A mundet presidenti i zgjedhur amerikan, Joe Biden, edhe të ecë e edhe të përtypë çamçakëz në të njëjtën kohë?
Nëse ecja është menaxhim i presioneve të brendshme dhe përtypja e çamçakëzit ndjekje e një politike të baraspeshuar të jashtme, atëherë përgjigjja është larg të qenit e qartë.
Përplasja midis thirrjeve të pashembullta për frenimin e Kinës dhe domosdoshmërisë së bashkëpunimit me presidentin kinez Xi Jinping për ndryshimet klimatike është rasti në fjalë.
Bideni planifikon që ta arrijë një aleancë të gjerë me vendet e mendësisë demokratike në Paqësor dhe Evropë për mbajtjen në binarë të ekspansionizmit të Kinës. Ama, sipas këndvështrimit të Xisë, Kina mund të jetë në gjendje ta shfrytëzojë premtimin për bashkëpunim në rrafshin e ndryshimeve klimatike si një burim për t’i mbajtur në duart e saj penjtë me të cilët do ta dirigjonte këtë strategji të Bidenit, duke e pasur veçanërisht parasysh kundërshtimin republikan për veprim klimatik dhe armiqësi ndaj Kinës.
Tensionet nuk ka se si të jenë më të larta. Njerëzimi ballafaqohet me një të ardhme përnjëmend fatkeqe po qe se dy ekonomitë më të mëdha të botës – si dhe emetuesit më të mëdhenj të dyoksid karbonit – nuk zotohen për bashkëpunim në adresimin e ndryshimeve klimatike. Dhe pavarësisht gjasave tejet të zbehta që konkurrenca gjeopolitike sino-amerikane të pengojë bashkëpunimin klimatik, kjo gjë është diskutuar rrallë në Washington apo në Pekin.
Në Shtetet e Bashkuara, urtësia mbizotëruese është se frenimi i emetimit të dyoksid karbonit është në vetë interesin e Kinës. Përtej të qenit ndotësi më i madh në botë, Kina është edhe konsumatori më i madh në botë i thëngjillit, duke numëruar 52-përqindëshin e përdorimit mbarëbotëror. Dhe nivelet e larta të ndotjes kërcënojnë ta minojnë mbështetjen për Partinë Komuniste mes shtresave përherë më të shumta të mesme në Kinë, të cilat kërkojnë mjedis më të pastër. Po rritet po ashtu edhe presioni ndërkombëtar.
Mjerisht, ky qëndrim nuk ndikon në besimin e Kinës se, për sa u përket ndryshimeve klimatike, Perëndimi ka më shumë nevojë për të sesa që ajo ka për Perëndimin. Kësisoj, ajo do të kërkojë një çmim më të lartë, sidomos nga SHBA-ja dhe aleatët e saj evropianë, për kontributet e saja. Dhe, për ta shmangur humbjen e vullnetit të mirë të komunitetit ndërkombëtar, sipas të gjitha gjasave do ta vazhdojë shtegun në mënyrë të kalkuluar.
Kunji i parë në strategjinë e Kinës veçse është bërë i dukshëm. Në samitin e fundit të Ambicieve Klimatike, të thirrur nga Kombet e Bashkuara, Xi ka përsëritur zotimin e tij për të ulur nivelin e lirimit të dyoksid karbonit deri më 2030 dhe për ta jetësuar neutralitetin e karbonit para vitit 2060.
Xi u zotua gjithashtu që t’i përmbushë synimet edhe më ambicioze klimatike deri më 2030. Mes tyre përfshihet ulja e lirimit të CO2-shit për njësi të GDP-së deri më 65 për qind (krahasuar me nivelin e vitit 2005); duke garantuar alternativa të ripërtëritshme për një të katërtën e konsumit të tij parimor energjetik; si dhe rritjen e instalimit të përgjithshëm të kapaciteteve të erës dhe diellit në më shumë se 1.3 miliardë kilovatë (përafërsisht sa trefishi i kapaciteteve të instaluara kineze më 2019). Deklarimet e tilla synojnë që ta ngrenë profilin ndërkombëtar të Kinës – dhe ta vënë SHBA-në në epiqendër.
Kunji i dytë i strategjisë së Kinës ende nuk është shpalosur, por është e arsyeshme që të pritet se do të provojë t’i mbajë frerët në duar me anë të udhëheqjes së dukshme klimatike, ashtu që të sigurojë koncesione ekonomike dhe politike.
Kina do të bënte fillimisht thirrje për dialog të gjerë bashkëpunues dhe jokonfrontues ndërkombëtar dhe të kërkonte më pas ulje të tarifave – administrata në largim e presidentit Donald Trump kishte vendosur tarifa prej 30 për qind për panelet diellore të Kinës – si dhe transferime teknologjike, për ta ndihmuar atë në mbajtjen e zotimeve klimatike. Përveç këtyre kërkesave pragmatike, liderët e Kinës do të joshen të ushtrojnë presion mbi Perëndimin për zbutjen e kritikave karshi abuzimeve kineze të të drejtave të njeriut, sidomos shtypjen ndaj Hong-Kongut dhe burgosjen masive të myslimanëve ujgurë në Xinjiang.
Kjo strategji dykahëshe do ta nyjëzojë Bidenin. Nëse zotimet e tija klimatike nuk i përmbushin pritshmëritë e komunitetit ndërkombëtar, atëherë Kina do të duket si një fuqi më e përgjegjshme. Në rast se zotohet për caqe ambicioze klimatike, republikanët do ta minojnë kredibilitetin e tij, duke i sabotuar politikat relevante në Kongres dhe në gjykata. Edhe po qe se republikanët nuk ia dalin që ta bllokojnë sot veprimin klimatik, ekziston rreziku që një administratë republikane – mbase e drejtuar sërish nga presidenti Donald Trump që mund ta sigurojë dikur një mandat të dytë – t’i sprapsë ato më 2024, siç kishte bërë Bideni kur u bë president më 2017.
Në të njëjtën kohë, pasur parasysh antipatinë e pashembullt karshi Kinës në SHBA, Bideni mbase nuk do të ishte në gjendje që të ofronte koncesione qoftë edhe modeste për tarifat dhe transferimet teknologjike, dhe do të ndodhej nën presion enorm për t’iu kundërvënë Xisë për sa u përket abuzimeve të të drejtave të njeriut. Kina pastaj do të mund ta shfrytëzonte gjithë këtë si justifikim për të marrë qëndrim po kaq të ashpër, duke insistuar se Bideni po bën zotime të parevokueshme klimatike përpara se të ndërmarrë më shumë veprime.
Bllokada rezultuese do të duket të jetë gabim i Amerikës, në atë që do t’ia rrezikonte pozicionin kundruall Kinës në skenën botërore. Por nga aspekti klimatik ky skenar do të ishte përnjëmend katastrofik. Administrata Biden duhet të jetë e vetëdijshme se sa lehtë do të mund të ndodhte kjo gjë – dhe të bënte çmos për të siguruar që të mos ndodhë.
(Minxin Pei është profesor i qeverisjes në kolegjin “McKenna” të Claremontit dhe anëtar jorezident në Fondin gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë ndërkombëtare “Project Syndicate”)