OpEd

Kur është fjala për para nuk vlejnë as aleancat brenda BE-së

Në pazaret që u bënë mes shteteve të BE-së që sollën deri tek pajtimi për dy paketat kryesore financiare në vlerë prej mbi 1800 miliardë eurosh nuk ka humbës. Se sa janë fitues të vërtetë ata që pretendojnë do të dihet vetëm pas shtatë vjetësh, kur të shihet se sa u kanë ndihmuar miliardat nga këto fonde që të dalin nga kriza dhe të jenë më rezistues ndaj krizave të ardhshme

Ka shumë gjëra që Bashkimi Evropian ka arritur t’i zgjidhë pa pasur nevojë që liderët e vendeve anëtare të takohen sy më sy. Por nuk ishte e mundur që në të njëjtën mënyrë të pajtoheshin edhe për dy mega paketa financiare nga të cilat do të varet ardhmëria e Bashkimit Evropian. Jo vetëm se u desh të shiheshin fizikisht, por edhe samiti i tyre në vend të dy ditëve zgjati pesë ditë. Dhe në fund të martën, herët pak para orës 5 të mëngjesit, në ditën e festës kombëtare të Belgjikës, ish-kryeministri i këtij shteti e tash president i Këshillit Evropian, Charles Michel, me buzëqeshje dhe i relaksuar, përkundër lodhjes, ishte në gjendje të thoshte: “Ia dolëm”. Në këtë mënyrë me sukses përfundoi samiti maratonik i BE-së, duke ia tejkaluar edhe atij të Nices nga viti 2000, i nisur qysh në mëngjesin e së premtes, më 17 korrik.

Kështu, në fund liderët e 27 shteteve anëtare, për herë të parë pa Britaninë e Madhe, ranë dakord për dy paketa të mëdha financiare. E para është Korniza shumëvjeçare financiare për periudhën nga viti 2021 deri në vitin 2027 në vlerë prej 1,074 miliardë eurosh dhe e dyta është paketa e instrumenteve financiare për rimëkëmbje nga pasojat e pandemisë së Coronavirusit në vlerë prej 750 miliardë euro.

Kompromisi nuk ishte i lehtë, sepse para vetëm disa ditësh dukej se edhe ky samiti do të përfundonte pa sukses, madje edhe me një dështim të rrezikshëm që do të thellonte edhe më shumë ndasitë. Vendet anëtare ishin kokëforta në qëndrimet e tyre, disa kërcënonin me veto, të tjerët parashihnin fundin e BE-së, të tjerët bënin thirrje për kompromis. Disa kërkonin më shumë e disa më pak para në buxhet, disa kushte më të ashpra disa më të lehtë për përdorimin e fondeve.

Në fund kompromisi ishte që për fondin e rimëkëmbjes shuma e parave që do të jepet si grante, pa kthesë, të jetë 390 miliardë euro në vend të 500 miliardë eurove, ndërsa shuma e kredive të favorshme të rritet prej 250 në 360 miliardë euro. Gjithsej fondi mbetet 750 miliardë. Në këtë mënyrë të gjithë në fund ishin të kënaqur. Shtetet që kërkonin zvogëlim të fondit mund të thoshin se është zvogëluar pjesa të cilën shtetet nuk duhet ta kthejnë. Ata që kërkonin që të mos zvogëlohej fondi mund të thonë se edhe kreditë e favorshme janë shumë të favorshme, pa interesa, me një afat tejet të gjatë kthimi, dhe se kredi të tilla me aso kushte nuk mund të gjejnë askund në tregjet financiare.

Dallimet më të thella ishin mes shteteve që janë kontribuues të mëdhenj neto në buxhetin e BE-së, që është pagëzuar si “grupi i koprracëve”, që donin më pak para ka kthesë, dhe kushte më të ashpra për përdorimin e tyre. Të kursyera nga Holanda në atë grup ishin edhe Austria, Danimarka dhe Suedia e në fund iu bashkëngjit edhe Finalda. Në anën tjetër ishin shtetet që janë më përfituese nga buxheti dhe ishin më shumë të goditura nga kriza si Italia, Spanja, Greqia, Kroacia dhe të tjerat.

Në mes ishin Gjermania dhe Franca, dy shtetet më të mëdha dhe politikisht më të fuqishme në BE. Edhe pse nuk e kishin krejtësisht të njëjtën qëndrimin, sepse intimisht Gjermania do të ishte më afër shteteve “kursimtare” e Francat “krahut jugor”, të dyja donin sukses medoemos, sepse nuk donin të rrezikohej fati i BE-së. E sidomos Gjermania ishte e interesuar që të përmbyllet me sukses ky samit, sepse dështimi i BE-së në kohën kur atë e kryeson Gjermania nuk do të ishte një porosi e mirë.

Atmosfera në takim ishte aq e rënduar, saqë disa nga liderët kërcënonin se do të largohen nga takimi. Por dështimi nuk ishte opsion. Ai do të kthente pasigurinë në BE dhe do të kishte ndikim negativ edhe në tregje. Besimi në projektin e BE-së do të ishte edhe më shumë i dëmtuar.

