Një prej dëshmive më prekëse në gjykimin kundër Kasapit të Ballkanit, siç e quajtën Slobodan Milosheviqin, ishte ajo e dëshmitarit “K41”. Ai ishte një ushtar serb që ishte dërguar në Prizren për të shërbyer diku në moshën 19-vjeçare. Ishte pjesëmarrës i masakrave e edhe vrasës. Kishte vrarë civilë shqiptarë dhe kishte vendosur të vinte e të dëshmonte. Sepse ankthi dhe pagjumësia, dhe një thirrje e përhershme, e kishin nxitur të dëshmonte për të vërtetën.
Ishte pjesëmarrës i masakrave të shumta në rrethin e Prizrenit, përfshirë edhe masakrën në fshatin Tërnje, ku ai me shokë, nën komandën e rreshterit Rajko Kozlina, si pjesë e Brigadës 549 të motorizuar, kishin vrarë civilë shqiptarë, kishin djegur shtëpi dhe kishin mbledhur kufoma fëmijësh dhe grash për të zhdukur gjurmët e krimeve.
Emri Kozlina është bërë shumë i rëndësishëm dhe është dëshmi se si Serbia tallet me rastet e krimeve të luftës dhe nuk ka vullnet të zbulohet e vërteta për krimet e edhe për të zhdukurit.
Dëshmia e tij ishte rrëqethëse, sidomos kur dihej se edhe vetë kishte vrarë civilë. Gjykatësi u detyrua t’ia rikujtojë se ai nuk është i obliguar të përgjigjet në pyetje nëse kjo e inkriminon edhe atë personalisht.
Pas vërejtjeve formale të gjykatësit, prokurori e pyeti: “A doni ende të vazhdoni të përgjigjeni në pyetjet e mia rreth asaj se çfarë ndodhi atë ditë?”.
“Po. Kam thënë edhe më herët në deklaratën time. Kam ardhur këtu të dëshmoj, të flas për atë që kam parë dhe dëgjuar”- u përgjigj dëshmitari.
Tregonte se si në atë fshat hynin nga shtëpia në shtëpi, i nxirrnin jashtë njerëzit, i vrisnin dhe i digjnin shtëpitë.
Me të hyrë në fshat, përshkruante ai, një plak u urdhërua të dilte nga shtëpia në oborr . Kozlina e urdhëroi një ushtar që ta vriste. Ai refuzoi duke thënë se “nuk mund ta bëj këtë”. Pastaj Kozlina e vrau vetë me automatik, duke shtënë drejt në kokë dhe plaku u shtri përtokë i vdekur. “Ja kështu bëhet kjo punë” u kishte thënë ai. Një prej eprorëve aty ishte edhe Muhamed Fazliq, të cilit Kozlina me gjakftohtësi njëherë i kishte thënë ta vriste një civil shqiptar nga afërsia, në mënyrë që dhe ai “ta ketë një trofe”.
Skena më e trishtueshme në dëshmi ishte ajo kur dëshmitari e përshkruante vrasjen e një grupi prej rreth 15 civilëve, përfshirë gra dhe fëmijë. “Ata u nxorën së pari nga shtëpia e tyre. Njërin e morën anash për ta pyetur se a kanë para. Pastaj pyetën edhe për UÇK-në. Më pas i urdhëruan të uleshin para ushtarëve, të gjithë së bashku”.
Çka ndodhi pastaj? Pyeti prokurori?
Dëshmitari u përgjigj.
“Ushtarët e tjerë dolën nga oborri i asaj shtëpie. Katër a pesë prej nesh mbetëm, dhe rreshteri Kozlina na urdhëroi t’i vrisnim njerëzit që rrinin ulur para nesh në oborr”, u përgjigj ai.
A e bëtë ju këtë?
“Po”- u përgjigj ushtari.
Kush i vrau ata njerëz? Ishte pyetja tjetër.
“Rreshteri Kozlina, që ishte aty shtiu, dhe ne ushtarët që kishim mbetur”, u përgjigj. Pastaj vazhdoi përshkrimin e asaj masakre:
“Njerëzit në të cilët shtimë filluan të bini pranë njëri-tjetrit dhe mbi njëri-tjetrin dhe ajo që më del para sysh më së shumti është se si---, dhe e kujtoj shumë, aty ishte edhe një bebe që ishte goditur me tre plumba, dhe qante me zë jashtëzakonisht të lartë. E tëra që doja në atë moment ishte të largohesha nga ai vend”, përshkruante dëshmitari. Por jo. Kozlina i drejtonte të kontrollonin edhe shtëpitë e tjera, të vrisnin këdo që gjenin në to dhe t’i digjnin. Më vonë i detyronte të ktheheshin dhe t’i mbledhin viktimat, por vetëm fëmijët dhe gratë. Kjo për të zhdukur gjurmët e krimeve.
