Të gjitha këto konvertime politike në Kosovë do të ishin të kuptueshme sikur para tyre liderët të mos kishin thënë fjalë të mëdha. Më shumë problem është fakti se i kanë thënë ato fjalë, sepse se i kanë shkelur. Prandaj qytetarët nuk duhet të zhgënjehen kur politikanët “i hanë fjalët e tyre”, por nuk duhet t’u besojnë kur i thonë ato fjalë. Sikur në atë tregimin për Nasradin Hoxhën kur e pyesin “pse i hangre fjalët”- e ai përgjigjet: “Mos i kam hangër fjalët tua! Të miat i hangra!”
Edhe pse më së shpeshti i përshkruhej ideologut të komunizmit Karl Marxi thënia “secili vend ka pushtetin të cilin e meriton”, është e filozofit dhe diplomatit francez nga shekulli i 18-të, Joseph de Meistre. Sado e dëgjuar të ketë qenë, sado të jetë përsëritur, dhe sado e mërzitshme të tingëllojë, kjo thënie është më se e vërtetë, dhe kjo vlen edhe për Kosovën, përderisa të jemi të sigurt se vota e popullit nuk është manipuluar. Sikur të ishte ende gazetar, ka shumë gjasa që edhe këtë citat, sikur në shumë citate të tjera filozofike, të na përkujtojë Halil Matoshi, kandidat i AAK-së në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në listën e përbashkët me PDK-në dhe shumë parti të tjera. Zoti Matoshi është vetëm njëri prej gazetarëve që ka vendosur, edhe një herë, të merret aktivisht me politikë, duke hyrë në parti politike dhe duke u kandiduar në zgjedhje. Ka edhe shumë e shumë gazetarë të tjerë. Kalimi nga gazetaria në politikë është krejtësisht e kuptueshme, e logjikshme dhe nuk është aspak e pamoralshme.
Nuk duhet qortuar ish-kolegët që kanë vendosur për hapa të tillë. Ata i kanë arsyet e veta, qofshin ato vërtet “hapësira e veprimit” që thonë se u kanë dhënë partitë të cilave u janë bashkuar, ambiciet politike apo arsyet ekzistenciale, askush nuk mund t’ua mohojë hapat që kanë bërë. Gazetari mund të bëhet politikan, por nuk guxon të jetë politikan aktiv në kohën kur është edhe gazetar. Kjo do të ishte e pamoralshme. Kur përmendëm ish-gazetarin Halil Matoshi, i cili do t’i mungojë shumë opinionit si gazetar, sepse, siç e pranoj një ditë edhe vetë tash si politikan, “nuk e ka të njëjtin nivel të lirisë së shprehjes”, të shpresojmë se ai, sikur edhe shumë kolegë të tjerë do ta ndihmojnë të ndryshojë politika në Kosovë më shumë sesa politika t’i ndryshojë ata.
Edhe pse kanë krejtësisht të drejtë për veprimet që kanë bërë duhet thënë se, duke qenë shoqëri e vogël, me një skenë mediale jo të madhe, largimi i shumë gazetarëve të mirë dhe kalimi në politikë është humbje për gazetarinë. Vlen kjo për Halil Matoshin, Arbër Vllahiun, Arbana Xharrën, sikur vlente para shumë vjetësh për Ylber Hysën, Dukagjin Goranin, Muharrem Nitajn, Ardijan Arifajn dhe shumë të tjerë. Atyre u qoftë rruga e mbarë në politikë dhe do të ishte mirë sikur të ruajnë respektin për ish-kolegët gazetarë e jo që tash si politikanë të hynë në kurthin e atyre që, nëse nuk mund t’i kontrollojnë mediat dhe gazetarët, menjëherë i etiketojnë se “punojnë për dikë”. Ata do të ishte mirë që shefat e tyre të rinj t’i edukojnë se në raportet gazetar-politikan është gazetari ai që ka lirinë e shprehjes e jo politikani. Kur një gazetar e kritikon politikanin, ai e kryen detyrën e tij. Kur një politikan e kritikon dhe sulmon gazetarin, ai keqpërdor pushtetin dhe bën presion ndaj medias. Natyrisht, këtu nuk mohohet e drejta për të përgënjeshtruar faktet e pasakta.