Pas kompromisit të gjithë u kthyen nëpër shtëpitë e tyre duke pohuar se kanë fituar. Dhe vërtet ka shumë fitues. Holandës, Austrisë, Danimarkës dhe Suedisë do t’i kthehen disa miliarda euro në vit si “rabat”, për të kompensuar kontributin disproporcional të tyre në buxhetin e përbashkët të BE-së. Holanda përfitoi po ashtu nga vendimi që nga doganat e përbashkëta të BE-së vendi ky hynë mallrat mund të ndalë 25 për qind e jo 15 për qind sa ishte tash. Duke qenë vend ky hyn më së shumti mall në BE, pasi ka dy porte shumë të mëdha Roterdamin dhe Amsterdamin, Holanda do të jetë përfituese e madhe. Dhe ajo mund të quhet pa dyshim fituese nga ky Pazar në BE.

Edhe Franca nuk doli keq, sepse nuk u prek politika e përbashkët bujqësore nga e cila Franca ka shumë përfitime dhe është një prioritet i përhershëm i Francës.

e “krahut jugor” si Spanja, Italia, Greqia dhe Kroacia janë përfitueset e mëdha sepse kanë pasur edhe pasojat më të mëdha ekonomike nga kriza. Kjo krizë më së shumti i ka goditur industritë e turizmit dhe udhëtimeve e këto vende pikërisht në këto fusha e kanë të bazuar më së shumti ekonominë e tyre. Vendet e Evropës Lindore dhe asaj Qendrore dolën fituese, sepse nuk u bë një lidhje e fortë me kushtëzimin e përdorjes së mjeteve me respektimin e sundimit të ligjit. Kushtet do të jenë mjaft të forta, por nuk do të vendoset me konsensus për pagesat nga këto fonde. Po ashtu niveli i bashkëfinancimit nacional do të mbetet 15 për qind e jo të rritet në 30 për qind. Kjo do të thotë se për të përdorur 85 milionë euro për një projekt nga paratë e BE-së një shtet duhet të sigurojë 15 milionë të veta. Po të rritej në 30 për qind do të vështirësohej edhe më shumë kapaciteti i absorbimit të fondeve të BE-së. E këto shtete pikërisht nga fondet e kohezionit marrin më së shumti mjete dhe sigurojnë një burim të madh për investimet publike. Në Kroaci për shembull fondet e BE-së përbëjnë mbi 90 për dind të investimeve publike.

Tash BE-ja ka instrumentet edhe për të filluar rimëkëmbjen nga kriza më e madhe në histori edhe për të zbatuar politikat prioritare për periudhën që fillon nga viti i ri 2021. Fjala është gjithsej për më shumë se 1800 miliardë euro nga të dyja paketat.

Por miratimi i këtyre dy paketave duhet të kalojë edhe nëpër Parlamentin Evropian, edhe në parlamentet kombëtare pasi BE duhet të merr kredi në emër të shteteve anëtare. I tërë procesi duhet të përmbyllet para fundit të vitit në mënyrë që mjetet financiare nga këto dy paketa të jenë në dispozicion nga fillimi i vitit të ri.

Në pazaret që u bënë mes shteteve të BE-së që sollën deri tek pajtimi për dy paketet kryesore financiare në vlerë prej mbi 1800 miliardë eurosh nuk ka humbës. Se sa janë fitues të vërtetë ata që pretendojnë do të dihet vetëm pas shtatë vitesh, kur të shihet se sa u kanë ndihmuar miliardat nga këto fonde që të dalin nga kriza dhe të jenë më rezistues ndaj krizave të ardhshme. Kjo krizë goditi më së shumti shtetet që kishin probleme strukturore të ekonomisë së tyre si Italia, Spanja, Greqia dhe Kroacia. Prandaj edhe shtetet si Holanda dhe Suedia e Danimarka insistonin që paratë nga fondi i rimëkëmbjes të përdorën vetëm për projektet që në mënyrë direkte janë të lidhura me pasojat e krizës së Coronavirusit e jo që kriza të shfrytëzohet për të paguar për gabimet e tyre që ishin bërë më herët.

Pazaret që u bënë gjatë miratimit të këtij buxheti shumëvjeçar dhe fondit të rimëkëmbjes të quajtur “BE e gjeneratës së ardhshme” dëshmuan edhe një herë se kur janë paratë në pyetje, nuk vlejnë as aleancat tradicionale në BE. Dhe nuk vlen as lojaliteti partiak. Kështu, Holanda dhe Austria nuk ishin krah Gjermanisë, siç janë zakonisht në çështjet e tjera. Në Holandë janë në pushtet liberalët por ata u bënë bashkë me Demokristianët në Austri e Suedi dhe me Socialistët në Danimarkë. Socialistët nga Spanja ishin më afër Demokratëve të qendrës së djathtë nga Greqia e Kroacia sesa Socialistëve Danez. Do të ketë në BE tema ku do të lidhen prapë aleancat në grupime të brendshme për interesa të përbashkëta sipas kritereve tjera. Por rasti i mënyrës se si do të mbushet dhe si do të ndahet buxheti i përbashkët ishte një rast i veçantë.