OpEd

Levrek, kallamari e verëra të shtrenjta në Fuck-turrat e Hashim Thaçit

Fakturrat e gjejnë popullin herë në gjunjë e herë të shtrirë përtokë, ndonjëherë apo shpeshherë edhe të mbështetur për muri. Legendari s’e ka dert. Fakturrat do t’i bartë populli. Atij i mbetet që vetëm ta tëhollojë guston e tij prej sommelierit, me moton “Ha, pi çka du” fakturra jeme paguhet

E hënë, 20.08.2018

Kjo ishte vetëm njëra nga kabllogramet me përmbajtjet e fakturrave që Zyra e kryeministrit ia kishte bërë popullit gjatë qeverisjes në vitin 2012. Që të gjitha pothuajse përbëheshin nga verërat e shtrenjta të bardha e që përcilleshin me kallamari e fruta të tjera deti. Presidentin, ish-kryeministrin, ish-ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, ish-kryetarin e PDK-së, legendarin Hashim Thaçi e kemi me një gusto të veçantë për ushqim. Nga lindi kjo gustoja e frutave të detit, kur Buroja vijë ajrore largësi nga deti i ka 300km, unë hiç se kuptoj! Mos të bëhem lokalist. As Prishtina e viteve studentore të Hashim Thaçit me ato pak restorante që kishte në menytë e saja nuk kishte levrek, kallamari apo fruta deti. Aq më pak mensa e studentëve ku është ushqyer legendari. Por si duket lukthi i shqiptarit qenka për studim. Se çfarë përzierjeje zbërthen e në të njëjtën kohë se çfarë sasie zullumesh duron.

Fakturrat e gjejnë popullin herë në gjunjë e herë të shtrirë përtokë, ndonjëherë apo shpeshherë edhe të mbështetur për muri. Legendari s’e ka dert. Fakturrat do t’i bartë populli. Atij i mbetet që vetëm ta tëhollojë guston e tij prej sommelier-it, me moton “Ha, pi çka du” fakturra jeme paguhet.

Këto ishin vetëm disa nga fakturrat perverse që i pamë dhe ato datonin nga viti 2012. Edhe sa e sa fakturra të tjera janë bërë që nga atëherë, ato na mbetet t’i shohim.

Midhjet, kallamari dhe këta frutat e detit njihen si afrodiziakë natyrorë. Sa më shumë i konsumon, aq më efektive dhe të majme fakturrat që ia fakturron publikut, hamshori i popullit.

Pas çdo fakturre të publikuar pason një periudhë qetësie. Ndonjë zë i mekur aty-këtu që zgjohet nga deliriumi, ekstaza dhe e kupton se fakturra është e lartë për një popull që kryesisht është barkthatë dhe preokupim ditor e ka se si të sigurojë diçka në tryezat e tyre për t’i ushqyer fëmijët e tyre të nesërmen, deri në publikimin e fakturrës së radhës presidenciale. Por ka edhe nga zërat që thonë se këso lloj fakturrash janë më se normale për çfarëdolloj protokolli shtetëror. Këta zëra arsyetojnë edhe fakturrat e tjera, që ky popull i duron nga shumë nivele qeveritare. Fakturrat janë bërë pjesë e pandashme e përditshmërisë kosovare. Nganjëherë fakturrat ishin realizuar ashtu në grup, e nganjëherë ashtu jak-a-jak. Konsumimi dhe djegia e kalorive gjithnjë në balancë dhe në nivelin e duhur që edhe nutricistët më me famë do ta kishin zili këtë lloj arritjeje.

Për në fund vetëm dëshiroj të cek se unë nuk e preferoj mishin e peshkut, as frutat e detit dhe dita-ditës kam më shumë afinitet për t’u shndërruar edhe në një vegjetarian kuptimplotë.

Fakturrat e mia, të cilat ia ngarkoj publikut, janë non-ekzistente.

* Ndoshta është edhe mirë që nuk u formua/emërtua Ushtria e Kosovës FAK, siç e kërkonte Thaçi, sepse do të mundë të bëhej e papërballueshme.

E martë, 21.08.2018

Ku na mbeti përgjegjësia?

Jo ky nuk është ndonjë kabllogram. Nuk është as ndonjë prononcim i ndonjë zyrtari të Qeverisë. Thjesht ne kemi momentet kur na nevojitet të flasim me veten tonë dhe të kërkojmë përgjigje të caktuara. Ky ishte një moment i tillë për mua, prandaj edhe e shkruaj si pjesë të Ditarit tim.

