Kanë kaluar rreth dy muaj prej kur Organizata Botërore e Shëndetësisë, më 11 mars, shpalli shpërthimin e koronavirusit, i njohur edhe si COVID-19, si pandemi me përmasa globale. Në atë kohë numri i të infektuarve në të gjithë botën ishte rreth 120.000 dhe të vdekur ishin mbi 4.000 prej tyre. Kosova asokohe nuk kishte asnjë rast të prekur nga ky virus, ose së paku jo të regjistruar zyrtarisht. Ndërkohë, gjendja u përkeqësua dukshëm duke tejkaluar shifrën prej mbi 4 milionë të infektuarve dhe gati 300.000 të vdekurve nga ky virus në tërë botën. Fatmirësisht, edhe numri i pacientëve të shëruar është duke shënuar rritje vazhdimisht. Ndërsa në Kosovë, gjendja si duket ka filluar të përmirësohet, meqë lakorja e rasteve të infektuar ka rënie të vazhdueshme. Mirëpo, gjendja po ndryshon nga çasti në çast dhe këto të dhëna mund edhe të përshkallëzohen.
Sikurse edhe në shumicën e shteteve tjera, edhe Kosova ndërmori masa emergjente e shumëdimensionale, për të parandaluar përhapjen dhe kështu luftuar pandeminë. Sipas shumë ekspertëve mjekësorë, këto masa kanë dhënë rezultate pozitive, duke e renditur Kosovën ndër vendet me më së paku të prekur dhe viktima nga virusi. Megjithëkëtë, kjo nuk do të thotë që gjendja është tërësisht nën kontroll e as që Kosova nuk do të ndikohet në aspektin ekonomik, social dhe politik nga kjo pandemi.
Derisa për kostot dhe pasojat e gjithëmbarshme ekonomike janë duke u marrë masat e duhura nga shumë qeveri botërore, përfshirë këtu edhe Qeverinë e Kosovës, për pasojat shoqërore dhe ndryshimet politike që mund t’i sjellë kjo krizë shumë pak është diskutuar deri më tani. Gjë që nuk do të thotë se duhet heshtur dhe se nuk duhet ndërmarrë asgjë më tutje. Përkundrazi, bota po ndryshon dhe politika do të pësojë shumë me pasoja më afatgjate në epokën e ‘pas-pandemisë’.
Veçanërisht kur qytetarët e Kosovës iu nënshtruan edhe një traume shtesë kolektive, me rastin e rrëzimit të qeverisë nga mocioni i mosbesimit në Kuvend, pikërisht në kulmin e rrezikut nga koronavirusi. Kështu, përplasjet për pushtet dhe rivaliteti politik mes partive nuk pushuan as në këtë situatë emergjente, duke i irrituar qytetarët skajshmërish me udhëheqësit aktualë politikë e partiakë. Të gjitha këto drama tragjikomike e veprime të liga vështirë është të kalojnë pa konsekuenca në skenën partiake dhe zhvillimet politike.
Prandaj, do të përpiqem të ofroj një analizë prospektive, duke qenë i vetëdijshëm se një prognozë e tillë mund të jetë e kufizuar pasi që ka mjaft të panjohura, si rrjedhojë e dëmeve dhe viktimave që do të sjellë pandemia në muajt në vijim si dhe ndryshimeve gjeostrategjike që mund të shkaktohen nga situatat e krijuara. Sidoqoftë, më poshtë, në vija trasha, do të përmbledh disa nga ndikimet e pandemisë në ndryshimet politike në Kosovë.
Pikësëpari, kjo situatë do të ketë reperkusione në zbehjen e përkrahjes dhe besueshmërisë ndaj politikanëve aktualë, veçanërisht ndaj liderëve partiakë e udhëheqësve institucionalë. Kjo do të ndikojë edhe në ndryshimin e konstilacioneve politike në vend dhe, si rrjedhojë, qeveri çdoherë e më jostabile e jetëshkurtra.
ekonomike, sidomos në sektorin privat, do të shtojë nevojën për ndërhyrje e veprime më të mëdha shtetërore dhe kjo mund të çojë në politika më intervencioniste si dhe fillimin e fundit të liberalizmit ekonomik ashtu siç e njohëm deri më tani. Pastaj, kërkesat për shërbime dhe kushte më të mira në shëndetësi dhe arsim do të rriten vazhdimisht, duke ndikuar që edhe nevoja për përmirësime e reformime strukturale në sektorë tjerë publikë të hyjnë në agjenda të vendimmarrësve gjithnjë e më shumë. Kjo do të thotë se një lloj ‘vettingu’, jo vetëm në sistemin e drejtësisë, por në edhe administratë dhe sektorë tjerë do të jetë më se i domosdoshëm. Duke shtyrë nevojën për reforma jo fort popullore, gjë e cila do të rrisë po ashtu nevojën për përfshirje të kuadrove kompetente e profesionale në politikëbërje.
