Nga përvoja e luftërave në Ballkan mund të thuhet se ukrainasit kanë më shumë gjasa për fitore. Sepse shkatërrimi i qyteteve, vrasja e njerëzve, edhe marrja në dorë e qyteteve, e tërë shtetit, nuk nënkupton fitore. Milosheviqi e pati në dorë Kosovën 20 vjet dhe i pati duart e lira të bëjë çfarë të dojë, por nuk arriti të fitojë. Sarajeva u mbrojt 4 vjet nga ushtria shumëfish më e fortë. Vukovarin me muaj të tërë e mbrojtën mësuesit, punëtorët e fabrikave dhe të rinj me pushkë primitive. Putini mund të fitojë në Ukrainë vetëm nëse e merr mbështetjen e popullit atje. E po shihet se nuk është e mundur, sepse “paqeruajtësit” rusë nuk u priten me lule nga popullata vendëse. Por përmasat në Ukrainë duhet të shumëzohen me 10 kur bëhen krahasimet me Ballkanin, dhe të merret parasysh se fjala është për një agresor që ka armë bërthamore
E ardhmja e Evropës është duke u vendosur sot në rrugët e Kievit e jo nëpër konferencat e Brukselit. Kjo tash është një luftë ku do të ketë fitues dhe humbës. Duhet lënë anash pohimet naive se “në luftë të gjithë janë humbës”, sado humane të jetë kjo thënie. Ose do të fitojë Putini, ose do të humbë ai dhe me të edhe mbështetësit e tij të deridjeshëm që nuk ishin pak as në BE. Në kohën kur elita e BE-së është duke zhvilluar të ashtuquajturën “Konferencë për të ardhmen e Evropës”, në të cilën asnjë fjalë nuk është thënë për sigurinë dhe mbrojtjen, presidenti i Rusisë ka nisur luftën në Ukrainë duke kërcënuar të gjithë, bile edhe me sulme bërthamore.
Me shpejtësi të madhe ka ndryshuar mendimi i shumë njerëzve, politikanëve, analistëve dhe shumë të tjerëve që nuk besonin se do të ketë luftë. Që besonin se “Amerika po ekzagjeron”. Në një samit të jashtëzakonshëm të BE-së që është zhvilluar gjatë orëve të vona të natës e deri në orët e hershme të mëngjesit, shumë liderë evropianë janë zgjuar nga gjumi. Ose më mirë të themi që nga atëherë nuk kanë më fare gjumë. Sepse e kanë kuptuar se, ndërsa duhet zhvilluar në aspektin digjital, duhet ruajtur ambientin, duhet zhvilluar industrinë e mikroçipave, nuk duhet marrë as paqen si diçka të garantuar vetvetiu.
Putini i befasoi liderët evropianë me të cilët për vite është tallur. Ashtu siç i kishte befasuar Milosheviqi në fund të viteve tetëdhjetë në Kosovë, apo në fillim të viteve nëntëdhjetë në Kroaci, pastaj në Bosnjë-Hercegovinë. Por nuk ndërhynë. Kishte në BE të tillë që i besonin, e bile edhe donin që ai të fitonte. “T’i pacifizojë Slloveninë dhe Kroacinë dhe ta ruajë Jugosllavinë”. Nuk është fshehtësi se mendim të tillë kanë pasur Britania e Madhe dhe Franca. Në anën tjetër ishte Gjermania, e cila insistonte të njiheshin shtetet e pavarura. Por edhe kur u njohën Kroacia dhe Sllovenia, më vonë edhe Bosnjë-Hercegovina, atyre iu mohua e drejta që të vetëmbroheshin. Nuk deshi askush t’u ndihmojë, e bile u vunë sanksione në importin e armëve. Kinse këto sanksione vlenin për të gjithë hapësirën e ish-Jugosllavisë. Por ish-Armata Popullore e Jugosllavisë, që u vu në shërbim të politikës së Milosheviqit për të krijuar Serbinë e madhe, nuk kishte nevojë për armatim. Ishte e armatosur deri në dhëmbë. Bile thuhej se ishte armata e gashtë më e fortë në Evropë.
