OpEd

Kthimi i Serbisë Millosheviqiane pas 25 vjetësh

Në vend që të ketë festë të madhe në Serbi në shënim të 25-vjetorit të shembjes së diktaturës së Millosheviqit, sot kjo ditë kryesisht ose heshtet, ose shënohet në mënyrë diskrete nga një pakicë ose përmendet nga pushteti dhe mediat dominuese në aspektin negativ. Sot në pushtet, në Serbi, janë ata që ishin pjesë e regjimit të Millosheviqit. BE, e cila para 25 vjetësh besonte se “Serbia e ka lënë të kaluarën e errët dhe i është kthyer të ardhmes së ndritshme evropiane”, tash mbështet pushtetin në Serbi dhe e sheh si “partner të besueshëm”

Para 25 vjetësh besohej se ka ndodhur ndryshimi më dramatik në Serbi, në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe në tërë kontinentin e Evropës. Qytetarët e Serbisë pas protestave masive kishin arritur që nga pushteti të rrezojnë regjimin e Sllobodan Millosheviqit. Serbët e bën këtë për shkak se Millosheviqi ua kishte sjellë izolimin ndërkombëtar, sanksionet, papunësinë masive e ngufatjen e lirisë së shprehjes. Për popujt fqinjë të Serbisë, Millosheviqi ishte ai që i kishte nisur luftërat shkatërruese në Kroaci, Bosnjë-Hercegovinë dhe Kosovë dhe forcat e tij kishin kryer krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid.

Viti 2000 në Evropë ishte vit kur me shpejtësi të madhe po realizohej ideali i ri bashkimit të Evropës. Vendet nga ish-blloku lindor, ai komunist sovjetik, po negocionin anëtarësimin në NATO dhe BE. Perdja e hekurt kishte rënë. Demokracia dhe liria e mediave ishte përhapur edhe në vendet që për gjysmë shekulli ishin nën diktaturën komuniste. I vetmi rajon që nuk u përfshi në këtë proces ishte ai i Ballkanit Perëndimor. Ky rajon akoma po përballej me pasojat e luftërave dhe shkatërrimet fizike, shoqërore dhe ekonomike që kishin lënë ato. Prandaj rrëzimi i Millosheviqit u pa si një kthesë e madhe në tërë kontinentin e Evropës. 

Vetëm disa javë pas rënies së Millosheviqit, në Zagreb të Kroacisë u zhvillua për herë të parë një samit i përbashkët i vendeve të BE-së me ato të Ballkanit Perëndimor. Ai “Samit i Zagrebit” hapi rrugën për integrimin në BE të vendeve të rajonit, ndërsa ishte rast për të festuar edhe rënien e Millosheviqit në Serbi si episodin e fundit të tragjedisë së Ballkanit, të cilën e kishte nisur vetë Millosheviqi me fjalimin në Fushë-Kosovë në vitin 1989, e kishte vazhduar me agresionin në Kroaci, Bosnjë-Hercegovinë dhe Kosovë, duke përfunduar më 5 tetor të vitit 2000 pas protestave në Beograd.

Edhe pse në vjeshtën e vitit 2000 kishte akoma shumë çështje të pazgjidhura, nga statusi i Kosovës, fati i unionit mes Serbisë dhe Malit të Zi, problemet e brendshme në Bosnjë-Hercegovinë, fati i shumë të pagjeturve që ishin zhdukur gjatë luftës, besohej se rajoni do ta kapë hapin me vendet e tjera dhe t’i bashkohet BE-së.

Askush nuk ka besuar se 25 vjet pas kësaj vetëm një vend i rajonit, Kroacia, do të bëhej anëtare e BE-së, e aq më pak se në Serbi në pushtet do të kthehen ish-bashkëpunëtorët më të ngushtë të Millosheviqit.

Sot në Serbi, në mediat kryesore dominon retorika e periudhës së Millosheviqit, gjuha nxitëse kundër shqiptarëve të Kosovës, pastaj Kroacisë dhe Perëndimit. 

