Nuk ka asnjë dyshim se sot më shumë shqiptarë (etnikë, me prejardhje e jo me shtetësi) jetojnë në BE sesa në Kosovë e me gjasë edhe më shumë se në Shqipëri. Shqipëria ka rënë nën 3 e Kosova nën 2 milionë banorë rezidentë. Nëse llogarisim të gjithë shqiptarët në vendet e BE-së, plus Zvicrën dhe Britaninë e Madhe, gjasat janë të mëdha të jenë mbi 3 milionë. E shqiptarët vazhdojnë të jenë në krye të listës së atyre që largohen apo duan të largohen nga vendi i tyre
Një gazetari nga Brukseli i kishte mbetur në kokë një deklaratë shumë e papritur, por shumë domethënëse, e një vajze të re nga Tirana, e cila sapo kishte mbaruar fakultetin. I kishte thënë se po pret të shkojë në Itali ose Gjermani. Gjermanishten e kishte mësuar në një kurs, kurse italishten e dinte si “çdo i ri nga Shqipëria!”. “Nuk mund të pres derisa vendi im të integrohet në BE. Unë do të shkoj vetë”, kishte thënë ajo. Përderisa vendet e rajonit ku jeton numri më i madh i shqiptarëve (Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut) ndodhen ose në fazën e hershme ose nuk e kanë bërë as hapin fillestar të integrimit në BE. Me miliona shqiptarë tashmë janë duke jetuar dhe punuar në shtete të Bashkimit Evropian dhe në shtete të tjera perëndimore që formalisht nuk janë vende anëtare. Dhe trendi nuk ka të ndalur. Deri para disa vjetësh shkonin ilegalisht dhe e rregullonin statusin më vonë, ndërsa tash këtë e bëjnë kryesisht në mënyrë legale, me leje pune ose duke u martuar.
Për t’u kuptuar ky trend mjafton të analizohen dasmat në Kosovë gjatë stinës së verës. Mjafton të shikohet se sa të rinj që martohen do të vazhdojnë pas martesës të qëndrojnë në Kosovë. Shpesh dominojnë çiftet e reja ku njëri është nga Kosova e tjetri nga diaspora dhe pas martesës janë të rralla çiftet e tilla që vendosin të nisin jetën bashkëshortore në Kosovë. Në Shqipëri është një fenomen i ngjashëm.
Në anën tjetër, disa vende të BE-së, që kanë nevojë për fuqi punëtore, kanë dhënë leje pune. Vetëm Kroacia thuhet të ketë dhënë mbi 10.000 leje pune për një periudhë pak më shumë se njëvjeçare për shtetas të Kosovës. E kjo shifër është e ngjashme me Slloveninë, ndërsa shumë më e madhe në rastin e Gjermanisë.
Tashmë në vendet e BE-së është edhe një kategori gjithnjë e më e madhe e shqiptarëve nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Lugina e Preshevës që vijnë për të punuar ilegalisht. Ata pa viza mund të vijnë në vendet e BE-së, por mund të qëndrojnë më së shumti dy herë nga 90 ditë brenda një viti. Ata gjejnë rrugë për të mos pasur dëshmi kur kanë hyrë në BE dhe qëndrojnë më shumë. Është numër në rritje. Po ashtu, ka një numër jo të vogël që kërkojnë edhe azil, ani pse Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë vende të sigurta. Pra, me apo pa liberalizim vizash, kosovarët gjejnë rrugë dhe mënyrë për të vazhduar emigrimin në vendet e Bashkimit Evropian.
Ky është një trend i natyrshëm dhe vështirë se mund të ndalet. Është e natyrshme që njerëzit, sidomos të rinjtë, të largohen nga vendi i tyre për të gjetur punë, apo për të gjetur punë më të mirë, jo vetëm me rroga më të larta, por edhe kushte më të mira pune. Sado e vështirë që të jetë largimi nga vendlindja, nga familja dhe shoqëria, migrimi ka ekzistuar gjithmonë, ekziston dhe do të ekzistojë edhe në të ardhmen. Dhe ky nuk është fenomen vetëm për shqiptarët.
Kroacia, vend ku shkojnë për të punuar shqiptarët, ka një rënie dramatike të numrit të banorëve. Regjistrimi i sapopërfunduar i popullatës, sipas pritjeve, mund ta nxjerrë këtë shtet me më pak se 4 milionë banorë për herë të parë. Madje flitet për diku 3,8 milionë banorë, që do të thotë se për 10 vjet pothuajse është humbur popullata sa ka banorë Spliti, qyteti i dytë më i madh në Kroaci. Rumania ka humbur rreth 4 milionë banorë. Bullgaria mbi 2 milionë. Por Kroacia ka nivelin e papunësisë më të vogël sesa mesatarja e BE-së, diku rreth 6 për qind. Para anëtarësimit në BE e kishte 17 për qind. Rumania ka nivelin më të ulët të papunësisë në BE dhe importon fuqi punëtore nga Ukraina apo vendet aziatike.
