OpEd

Mbikëqyrja e financave të subjekteve politike në Kosovë: Pritshmëritë dhe realiteti

Është fillimi i vitit 2020. S’ka kaluar shumë kohë qëkur kemi përmbyllur një cikël të suksesshëm zgjedhor. Në qershor pritet që KQZ-ja të publikojë raportin vjetor financiar së bashku me raportet përfundimtare të auditimit të subjekteve politike. Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll Financiar të Subjekteve Politike ka qenë në vazhdimësi në mbikëqyrje të shpenzimeve dhe shkeljeve që janë bërë nga subjektet politike, duke ndikuar në përmirësim të ndjeshëm të integritetit të procesit zgjedhor.

Po ashtu, që pas shpalljes së ditës së zgjedhjeve nga presidenti Thaçi, të gjitha partitë politike kanë publikuar dhe kanë ofruar qasje në vazhdimësi në transaksionet e tyre bankare, duke i bërë donacionet transparente për publikun. Pakkush nuk ka informacione mbi atë se nga kush, kur dhe si janë financuar partitë politike gjatë fushatës zgjedhore. Publiku është i informuar edhe lidhur me vlerën e kontributeve në të mira (in-kind contributions), që partitë politike kanë marrë përgjatë fushatës. Madje, në bazë të hulumtimeve të opinionit publik, del se me gjithë garën shumë të ngushtë mes dy subjekteve të para politike, niveli më i lartë i transparencës dhe llogaridhënies së subjektit të parë ka qenë pothuajse determinues në përcaktimin e fituesit të zgjedhjeve.

Pothuajse të gjitha partitë politike kanë respektuar limitet e përcaktuara për fondet e pranuara, si dhe nuk janë shpenzuar më shumë se 0.50 euro për votues (në total 986.233 euro), ashtu siç ishte përcaktuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Të njëjtat nuk kanë pranuar donacione në para të gatshme mbi vlerën e lejuar dhe kanë evidentuar të gjitha shërbimet e tjera në natyrë. Këto janë vërtetuar edhe bazuar në katër xhirollogaritë transparente, që janë hapur nga partitë politike. Xhirollogaria e veçantë për financimin e kampanjës është mbikëqyrur në vazhdimësi nga Zyra. E kompetencat ekzekutive që i janë dhënë Zyrës, i kanë mundësuar kësaj të fundit që nëpërmjet mbikëqyrjes proaktive të financimit të subjekteve politike, si dhe shqiptimit të sanksioneve ndaj subjekteve që kanë shkelur dispozitat ligjore që rregullojnë financimin, sidomos gjatë fushatës elektorale, të rrisin integritetin, transparencën dhe besueshmërinë e publikut ndaj zgjedhjeve.

- Këta do të duhej të ishin paragrafët e parë të një artikulli që do të ofronte vlerësim mbi transparencën financiare dhe llogaridhënien e subjekteve politike që do të garojnë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që do të mbahen më 6 tetor në Kosovë. Me disa prej praktikave të shteteve që renditen lart sa i përket transparencës financiare të subjekteve politike. Mirëpo, kjo situatë nuk pritet të ndodhë edhe për një kohë, sidomos të paktën jo në zgjedhjet që janë në prag.

Me amendamentet e propozuara nga deputetët e Komisionit për Buxhet dhe Financa, rrjedhimisht me tërheqjen e projektligjit nga Qeveria si rezultat i presionit të shoqërisë civile lidhur me efektet negative të këtyre ndryshimeve, është shtyrë edhe më tutje iniciativa për reformimin e legjislacionit zgjedhor që ndërlidhet me financimin e subjekteve politike. Prandaj, as në zgjedhjet e 6 tetorit, niveli i transparencës financiare nuk do të shënojë ndonjë rritje.

Në fakt, me trendët aktualë të organizimit të fushatës parazgjedhore do të jetë pothuajse e pamundur që të evidentohen shpenzimet e bëra nga subjektet politike në parafushatë. Edhe pse Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme kërkon nga subjektet politike të certifikuara për të marrë pjesë në zgjedhje që të dorëzojnë Raportet e Deklarimit Financiar në KQZ, më së largu 45 ditë pas zgjedhjeve, kjo dispozitë nuk është respektuar nga pjesa më e madhe e subjekteve politike, ngase sanksionet që janë të parapara në këto raste, janë të papërfillshme në krahasim me shumën e shpenzuar. Prandaj, është e domosdoshme që procesi i reformës zgjedhore të përfshijë edhe rregullimin e periudhës para fushatës, si dhe pashmangshmërisht ashpërsimin e sanksioneve ndaj subjekteve politike që shkelin legjislacionin zgjedhor, sidomos në raport me transparencën financiare.

Mosdeklarimi i vërtetë i shpenzimeve të bëra nga subjektet politike në periudhën 90 ditë para zgjedhjeve është kryesisht rezultat i mungesës së xhirollogarive transparente bankare të subjekteve tona politike, si dhe burimet e dyshimta të financimit të subjekteve politike. Në rast se Kosova do të kishte legjislacion të bazuar në praktikat e marra nga Republika e Çekisë, atëherë subjektet politike do të krijonin xhirollogari të posaçme për fushatën zgjedhore, atëherë do të ishte dukshëm më e lehtë të evidentohen të gjitha transaksionet dhe shpenzimet e bëra.

Kuvendi dhe Qeveria e re që do të dalin nga zgjedhjet e 6 tetorit duhet që ta trajtojnë me prioritet procesin e reformës zgjedhore. Lidhur me këtë, fokus i veçantë duhet t’i dedikohet financimit të subjekteve politike. Praktikat dhe rekomandimet e Komisionit të Venedikut, por edhe ato të shoqërisë civile, të cilat ishin dhënë gjatë procesit të plotësim-ndryshimit të Ligjit për Financimin e Subjekteve Politike, janë bazë e mirë dhe do t’i shërbejë ekzekutivit dhe legjislativit të ri për përmbylljen e kësaj teme.

Praktikat që kam përmendur lidhur me transparencën financiare të subjekteve politike janë të marra nga Republika e Çekisë, pas një vizite të realizuar atje. Ky vend mund të shërbejë pa dyshim si një vend model për avancimin e legjislacionit zgjedhor sa u përket transparencës financiare, mbikëqyrjes së financave të partive politike dhe llogaridhënies së tyre ndaj publikut.

(Autori është hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës – KDI).