Tollovia lidhur me udhëtimin e Novak Gjokoviqit në Australi nga shumë serbë shihet si komplot botëror kundër vendit të tyre. Kjo ka të bëjë shumë me mitin tradicional serb të viktimës, por edhe me megalomaninë e krisur
Kush i ka lexuar ditët e fundit mediat zhurmëmëdha serbe, ai është ndier si pak para shpërthimit të një lufte botërore. Rolet janë qartazi të ndara: Serbia kundër pjesës tjetër të botës ose, thënë më mirë, populli i vogël, trim i Ballkanit kundër armiqve që kanë zënë pritë kudo. Arsye për këtë shpërthim pothuaj kolektiv të tërbimit ofron rasti i Novak Gjokoviqit. Ylli i tenisit nuk u lejua të hyjë në Australi për shkak se, me sa duket, nuk është i vaksinuar kundër Covid-19.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u ankua për gjuajtje shtrigash dhe përndjekje të Gjokoviqit. Mbarë Serbia, tha propagandisti i dikurshëm i despotit Sllobodan Millosheviq dhe simpatizanti i kriminelëve të luftës, qëndron prapa Gjokoviqit. Në një fletushkë nxitëse të Beogradit kryeministri i Australisë u ofendua si xhelat, ndërsa gazeta të tjera e krahasuan dhomën e hotelit ku u mbajt Gjokoviqi, me një kazamat mesjetar.
Edhe më thellë në histori gërmoi babai i Gjokoviqit. I biri i tij, tha ai, po kryqëzohet si Jezusi, por Novaku qenkësh tani më i lirë se kurrë – kështu çirrej ai në një megafon. Martiri Gjokoviq tani na qenkësh simbol dhe udhëheqës i botës së lirë në anën e të varfërve dhe vendeve e popujve të shtypur. Athua Gjokoviqi tani do e braktis vilën e tij në Marbella dhe do të jetojë në një favela braziliane apo në lagjen e romëve në Beograd?
Serbia vazhdimisht ka nxjerrë sportistë të mëdhenj. Basketbollistët, volejbollistët dhe futbollistët e këtij vendi janë ose kanë qenë shpesh yje botërorë. Tenistja Monika Selesh është lindur në Novi Sad, kryeqyteti i Vojvodinës, krahinës së Serbisë në kufi me Hungarinë. Në fronin nacional të sportit prej vitesh qëndron Novak Gjokoviqi.
Sportistët vazhdimisht përvetësohen nga politika dhe lartësohen si mbrojtës të serbizimit. Nga Gjokoviqi, për shembull, pritet që të luftojë suksesshëm për Serbinë jo vetëm në fushën e tenisit, por edhe kundër pavarësisë së Kosovës.
Në verën e vitit 2020 ai pranoi dekoratën më të lartë të të ashtuquajturës Republika Srpska, siç e quan veten pjesa e Bosnjës e sunduar nga serbët. Para Gjokoviqit këtë mirënjohje e patën marrë edhe kriminelët e luftës Radovan Karaxhiq dhe Ratko Mlladiq, të cilët ndërkohë janë dënuar me burg të përjetshëm – mes tjerash për shkak të gjenocidit kundër myslimanëve të Bosnjë në Srebrenicë.
Me pranimin e dekoratës së diskutueshme Gjokoviq nuk ka treguar fare sensibilitet. Vitin që shkoi ai vajti në Bosnjë, ku u takua me ish-komandantin e një njësie famëkeqe e cila kishte marrë pjesë në ekzekutimet masive në Srebrenicë. Gjokoviq e quan veten adhurues të “historisë alternative” të Serbisë dhe i promovon pseudoveprat e pseudohistorianit ultranacionalist Jovan Deretiq. Sipas Deretiqit “populli hyjnor i serbëve” e ka zbuluar Amerikën dhe ua ka mësuar shkrimin grekëve antikë. Dhe natyrisht serbët, përherë të gatshëm për sakrificë, në Betejën e Gazimestanit më 1389 e paskëshin shpëtuar mbarë civilizimin perëndimor. Modestia dhe besnikëria ndaj fakteve nuk hyjnë në arsenalin e talenteve të shumë serbëve.
Kjo ka të bëjë shumë me megalomaninë e krisur. Një slogan i huliganëve serbë në vitet 90-të tingëllonte kështu: “Srbija to Tokija”, Serbia deri në Tokio. Dhe në një këmbë me lahutë i këndohet vëllazërisë serbo-ruse (“Ne dhe rusët – 300 milionë”).
Dalldia nacionaliste për shkak të problemeve me hyrjen e Gjokoviqit në Australi ka të bëjë edhe me gjoja krenarinë e lënduar të kombit serb. Shumë serbë kanë përshtypjen se fajësohen në mënyrë paushalle për luftërat në Jugosllavi në vitet 90-të. Pushteti në mënyrë permanente e përhap përrallën se Perëndimi në vitet ‘90 sulmoi një popull krejtësisht të pafajshëm. Këso pikëpamjesh të çakërdisura pamundësojnë një ballafaqim serioz me të kaluarën. Glorifikimi i luftërave sulmuese serbe kundër popujve të tjerë të Ballkanit është rritur nën drejtimin e presidentit aktual Vuçiq.
Së fundi, një grafit i Mlladiqit në zemër të Beogradit tërhoqi vëmendjen e opinionit. Aktivistët që protestonin kundër grafitit, u arrestuan, ndërsa hordhitë ekstremiste dhe pikturuese gëzonin mbrojtje nga shteti. Politikani socialdemokrat, Nenad Çanak, aktualisht po njolloset si armik i kombit, për shkak se e ka hedhur poshtë rrenën mbi komplotin botëror kundër serbëve. “Nuk ka trajtim të keq (të Gjokoviqit), për shkak se është serb, por për shkak se ai gomar nuk është i vaksinuar”, tha Çanak.
Gjokoviqi gëzon jashtëzakonisht shumë liri të palaços. Pothuaj në të gjitha kanalet përhap skepticizmin e tij ndaj vaksinimit dhe nuk ka pse t’i druhet kritikës. Serbia konsiderohet si vatër e skeptikëve të vaksinimit, gati 13 mijë njerëz kanë rënë viktima të pandemisë deri më tani.
Kur Gjokoviqi e përjeton prirjen e tij për ezoterizëm sektar dhe i viziton “piramidat energjidhënëse” të Bosnjës ku gjoja merr fuqi të re, shumë njerëz të mediave janë pranë tij dhe e shikojnë me admirim yllin e tyre. Tani si martir ai duhet të mbrojë edhe nderin e kombit serb nga forcat e errëta. Një fundosje e thellë e një tenisti fantastik.