OpEd

Lufta e humbur e Reformës Zgjedhore

Kosova edhe një herë gjendet para një procesi zgjedhor, për të cilin thirrjet për reformim kanë kumbuar që nga viti 2011, por i cili, megjithatë, mbetet i njëjtë që nga ajo kohë. Përpjekjet nuk kanë munguar, por vullneti gjithsesi po

Dorëheqja e befasishme e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj e çoi vendin në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Këto zgjedhje, që do të mbahen më 6 tetor 2019, shënojnë të katërtën herë me radhë që vendi shkon në zgjedhje të parakohshme, që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në shkurt të vitit 2008.

Jetëgjatësia mesatare prej jo më shumë se dy vjet e gjysmë e qeverive të deritanishme është treguesi më i qartë i mungesës së stabilitet politik në vend, dhe vjen si pasojë e paaftësisë së të gjitha qeverive për të përmbyllur reforma thelbësore dhe sistematike në ekonomi, drejtësi, dhe në arsim. Fat të ngjashëm ka pasur edhe reforma zgjedhore.

Kosova edhe një herë gjendet para një procesi zgjedhor, për të cilin thirrjet për reformim kanë kumbuar që nga vitit 2011, por i cili, megjithatë, mbetet i njëjtë që nga ajo kohë.

Përpjekjet nuk kanë munguar, por vullneti gjithsesi se po.

Të gjitha komisionet, që nga ato të formuara në vitin 2011, përfunduan njësoj vetëm si përpjekje për reformim, të mbytura nga mungesa e vullnetit politik. Duke përfshirë Komisionin për Ndryshimin e Ligjit të Zgjedhjeve- që për qëllim kishte reformën e përgjithshme zgjedhore, Komisionin për Ndryshime Kushtetuese- që për qëllim kishte ndryshimin e mënyrës së zgjedhjes së presidentit, dhe Komisionin për Përmirësimin dhe Forcimin e Procesit Zgjedhor- që për qëllim kishte adresimin e rekomandimeve të Misionit të Bashkimit Evropian (BE) për vëzhgimin e zgjedhjeve të vitit 2017.

Kjo mungesë në të vërtetë mbetet barriera kryesore e të gjitha nismave drejt përmirësimeve sistematike. Presioni ndërkombëtar nëpërmjet organizatave ndërkombëtare, dhe ai vendor nëpërmjet këmbënguljes së shoqërisë civile deri tash kanë rezultuar të pafuqishëm karshi rahatisë të cilën partitë më të mëdha politike e gjejnë sa në sistemin, aq edhe në procesin e tanishëm zgjedhor.

Kjo dëshmohet më së miri nga nisma e fundit për reformë zgjedhore e legjislaturës në largim. Në prill të këtij viti, kryetarët e ish-grupeve parlamentare në Kuvendin e Kosovës nëpërmjet një deklarate të përbashkët shprehen zotim dhe gatishmëri për përmirësimin dhe forcimin e procesit zgjedhor. Kjo deklaratë më pas u materializua përmes krijimit të një komisioni parlamentar ad-hoc, përgjegjës vetëm e vetëm për adresimin e çështjeve dhe kritikave të shënuara nga misionet e vëzhgimit të BE-së gjatë dy proceseve të fundit zgjedhore.

Të gjithë u pajtuan se përmirësimi dhe forcimi i procesit zgjedhor janë nevojë e çdo demokracie, në veçanti e atyre në zhvillim. Ky pajtim deklarativ shënon arritjen më të madhe të komisionit gjatë funksionimit pesëmujorësh të tij. Ndonëse puna e Komisionit u ndërpre në gjysmë si rezultat i shpërndarjes së Parlamentit më 22 gusht, dinamika e Komisionit dhe e grupit këshillëdhënës në kuadër të tij la shumë për të dëshiruar.

I vetmi kontribut i vërtetë në reformën zgjedhore në vitet e fundit ka qenë kundërshtimi gjithëpërfshirës ndaj ndryshimeve të propozuara në kuadër të plotësim-ndryshimit të Ligjit për Financimin e Subjekteve Politike dhe Ligjit për Zgjedhje të Përgjithshme.

Projektligjet e proceduara në komisionet parlamentare papritur morën një kthesë kundërthënëse. Të dy këto projektligje, në vend se të rrisin transparencën, ndërgjegjësimin dhe llogaridhënien financiare të subjekteve politike, si dhe qartësimin e përgjegjësive brenda Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), ato promovuan të kundërtën.

Rekomandimet e përfshira në këto dy projektligje nxitën reagimin e menjëhershëm të shoqërisë civile, e cila nëpërmjet një fushate intensive për më shumë se një muaj avokoi kundër tyre. Fushata qe e suksesshme, dhe si rezultat, me kërkesë të ish-kryeministrit Haradinaj, projektligjet përfundimisht u tërhoqën për t’u kthyer prapë në pikën zero.

Suksesi i shoqërisë civile në kundërshtimin e projektligjeve në fjalë përbën një paradoks. Kjo, për arsye se tërheqja e projektligjeve nga Qeveria nuk paraqet përmirësim të gjendjes dhe nuk është hap para drejt reformës zgjedhore. Megjithatë, parandalimi i përkeqësimit të kornizës ligjore që do të paraqiste hap prapa është kontribut në reformën zgjedhore.

Fakti që ky është i vetmi kontribut serioz i viteve të fundit është përshkruesi më i mirë i nivelit të ulët të përmbushjes së reformës zgjedhore, dhe jo vetëm. Ai e arsyeton më së miri përfundimin se reforma zgjedhore e ka vëmendjen e plotë të partive politike vetëm nëse përkon me interesat e ngushta të tyre. Në çdo rrethanë tjetër, përkushtimi i partive politike për këtë reformë kufizohet dhe përmbushet me deklarata të përbashkëta zotimi, me formimin e komisioneve parlamentare dhe të grupeve punuese.

Prandaj një nga përgjegjësitë kryesore të legjislaturës që do të formohet pas zgjedhjeve të 6 tetorit është të na dëshmojë të kundërtën e kësaj, dhe përfundimisht të tregojë sens ndërgjegjësimi lidhur me nevojën e një reforme të mirëfilltë zgjedhore, e cila do të përmirësonte demokracinë në vend duke siguruar përfaqësim më të denjë të qytetarëve, zgjedhje më të lira dhe më të drejta.

(Autori është hulumtues në Grupin për Studime Juridike dhe Politike. Ky editorial është shkruar në kuadër të projektit “Promovimi i transparencës së financimit të partive politike në Kosovë: theks i veçantë mbi Reformën Zgjedhore në Kosovë”, implementuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike dhe financuar nga National Endowment for Democracy – NED)