Para dy ditësh OBSH-ja e shënoi ditën e 100-të të koronavirusit. Kosova, në mes të pandemisë, nuk e lejoi Qeverinë të jetonte më shumë se 51 ditë. Ata që vendosën ta rrëzonin Qeverinë në këtë situatë, do të duhej ta dinin se virusi mund t’i marrë edhe 100 ditë të tjera për t’u zbutur te ne. Do të duhej ta dinin se mund të marrë edhe më shumë jetë nëse insistohet në ndryshimin e kabinetit ekzistues VV-LDK, që është duke e bërë një punë të jashtëzakonshme në kushte anormale. Do të duhej ta dinin se populli është shumë më i rëndësishëm sesa kolltukët dhe paratë e tyre
Paralajmërimi i motit për këtë javë ishte i keq për koronavirusin. Parashihej ngritja e temperaturave dhe për pasojë pritej rritja fluksit të qytetarëve në shesh për të dalë e për të bërë xhiro deri në kohën kur supozohet se duhemi të qëndrojmë në shtëpi.
Rezultati i drejtpërdrejtë i kësaj do të ishte rritja e mundësisë së përhapjes së virusit, ngase shëtitësit e sheshit tashmë u dëshmuan të ishin njerëzit më të padisiplinuar: pa maska e pa dorëza; shumë familje me fëmijë; biçikleta gjithandej, dhe pleq që uleshin për të bërë muhabet nëpër banka, në 30 centimetra distancë, për ta dëgjuar njëri-tjetrin më mirë.
Fatmirësisht, institucionet reaguan. E mbyllën sheshin për qarkullim, sikurse kishin bërë me parqet disa ditë më herët. I vendosën policët në shesh dhe fluksi i shëtitësve u zvogëlua në minimum.
Prishtina e ditëve të koronavirusit ma kujton shumë Prishtinën e para 50 vjetëve. Qarkullim i vogël i njerëzve dhe i veturave; qetësi; pastërti dhe njëfarë rendi që e kishim harruar prej kohësh. Ajo që dallon dukshëm është prezenca e pafund e qenve endacakë nëpër rrugë; të shumë pëllumbave që dikur kishin qenë të rezervuar vetëm për pëllumbaxhinjtë dhe numri më i vogël i sorrave, së paku në qendër. Nuk e di arsyen se përse nuk janë këndejpari, por po e di që gjumin në mëngjes po e bëj më mirë.
Ndjekja e afatit
Pas aktgjykimit të Kushtetueses, ku u përcaktua se Qeveria nuk kishte të drejtë ta ndalonte të drejtën e qarkullimit në të gjithë territorin, nisi ndjekja e afatit për të marrë vendime individuale, sipas së cilave secila komunë do të bënte kufizimin e qarkullimit për territorin e vet. Gjithnjë sipas Kushtetueses, Qeveria ende e kishte mundësinë që me vendim t’i vinte në karantinë vendbanimet e caktuara, ngase vendimet janë të natyrës specifike dhe nuk ndërlidhen me gjithë territorin e Kosovës.
Ndërkohë, pas shumë përpjekjeve, autoritetet ia dolën t’i impononin rregullin e rendin edhe në veri, ku më në fund u caktua kufizimi i lëvizjes, nisën të evidentoheshin rastet e prekura me virusin, si dhe të përfshiheshin në evidencën e përgjithshme. Në momentin kur po e shkruaj këtë kolumne, në Kosovë i kemi 250 raste të të infektuarve, prej të cilëve 7 kanë vdekur dhe 52 janë shëruar. Numri mund të jetë më i madh për shkak të mungesës së testimeve të më shumë njerëzve dhe, për këtë arsye, duhet vazhduar karantinën për aq sa vlerësohet se është e domosdoshme.
Politika nuk ndalet
Pra, në mes të pandemisë, kur po bëhen gjithë këto përpjekje për ta tejkaluar këtë krizë sa me më pak dëme, në Kosovë ajo që nuk zbret nga rendi i ditës është politika. Dhe nuk është se qëllimi i saj është që të na shpëtojë nga kjo krizë. Qëllimi është që të na fusë në krizë edhe më të thellë politike. Nëse ende ka hapësirë për këtë.