Për shqiptarët e Kosovës një rrogë prej 1000 eurosh në Kroaci mund të jetë e madhe dhe e duhur, prandaj shkojnë atje për të punuar. Kroatët shkojnë në Austri apo Gjermani për të punuar për 1700 euro në muaj, apo në Irlandë për 2000 euro në muaj.
Me qindra mijëra gjermanë apo francezë shkojnë për të punuar në Zvicër, sepse janë rrogat më të mëdha. Edhe në Luksemburg mbi 100 mijë shtetas të Francës dhe Belgjikës punojnë, por nuk jetojnë atje. Udhëtojnë çdo ditë për të punuar në shtetin fqinj, ku rrogat janë më të larta ndërsa taksat shumë më të vogla. Pra, kërkimi i një pune më të mirë nuk është doemos veti e popujve jo të pasur.
Ajo që i bën shqiptarët në këtë moment të dallohen nga të tjerët në Evropë, ndoshta krahas qytetarëve të Moldavisë, janë përmasat në krahasim me numrin e banorëve të vendit nga largohen, si dhe shpejtësia me të cilën kjo po ndodh.
Nuk ka asnjë dyshim se sot më shumë shqiptarë (etnikë, me prejardhje e jo me shtetësi) jetojnë në BE sesa në Kosovë e me gjasë edhe më shumë se në Shqipëri. Shqipëria ka rënë nën 3 e Kosova nën 2 milionë banorë rezidentë. Nëse i llogarisim të gjithë shqiptarët në vendet e BE-së, plus Zvicrën dhe Britaninë e Madhe, gjasat janë të mëdha të jenë mbi 3 milionë. E shqiptarët vazhdojnë të jenë në krye të listës së atyre që largohen apo duan të largohen nga vendi i tyre.
Numri më i madh i shqiptarëve nga Shqipëria jetojnë në Itali e Greqi, ndërsa nga Kosova në Gjermani e Zvicër. Nëse atyre u shtohen shqiptarët nga Franca, Britania e Madhe, Belgjika, Austria, Suedia, Norvegjia, Kroacia, Sllovenia, Holanda e Danimarka, numri mund të shkojë lehtë mbi 3 milionë. Edhe shifrat që kohë pas kohe i publikon Enti Statistikor i BE-së për numrin e shqiptarëve të cilët marrin shtetësi të BE-së e dëshmojnë këtë trend. Edhe pse më lehtë është të dëshmohet për shqiptarët nga Shqipëria të cilët kanë edhe shtetësi shqiptare. Për ata të Kosovës është më vështirë, sepse deri vonë ishin të regjistruar me ish-shtetësi të ish-Jugosllavisë apo Serbisë, ndërsa pas pavarësisë ka filluar edhe kjo gjë të rregullohet në shumicën e shteteve të BE-së. Prandaj nëse flasim për kategorinë që quhet “grup i personave shqipfolës”, një Shqipëri e tërë tashmë ndodhet në BE.
Sado tragjike të duket ky fenomen, sepse është fjala edhe për atë që quhet “derdhje truri”, ka shembuj që japin shpresë se në një të ardhme trendi mund të kthehet në drejtim të kundërt. Sot në Poloni më shumë polakë kthehen brenda një viti sesa largohen nga ky shtet. Kthehen me një përvojë më të madhe, por edhe me një kapital relativ që u mundëson nisjen e bizneseve në vendin e tyre.
Shembull edhe më i mirë, por që ka zgjatur, është Irlanda. Një prej vendeve nga i cili me vite janë larguar masivisht njerëzit për të migruar sidomos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (thuhet se njerëz me origjinë irlandeze në botë ka 5 herë më shumë sesa që Irlanda sot ka banorë) sot është destinacioni më i preferuar i të huajve për emigrim. Mbi 50.000 të rinj nga Kroacia në tetë vjetët e fundit janë vendosur në Irlandë për të punuar. Arsye kryesore e emigrimit të irlandezëve historikisht ka qenë varfëria, nganjëherë ekstreme, kur patatet nuk kishin shumë sukses atë vit. E sot Irlanda, pas Luksemburgut, është shteti bindshëm më i pasur i Bashkimit Evropian, shumë, shumë para Gjermanisë.
Por kthimi i kahut të lëvizjes së njerëzve nuk ndodh vetvetiu. Ka ndodhur edhe me masa të posaçme të qeverive. Për shembull, në Poloni atyre që kthehen u jepen ndihma të mëdha për investim, u lehtësohen procedurat dhe stimulohen nga shteti. Irlanda e ka bërë këtë me lehtësime tatimore, jo vetëm për irlandezët, por edhe për të huajt.
Në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni të Veriut nuk do të ndryshojë kahja derisa politikanët e shohin largimin nga vendi si mundësi për uljen e papunësisë në vend dhe si një burim i të ardhurave për buxhetin e shtetit, i cili në masë tepër të madhe mbushet edhe nga remitencat e diasporës dhe nga shpenzimet e tyre kur vijnë në pushime.