Gjithashtu, polarizimet politike do të shtohen si pasojë e ndryshimeve ekonomike e sociale në periudhën e pas-pandemisë. Përfshirë me këtë edhe rritjen e toneve populliste, të shpërfaqura sidomos në formën e një diskursi politik anti-elitë dhe përjashtuese. Gjuha politike do të ashpërsohet duke thelluar dallimet jo vetëm ndërmjet subjekteve, por duke nxitur edhe çarje (cleavage) të konsiderueshme partiako-politike brenda shoqërisë. Pjesa dërmuese e mediumeve, e me këtë edhe ‘analistëve’, do të instrumentalizohen tutje dhe do të vihen në shërbim të taborëve të caktuar politikë dhe para-politikë.
Në anën tjetër, sikurse edhe çdo krizë që është edhe një shans, edhe kjo kriza e koronavirusit paraqet një dritare mundësish për krijimin dhe ngritjen e një lidershipi të ri politik, i cili do të sfidojë dhe tejkalojë nomenklaturat ekzistuese. Kjo do të ishte e mundur jo vetëm sepse legjitimiteti i lidershipit të tanishëm ka pësuar tej mase në popullaritet e besueshmëri, por edhe sepse demokracia do të fitojë një kualitet dhe trajtë krejtësisht të re. Nisur nga digjitalizimi i intensifikuar në të gjitha sferat e jetës, duke ndikuar kështu edhe në ndryshime holistike, si në informim, komunikim dhe marrëdhëniet ndërshoqërore, ashtu edhe në angazhimin politik dhe raportin e politikanëve me votuesit. Në këtë kontekst, mediat do të diversifikohen ndërsa rrjetet sociale do të jenë më ndikuese në opinionin publik. Gjithashtu do të rritet kërkesa për transparencë e llogaridhënia karshi politikanëve, duke i hapur rrugë kështu demokratizimit më të shtuar përmes votimit më kërkues. Çështja se forcat e tilla politike a mund të jenë më shumë si rezultat i transformimeve të partive politike apo do të krijohen si organizime ose subjekte të reja politike, është vështirë të thuhet për momentin. Sidoqoftë, këto forca do të varen si nga programi qeverisës, vlerat që përfaqësojnë dhe organizimi i tyre në mobilizim elektoral, por edhe nga përkrahja ndërkombëtare që do të gëzojnë.
Edhe pse në plan afatshkurtër mund të ketë dobësim të demokracisë dhe shtim të autoritarizmit, si pasojë e tendencave mbarëbotërore të rimëkëmbjes ekonomike dhe mbylljes karshi institucioneve ndërkombëtare e tregjeve globale. Në afate më të gjata kohore kjo do t’u japë fund popullizmit e rrymave politike ekstreme, pasi që narrativat ideologjike e simbolike të legjitimimit politik do të jenë të tejkaluara. Me fjalë tjera, gjeneratat e reja vështirë se do të joshen nga fjalimet folkloristike për të kaluarën e as nga veprimet kuazi-patriotike. Theksi i kërkesave politike do të jetë për shërbime dhe qeverisje më cilësore. Këto do të jenë zhvillime globale të cilat do të kenë ndikim edhe lokale. Konceptet e nënçmuara si siguria njerëzore, biopolitika dhe fushëveprimet si shkenca, arti dhe shëndeti publik do të kthehen prapë në vëmendjen tonë. Derisa veprimtaritë ekonomike, hulumtuese e teknologjike do të riorientohen. Ashtu siç e përshkruan Thomas Kuhn në veprën monumentale ‘Struktura e revolucionit shkencor’ (1962), zhvillimi i shkencës nuk kishte një trajektore lineare dhe evolutive, por si derivat i kthesave paradigmatike e ngjarjeve historike, ashtu edhe pandemia paraqet kthesë paradigmatike e cila do të rezultojë në ndryshime të pandalshme politike e shoqërore në vend.
Pesimistët do të thonë që do të thellohet kriza dhe do të pësojnë shtresat e varfra, optimistët që do të rimëkëmbet ekonomia dhe do të ketë zhvillime edhe më shumë, ndërsa perspektiva më realiste na thotë se na pret një rrugë e gjatë dhe aspak e lehtë, por që është edhe fillimi i një epoke të re. Ndoshta më me rëndësi është se do të jetojmë në kohëra më interesante pas kësaj mërzie e monotonie të izolimit. Sigurisht që ndryshimet nuk do të jenë të përnjëhershme dhe në të gjitha segmentet me përmasa të njëjta. Mirëpo, ato do të kenë efekte zinxhirore dhe ndikime afatgjata në shumë segmente të jetës sonë. Gjithashtu, vlen të theksohet se parashikimet e tilla varen nga kohëzgjatja e pandemisë, përkeqësimi dhe përmasat deri në përfundimin final të rrezikut. Megjithatë, një gjë është më se e sigurt, se jeta e secilit nga ne pas izolimit disajavor dhe pas tejkalimit të rrezikut nga infektimi nuk do të jetë e njëjtë, as rendi botëror nuk do të jetë i pandryshueshëm, e me këtë as politika në Kosovë nuk do të jetë e njëjtë sikur para kësaj pandemie gjithëbotërore e vdekjeprurëse.
Profesor në Departamentin e Shkencave Politike, Universiteti i Prishtinës