Pasi që më 2 prill Thaçi ia kishte dërguar një letër Kurtit duke ia kërkuar emrin e mandatarit për Qeveri, sërish dje ia nisi edhe një letër. Me të njëjtën kërkesë. Edhe pse Kushtetuta dhe aktgjykimi i Kushtetueses nuk parashohin afate për kthim përgjigjeje, insistimi i Thaçit është i qartë: do që ta detyrojë Kurtin që t’i thotë se s’ka mandatar, ashtu që mandatin t’ia japë LDK-së, për ta formuar “Qeverinë e unitetit kombëtar”. Kurti e ka opsionin që të mos i përgjigjet derisa t’ia marrë mendja, dhe mendja ma thotë se, derisa të kemi krizë pandemike, përgjigje nuk do të ketë.
Se çfarë fizkulturash i ka në plan Thaçi, është paksa vështirë të parashikohen, duke e marrë parasysh se insistimi për t‘ia dhënë mandatin një partie tjetër mund të ngërthejë shkelje të Kushtetutës. Porse, fakti se insiston për të marrë emrin e mandatarit me çdo kusht, tregon se diçka është duke u zier.
E se kjo që po zihet me gjasë ka mbërritur në pikë të vlimit, ishte reagimi i pardjeshëm i Thaçit pas publikimit të letrës së Kurtit dërguar Lajçakut. Kurti i kishte shkruar emisarit të BE-së për dialogun se, sipas Kushtetutës dhe Kushtetueses, dialogu do të duhej të udhëhiqej nga Qeveria, përkatësisht të kryesohej nga kryeministri.
Për më tepër, ia kishte dërguar një “skelet” se si do të dukej delegacioni, ku Thaçi e kishte rolin dytësor. Thaçi doli e tha se ajo që kishte shkruar ishte “dëshirë e tij (e Kurtit) personale dhe asgjë tjetër”. Pra, mund të jetë dëshirë personale, porse edhe është obligim kushtetues i Kurtit, sepse, pavarësisht mocionit të mosbesimit, ai vazhdon të jetë kryeministër në detyrë, thuajse me fuqitë e plota.
Spastrimi
Janë mu këto fuqi të cilat ia mundësojnë Qeverisë që të marrë vendime në lidhje me bordet e ndërmarrjeve publike. Në këtë aktivitet na paraqitet një superministre, Rozeta Hajdari, që shumë pak njerëz do ta kenë njohur para se të bëhej me postin. Ministres së cilës ia kanë mbledhur pesë ministri brenda resorit që e udhëheq, që nga dita e parë është duke treguar vendosmërinë për të realizuar atë që kishte qenë premtim zgjedhor jo vetëm i VV-së, por edhe i LDK-së: depolitizimi i bordeve të ndërmarrjeve publike.
Ajo që lë shumë përshtypje është që ndërhyrja në shkarkimin e këtyre bordeve po bëhet pas analizës financiare të ndërmarrjeve publike dhe identifikimit të keqpërdorimit të parasë publike. Procedura e shkarkimit realizohet në mbledhje të mbyllura që pasohen nga konferencat për shtyp, ku arsyetohen veprimet. Madje, në njërin rast, atij të Ujësjellësit, pas shkarkimit të bordit dhe paraqitjes së analizës financiare, u aktivizua edhe Prokuroria e shtetit. Është gjë që nuk na ka ndodhur kurrë deri tash.
Mësuesja korona
U bë një muaj qëkur nisën masat për parandalimin e përhapjes së virusit. Dhe për ata që rrinë në shtëpi, e vërtet nuk dalin përtej pragut, janë ditë të gjata që duhen të mbyten disi.
Ky muaj do të ketë qenë një prej atyre pak rasteve ku familjet e ngushta e kalojnë kohën bashkë. Përderisa fëmijët bëjnë mësim online, kush me më shumë e kush me më pak zell, të tjerët merren me punët, të cilat do t’i kenë lënë mbas dore për shkak të obligimeve të tjera që kanë pasur deri tash.
