“Gratë janë më të dobëta, më të vogla dhe më pak inteligjente”: me këtë budallallëk të thënë në Parlamentin Evropian, politikani polak, Janusz Korwin-Mikke, ka shkaktuar një skandal. Kur e thotë një polak se gratë janë më pak inteligjente, atëherë boritë e alarmit duhet të jehojnë edhe më gjatë. A nuk ishte një polake gjeniale, a nuk ishte Marie Curie ajo që mori dy herë Çmimin Nobel: më 1903 për fizikë (në lidhje me hulumtimet e saj mbi radioaktivitetin) dhe më 1911 për kimi (pas zbulimit të elementeve kimike të poloniumit dhe radiumit)
Edhe në tempullin e demokracisë, siç quhen rëndom parlamentet e vendeve demokratike, ka budallenj. Të tillë ka në Parlamentin e Kosovës, të Shqipërisë, të Serbisë, të Greqisë, të Maqedonisë, të Kroacisë. Disa nga këto vende mund të quhen demokratike, të tjerat kanë vetëm fasadë demokratike dhe në realitet janë autokraci. Nëse në parlamentet e këtyre vendeve ndonjë përfaqësues i popullit llomotit ndonjë marrëzi, gati askush nuk befasohet. Sheshelizmi politik ka lënë gjurmë gati gjithkund në Ballkan. Por nuk duhet të idealizohet as Evropa, e sidomos Parlamenti Evropian. Edhe aty, në tempullin e demokracisë evropiane, ka budallenj të kategorisë së rëndë, popullistë që, pa fakte, por me shumë fantazi shtrembërojnë realitetin.
Në vitin 2003 kryeministri i atëhershëm italian, Silvio Berlusconi, mori kryesimin e Bashkimit Evropian dhe me atë rast mbajti një fjalim aty. Më parë ai ishte ballafaquar me akuza lidhur me mënyrën se si qeveriste Italinë. I zemëruar, Berlusconi iu drejtua socialdemokratit gjerman, Martin Schulz, me këto fjalë: “Ju propozoj për udhëheqës të një kampi të shfarosjes”. Ndërkohë Berlusconi është plakur dhe Martin Schulz sapo ka braktisur postin e kryetarit të Parlamentit Evropian dhe është emëruar kandidat i socialdemokratëve gjermanë për postin e kancelarit.
Në Parlamentin Evropian Schulz ka lënë pas edhe ndonjë koleg mendjeerrët si puna e Janusz Korwin-Mikke, i cili përfaqëson Poloninë. Në moshë bukur të shtyrë (Korwin-Mikke është 74-vjeçar) ai javën që shkoi foli në Parlamentin Evropian gjatë një debati mbi hendekun që ekziston sa u përket rrogave të burrave dhe grave. Kjo është një temë e rëndësishme, sepse me gjithë përbetimin e qeverive të vendeve të BE-së gratë në të shumtën e rasteve ende paguhen më pak se burrat, madje edhe kur kryejnë punën absolutisht të njëjtë. Për Janusz Korwin-Mikke kjo është e vetëkuptueshme dhe e drejtë, sepse, sipas tij, gratë “janë më të dobëta, më të vogla dhe më pak inteligjente”. Deputeti polak, i cili nuk i përket asnjë grupi parlamentar, njihet si provokator në Parlamentin Evropian. Në një intervistë dhënë gazetës britanike “Telegraph” ai kishte kërkuar legalizimin e pornografisë me fëmijë nëse me atë rast nuk keqpërdoren fëmijët. Se si funksionon diçka e tillë mbetet sekret i një hajvani politik si Janusz Korwin-Mikke.
Kur e thotë një polak se gratë janë më pak inteligjente, atëherë boritë e alarmit duhet të jehojnë edhe më gjatë. A nuk ishte një polake gjeniale, a nuk ishte Marie Curie ajo që mori dy herë Çmimin Nobel: më 1903 për fizikë (në lidhje me hulumtimet e saj mbi radioaktivitetin) dhe më 1911 për kimi (pas zbulimit të elementeve kimike të poloniumit dhe radiumit).
Për një komb me kulturë e civilizim të madh, për një komb me intelektualë madhështorë, shkrimtarë, kompozitorë dhe disidentë siç është kombi polak, është me të vërtetë një goditje e rëndë që në Parlamentin Evropian të përfaqësohet edhe me një figurë të tillë si Janusz Korwin-Mikke. Është punë dhe përgjegjësi e zgjedhësve kur ua japin besimin politikanëve të tillë provokatorë. Përballë fyerjeve të stilit gratë “janë më të dobëta, më të vogla dhe më pak inteligjente” përgjigjja duhet të jetë e qartë. Pikësëpari një 74-vjeçar në parlament ka gjasa të jetë senil, më i vogël, më pak inteligjent se sa njerëzit e moshës së re. Pastaj bën vaki shpesh që politikanët që dalin nga përdorimi në vendet e tyre dërgohen për të kaluar disa vite në Parlamentin Evropian – “një kafaz plot me palaço, i cili subvencionohet nga taksat”, siç shkroi një lexues i zemëruar në mediat sociale. Politikanë si Janusz Korwin-Mikke me qejf theksojnë se janë katolikë. Por me fjalime fyese ndaj grave këta politikanë dëshmojnë se nuk ka ndonjë dallim mes fanatikëve myslimanë dhe fanatikëve të krishterë. Ata prodhojnë bërllokun e njëjtë mendor, të fokusuar në urrejtje, popullizëm, mungesë respekti për të drejtat e njeriut, identitet përjashtues. Kjo strukturë e rrezikon sot më shumë se kurrë Bashkimin Evropian dhe paqen mes popujve. Në këso situatash të mërzitshme Polonisë i mungojnë zërat e Tadeusz Mazowieckit dhe Bronisław Geremekut, dy disidentë që luftuan kundër regjimit komunist, kundër perandorisë shtypëse sovjetike dhe për një Evropë të mirëqenies, tolerancës, bashkëpunimit paqësor.