OpEd

Lufta e ardhshme civile?

Një gjë lidhur me presidentin është tani më e qartë se kurrë: me qëllim që ta përjetësojë mbetjen e tij në pushtet, Trumpi po e vë në sprovë Kushtetutën, dhe madje në mënyra të pashembullta

Kryeqyteti amerikan është më i tensionuar tani se mbase kurdoherë më parë, qysh prej natës së nisjes së Luftës Civile më 1860. Qyteti ishte pa dyshim përplot tensione gjatë Watergates. Por sado që Richard Nixoni e vuri në sprovë sistemin kushtetues, si një avokat që shërbeu në Qeveri për dekada, ai e kuptoi se ekzistojnë disa kufij që asnjë president nuk guxon t’i shkelë. Dhe tani, pasi presidenti Donald Trump, Zonja e Parë dhe një këshilltar i lartë rezultuan pozitivë në testet për COVID-19, në Washington shpërfaqen shumë më tepër paqartësi se gjatë gjithë kujtesës kolektive.

Kriza joshëndetësore, me të cilën ballafaqohen tani Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është se Trumpi nuk i kupton kufijtë. Ka indikacione të qarta madje se ai edhe e anashkalon, e lëre më ta respektojë rendin kushtetues të Amerikës, mbijetesa e së cilës varet prej asaj nëse atyre të cilëve u është besuar pushteti tregojnë vetëpërmbajtje.

Trumpi, i cili i thyen pamendësisht precedentët dhe normat, vazhdimisht ka tentuar t’i paaftësojë të gjitha kontrollet mbi sjellet e tija. Insiston se neni 2 i Kushtetutës “më jep të drejtë që të bëj çfarëdo që dua”. Dhe në këtë qëndrim ai mbështetet prej prokurorit të përgjithshëm, William Barr, i cili është prej atyre shefave besnikë të zbatimit të ligjit që Trumpi pikërisht kërkoi.

Pjesa më kritike e përpjekjes së Trumpit për ta minuar besimin në rezultatin zgjedhor, po qe se ai del në disavantazh të tijin, është tentimi i tij për t’i diskredituar paraprakisht me miliona vota. Supozimi është se, shkaku i pandemisë COVID-19 që Trumpi ka lejuar t’i dalë dorësh, një numër më i madh se kurrë i amerikanëve do të votojnë nëpërmjet postës, dhe shumica që do ta bëjnë këtë janë demokratë.

Më herët, duke e kalkluar gabimisht opinionin publik siç bën rëndom, Trumpi u zotua t’i ngadalësojë dërgesat me postë, me qëllim që t’i diskualifikojë me miliona vota me postë. Pas reagimit publik këto aktivitete supozohet se u pezulluan, megjithëse dërgesat me postë prapëseprapë mbesin më të ngadalta se më parë.

Pastaj, në shtator, Trumpi nisi të thoshte se procesi i paszgjedhjeve do të jetë paqësor për aq kohë sa “ne... i heqim qafesh votat” – pa marrë parasysh çmimin. Ai dhe ekipi i fushatës së tij tani po i shfrytëzojnë mënyrat e tjera për ta formësuar apo zhvlerësuar rezultatin zgjedhor, po qe nevoja.

Aleatët e sfiduesit të Trumpit, Joe Biden, janë duke diskutuar se si ta parandalojnë ndërhyrjen republikane në rezultat dhe se si ta nxjerrin presidentin nga Shtëpia e Bardhë në rast se ai i humb zgjedhjet, por refuzon të largohet. Nevoja për ta shqyrtuar këtë mundësi seriozisht është një shenjë se sa rëndë janë përkeqësuar gjërat.

Dhe prandaj armët ligjore janë duke u vënë në gatishmëri. Me pak fat, armët e vërteta nuk do të përdoren. Por Trumpi ka trimëruar dhunën qëkur hyri për herë të parë në zyrë, dhe nuk e shmang bindshëm këtë opsion as tani. Thirrja e tij gjatë debatit të parë presidencial për “Proud Boys”, një grup ky i dhunshëm djathtist i supremacistëve të bardhë, për “t’u ringritur dhe për të qenë në gatishmëri” ka detyruar Shtëpinë e Bardhë të ndërmarrë veprime për ta pastruar këtë deklaratë të tijën ogurzezë.

Ndërkohë, një shkrim i paradokohshëm në “New York Times” ka treguar qartë pse Trumpi është përpjekur me ngulm që t’i fshehë të dhënat e tija tatimore: ka paguar vetëm 750 dollarë taksa në të ardhurat për vitet 2016 dhe 2017, dhe hiç fare për shumë vjet para kësaj. Zbulimi i të dhënave tatimore dhe i hesapeve afariste të Trumpit ofron një shpjegim të qartë mbi përpjekjen e tij të dëshpëruar për ta siguruar një tjetër mandat në detyrë. Raportimi i “NYT”-së ka rrënuar fasadën populiste të Trumpit dhe ka zbuluar se arsyeja themelore e presidencës së tij – se ishte një miliarder i mençur që do ta përdorte mendjemprehtësinë e tij të jashtëzakonshme afariste për drejtimin e vendit – ishte krejtësisht e rreme.

