Për qytetarët e vendeve të rajonit shembulli i Kroacisë do të duhej të shërbente si dëshmi se me anëtarësim në BE, ndonëse krijohen kushte më të mira për zhvillim ekonomik, nuk zgjidhen me automatizëm të gjitha problemet. Kroacia sot, krahasuar me mesataren e BE-së, është më e varfër sesa kur ishte jashtë. Por një gjë kroatët duhet ta kenë parasysh: po të mos kishin hyrë në BE para 5 vjetësh kushedi se sa do të prisnin.
Më 1 korrik janë mbushur plot pesë vjet që kur Kroacia është bërë formalisht anëtare e 28-të e Bashkimit Evropian. Në urimin e tij për këtë përvjetor, presidenti i Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker, ka thënë se ai tashmë edhe ka harruar se kur ka qenë BE-ja pa Kroacinë dhe aq shumë është adaptuar në këtë situatë, saqë nuk do të donte t’i mungonte BE-së një komb i tillë.
Ky përvjetor i anëtarësimit të Kroacisë në BE ka shërbyer që në Kroaci të bëhen analiza se a e ka shfrytëzuar vendi sa duhet anëtarësinë në BE dhe a janë nxjerrë dobi sa duhet. Nëse pyeten qytetarët, atëherë shumica e tyre shprehen se nuk kanë ndier ndonjë ndryshim në pesë vjetët e fundit. Pak a shumë përqindja e njëjtë është e atyre që mendojnë se Kroacia ka pasur dobi dhe e atyre që mendojnë se nga anëtarësimi në BE Kroacia ka pasur pasoja negative.
Nga ana e BE-së dhe shtetet e rajonit të Ballkanit bëhen analiza se si ka shkuar procesi i zgjerimit pas anëtarësimit të Kroacisë dhe çfarë mësimesh ka nxjerrë BE-ja nga ky proces.
Për qytetarët e vendeve të rajonit shembulli i Kroacisë do të duhej të shërbnte si dëshmi se me anëtarësim në BE, ndonëse krijohen kushte më të mira për zhvillim ekonomik, nuk zgjidhen me automatizëm të gjitha problemet. Kroacia sot, krahasuar me mesataren e BE-së, është më e varfër sesa kur ishte jashtë. Por një gjë kroatët duhet ta kenë parasysh: po të mos kishin hyrë në BE para 5 vjetësh, kushedi se sa do të prisnin.
Kur kishte hyrë në BE, Kroacia ishte në recesion ekonomik, me papunësi afro 18 për qind, me deficit të tepruar buxhetor dhe me rritje të shpejtë të borxhit publik. Ndërkohë, duke shfrytëzuar fondet e BE-së dhe rritjen e bilancit tregtar, Kroacia ka arritur ta tejkalojë këtë situatë. Nuk ka më deficit të tepruar, por suficit, papunësia ka rënë në nivel rekord nën 9 për qind. Qytetarët e saj kanë gëzuar lirinë e lëvizjes, por edhe lirinë e lëvizjes së punëtorëve. Kjo ka qenë një thikë me dy tehe, sepse ndërkohë që ka ndikuar shumë në uljen e papunësisë në Kroaci, largimi i numrit të madh të kroatëve për t’u punësuar në vendet e tjera të BE-së ka shkaktuar një krizë të madhe demografike dhe e ka sjellë për herë të parë numrin e banorëve të Kroacisë nën 4 milionë. Ky eksod i ka goditur sidomos disa rajone të Kroacisë. Prandaj tash prioritet i Qeverisë kroate është që të ndalë këtë valë të largimit të të rinjve dhe të gjejë fuqi punëtore në vendet jashtë BE-së.
Kroacia e kishte rrugën shumë të gjatë dhe të mundimshme drejt BE-së. Ndaj saj Bashkimi Evropian ishte shumë më i ashpër sesa ndaj vendeve që hynë në BE para Kroacisë. BE-ja nuk donte që me Kroacinë të bëheshin lëshimet që besonte se i kishte bërë në rastin e Bullgarisë dhe Rumanisë, dy shtete që ende kanë monitorim të detyrueshëm të BE-së në fushën e rendit dhe ligjit. Kroacia kishte kërkuar anëtarësim në BE në pranverën e vitit 2003 dhe ishte bërë anëtare e BE-së dhjetë vjet më vonë.
