Përderisa në kohën e Luftës së Ftohtë ekzistonte bindja se një ditë do të bien diktaturat komuniste dhe Evropa do të bashkohet me përfundimin e tyre, invazioni i Rusisë ndaj Ukrainës ka ndryshuar botën në mënyrë të pakthyeshme. Raportet e botës së lirë me Rusinë kurrë më nuk do të jenë si dikur. Ky agresion dhe krimet në Ukrainë, pa fije shprese se Rusia do të pranojë çfarëdo faji, i kanë dhënë fund edhe naivitetit që ka ekzistuar për dekada në Perëndim
Para një viti nisi invazioni i Rusisë në Ukrainë që shënoi nisjen e ndryshimeve të pakthyeshme në skenën gjeopolitike të botës, e sidomos të Evropës. Nisja e asaj lufte i dha fund dilemës nëse vërtet Rusia donte apo jo ta niste një invazion të tillë apo gjithçka ishte një trillim i CIA-s amerikane. Por edhe kur panë se ka nisur ky invazion, të shumtë ishin ata që besonin se gjithçka do të përfundonte brenda dy apo tri ditësh, se Rusia do të okuponte tërë Ukrainën, lidershipi politik do të dorëzohej, e ndoshta edhe të ekzekutohej nëpër sheshe, siç dinë të bëjnë okupatorët barbarë. Dhe pastaj me Putinin si fitues do të bëhej paqe. Por populli i Ukrainës nuk bënte kalkulime. Kishte vendosur të luftojë dhe po mbrohet me shumë sukses tash e një vit.
Agresioni i Rusisë në Ukrainë i ka vënë në sfidë të gjitha vlerat morale, politike, juridike dhe, po ashtu, edhe doktrinat ushtarake. Ka krijuar tundime jo të lehta, jo vetëm për Ukrainën dhe popullin e saj të guximshëm, por për shumë udhëheqës politikë në vendet e Perëndimit, të cilët përballen me pasojat e kësaj lufte. Një prej shteteve, që ndoshta e ka pasur më së vështiri është Gjermania. Një shtet, populli i të cilit ka një kujtesë jo të mirë kolektive të përgjegjësisë morale kolektive për atë që ndodhi në kohën e fashizmit. Por në përgjithësi e tërë bota perëndimore po përballet me një detyrim moral që për fat të mirë është bërë edhe prioritet politik; ndihma maksimale popullit të Ukrainës që të mbrohet nga agresioni i tmerrshëm i Rusisë.
Sado që propaganda ruse, e ndihmuar në shumë qarqe nëpër botë, tenton ta fajësojë Perëndimin për këtë luftë, e vërteta është e thjeshtë: Rusia ka sulmuar Ukrainën, lufta është në tokën e Ukrainës. Dhe nuk ka dyshime se kush është këtu agresori e kush viktima. Ky sulm ndoshta edhe ishte inkurajuar për vite, me apo pa vetëdije, me refuzimin e NATO-s që të shprehet në favor të anëtarësimit të Ukrainës në këtë aleancë dhe me mungesën e vullnetit që Rusisë t’i dërgohet një porosi e qartë se nuk do të mbetet pa pasoja agresioni i saj. Rusia këtë test e kishte kaluar pa pasoja në vitin 2014, kur e kishte okupuar Gadishullin e Krimesë. Bota e lirë vazhdoi t’ia shtrojë tepihun e kuq diktatorit rus Vladimir Putin. Ishte inkurajuar dhe me deklaratat e politikanëve perëndimorë se NATO-ja dhe vendet perëndimore nuk do të përfshihen në luftë në Ukrainë. Dhe kur invazioni rus nisi, atëherë populli i Ukrainës vendosi të mbrohet deri në vdekje, i përballur me alternativën që të zhduket si komb dhe si shtet. Dhe Perëndimit nuk i mbeti gjë tjetër, pos të bëjë maksimumin për ta ndihmuar.
Nuk ishte Perëndimi ai që nxiti luftën, por ishte Rusia ajo që nisi agresionin. Pohimet që dëgjohen edhe nga liderë të disa vendeve të NATO-s apo të BE-së, si presidenti i Turqisë, Erdogan, ai i Kroacisë, Milanoviq, apo kryeministri i Hungarisë, Orban, se Perëndimi me armatosjen e Ukrainës po e zgjat luftën, apo “po lufton kundër Rusisë përmes ukrainasve”, janë pohime të tmerrshme, të pamoralshme dhe, mbi të gjitha, të pasakta. Pra, ata do të preferonin sikur ukrainasit të mos kishin armatimin e duhur, të mos jenë në gjendje t’i bëjnë ballë Rusisë, dhe kjo do të ndihmonte që lufta “të përfundonte sa më shpejt”. Nuk ka dyshim se “me përfundimin e shpejtë” ata që janë kundër armatosjes së Ukrainës mendojnë në fitoren e shpejtë të Rusisë.
