OpEd

Mësimet nga mallkimi i komshiut

Historia e nisjes së negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut bart disa mësime kyçe për të ardhmen e procesit tonë integrues

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë të mallkuara. Ky do të mund të ishte një arsyetim tundues për të shpjeguar procesin integrues të këtyre dy vendeve. T’ia nisim nga Shqipëria.

Në teori, Shqipëria është dashur të jetë vendi më i avancuar i rajonit. Lider rajonal në procesin integrues. Shqipëria për dallim nga vende tjera të Ballkanit nuk ka asnjë pengesë strukturore historike e cila do të pengonte progresin e saj. Pra, Shqipëria nuk ka mosmarrëveshje territoriale me fqinjë. Nuk ka histori konflikti me fqinjë. Nuk ka histori të problemeve fetare. Nuk ka persona të zhdukur dhe të pagjetur. Nuk ka përvjetorë gjenocidesh dhe masakrash. Nuk ka tribunale ndërkombëtare. Nuk ka probleme strukturore me minoritetet. Nuk ka enklava, asociacione apo kantone. Nuk ka kushtetutë komplekse. Nuk ka influencë ruse apo kineze. Pra, ndryshe nga të gjitha vende të tjera të rajonit Shqipëria është e lirë nga çfarëdo faktori destabilizues me të cilin ballafaqohen të gjitha vende të tjera të rajonit. Rrjedhimisht, mungesa e çfarëdo pengese të tillë strukturore ofron hapësirën e nevojshme politike për avancim të papenguar të vendit. Prandaj, në teori së paku Shqipëria e pangarkuar me telashet e historisë është dashur të jetë Kroacia e dytë e rajonit tonë. Dhe në fakt, në një periudhë kohore kështu edhe ishte. Për vetëm katër vite (2006-2010) Shqipëria ka nënshkruar Marrëveshjen Stabilizim Asocimi, është anëtarësuar në NATO, ka aplikuar për status të Vendit Kandidat në BE dhe ka fituar liberalizimin e vizave. Asnjë vend i rajonit nuk kishte arritur të gjitha këto kaq shpejt. Kjo ishte e paprecedent. Prandaj krahasim i Shqipërisë me Kroacinë nuk është edhe i pabazë, pasi që ishin pikërisht Kroacia dhe Shqipëria që u anëtarësuan në të njëjtën kohë në NATO. Shqipëria në një kohë me të vërtet ishte ylli në ngritje i rajonit. Por e gjithë kjo u ndal në vitin 2014. Nga viti 2014 e këndej Shqipëria u paralizua. Ajo nuk bëri më asnjë hap përpara në rrugën e saj euro-integruese. U duk sikur Shqipëria u mallkua.

Kështu është pak a shumë edhe historia e Maqedonisë së Veriut. Maqedonia e Veriut ishte vendi i parë i rajonit i cili nënshkroi Marrëveshjen Stabilizim Asocimi me BE-në në vitin 2001. Madje, Maqedonia e Veriut e kishte nënshkruar MSA-në edhe para Kroacisë. Dhe kësisoj në një kohë është menduar se përderisa Jugosllavia përfundimisht shpërbehet, ndërsa Shqipëria të merr veten pas 97-s, janë pikërisht Maqedonia e Veriut dhe Kroacia që do të janë liderë të rajonit drejt anëtarësimit në BE. Kësisoj të dy vende fituan edhe statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE në të pothuaj njëjtën kohë (2004/2005). Por pas vitit 2005 këto dy vende e ndajnë rrugëtimin e tyre integrues. Përderisa Kroacia galopon drejt anëtarësimit në BE dhe bëhet pjesë e saj në vitin 2013, Maqedonia e Veriut u paralizua. U duk sikur edhe rruga e saj integruese u mallkua.

***

Mallkimi i procesit integrues të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut u thye këtë javë në Bruksel. Dy vende hapën negociatat e anëtarësimit pas shtatëmbëdhjetë viteve pritje në rastin e Maqedonisë Veriut dhe gjashtë viteve pritjeje në rastin e Shqipërisë. Sa për krahasim për këtë vendim, Serbia dhe Mali i Zi pritën vetëm dy vite.

Se a besoni apo jo në mallkimin si shpjegim i ngecjes së procesit integrues të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut është çështje e shijeve personale, por rrugëtimi tejet i ngadaltë integrues i dy vendeve është i pamohueshëm dhe mesazh për procesin integrues edhe të vendit tonë.

E para, procesi i zgjerimit është bërë shumë më politik se në fillimet e tij. Ngadalësia e vendimmarrjes në rastin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë ka qenë e ndikuar ekskluzivisht nga arsyet politike. Nga ana tjetër, shpejtësia e vendimmarrjes në rastin e Ukrainës dhe Moldavisë ka qenë po ashtu e ndikuar ekskluzivisht nga arsyet politike. Pra, fakti që procesi i zgjerimit është bërë më politik mund të jetë bekim apo mallkim. Në rastin tonë fakti që kanë kaluar shtatë vite që nga nënshkrimi i MSA-së dhe Kosova është ende larg marrjes së statusit të vendit kandidat indikon se ky realitet i ri në procesin e zgjerimit nuk do të jetë bekim për rrugën tonë integruese.

