OpEd

Mësimet e Yogi Berras për ardhmërinë e Kosovës

Si po e ha Qeveria picën publike duke vazhduar me premtime boshe.

1.

Yogi Berra ka qenë një lojtar bejsbolli, e pastaj edhe trajner dhe si i tillë ka hyrë në listën e njerëzve të cituar në Amerikë. Ato që i ka thënë zakonisht kanë qenë gjëra jo shumë të menduara mirë, por njëherë të shqiptuara, e posaçërisht nga ai, janë shndërruar në thënie legjendare. Për shembull, një herë e pyesin se përse nuk shkon në një restorant të njohur të qytetit të tij të lindjes dhe ai përgjigjet:

-Nuk shkon më kush në atë restorant; po stërmbushet.

Ose e pyet gruaja se ku ka dëshirë ta varrosin kur të vdesë, në Montclair, New York apo St. Louis, dhe ai thotë : “Nuk di, Carmen, pse nuk ma bën befasi?”.

Dhe kështu me radhë, për të mbërritur te një thënie që i shkon më shumë këtij shkrimi:

-Është vështirë të parashikosh, posaçërisht ardhmërinë.

Mësimi i Yogi Berras duhet të vendoset në muret e Qeverisë së Kosovës. Pa marrë parasysh se kush ka qenë në Qeveri (ndonëse është veçuar për të mirë në përpjekjen për disiplinë ekonomike ajo e Isa Mustafës), janë bërë parashikime që kanë qenë tepër larg realitetit. Siç ishte një postim e njërës prej figurave kryesore të Qeverisë së tanishme, hiç më larg se në qershor të këtij viti:

“Sivjet qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza në BE

Sivjet Kosova do të krijojë forcën e vet të armatosur

Sivjet Kosova do të jetë anëtari më i ri i Interpolit

Sivjet do të korrigjohet kufiri me Malin e Zi”.

Vërejtje: nuk ishte deklaratë e bërë në fushatë zgjedhore, e as premtim në mbledhjen e nëndegës së Potkoqërrcit, por postim publik, i bërë duke disponuar me informatat me të cilat duhej të dispononte Qeveria (pra të Ministrisë së Jashtme, asaj për Integrime Evropiane, AKI-së e kështu me radhë).

2.

Një muaj pas postimit publik të qeveritarit, tri prej katër paralajmërimeve të ardhmërisë së Kosovës nuk kanë gjasa të realizohen.

Pra, sivjet qytetarët e Kosovës nuk do të lëvizin pa viza në BE, ngase nuk ekziston vullnet politik te të gjitha shtetet anëtare të BE-së për ta bërë një gjë të tillë (e një pjesë e arsyes për këtë është tashmë përshtypja bukur e gjerë se Kosova është shtet i kapur prej krimit të organizuar). Por edhe po të ekzistonte vullneti politik (i inspiruar me vizionin se është më mirë që qytetarët e Kosovës të afrohen BE-së se sa të izoluar të mbeten nën diktatin e krimit), tashmë janë kaluar afatet procedurale që do të mundë të merrnin vendimin me të cilin qytetarët e Kosovës do të lejoheshin të udhëtonin pa viza brenda zonës Schengen.

Po ashtu, sivjet Kosova nuk do ta ketë ushtrinë e vet. Arsyeja fondamentale është se kjo çështje që ka mundur të zgjidhet ndryshe para disa vjetësh tashmë është ingranuar si pjesë e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë. Brenda NATO-s tashmë është ndërtuar pozicioni, i cili kërkon që Ushtria të themelohet nëpërmjet të ndryshimeve kushtetuese, e kjo do të thotë se ushtria themelohet, në kushtet e tanishme, vetëm me vullnetin e Listës Serbe, gjegjësisht presidentit të Serbisë, Vuçiq. Si produkt të drejtpërdrejtë të politikës kosovare tashmë kemi nonsensin e të drejtës së vetos së Serbisë mbi një të drejtë fondamentale të shtetit të Kosovës. Rrjedhimisht, se a do të ketë Kosova ushtri nuk mund ta paralajmërojë një zyrtar i Kosovës, por një zyrtar i Serbisë.