Milosheviqi mbeti deri në fund bashkëbisedues, njeri me të cilin besohej se duhej arritur paqja. Askush nuk deshi të bëjë asgjë. Derisa ai nuk iu kthye Kosovës për të “kryer punë”, pasi përfunduan luftërat në Kroaci e Bosnjë. Në njërën kishte humbur dhe u pajtua me humbjen, e në tjetrën kishte fituar. Sepse në Bosnjë-Hercegovinë serbët, pa marrë parasysh se trupat e tyre kryen gjenocid, morën gjysmën e shtetit që e kanë edhe sot nën kontroll dhe nga ku kërcënojnë. Dështimet në Bosnjë, ndërgjegjja e thyer e Evropës, bënë që më në fund të veprojnë për ta ndalur Milosheviqin. Por nuk ishte lehtë të arrihej vendimi. U deshën dhjetë vjet për të ardhur deri në atë moment. E bile edhe në kohën kur vazhdonin sulmet e NATO-s ndaj Milosheviqit kërkohej që me të të bisedohej. Ishte një ndjenjë e madhe pakënaqësie në disa qarqe të NATO-s kur prokurorja e guximshme nga Kanadaja, Louise Arbour, e akuzoi Milosheviqin për krime lufte. “Tash e humbëm atë si bashkëbisedues. Ajo tash na ka bërë të pamundur që me të të diskutojmë për fundin e konfliktit”, thoshin disa burime.
Njësoj tash habiten me Putinin dhe Rusinë. Sikur të mos kishin mësuar asgjë nga Ballkani. E ka aq shumë ngjashmëri. Ja vetëm disa. Argumentet e Serbisë për agresion ndaj popujve të tjerë ishin: “Mbrojtja e serbëve duarthatë nga fashistët kroatë, nga muxhahedinët boshnjakë, nga terroristët shqiptarë”. Pastaj “shqiptarët nuk kanë histori dhe duan ta vjedhin trashëgiminë historike serbe”. “Është rrezikuar Kisha Ortodokse”. “Myslimanët janë serbë me deformime gjenetike”. “Malazeztë janë serbë!”, “Maqedoninë e ka krijuar Tito”. “Në Dubrovnik po luftojnë mercenarët nga Çeçenia”. Këto nuk vinin nga qytetarë që bënin teori konspirative, por nga makineria propagandistike e Milosheviqit, ku rol të shquar kishin personat të cilët sot janë në pushtet në Serbi.
Është fascinuese, e besa edhe e frikshme ngjashmëria me argumentimet që sot po përdor Rusia për invazion në Ukrainë. Thirret në “mbrojtjen e rusëve”, “luftën kundër nazistëve ukrainas (ani pse presidenti i Ukrainës vjen nga një familje hebraike, mbijetuese e Holokaustitt”, “është rrezikuar Kisha Ortodokse Ruse” e deri tek “Ukrainën e kanë krijuar Stalini dhe Hrushqovi” dhe se “Kievi është djep i kulturës ruse dhe qyteti më rus në botë”. Kanë “zbuluar” edhe se në Ukrainë paska “mercenarë nga Kosova, Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovina” (jo rastësisht të zgjedhura si vende me popullatë shumicë të besimit mysliman).
Por sikur në propagandën e Milosheviit ku e vërteta nuk ishte e rëndësishme, nuk është as këtu. Nga kjo do të pësojnë shumë njerëz. Evropa përsëri sheh pamje për të cilat “kanë menduar se i takojnë historisë”. Me po të njëjtat fjalë Evropa pati reaguar edhe kur shpërtheu lufta në ish-Jugosllavi.
