Çfarë duhet apo mund të dëgjosh pasi ke parë kampet e përqendrimit? Reporteri i luftës nga Bosnja, Ed Vulliamy, ka shkruar një libër me vlerë mbi muzikën si ilaç kundër tmerreve
Sa herë që shkon në Sarajevë, Ed Vulliamy pritet si hero. Sepse Ed Vulliamy është hero – i së vërtetës, i hulumtimit këmbëngulës, i etikës publicistike. Kur para një çerekshekulli Bosnja u ballafaqua me agresionin serb, gazetari britanik ishte ndër të parët që alarmoi botën përmes «Guardianit» të Londrës. Ai zbuloi kampet e përqendrimit, ku forcat serbe mbanin qindra boshnjakë të zënë rob. Falë punës së tij bota mësoi për kampin e Omarskës në Bosnjë. Ed Vulliamy qëndroi në Bosnjë gjatë luftës për hir të njerëzve të mirë, siç ka thënë në një intervistë për Radio Sarajevën.
Për shkak të punës së tij tejet efektive në informimin e botës mbi mizoritë në Ballkan në vitet ‘90, gazetari nga Londra ka qenë në shënjestër të propagandistëve serbë, të cilët janë munduar ta diskreditojnë, duke e quajtur të njëanshëm. Ed Vulliamy ka shkruar një libër mbi vuajtjen e njerëzve në Bosnjë («Lufta ka vdekur, rroftë lufta»), ai ka qenë dëshmitar në disa procese gjyqësore në Hagë kundër kriminelëve serbë të luftës, dhe ende komenton zhvillimet në rajon.
Kur para një viti Tribunali i Hagës e dënoi me burg të përjetshëm Ratko Mlladiqin, Ed Vulliamy shkroi në «Guardian» se gjenerali serb do të vdesë në burg, por kush e viziton sot Bosnjën e vëren se ai ka fituar. Në intervistën për Radio Sarajevën Vulliamy tregon se qëndrimi gjatë luftës në Bosnjë i ka lënë shumë pasoja për shkak të stresit që ka përjetuar.
Së fundi ky gazetar britanik ka botuar librin «Kur dështojnë fjalët. Një jetë me muzikë, luftë dhe paqe» (When words fail. A Life with Music, War and Peace»), në të cilin tregon se çfarë roli ka luajtur muzika në jetën e tij (sidomos profesionale) si gazetar. Pasi në fillim të viteve ‘90 ai kishte «nderin e mallkuar» të zbulojë kampet e përqendrimit në Bosnjë, Vulliamy dhe kolegët e tij gjatë rrugës nga Bosnja për në Beograd kishin kënduar me krejt shpirtin këngë nga albumi «Sgt. Pepper’s Lonely Hearts Club Band» të The Beatles. Disi duhej mbytur heshtjen, disi duhej shporrur përshtypjet nga kampi në Omarska. «Kjo mund të duket e pavend apo madje edhe banale, por në Bosnjë shpejt kuptova se shkatërrimet e shumta të shkaktuara nga lufta nuk mund ta ndalin muzikën», shkruan autori.
Libri është një përpjekje fisnike për të treguar se muzika nuk i shërben njeriut vetëm për dëfrim, por mund të jetë edhe ilaç kundër tmerrit. Gjatë karrierës së tij si gazetar, njofton Vulliamy, shoqërues tingullor të tij kanë qenë Shostakoviqi dhe Schuberti, muzika tradicionale irlandeze, «Kashmir» i Led Zeppelin, një këngë që e kishte dëgjuar në mënyrë intensive, ndërsa po raportonte nga Iraku në vitin 2003. Por një reporter lufte nuk mund të dëgjojë vetëm muzikën që i pëlqen. Nganjëherë detyrohet të dëgjojë edhe muzikën e të tjerëve, për shembull të palëve në konflikt. Në librin e tij Ed Vulliamy merret edhe me folk-muzikën ballkanike.
Një pjesë të konsiderueshme të librit e përbëjnë edhe bisedat me pianistin dhe dirigjentin hebraik Daniel Barenboim, i cili me orkestrën e tij arabo-izraelite përpiqet të japë një kontribut muzikor për pajtim mes dy popujve, rrjedhimisht orkestra e Barenboim mban emrin «West-Eeastern Divan Orchestra», pastaj me themeluesin e bendit britanik «Hawkwind», Dave Brock, me këngëtaren amerikane Joan Baez, e cila ishte ndër artistet e para që më 1993 erdhi në Sarajevën e rrethuar nga forcat serbe dhe performoi me muzikantë vendorë. Të këndosh këngë të The Beatles gjatë luftës në Bosnjë ka qenë «përgjigjja e vetme e duhur», shkruan Ed Vulliamy.
Ai nënvizon se të drejtat e njeriut mund të kenë origjinën politike nga libri «Rights of Man» të Thomas Paine dhe nga Revolucioni Francez, por «gjenet e tyre morale» burojnë edhe nga muzika e Giuseppe Verdit. Në librin e tij të famshëm të botuar më 1791 Thomas Paine shkruan se revolucioni popullor është i lejueshëm nëse Qeveria nuk arrin të sigurojë të drejtat natyrore të njerëzve. Paine u dënua me varje për shkak të rebelimit kundër kurorës britanike, ndërsa libri i tij u ndalua. Por, Paine i shpëtoi ekzekutimit, sepse pak para procesit udhëtoi në Paris, ku revolucionarët e pritën me entuziazëm dhe e shpallën qytetar nderi të Francës. Me ftesë të presidentit amerikan Thomas Jefferson, Thomas Paine shkoi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku e priti urrejtja e fanatikëve. Paine angazhohej për barazi shoqërore, për të drejtat e grave dhe kundër skllavërisë.
Duke lexuar librin e Ed Vulliamy hapen shumë horizonte – jo vetëm për rolin e muzikës në jetën e një reporteri të luftës, por edhe shtigje për të gjurmuar pastaj biografinë e një personaliteti si Thomas Paine, të cilin 100 vjet pas vdekjes presidenti Theodore Roosevelt e kishte fyer si «ateist i vogël dhe i ndyrë». Por, përkrahësit e Thomas Paine janë më të shumtë, mes tyre dallojnë: shkrimtari gjerman Georg Büchner, presidenti amerikan Abraham Lincoln, poeti amerikan Walt Whitman, zbuluesi Thomas A. Edison, filozofi anglez Bertrand Russell, kryeministri i parë i Indisë, Jawaharlal Nehru, presidentët amerikanë Ronald Reagan dhe Barack Obama. Kjo është cilësia e librave të mirë: ato dinë ta çojnë lexuesin nga kampi i Omarskës te muzika e The Beatles, dhe ta shtyjnë të interesohet sërish për Thomas Paine.