Kozlina i përmendur këtu ka shërbyer deri këtë vit në Ushtrinë e Serbisë. Ai është dënuar për krime lufte nga gjykatat në Serbi me 15 vjet burgim, por “nuk është paraqitur për ta vuajtur dënimin”. Kur mediat e kanë pyetur policinë se a e ka kaluar kufirin e Serbisë, kanë marrë përgjigjen se “përgjigjja në këtë pyetje do të ishte shkelje e të drejtave të personit në privatësi”.
Sikur Kozlina ka pasur shumë ushtarë dhe ushtarakë në Serbi. Ata kanë vrarë, por edhe i kanë mbledhur viktimat dhe i kanë dërguar nëpër Serbi në varreza masive. Kjo nuk është bërë nga “disa individë”, por në mënyrë sistematike. Ata ushtarë kanë shërbyer edhe pas luftës dhe shumë prej tyre e dinë mirë se ku mund të jenë hedhur trupat e viktimave në tentim për të fshehur krimet. Po të dojë, Serbia shumë lehtë mund t’i zbulojë të gjitha.
Në Bruksel përfaqësuesit e Serbisë në dialog thonë t’u kenë thënë përfaqësuesve të “Prishtinës”: “Ja harta, tregoni ku mendoni se ka trupa dhe shkojmë e i bëjmë gërmimet”. Por, thoshin ata, ”edhe UÇK-ja le të na i dorëzojë arkivat në mënyrë që t’i gjejmë trupat e serbëve të vrarë”.
Problemi me “ofertat” e Serbisë: “Na tregoni në hartë ku mendoni se janë varrezat dhe ne shkojmë e bëjmë gërmime” është se nuk janë të sinqerta. Do të duhej që Serbia të zbulonte se ku janë, dhe ajo e ka mundësinë më të mirë, sepse ka pasur vazhdimësi të ushtrisë që kishte kryer krimet me atë të sotmen në Serbi, e jo të presin që dikush nga Kosova, apo bashkësia ndërkombëtare, ta bëjë këtë. Kjo i bie sikur lojë “ne i kemi fshehur dhe ju provoni t’i gjeni?”, që nuk është njerëzore.
Se Serbia nuk po i kryen obligimet e saj për të proceduar krimet e luftës e ka thënë edhe Komisioni Evropian disa herë në raportet e progresit.
Pushteti në Serbi i toleron dhe i glorifikon kriminelët e luftës, përfshirë edhe ata që kanë dënime të plotfuqishme për këto krime nga gjykatat ndërkombëtare. Kriminelë lufte, që, mes të tjerash, janë përgjegjës edhe për bartjen me frigorifer të viktimave të civilëve shqiptarë nga Kosova në Serbi për të zhdukur gjurmët, japin mësime në akademitë ushtarake dhe policore në Serbi dhe marrin pjesë në jetën politike të vendit. Presidenti i Serbisë dhe kryetari i Parlamentit vazhdojnë të mendojnë dhe thonë se “Slobodan Milosheviqi ishte një lider i madh”. Serbia nuk i dorëzon në Hagë as të akuzuarit për kërcënime ndaj dëshmitarëve. Gjykimet në Serbi shpesh nuk zhvillohen, sepse “të akuzuarit nuk paraqiten”. Pra, qasja ndaj gjykimeve për krime lufte është sikur të ishte për ndonjë kundërvajtje në trafik.
Prej Vukovarit në Kroaci, Srebrenicës në Bosnjë-Hercegovinë, Drenicës, Tërnjes e Mejes në Kosovë, procedura ka qenë e njëjtë: djegie fshatrash, plaçkitje, vrasje të civilëve, fshehje të trupave nëpër varreza masive dhe marrje pengjesh, të cilët më vonë u zhdukën. Krejt kjo me gjakftohtësi. Ka shumë në Serbi që dinë, apo kanë qenë në pozita që ta dinë, se ku kanë përfunduar pengjet e gjalla nga Vukovari apo Sarajeva, apo nga fshatrat e Kosovës, apo kufomat e tyre. Por nuk mund t’i besohet një shteti se është i sinqertë të zbulohet e vërteta, kur një prej politikanëve kryesorë në TV kërcënon ata që flasin se ku janë varrezat e shqiptarëve apo të kroatëve. E ai në atë kohë ka qenë hiç më pak sesa zëdhënës i partisë së Slobodan Milosheviqit dhe ndoshta edhe vetë do të mund të dinte shumë të dhëna që do të ndihmonin në zbulimin e së vërtetës. Edhe bashkësia ndërkombëtare duhet të zgjodhët nga gjumi e jo të vazhdojë ta luajë lojën e Serbisë.
P.S.
A mos mundet Gjykata Speciale (“Dhomat e Specializuara të Kosovës”) të hetojë dhe të ngrejë akuza edhe për këto raste. Kanë ndodhur në Kosovë në periudhën që e përfshin mandati i saj, ka mjaft dëshmi, ka kërcënime ndaj atyre që flasin dhe ka po ashtu mungesë të qartë të vullnetit që këto raste të procedohen në Serbi.