Duke i analizuar të gjitha rrjedhat gjatë historisë sonë më të re të dy dekadave të fundit, nuk ekziston mundësia të mos e pyesësh veten se ku na mbeti përgjegjësia, qoftë ajo individuale, qoftë ajo kolektive? E si të gjej përgjigjen në këtë pyetje aq komplekse që sigurisht se kërkon studim të thellë social, psiko-analitik, politik dhe ekonomik?

Duke qenë se nuk disponoj me resurse të tilla edhe pse Ambasada ime nuk është edhe aq modeste, mua prapë më nevojitej një lloj përgjigjeje, së paku për një satisfaksion timin personal. Ne gjithmonë kemi fajtorët kujdestarë. Në fillim ishte Roma, më pas Bizanti, pastaj Turqia, ajo pasoi me Serbinë, me sistemin komunist, prapë me Serbinë, UNMIK-un, EULEX-in, Bashkimin Evropian. Ne gjithmonë ishim të pafajshëm, asnjëherë nuk u konfrontuam me gabimet përbrenda nesh. Ku ta kërkoja fillin e këtij problemi? Ka të bëjë diçka me ndërdijen. Kjo ka të bëjë diçka me mënyrën se si edukohemi ne qysh si fëmijë. Këtu do t’i kërkoj fillet e këtij problemi.

Një prind shqiptar me rastin e përplasjes së fëmijës së tyre me tavolinën do të rrahë tavolinën me dorë në shenjë dënimi të fajtorit për lëndimin e fëmijës “ah, pisja e keqe, ti po ma lëndon fëmijën, ah, ah” vazhdojnë goditjet ndaj tavolinës. Nëse fëmija rrëzohet me biçikletë në rrugë, prapë e njëjta sjellje, prindi do ta rrahë biçikletën për fajësinë e lëndimit të fëmijës. E raste të tilla nga fëmijëria jonë kemi të panumërta. Mendojini.

Ndërdija e njeriut është një dukuri dhe funksion shumë kompleks i trurit. Fëmija rritet, në moshën e pjekurisë çdo lëndim i egos nga ndonjë kritikë qoftë ajo edhe e shëndoshë dhe konstruktive, në ndërdije interpretohet si “ah, ah ti po ma lëndon fëmijën tim”. Mekanizmi mbrojtës i njeriut do të aktivizohet instinktivisht dhe ai tashmë e ka edhe fajtorin kujdestar përballë vetes për t’u përballur me të. A do të marrë përballja formën Ad hominem, fyerje të ulëta apo ndoshta edhe agresion fizik, variron nga rasti në rast. Ndjenja e fajësisë në mënyrë automatike hiqet nga vetja dhe bartet tek bashkëbiseduesi, partneri, kushdo qoftë përballë nesh që merr guximin të na e lëndojë sedrën dhe ne nuk kërkojmë argumentet për ballafaqimin me kritikën e bërë, por merremi me individin, i cili e bën atë kritikë.

Prindër, mendojeni se si i edukoni fëmijët tuaj. Mendojeni faktin se qasja e juaj lë pasoja në ndërdijen e tyre, e cila do t’i përcjellë gjatë gjithë jetës. Edukojini në atë mënyrë që ata qoftë edhe në moshë shumë të re të kuptojnë sensin e vet të përgjegjësisë. Nuk ka fajtor kujdestar, ai zakonisht është i fshehur brenda nesh. Sa më herët e mësojmë se si ta gjejmë fajtorin brenda nesh qoftë në nivel individual, qoftë edhe atë kolektiv, aq më mirë do t’i kemi punët.

Pas kësaj qasjeje aq të madhe “filozofike” dhe “sociale” që mua personalisht më dha satisfaksion dhe “përgjigjen e duhur” mendoj se e kam merituar me e qeras veten me një cafe latte.

E mërkurë, 22.08.2018

“Ui ar not problematik gejs..., ui traj tu du agriment... jessss".

Shumë nga ju lexuesit pasionantë të gazetës “Koha Ditore” mund ta keni humbur rastin e shumë qëndrimeve të mia të ndryshme diplomatike në Facebook nga e kaluara ime e bujshme diplomatike. Kohë pas kohësh unë mund të përdor ndonjërën nga ato nëse do të ndërlidhej me ndonjë kabllogram të rastit për Ditarin tim.