Dhe, tre, Kosova sivjet nuk do ta korrigjojë kufirin me Malin e Zi. Formulimi i vetëm i drejtë është se “është e mundur që Kosova dhe Mali i Zi ta korrigjojnë kufirin e ndërsjellë”. Për ta bërë këtë, Komisioni i përbashkët duhet të dakordohet për ndryshimet eventuale, këto t’i paraqesë autoriteteve dhe në fund të marrë pëlqimin institucional të të dy shteteve. Përderisa Mali i Zi e di institucionalisht ku e ka kufirin , Kosova nuk di ngase Parlamenti i saj ka votuar se kufiri është i vendosur sipas raportit Meha dhe sipas raportit Bulliqi. Nëse do korrigjim, Kosova duhet ta bindë së pari veten se çka do të korrigjojë.

3.

Por, mbetet premtimi i katërt, se Kosova sivjet do të bëhet anëtare e re e Interpolit. Ky premtim ende nuk dihet në do të përmbushet apo jo. Një pjesë e rëndësishme e politikës së jashtme të Kosovës merret me këtë çështje si të ishte një prej çështjeve kryesore. Në opinion publik Interpoli duhet ta zëvendësojë aventurën me UNESCO-n, me të cilën Kosova do të tregonte se duke u anëtarësuar në një organizatë ndërkombëtare mund fuqinë që ka Serbia për ta penguar këtë gjë. Në thelb, është dëshmi e dobësisë: e vetëbllokuar me marrëveshjet e Brukselit, anëtarësimi në UNESCO a Interpol nuk e ndryshon fuqinë që ka fituar Serbia me nënshkrimin e Hashim Thaçit. Përkundrazi, anëtarësimi në Interpol në samitin e nëntorit të këtij viti në Dubai do ta vendoste Kosovën në listën e anëtarëve të rinj menjëherë pas Palestinës dhe Ishujve Solomon, të pranuara më 2017 në Pekin. Kosova kështu, do të vazhdonte të ndiqte modelin e Palestinës, gjithsesi jo model për të ndjekur në shtetndërtim.

Yogi Berra do të kishte një porosi të mirë edhe për këtë rast:

“Kur nuk di kah je nisur, mund të përfundosh në vend tjetër”.

4.

Në fakt, ardhmëria e Kosovës nuk është vështirë të parashikohet. Kuti matës nuk janë premtimet e kota – prej liberalizimit, ushtrisë e kufirit. Këto janë tema që shërbejnë si paravan për të fshehur paaftësinë konceptuale të qeverisjes, kësaj dhe atyre paraprake.

E paaftësia matet po ashtu shumë thjesht: a është në pushtet një Qeveri që merr vendime për të krijuar para apo për t’i shpenzuar ato?

Qeveria në pushtet ka shpërfaqur energji të jashtëzakonshme për të treguar se do të shpenzojë shpejt e me ngulm paratë publike. Buxhetin e Kosovës e sheh si thes të pafund për të dhënë: falje borxhesh ambalazhuesve të ujit, pensione veteranëve të UÇK-së numri i të cilëve rritet përpjestimisht me lindjen e foshnjave, pensione shtesë arsimtarëve të viteve nëntëdhjetë, rritje rrogash për vetë Qeverinë, falje parash “Bechtel-Enkas”... Çdo mbledhje e Qeverisë është rrezik latent për buxhetin e vendit, aq sa nga aspekti i financave publike do të ishte më mirë që kabineti qeveritar të rrijë në shtëpi e të marrë rrogat pa punuar, sesa të punojë kështu siç bën.

Për ta mbushur buxhetin, kjo Qeveri do të bëjë sikur edhe ato paraprake; do ta fusë vendin në borxhe të reja.

Dhe këtu Qeveria takohet me Yogi Berran. Kur e pyetën se në sa copë duan t’ia presin picën, ai u përgjigj “Në katër, nuk besoj që mund t’i ha tetë pjesë”. Qeveria bën sikur i ndanë pjesët; në thelb është duke e ngrënë tërë picën publike. Katër a tetë pjesët e saj, nuk ka rëndësi.

© KOHA Ditore