OpEd

Logjika “hajt more” dhe koronavirusi

Një milet që s’merr vesh duhet të detyrohet të marrë vesh: me masa drastike shtrënguese.

1. 

Mund ta paramendojmë një bisedë në një dhomë dite të një familjeje kosovare gjatë këtyre ditëve. Burri: “S’po rrihet më kështu mbyllur. Hajt more se tybe rrenë është kjo puna e virusit”. 

Gruaja: “Tybe o njeri, nuk ke faj, po hajt dil pak me shokë, me ta je shoqëruar gjithmonë, nuk të ka gjetur kurrë gjë”. Djali: “Dola me shokë”. Vajza: “A jeni në vete?” Gjyshja: “Marre e madhe, nuk shkuam me e pa Malushin, ish’ i sëmurë”. Dhe çohen pastaj komplet familja dhe shkojnë “me e pa” kushëri Malushin, sepse kushëri Malushit mund t’i mbesë hatri që kushëri Hajrushi me familje nuk erdhi “me e pa”. Ky mentalitet duket se i ka marrë në qafë shumë familje në Kosovë, duke e rritur numrin e të infektuarve nga koronavirusi. 

Shumë njerëz pauzën për shkak të koronavirusit po e shohin si festë të përditshme të Një Majit. Pamjet që qarkulluan nga brigadat e shoferëve me familje që kishin mësyrë Prevallën, ishin edhe një dëshmi e papërgjegjësisë së madhe të shumë njerëzve përballë rrezikut nga virusi. Mund të merret me mend se këta njerëz që dëshironin të kalonin ditën në freskun e Prevallës, më parë janë përgatitur mirë e mirë: me qofte të ngrira dhe qymyr për skarë, me bakllava dhe sytliaç, me shishe me verë të kuqe a të bardhë (të pimë pak para se të fillojë Ramazani!), me birra e me raki, me “kukakollë” dhe me lëng portokalli dhe banane, sidomos për gjyshen shëndetligë. 

Banania është fruti më mitik i historisë moderne shqiptare: i ndihmon çdo pacienti në betejën kundër çdo sëmundjeje. Andaj, para çdo spitali në Kosovë do të vëreni vargje me banane dhe idiotë që fërkojnë duart mos po vdes dikush për ta transportuar kufomën. 

2. 

Të gjithë e dimë si është gjendja në spitalet e Kosovës. Gjendja është e tmerrshme! E tmerrshme! Duke e ditur këtë, njerëzit do të duhej të qëndronin në shtëpi dhe të shmangin mundësisht çdo kontakt me persona të tjerë jashtë shtëpisë kur duhet të dalin për të kryer ndonjë punë urgjente. 

Nga politika nuk duhet pritur shumë. Nuk duhet pasur asnjë iluzion. Sepse partitë politike të Kosovës po e kanë luksin të zhvillojnë fushata elektorale: njëri shkon në veri të vendit dhe u flet për dore krejt anëtarëve të partisë (“ku je jaran?”, “qysh je jaran?”, “ku je shoq”, “a je, si je shoq?”), tjetri takon “përfaqësues të biznesit” dhe nuk e mban distancën e duhur fizike, tjetri në radhë e ndërpret konferencën për shtyp, sepse hoxha po thërret ezanin për të shkuar në xhami për t’u lutur, ndonëse xhamitë janë mbyllur. 

Që tempujt fetarë janë të mbyllur, këtë nuk po e begenisin as dinjitarët e Kishës Katolike. Njëri prej tyre nga Famullia e Gjakovës, në një predikim për Pashkët, tha se “ndoshta” shteti ka të drejtë që i ka mbyllur objektet fetare, por fjalën “ndoshta” e theksoi disa herë me ton hidhërues për të shprehur indinjatën që shteti dhe mjekët nuk po i lënë besimtarët të mblidhen tubë dhe kështu, koronavirusi të përhapet edhe më shpejt. 