Gjatë takimeve të presidentëve Vuçiq dhe Thaçi në Vjenë më është kujtuar njëri nga ata kabllogram nga e kaluara, në të cilin pata thënë: “Populli antik grek e pati Kalin e Trojës, ndërsa populli modern pellazg e ka Kalin e Burojës”.

Si “historian” profesionist që është El Presidente Serpiente sigurisht se e di rolin e “Kalit të Trojës” në historinë e lashtë antike greke, prandaj edhe analogjia ime diplomatike.

T’i kthehem temës. U takuan pra dy burrështetasit në Vjenë. Po bëjnë korrigjime kufijsh. U mbajt edhe konferenca për shtyp, për gazetarët. Disa nga pyetjet iu drejtuan edhe presidentit Thaçi dhe “Ui ar not problematik gejs ..., ui traj tu du agriment...jessss" ... e merr burri i dheut të përgjigjet me një gjuhë angleze të Tarzanit. Po qysh bre president ashtu? Po djali i Abazit dy vjet e shikoi “Chuffo Channel” edhe po e flet anglishten veshët me t’i kënaqë. Ti bre qe 20 vjet po takohesh me alamet burra e gra nëpër dynja, e qe besa më shumë je në Bruksel duke porositur kallamari e pemë të tjera deti, sesa që je në shtëpinë tënde, e anglishtja hala të ka mbetur në nivelin e Tarzanit. Unë desha me kopë kur e dëgjova Vuçiqin mbas teje. Elokuent, dhe me një gjuhë angleze admiruese superiore. Ti i “yni” president si Monti Pitoni, (gjarpër edhe ai) ashtu qysh ne të marrim qesharak, ashtu të morën edhe gazetarët që ia krisën së qeshurit. Mos iu beso bre shumë atyre që po të rrahin në krahë e po të thonë “shef e ki kallë”. Kthehemi te deklarata juaj. Prapë si në rastin e jahtit, unë assesi nuk do të përzihem në preferencat dhe orientimin tënd personal, atë e ke të garantuar me Kushtetutë si qytetar i Kosovës kështu që nuk e pate të nevojshme ta deklaroje atë gjë fare, mbetet në diskrecionin tuaj si të rritur dhe të vetëdijshëm për marrëveshjen të cilën dëshironi ta arrini. Ne ju dëshirojmë argëtim të mirë dhe të këndshëm. Mirëpo, fakti se ti je duke menduar se je duke negociuar për korrigjime kufijsh me një shtet, i cili as nuk të njeh, ka kryer krime gjenocidale ndaj popullit tënd, krime ekonomike ndaj vendit tënd, të bllokon në secilën instancë ndërkombëtare kudo që t’i jepet mundësia, as edhe një lloj kërkimfaljeje formale për të gjitha këto nuk kishte qe 20 vjet për të bëmat e 30+ vjetëve. Këtu e kam një lajm për ty president. Këtë aventurë tënden (jo atë personalen me Vuçiqin, sepse atë ta garanton Kushtetuta), por këtë aventurë në emër të Kosovës, aty je duke e shkelur Kushtetutën me dy duar e dy këmbë! ... Prit! ... Po gjarpri nuk ka as duar e as këmbë! Po pra, ti je shtri përmbi Kushtetutë dhe po të lejuam, fakturra e radhës do t’na qiste në dy gjunjë ...

Për fund do të dëshiroja që nëpërmjet Ditarit tim t’ua tregoja një anekdotë në lidhje me gjarprin. Anekdotë?!? Po çfarë anekdote. Juve ju nevojitet t’ua tregoj një antidotë kundër gjarprit. Antidota kundër helmimeve të gjarprit assesi s’kanë me qenë qëndrimet e mia diplomatike në Facebook, as Ditari im i publikuar në “Kohën Ditore”, antidota e vetme është vetëdijesimi i partive politike për rrezikshmërinë e këtij njeriu dhe ndaljen e tij në mënyrë ligjore, institucionale apo edhe vetëdijesimin e popullit dhe daljen e tij në rrugë, gjithashtu diçka ligjore dhe e garantuar me Kushtetutë. Cilado nga dy opsionet e lartpërmendura janë antidotat e vetme. Anekdotën ua tregoj me ndonjë rast tjetër.