Por përvoja nga luftërat në Ballkan është një mësim që nuk duhet t’i pëlqejë presidentit rus. Sepse, sipas kësaj përvoje, Ukraina do të fitojë. Së pari për shkak se është në anën e drejtë, dhe e drejta, sado i rëndë të jetë çmimi, dhe sado të vonohet, fiton. Së dyti, ukrainasit mbrojnë vendin e vet dhe duket të jenë të vendosur në këtë qëndrim. Dhe së treti, Putini i ka humbur shokët në Perëndim e tash po ia mbyllin edhe kroin nga i cili financohej. Sidomos Gjermania, e cila duhet ta mbajë mëkatin më të madh për raportet e deritashme të evropianëve me Rusinë e Putinit. Në kohën kur e tërë bota ra dakord që të zvogëlohej varësia nga Rusia për energji, gjermanët bën të kundërtën. Bile në mandatin e aq shumë të adhuruarës Angela Merkel. Opsesioni i Gjermanisë me suksesin e industrisë, me rritjen ekonomike dhe naiviteti se kinse “nuk duhet lidhur biznesin me politikë”, e solli Evropën në këtë pozitë të pafuqisë në të cilën është sot. Por kjo po ndryshon dhe Evropa do të nxjerrë shumë mësime të rëndësishme për fatin dhe të ardhmen e saj. Padrejtësia është se pasojat po i paguan populli i pafajshëm i Ukrainës.
Nga përvoja e luftërave në Ballkan mund të thuhet se ukrainasit kanë më shumë gjasa për fitore. Sepse shkatërrimi i qyteteve, vrasja e njerëzve, edhe marrja në dorë e qyteteve, e tërë shtetit, nuk nënkupton fitore. Milosheviqi e pati në dorë Kosovën 20 vjet dhe i pati duart e lira të bëjë çfarë të dojë, por nuk arriti të fitojë. Sarajeva u mbrojt 4 vjet nga ushtria shumëfish më e fortë. Vukovarin me muaj të tërë e mbrojtën mësuesit, punëtorët e fabrikave dhe të rinj me pushkë primitive. Putini mund të fitojë në Ukrainë vetëm nëse merr mbështetjen e popullit atje. E po shihet se nuk është e mundur, sepse “paqeruajtësit” rusë nuk u priten me lule nga popullata vendëse. Por përmasat në Ukrainë duhet të shumëzohen me 10 kur bëhen krahasimet me Ballkanin dhe të merret parasysh se fjala është për një agresor që ka armë bërthamore.
Çka nëse Rusia e pushton Ukrainën. A mund t’i sundojë 40 milionë njerëz! A mund ta bëjë Ukrainën një Bjellorusi katër herë më të madhe. Përvoja thotë se jo, sepse lufta nuk fitohet nëse nuk i fiton njerëzit që jetojnë në atë territor. Ose duhet t’i dëbosh në tërësi nga aty, që quhet gjenocid, e që Milosheviqi provoi në Kosovë, ose duhet t’i përfitosh.
Ka shembuj edhe më drastikë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, forca më e madhe në botë, humbi luftën me talebanët në Afganistan. Sikur e kishte humbur Bashkimi Sovjetik i madh në të njëjtin shtet shumë vite më herët. Sepse fiton ai që mbetet në fund, e jo ai që arrin të hajë me tanke dhe ta shkatërrojë një shtet me artileri.
Përmasat e pasojave janë të mëdha për Evropën. Vetëm për dy ditë, që kur ka shpërthyer lufta në Ukrainë, në vendet e BE-së kanë ardhur më shumë refugjatë sesa për 10 vjet të luftës në ish-Jugosllavi. Dhe kjo është sfida me të cilën tash duhet të përballet Evropa për një kohë të gjatë. Por prioritet tash është parandalimi i masakrave në Ukrainë, sepse, siç na mëson edhe përvoja nga luftërat në ish-Jugosllavi, ato për fat të keq janë pjesë përbërëse e luftërave. Jetët e humbura nuk kthehen, e qytetet, rrugët e urat mund të ndërtohen.