Edhe nëse opozita fiton në Serbi, trashëgimia ideologjike e Kishës, e Akademisë dhe e strukturave të thella mbeten konstante – dhe Kosova vazhdon të shërbejë si instrument politik, fetar e ekonomik në strategjitë e Beogradit
Fadil Maloku
1. Meqë në Serbi po vazhdojnë pa ndalur “betejat” e bllokuesve (“blokaderi”, si i ka identifikuar pushteti) kundër autoritarizmit, krimit të organizuar dhe korrupsionit kulmor, e sidomos kundër vjedhjes së votave, gjykoj se është e udhës të merremi pak a shumë edhe me disa skenarë hipotetikë, se; nëse opozita serbe arrin të marrë pushtetin, cili do të ishte qëndrimi i saj ndaj idesë së “ripushtimit” të Kosovës – një term i shpikur dhe i ushqyer kahmoti nga Kisha Ortodokse Serbe dhe nga rrymat radikale politike që e përkrahin Vuçiqin, si pjesë e luftës hibride ndaj Kosovës.
Shikuar nga këndvështrimi sociologjik, fitorja eventuale e opozitës në rrethanat e tanishme gjeopolitike nuk mendoj se e garanton domosdoshmërish zbutjen e qasjes së tyre ndaj Kosovës. Mund të ndodhë ndoshta ndonjë ndryshim kozmetik në stil e në formë, por jo detyrimisht edhe në përmbajtje. Themi kështu, përveç tjerash, se; retorika e “ripushtimit” fillimisht mund të zbutet për të krijuar një përshtypje pozitive e lojaliteti në sytë e Uashingtonit dhe Brukselit, por synimi për mosnjohje të pavarësisë, jam shumë i bindur se do të mbetet pezull dhe konstant edhe për një kohë të gjatë.
Pse e themi këtë? Arsyet mund të jenë shumta, por gjithsesi arsyeja fondamentale mbetet dhe ndërlidhet me përpjekjet e Serbisë për t’i kamufluar ambiciet dhe për të fituar kohë në funksion të një stabilizimi të brendshëm që për synim ka përqendrimin tek reformat. Një stabilitet i tillë do ta reduktonte përkohësisht “nevojën” për tensione të jashtme, që deri më tani janë përdorur shumë herë si instrument (i efektshëm!) manipulimi politik. Tani, nëse kthehemi në retrospektivë, kuptojmë se zgjedhjet e fundit në Serbi, ndonëse sollën një fitore simbolike të opozitës në disa njësi kyçe administrative, ato nga shumë analistë – vendas dhe ndërkombëtarë – u interpretuan si shenja për një ndryshim të mundshëm të pushtetit.
2. Megjithatë, presidenti Aleksandër Vuçiq, falë mbështetjes së mediave të kontrolluara, të shërbimeve sekrete dhe të rrjeteve oligarkike të afërta me pushtetin e tij tipik populist dhe në sinkron me Rusinë, arriti që ta ruajë ndikimin dhe ta vazhdojë me sukses politikën agresive ndaj Kosovës, qoftë edhe në mënyrë joformale. Por, nëse marrim parasysh që çështja e Kosovës, gjatë gjithë historisë së saj, ka qenë ndër temat më mobilizuese, më homogjenizuese dhe më instrumentalizuese në gjithë politikën e brendshme serbe, atëherë nuk përjashtohet mundësia që ajo të mbetet edhe më tej një platformë e ripërsëritur unifikuese për të gjitha ngjyrimet ideologjike post-Vuçiq. Madje edhe në rast të fitores së një opozite të ashtuquajtur pro-perëndimore. Ngase në Serbi, pavarësisht ndryshimeve mes qendrës liberale dhe së djathtës nacionaliste, qëndrimi ndaj pavarësisë së Kosovës ka qenë dhe do të mbetet gjithnjë një “vijë e kuqe” dhe e paprekshme për shumicën e partive!
Në këtë kontekst, mund të pritet që një opozitë më liberale e më pro-evropiane ta zbusë deri diku diskursin publik ndaj Kosovës, madje edhe ta riformulojë sipas pritjeve të (“suflerave”) BE-së dhe SHBA-së. Mirëpo, kjo nuk e nënkupton ndonjë ndryshim thelbësor dhe radikal, sepse edhe Vuçiqi për vite të tëra është shtirur se e ndjek një “kurs” liberal e pro-evropian, ndërsa në praktikë nuk ka realizuar pothuajse asnjë nga premtimet e dhëna burokratëve evropianë.
3. Një tjetër arsye përse edhe opozita mund të përçojë një linjë të ngjashme me Vuçiqin ka të bëjë me nevojën që t’i shmanget akuzave për tradhti e që në Serbi shumë liderëve u ka shkuar edhe koka (rasti më i freskët ai i kryeministrit, Zoran Gjingjiq). Kjo “traditë” dhe përvojë sociologjike në një mënyrë e “obligon” dhe e detyron edhe opozitën e tanishme që ta ruajë fillimisht një qëndrim të ftohtë e të distancuar ndaj realitetit të shtetësisë së Kosovës. Vetëm e vetëm që ta përdor më pas këtë temë si një kapital politik domethënës dhe me peshë të ekuilibruar brenda vendit. Në fund të fundit, këtë “film” tashmë e kemi parë dhe e kemi “shijuar” pas rënies së Millosheviqit – si në Kosovë, ashtu edhe në Bruksel dhe në Uashington. Për këto arsye, në vend të një optimizmi të tepruar, Kosova – së bashku me Brukselin dhe me Uashingtonin – duhet të mbeten realiste dhe të përgatitura për kurthet dhe djallëzitë e sofistikuara serbe. Në fakt, opozita serbe mund ta ndryshojë përkohësisht gjuhën e saj për të fituar pushtetin, por shteti serb, shoqëria serbe dhe veçanërisht ASSHA-ja (Akademia serbe e Shkencave dhe Arteve), si dhe Kisha Ortodokse Serbe (si Piemont i nacionalizmit etnik dhe ekstremizmit fetar), do vazhdojnë pa asnjë dyshim që të mbesin ajo bërthama ideologjike e projektit të njohur të “ripushtimit” të Kosovës – për qëllime fetare, politike dhe ekonomike. Kështu, rreziku i përdorimit të Kosovës si armë politike (për pushtet, e besa edhe për shtet!), si simbol fetar (“djepi i serbizmit”) dhe si pasuri ekonomike (nëntoka tejet e pasur), mbetet real dhe i manipulueshëm edhe në të ardhmen. Andaj, Kosova e sidomos Shqipëria duhet t’i kenë të gatshme si përgjigjet adekuate strategjike ndaj këtyre zhvillimeve dinamike, ashtu edhe skenarët hipotetikë për këto ndryshime që po i presin i gjithë rajoni, bashkë me Washingtonin dhe Brukselin.
Ndryshe, kjo situatë dramatike midis qeveritarëve të korruptuar të Vuçiqit dhe opozitarëve që po e shpresojnë demokratizimin dhe integrimin në BE, Kosova mund të shërbej lehtësisht (ashtu sikurse në vitin 1999) si karrem, si faktor e “defibrilator” që shkakton “tronditje” të thella politike kur është në pyetje ndërrimi dhe “mirëmbajtja” e pushteteve…
Kosova shihet si një faktor që shkakton një “tronditje” të fortë politike, duke “gjallëruar” krizën në Serbi.