Perëdimi po akuzohet se po organizon “Revolucionin e ngjyrosur” për të rrëzuar pushtetin dhe për të instaluar një “qeveri kukull e cila do të vepronte sipas diktatit të gazdallarëve të huaj”. 

Mysafirët e preferuar nëpër media janë kriminelët e dënuar të luftës Vojisllav Sheshelj, Veselin Shljivançanin dhe të tjerë. Sikur në kohën e Millosheviqit zhvillohet një linç kundër “armiqve të brendshëm dhe të jashtëm”, ndërkohë që mohohet çfarëdo përgjegjësie e Serbisë për krimet që janë bërë në periudhën e luftës.                    

Sot edhe shumica e madhe e mediave në Serbi kujtojnë më shumë 5 tetorin e vitit 2000 si një ngjarje negative sesa pozitive. E quajnë si “dita më e zezë në historinë e Serbisë”.

Për shembull. portali “B92”, i cili në vitin 2000 ishte ndër mediat më të besueshme dhe aktive në mbështetje të transformimit demokratik të Serbisë dhe rrëzimit të regjimit të Millosheviqit, sot shkruan se ngjarjet e 5 tetorit 2000 ishin një “lojë perverse e Perëndimit”, ndërsa “Presidenti Millosheviq dhe heronjtë e shumtë serbë pamëshirshëm iu dorëzuan gjykatës politike për serbët në Hagë”. 

Në vend që të ketë festë të madhe në Serbi në shënim të 25-vjetorit të shembjes së diktaturës së Millosheviqit, sot kjo ditë kryesisht ose heshtet, ose shënohet në mënyrë diskrete nga një pakicë, ose përmendet nga pushteti dhe mediat dominuese në aspektin negativ. Sot në pushtet në Serbi janë ata që ishin pjesë e regjimit të Millosheviqit. BE, e cila para 25 vjetësh besonte se “Serbia e ka lënë të kaluarën e errët dhe i është kthyer të ardhmes së ndritshme Evropiane”, tash mbështet pushtetin në Serbi dhe e sheh si “partner të besueshëm”.   

BE-ja hesht kur presidenti i sotëm i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e quan Millosheviqin “lider të madh”, kur partneri kryesorë në koalicionin qeverisë, Partia Socialiste e Serbisë, thotë se “Millosheviqi ishte viktima e parë e revolucionit të ngjyrosur”, kur Ivica Daçiq kërcënon ata në Serbi që flasin për varrezat masive në Serbi ku janë kufomat e shqiptarëve dhe kroatëve. Partitë, të cilat promovojnë kriminelët e dënuar të luftës, të cilat mburren me lidhjet dhe me shërbimet e zbulimit të Rusisë, janë anëtare të grupimeve kryesore të partive evropiane. Sot as BE-ja nuk ka lider me ideale dhe vizion çfarë kishte në vitin 2000. Vlerat demokratike janë reduktuar edhe në BE, ndërsa regjimet autoritare janë bërë partnerë të pranueshëm edhe për Bashkimin Evropian.

Entuziazëm për BE-në nuk ka më as në Serbi. Në Serbi vetëm 38 për qind kanë mendim pozitiv për BE-në. Qytetarët e Serbisë shumë më tepër kanë besim në Rusinë dhe Kinën sesa në BE-në. BE-së i besojnë  vetëm 38 për qind, ndërsa Rusisë 59 për qind e Kinës 57 për qind. Besimi ndaj Rusisë është shumë më i madh sesa mbështetja për pushtetin e Vuçiqit, që do të thotë se shumë prej atyre të cilët protestojnë sot kundër Vuçiqit nuk kanë me orientim proevropian. Një Serbi e tillë sot është më larg nga Serbia evropiane dhe më shumë një Serbi Millosheviqiane, për të cilën besohej se kishte përfunduar para një çerek shekulli.