A po bëhet merak për këtë hoxha apo prifti? Politikanët ballafaqohen me konsekuencat e vendimeve të tyre, dinjitarët fetarë thonë: “Zoti e ka shkru”. Dhe për ceremoninë e varrimit marrin honorarin e tyre. Me një fjalë: që imamët dhe priftërinjtë nuk e mbysin koronën, është ditur, por në Kosovë as politika nuk është në gjendje së paku të zbusë pasojat e pandemisë. 

3. 

Një milet që s’merr vesh, duhet të detyrohet të marrë vesh: me masa drastike shtrënguese. Mobilizim total i policisë. Kontroll i rreptë. Gjoba. Dënime. Ndëshkime. Ballafaqim me ligjin. Arrestime. Me sa duket, fjalët nuk po bëjnë punë. 

Fjalët bëjnë punë në një vend me popullsi që merr vesh. Me një popullsi që beson në autoritetin e fjalës së politikanit. Në viset shqiptare, fjala e politikanit nuk ka autoritet. Dhe përse të ketë, kur politikani ka qenë vetëm njëri nga vjedhësit. Qeveria e Albin Kurtit po ashtu ka probleme me autoritetin, sepse është kabinet në detyrë (dhe i shkarkuar). Çfarë të bëhet? Armiqësia mes partive është aq e madhe, saqë çdo debat racional duket i pamundshëm. Çmimin do ta paguajë popullata. 

4. 

Se çfarë domethënë autoriteti i fjalës publike të një politikani, shihet e dëgjohet nga fjalimi i presidentit gjerman Frank-Walter Steinmeier. Në prag të Pashkëve, ai iu drejtua gjermanëve me këto fjalë: “Mijëra njerëz kanë vdekur. Në vendin tonë. Dhe në Bergamo, në Alzas, në Madrid, në New York dhe në shumë vende të botës. Këto pamje na prekin. Jemi të pikëlluar për ata që vdesin të vetmuar. Kujtojmë familjarët e tyre, të cilët nuk kishin mundësi që bashkë t’u thonë lamtumirë të afërmve. Falënderojmë jetëshpëtuesit e palodhshëm në sektorin e shëndetësisë. Dhe: pa marrë parasysh se na mundon edhe jeta jonë, ne mendojmë për ata që kriza i godet tepër rëndë – të sëmurët dhe të vetmuarit; për ata që shqetësohen për vendin e punës, për ndërmarrjen; për ata që punojnë në profesion të lirë, artistët, të cilët nuk kanë më të hyra; për familjet, për ata që vetë ushqejnë familjet në banesën e ngushtë pa ballkon dhe kopsht.

(...) 

Por, se si do të ecë më tutje, kur dhe si do të zbuten kufizimet, për këtë nuk vendosin vetëm politikanët dhe ekspertët. Është në dorën e të gjithë neve, përmes durimit dhe disiplinës – sidomos tani, kur na duket më së vështiri. Këtë angazhim që po e tregojmë këto ditë – këtë nuk po e bëjmë për shkak se një grusht i hekurt po na detyron. Por po e bëjmë, sepse jemi demokraci e gjallë me qytetarë të përgjegjshëm! Një demokraci në të cilën i besojmë njëri-tjetrit, dëgjojmë faktet dhe argumentet, tregojmë arsye, bëjmë gjënë e duhur. Një demokraci, ku çdo jetë është e rëndësishme – dhe në të cilën secila dhe secili janë të rëndësishëm: nga infermieri te kancelarja, nga këshilli i ekspertëve të shkencës deri te shtyllat e dukshme dhe të padukshme të shoqërisë – në arkat e dyqaneve, në timonin e autobusit dhe kamionit, në furrë buke, në arat e bujqve apo te pastrimi i bërllokut. 

(...) 

Të gjithë duam normalitet. Por çfarë domethënë kjo? Sa më shpejt të kthehemi në rendin e vjetër, te zakonet e vjetra? Jo, bota e ardhshme do të jetë ndryshe. Si do të jetë? Varet prej nesh! Të mësojmë nga përvojat, të mirat dhe të këqijat nëpër të cilat po kalojmë çdo ditë në këtë krizë”.