dhe absolutisht asnjë zbërthim financiar për asnjërin pozicion të cilin e citojnë në të -- kjo është baza që shërbeu për faljen e 53 milionëve. Në fund të letrës, me shkronja të nxira thotë: “Si pasojë e të drejtave të lartpërmendura të BEGP, kompenzimi për zgjatjen e Afatit të Përfundimit të Punëve është vlerësuar në 63 milionë euro”.

Aty ku s'ka prokuror, ka hajni

Kur u mor vendimi për faljen e këtyre milionëve, sikur të ishin bonbone, Lekaj deklaroi se falë përpjekjes së Qeverisë është arritur ujdia që të paguajmë 53, në vend të 63 milionëve (dhe tha e zbritëm borxhin në 45 milionë, plus TVSH 8 milionë, bëjnë 53 milionë), por nuk na tregoi për çfarë u arrit ujdia.

Po mirë, hajde qenka arritur ujdia. Po dy pyetje duhen shtuar ministrit dhe Qeverisë: nëse aneks-kontrata u nënshkrua në shtator vjet dhe nëse letra e konsorciumit ka ardhur në Qeveri në shkurt, pse ka pritur kjo Qeveri deri në qershor për ta arritur ujdinë?

Nëse vërtet paskemi pasur borxh (e prej pagesave të realizuara deri tash nuk po duket se paskemi vonesa), pse duhen kaluar 9 muaj që të zgjidhet çështja e një borxhi, që me logjikën e memorandumeve ngrenë me vete edhe kalkulimin e kamatave në vonesë, pos “angazhimit shtesë të nënkontraktuesve” dhe të “punëtorëve në fronte pune”.

Kësaj po i vjen era mashtrim -- por ec e bjeri në fije se kush po mashtron më shumë: Qeveria e kaluar që ka thënë se ka pasur 14 milionë borxh (pse?), apo kjo që thotë se i kemi 53 milionë borxh (pse?). Po të ishit të hairit do të dilnit e të na tregonit se ku në të vërtetë po shkojnë ato para.

E po të ishte i hairit, edhe kryeprokurori i shtetit do të niste hetimet ex-officio, për shkak se krejt kësaj skeme i vjen era dyshim e mashtrim. Porse ja që kryeprokurorin e shtetit e kemi një njeri tepër të zënë me punë, sepse i mban pesë pozita, me gjithë konfliktin e interesit. E kemi gjithashtu të zënë duke u marrë me gazetarë e me kërcënime. E mbase për këtë arsye është njeriu, i cili gjatë mandatit të tij nuk ia ka dalë ta fusë në burg asnjë njeri për krim të organizuar e korrupsion. Nuk ia ka dalë t'i fitojë rastet në gjyq në asnjërin rast të shënjestruar për liberalizim; është mbase kryeprokurori gjatë mandatit të të cilit prokurorët janë treguar më të pasuksesshmit për shkak se nuk kanë mundur t'i arsyetonin aktakuzat në gjyq. Është kryeprokurori i vetëm, i cili i ka akuzuar gjyqtarët për këtë punë dhe është munduar t'ia lërë fajin Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Dhe jo se i kemi gjyqtarët me të cilët mund të lëvdohemi, por po duken që janë për një gram më të rëndë e më të mirë sesa prokurorët.

* * *

Nuk e di se përse, kur m'u kujtua Shkurte Fejza, m'u kujtua edhe demonstrata masive në Prishtinë më 3 mars 1998, pas masakrës në Likoshan e Qirez.

Nuk mbaj mend të kem parë më shumë njerëz në rrugë që kishin dalë të protestonin kundër vrasjes së njerëzve, e nëpërmjet tyre edhe vrasjes së Kosovës.

Fati ynë i mirë është që me luftën përfunduan masakrat fizike dhe përpjekjet për të na shuar si komb.

Fati ynë i keq është që dita më ditë na masakrohen nervat e na shkatërrohet jeta nga një grumbull njerëzish që nuk ditën të ngiheshin kurrë me atë që kanë mbërritur të grabisin këta 19 vjet.

Fati ynë edhe më i keq është se na e kanë mbytur ndjenjën e detyrimit qytetar dhe na kanë zhytur nga një amulli nga e cila nuk po dimë të zgjohemi.

Javën tjetër do të mbushen 19 vjet nga çlirimi që na e solli NATO-ja. E në këta 19 vjet ia dolëm të bëhemi shteti më i varfër në Evropë; shteti me papunësinë më të madhe në Evropë; shteti më i sëmurë në Evropë; shteti më analfabet në Evropë; shteti i cili nuk e ka asnjë stadium a palestër për të luajtur lojë ndërkombëtare; shteti i cili nuk ka teatër shumëfunksional; shteti që nuk ka as hekurudhë; shtet i bankrotuar...

Sepse “Kosova martire” kurrë s'prajti së qeni minierë e pafund e arit për ata që dashurinë për Kosovën e shprehin duke ia zhvatur pasurinë dhe paratë e buxhetit, as pa u skuqur e as pa u zverdhur.

[email protected]