Po shembulli i Kroacisë për vendet e rajonit mund të jetë edhe inkurajim, edhe vërejtje. Inkurajim, sepse dëshmon se sado e gjatë dhe e mundimshme të jetë rruga, në fund është e mundshme që të bëhen anëtare të BE-së. Por vërejtje mund të jetë për të dëshmuar se në këtë rrugëtim nuk ka garanci dhe ka shumë pengesa, edhe objektive, edhe politike pa asnjë arsye. Pas Kroacisë tashmë po dëshmohet se vendet e tjera që duan të bëhen anëtare të BE-së e kanë rrugën edhe më të gjatë dhe më të vështirë sesa e kishte Kroacia.
Se vazhdimi i procesit të zgjerimit të BE-së është mjaft i vështirë dëshmoi edhe takimi i fundit i Këshillit të çështjeve të përgjithshme, që në nivel të ministrave të vendeve anëtare u zhvillua në Luksemburg javën e shkuar. Në rend dite ishin konkluzionet për zgjerimin dhe për Procesin e Stabilizim Asocimit, për të cilat nuk ishte shumë e vështirë të binin dakord. Por problemi më i madh ishte të vendosej për rekomandimin e Komisionit Evropian për t’i hapur negociatat e anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë, dy vende të cilat, sipas vlerësimit të Komisionit Evropian, i kanë përmbushur kriteret dhe kushtet e parashikuara. Së fundmi, Maqedonia ka arritur edhe marrëveshjen për zgjidhjen e mospajtimeve për çështjen e emrit me Greqinë, ndërsa Shqipëria ka arritur përparim në reformën e drejtësisë. Por jo të gjitha vendet anëtare kanë pranuar që në këtë takim të merret vendimi përfundimtar për hapjen e negociatave.
Në vend të një date, qoftë edhe të kushtëzuar, për nisjen e negociatave, BE-ja ka dalë me një formulim se “do të hapë rrugën drejt nisjes së negociatave” dhe atë pas zgjedhjeve për Parlamentin Evropian. Kjo ka dalë të jetë maksimumi për çfarë kanë mundur të pajtohen ministrat e BE-së në takimin e tyre në Luksemburg, dhe këtë e kanë miratuar edhe shefat e shteteve dhe të qeverive në samitin e tyre të fundit në Bruksel. Qëndrim të ashpër kundër hapjes së negociatave kanë pasur Franca dhe Holanda, përderisa Gjermania e ka mbështetur hapjen e negociatave. Siç ndodh zakonisht, në BE fitojnë ata që janë kundër. Kështu që, me kërkesë të Francës dhe Holandës, Shqipërisë dhe Maqedonisë u janë dhënë disa kushte dhe u është lënë bindja se, nëse do t’i përmbushin ato, mund të nisin negociatat diku në fund të vitit që vjen. Gjithsesi kjo mund të quhet si një porosi pozitive, por jo edhe vendim çfarë pritej, e ai do të ishte vendimi i nisjes së negociatave.
Pas anëtarësimit të Kroacisë në BE, vullneti i Bashkimit Evropian për t’u zgjeruar edhe më tej është zvogëluar. BE-ja po përballet me problemet e brendshme dhe ka shembuj se si disa vende të reja, si Polonia dhe Hungaria, pasi janë bërë anëtare të BE-së tash kanë shënuar një largim nga respektimi i atyre që quhen vlera evropiane. Për të dyja këto shtete Brukseli thotë se janë në rrezik të shkeljes së parimeve themelore të sundimit të ligjit. Pra, ka vende anëtare të BE-së të cilat nuk e bëjnë atë që BE-ja kërkon nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Kjo kurrsesi nuk do të duhej të ishte argument për vendet e BE-së. Sepse në BE pikërisht këtë e përmendin si argument kundër zgjerimit, apo së paku janë skeptikë në këtë proces.
© KOHA Ditore