Në fillim të luftës ndoshta në shumë vende perëndimore ekzistonte një kalkulim i tillë. Në Bruksel, ekspertë të BE-së e NATO-s që paguhen me rroga të majme, parashikonin se brenda disa orësh me tanke Rusia do ta merrte Kievin, do të pushkatonte nëpër sheshe lidershipin politik e pastaj Rusia do të hynte në biseda me Perëndimin për të drejtat e qytetarëve të Ukrainës. Ky ishte kalkulimi politik në kokat e disa politikanëve. Sikur edhe në fillim të luftës në ish-Jugosllavi më 1991 kalkulimet ishin se “forcat jugosllave” do të fitonin brenda disa ditësh në Kroaci e Bosnjë-Hercegovinë, e pastaj me Beogradin bota do të bënte marrëveshje. Nuk duhet harruar kurrë se Perëndimi vendosi ndalim të eksportit të armëve në Kroaci dhe Slloveni “për të mos ndikuar në përshkallëzimin e luftës” që ishte ndihmë direkte Milosheviqit, i cili e kishte marrë nën kontroll Armatën Popullore të Jugosllavisë, pra kishte armatim të mjaftueshëm për disa luftëra.
Sikur bota të vendoste të mos e ndihmonte Ukrainën, Rusia ndoshta do ta fitonte luftën deri tash. Nafta dhe gazi do të rridhnin pa problem nga Rusia, do të ishin edhe më lirë, nuk do të kishte kaq shumë inflacion, as miliona refugjatë, më shumë do të kishte vaj të lulediellit dhe miell në treg. Por ndodh që në histori gjeneratat e politikanëve të jenë në test për të vendosur se në cilën anë të historisë duan të jenë. Dhe nuk ka shumë zgjidhje, por ka vetëm një. E vetmja anë e drejtë e historisë është mbështetja për Ukrainën. Dhe ky nuk është një kalkulim politik, por është një detyrim njerëzor, moral para së gjithash.
Prandaj sot BE-ja dhe NATO-ja nuk kanë çfarë tjetër të diskutojnë pos se si të armatoset Ukraina sa më mirë që të mbrohet dhe të çlirojë territorin e saj. Si të sigurohet drejtësi për viktimat dhe të nxirren para gjykatave për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit liderët e Rusisë. Një vit luftë në Ukrainë ka mjaftuar që më askush të mos besojë se një ditë do të përsëriten skenat kur lideri i Rusisë, Putin, do të pritet me nderime nëpër kryeqendrat evropiane dhe të konsiderohet si i barabartë. Raportet me Rusinë sot janë më të vështira sesa në kohën e Luftës së Ftohtë.
Përderisa në kohën e Luftës së Ftohtë ekzistonte bindja se një ditë do të bien diktaturat komuniste dhe Evropa do të bashkohet me përfundimin e tyre, invazioni i Rusisë ndaj Ukrainës ka ndryshuar botën në mënyrë të pakthyeshme. Raportet e botës së lirë me Rusinë kurrë më nuk do të jenë si dikur. Ky agresion dhe krimet në Ukrainë, pa fije shprese se Rusia do të pranojë çfarëdo faji, i kanë dhënë fund edhe naivitetit që ka ekzistuar për dekada në Perëndim.
Para një viti disa shtete nuk donin t’u dërgonin ukrainasve as helmeta dhe mjete shëndetësore, nga frika se Rusia do të zemërohej. Sot të njëjtat shtete dërgojnë armatim dhe tanke. Së shpejti me siguri se do të dërgojnë edhe avionë luftarakë. Është kaluar që moti vija e kuqe dhe nuk ka më kohë për kalkulime se çka do ta zemërojë e çka jo Rusinë. Me brutalitetin e saj, Rusia ka qenë ajo që ka diktuar dinamikën e ndihmës që nga Perëndimi i është dhënë Ukrainës. Sa më shumë krime dhe shkatërrime ka bërë Rusia në Ukrainë, aq më e madhe ka qenë gatishmëria e botës së lirë për t’i ndihmuar. Por kjo duhet të vazhdojë, sepse Rusia, sado e lodhur, akoma llogaritë se një ditë ata që e ndihmojnë Ukrainën do të lodhen më shumë. Tash edhe kjo lodhje është bërë faktor në fushëbetejë. Dhe mbështetja e Ukrainës duhet të vazhdojë pa dilema, sepse lufta e saj është e vërtetë dhe luftë për botën e lirë, siç ishte ajo kundër nazizmit në Luftën e Dytë Botërore.