Kjo epokë na mundësoi të shikonim shumë TV. Nuk po them se kjo është punë e shëndoshë për trurin, porse televizori e ka një të mirë, sepse e ka një pilot, e piloti e ka një sustë të kuqe që mund të t’i ruajë mendtë. Na e mundësoi edhe kthimin te një shprehie, të cilën e kemi harruar qe 30 vjet - leximin e librave. Mbase kjo do të na ndihmojë të kuptojmë se libri është dëshmia më e mirë se leximi duhet të shkojë përtej titujve skandalozë e sensacionalistë të portaleve, dhe se librat përmbajnë shumë gjëra që interpretohen ndryshe nga ajo që gjen në internet.
Korona e dëshmoi se Kosova e ka ajrin e ndotur në masë shumë të madhe për shkak të veturave të shumta që qarkullojnë dhe emetojnë gazra helmuese. Mbase ky do të jetë rasti më i mirë për planifikim në të ardhmen: kufizimi i importimit të veturave të vjetra; taksë shtesë për pronarët e veturave që emetojnë gazra ndotëse; kufizimi i qarkullimit të veturave në zona me popullsi të dendur; zhvillim i trafikut urban dhe ndërtimi i parqeve në vend të ngrehinave të shëmtuara betoni.
Virusi na tregoi, sado paradoksale që të tingëllojë, se ishim me fat që nuk kemi liberalizim vizash. Po e paramendoj situatën kur përnjëherë do të kishin dashur të ktheheshin 100 mijë njerëz nga shtetet evropiane, që të gjitha pa përjashtim, të goditura shumë me virusin. Po e paramendoj se nuk do të kishim pasur as ku t’i vendosnim në karantinë e as ku t’i mjekonim me kapacitetet e kufizuara që i kemi.
Ra pandemia e na tregoi se shërbimet shëndetësore mund të ofrohen edhe pa ryshfet e pa favore. Dhe na tregoi se pjesa më e madhe e profesionistëve ishin në krye të detyrës, sepse ashtu e kërkon etika profesionale. Na tregoi se në planifikim kishim dështuar prej kohësh: shumë pak epidemiologë e infektologë, e shumë mjekë të tjerë që mund të fitojnë shumë, sidomos në praksa private.
Korona na krijoi edhe një problem të madh - humbjen e vendeve të punës dhe humbjet financiare në ekonomi. Përpjekja e Qeverisë për masa emergjente ka gjasa që të mos kalojë në Kuvend, për shkak se edhe këtu u gjet koha për të bërë gara politike dhe jo për të treguar solidaritet. Porse, nga ana tjetër, korona e zbuloi se Kosova kishte madje 150 mijë punëtorë pa kontrata e që kjo punë të ishte toleruar nga të gjitha qeveritë paraprake. Këta punëtorë nuk e gëzojnë asnjë të drejtë pos pagesës ashtu çfarë u bëhet, dhe tash në këtë situatë nuk mund të llogarisin as në ndihmën nga pakoja emergjente. Mbase edhe ky do të jetë çasti i më i duhur për t’i identifikuar ato kompani apo ata punëdhënës që i mbajnë punëtorët në të zezën.
* * *
Para dy ditësh OBSH-ja e shënoi ditën e 100-të të koronavirusit. Kosova, në mes të pandemisë, nuk e lejoi Qeverinë të jetonte më shumë se 51 ditë. Ata që vendosën ta rrëzonin Qeverinë në këtë situatë, do të duhej ta dinin se virusi mund t’i marrë edhe 100 ditë të tjera për t’u zbutur te ne.
Do të duhej ta dinin se mund të marrë edhe më shumë jetë, nëse insistohet në ndryshimin e kabinetit ekzistues VV-LDK, që është duke e bërë një punë të jashtëzakonshme në kushte anormale.
Do të duhej ta dinin se populli është shumë më i rëndësishëm sesa kolltukët dhe paratë e tyre.