E dyta, procesi i zgjerimit është bërë shumë më kërkues se në fillimet e tij. Me çdo raund të zgjerimit BE-ja ka marr mësime të cilat i ka integruar në procesin e zgjerimit duke e bërë kështu procesin më kërkues dhe më rigoroz. Mësimet nga Kroacia janë aplikuar në rastin e Malit të Zi dhe Serbisë. Mësimet nga Mali i Zi dhe Serbia janë duke u aplikuar në rastin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Mësimet nga të gjitha këto do të aplikohen në rrugën integruese të Kosovës dhe Bosnjës. Pra, nëse përpara është kërkuar vetëm ndërmarrja e një reforme, tani kërkohet dëshmia që këto reforma janë të suksesshme. Nëse përpara është kërkuar vetëm miratimi i një ligji, tani kërkohet dëshmia se ligji po zbatohet në praktikë. Nëse përpara është kërkuar vetëm ngritja e një ndërmarrje publike, tani duhet të dëshmohet se kjo ndërmarrje publike është profitabile. Pasojat e kësaj qasjeje ne jemi duke i përjetuar në procesin e liberalizimit të vizave ku kërkesat ndaj Kosovës janë shumë më të larta se në rastin e vendeve të tjera të rajonit. Aty ku vendet e rajonit kanë pasur 43 kritere për liberalizim të vizave, ne kemi 95. Kjo nuk do të thotë se BE-ja është e padrejtë, por thjesht BE-ja ka mësuar nga proceset e mëhershme. Mënyra më e mirë për t’u përgatitur për këtë realitet të ri është investim serioz dhe afatgjatë në profesionalizmin dhe pavarësinë e shërbimit civil. Një klasë politike e cila përkrahet nga ekspertë të aftë do e këtë shumë më të lehtë zbatimin rigoroz të të gjithë kuadrit ligjor evropian, por edhe artikulimin dhe mbrojtjen e pozicioneve të veta nacionale negociuese në ballafaqimin me institucionet e BE-së.

E treta, duke e njohur faktin se në procesin tonë integrues do të na kërkohet shumë më shumë se që është kërkuar të tjerëve dhe njëkohësisht vlerësimi i progresit tonë do të jetë shumë më rigoroz dhe politik se që ka qenë, atëherë ky realitet krijon një mjedis shumë të paparashikueshëm të vendimmarrjes së BE-së. Rrjedhimisht, duhet të fillojmë të mësohemi të përmbahemi nga çfarëdo premtimesh politike në kuadër të procesit integrues pasi që rrezikojmë me një anë ngritjen e pritjeve të qytetarëve, ndërsa në anën tjetër dëmtimin e kredibilitetit të institucioneve tona. Kësisoji këtu në Kosovë ne ende mbajmë mend premtimin e liberalizimit të vizave për pesëmbëdhjetë muaj në vitin 2010, apo në Shqipëri premtimin për nisjen e negociatave të anëtarësimit brenda dymbëdhjetë muajve në vitin 2013.

E katërta, procesi integrues kërkon konsensus politik. Integrimi evropian nuk mund të avancohet pa përfshirje dhe përkrahje të pushtetit dhe opozitës. Në Shqipëri kërkesa për anëtarësim në BE është dorëzuar në mandatin e PD-së, ndërsa nisja e negociatave në mandatin e PS-së. Në Kosovë, Marrëveshja Stabilizim Asocimi është nënshkruar në mandatin e PDK-së dhe LDK-së, ndërsa sot VV-ja synon në mandatin e saj dorëzimin e kërkesës për anëtarësim në BE. Në Maqedoninë e Veriut përkundër nisjes së negociatave këtë javë, avancimi i negociatave varet nga votimi i ndryshimeve kushtetuese në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut i cili do të jetë i pamundur pa përkrahjen e opozitës. Pra, partitë politike patjetër se do të zhvillojnë betejat e ashpra politike për virtualisht çdo gjë në jetën tonë shoqërore, por partitë e pjekura politike do të njohin rëndësinë e konsensusit politik për çështjet nacionale që janë pjesë e procesit tonë integrues.

***

Patjetër se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk ishin të mallkuar. Politizimi i procesit të zgjerimit dhe ngritja e standardeve në zbatimin e reformave evropiane kanë krijuar një mjedis të vështirë për avancimin e rrugës së tyre evropiane. Ndërkohë edhe zhvillimet e brendshme politike në dy vendet respektive nuk kanë kontribuar në perceptimin e tyre pozitiv. Sidoqoftë, të dy këto vende tani kanë nisur negociatat e anëtarësimit. Përderisa unë besoj që edhe Kosova së shpejti do të fitoj liberalizimin e vizave, mësimet nga “mallkimi” i rrugës integruese të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut duhet të na shërbejnë si shenja paralajmërimi për një proces të gjatë dhe sfidues para nesh.