Problem nuk është ajo që në Kosovë po e quajnë “aderim” i gazetarëve në politikë, por është konvertimi dhe rrotullimi që politikanët e Kosovës po bëjnë tash e sa vite. Kjo madje duket edhe si tallje me qytetarët. Ata që para pak vjetësh krijuan koalicion gjatë territ, sot koalicionin kundërshtar e quajnë “koalicion i natës”. Politikanët që janë në skenë dhe në vendimmarrje tash e 18 vjet ofrojnë “fillimin e ri”. Ata që nuk kanë lënë parti me të cilën nuk kanë hyrë në koalicion, dhe nuk kanë lënë fjalë pa shkelur, tash thonë se janë “bashkë të vendosur”. Politikanët që i kanë ndërruar disa parti, me akuza të rënda ndaj atyre prej të cilëve u larguan, tash ribashkohen me ta dhe kërkojnë që të votohet “për lider të fjalës dhe besës”. Gazetarët që ishin më kritikë sot janë megafon të atyre që deri dikur i akuzonin. Ata të cilët i akuzuan kundërshtarët për vrasje, kapje të shtetit, krim të organizuar, sot janë aleatë me ta dhe na bindin që kanë pasur dashuri dhe respekt ndaj njëri-tjetrit gjithmonë. Nuk ka nevojë të përmendim emra, sepse shumë lehtë secili do ta gjejë veten në këta rreshta.
Ka konvertime të tilla politike edhe në vendet e tjera të Evropës. Ka edhe “koalicione të panatyrshme”. Kemi pasur shembullin e ish-sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Javier Solana, i mirënjohur për kosovarët sepse dha urdhrin për sulme ndaj regjimit të Milosheviqit në Serbi. Ai si student kishte marrë pjesë në protestat kundër anëtarësimit të shtetit të tij në NATO, e më vonë u bë hiç më pak se shef i kësaj aleance në pikën më të rëndësishme të historisë së saj. Ish-presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, si i ri ishte një maoist, ndërsa më vonë u bë i djathtë. Po në vendet e Evropës, liberalët lidhin koalicione diku me qendrën e djathtë e diku me qendrën e majtë. Por askund si në Kosovë politikanët nuk e përdorin aq lehtë fjalën “kurrë” dhe nuk përmendin “vija të kuqe”. Te këta vlen ajo thënia “kurrë mos thuaj kurrë”.
Të gjitha këto konvertime politike në Kosovë do të ishin të kuptueshme sikur para tyre liderët të mos kishin thënë fjalë të mëdha. Më shumë problem është fakti se i kanë thënë ato fjalë, sepse se i kanë shkelur. Prandaj qytetarët nuk duhet të zhgënjehen kur politikanët “i hanë fjalët e tyre”, por nuk duhet t’u besojnë kur i thonë ato fjalë. Sikur në atë tregimin për Nasradin Hoxhën kur e pyesin “pse i hangre fjalët” e ai përgjigjet: “Mos i kam hangër fjalët tua! Të miat i hangra!”.
Sa u përket programeve dhe premtimeve zgjedhore ato nuk kanë nevojë shumë as të analizohen. Më së miri i ka ilustruar karikaturisti Jeton Mikullovci me atë karikaturën: “Ne nuk i ndryshojmë fjalët: ashtu siç u kemi thënë edhe më 2010 dhe 2014; së shpejti liberalizim, vende pune, investime”. Në fakt, më shumë sesa programe koalicionet dhe partitë politike kanë lista dëshirash dhe premtimesh joreale.
Këto koalicione dhe rreshtime parazgjedhore nuk janë fundi. Nuk mund t’u besohet as të gjithë kandidatëve dhe liderëve se nuk do të ndryshojnë mendimet pas zgjedhjeve. Peshkimi do të vazhdoj edhe pas zgjedhjeve, sipas nevojës për vota në Kuvend. Kjo nuk është krejtësisht në stilin evropian dhe mund të ndodhë që të hyjë në fushën e korrupsionit politik të “blerjes së votave”, pa marrë parasysh se a paguhet ajo me para, me ndonjë vend pune, ndonjë post diplomatik, apo ndonjë shërbim tjetër. Dhe një gjë e tillë më shumë do ta largojë Kosovën prej BE-së sesa që do ta afrojë.