Shkrimi i gazetës tregoi po ashtu, siç edhe ishte supozuar gjerësisht, se Trumpi ka siguruar ndihmë financiare nga vendet autoritare, si Turqia dhe Arabia Saudite. Dhe Trumpi raportohet se ka shprehur supozimin e tij se ka përfituar nga oligarkët rusë me urdhër të Vladimir Putinit.

Vëzhgues të shumtë paralajmërojnë se borxhet e Trumpit ndaj vendeve të huaja e shndërrojnë atë në kërcënim për sigurinë kombëtare. Siç qëndrojnë tani gjërat, Trumpi ka mbi 400 milionë dollarë borxhe që duhet t’i paguajë brenda disa vjetëve të ardhshëm; nuk dihet se ku do t’i gjejë ai këto para.

Performanca e Trumpit në debatin e parë presidencial ishte demonstrimi më i fundit i kërcënimit që ai përbën për demokracinë. Sjellja e tij prej banditi – me ndërprerjen e vazhdueshme, thumbimet e pista dhe shtrembërime të rënda – ishte vazhdimësi e përpjekjes së tij të vazhdueshme për t’i rrënuar të gjitha mjetet që do ta mbanin përgjegjës. Debatet janë një tjetër praktikë demokratike që Trumpi po mundohet ta shkatërrojë. Por përkundër të gjitha kritikave rreth asaj se në sa ngjarje të mjerueshme janë kthyer debatet, me dhjetëra miliona amerikanë që e urrejnë atë duhet ta lartësojnë performancën e tij, e cila e shpërfaqi një Trump të palustruar.

I ashtuquajturi debat nuk e lehtësoi gjendjen e vështirë politike të Trumpit. Ai zor se mund t’ia ofrojë vetes luksin që të humbasë mbështetje në këtë kohë. Jogatishmëria e tij për t’i denoncuar pa mëdyshje supremacistët e bardhë, shtytja e tij e qartë kah dhuna dhe të gjitha kërcënimet e shprehura – “Kjo nuk do të përfundojë mirë” – ishin sa alarmuese po aq edhe normërrënuese. Edhe disa prej njerëzve të Trumpit në Senatin republikan haptas u shprehën të shqetësuar.

Ndonëse Bideni ofroi një lloj substance dhe nuk ra në nivelin e Trumpit, ai nuk ishte në më të mirën e tij. Ai herë pas here dukej si i lënë mënjanë nga sjellja e Trumpit dhe nuk ia doli të përçonte qëndrim dhe ndjesi të komandimit, të cilat njerëzit i kërkojnë prej një presidenti. Duke e quajtur Trumpin “palaço” dhe duke i thënë atij që ta “mbyllë gojën”, Bideni mund të jetë përpjekur që të tregojë se edhe ai mund ta luajë burrin e sertë. Por a është kjo mënyra se si amerikanët duan që të flasë një president?

Një shenjë e këtij argumenti koherent mund të vërehet në përpjekjen e Trumpit për ta përshpejtuar nominimin në Senatin e dominuar nga republikanët e gjykatëses djathtiste, Amy Coney Barrett, për ta mbushur vendin e lënë vakant në Gjykatën Supreme pas vdekjes së heroinës liberale, Ruth Bader Ginsburg. Duke u munduar që ta konfirmojë dhe emërojë atë brenda pak javësh, Trumpi po vepron sërish në kundërshtim të demokracisë, si dhe opinionit publik. Trumpi deklaron haptas se e do Barrettin në atë ulëse për t’ia përmirësuar vetes gjasat, po qe se rasti lidhur me rezultatet zgjedhore shkon në gjykatë. Senatorët republikanë duken të pavullnetshëm të insistojnë që Barretti ta shfajësojë veten për ta shmangur një konflikt të tillë flagrant interesi.

Jogatishmëria e Trumpit – dhe mbase paaftësia – për të shkuar përtej bazës së tij djathtiste, e cila është e pamjaftueshme për zgjedhjen e tij, e vë po ashtu në pikëpyetje mendjemprehtësinë e tij politike, dhe është njëra prej shumë arsyeve për të pasur dyshime në inteligjencën e tij themelore (një çështje kjo për të cilën ai është skajshmërisht i ndjeshëm).

Por një gjë lidhur me presidentin është tani më e qartë se kurrë: me qëllim që ta përjetësojë mbetjen e tij në pushtet, Trumpi po e vë në sprovë Kushtetutën, dhe madje në mënyra të pashembullta.

(Elizabeth Drew është gazetare me seli në Washington dhe autore e librit “Washington Journal: Raporting Watergate and Richard Nixon’s Downfall”. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë ndërkombëtare “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).