Një vendim i GJND-së që ndezi kalkulimet gjeopolitike të boshtit serbo-rus
Arben Fetoshi
Në 15-vjetorin e Opinionit Këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND, 2010) mbi ligjshmërinë e Pavarësisë së Kosovës, një akt juridik është kthyer simbolikisht në “vijë fronti” ndërmjet rendit demokratik dhe ambicieve revizioniste të botës së sotme. Kërkesa që kishte parashtruar vetë Serbia (Vuk Jeremic, 15.08.2008) në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së dhe zotimi se do ta respektonte vendimin e GJND-së, i qenë kthyer “boomerang”, duke shpërfaqur hipokrizinë e saj pas 22 korrikut 2010, kur rifilloi agresionin diplomatik kundër Kosovës.
Ironikisht, një kalkulim i dështuar që u pasua nga refuzimi i rendit juridik të organizatës (GJND është organi kryesor juridik i OKB-së) ku Serbia paradoksalisht vazhdon ta kërkojë “shpëtimin”, duke u fshehur pas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe projeksioneve të Rusisë si anëtare e përhershme me të drejtë të vetos. Kur e drejta ndërkombëtare e demantoi pretendimin e saj për “ilegalitetin e shpalljes së pavarësisë”, ajo iu kthye metodave të luftës hibride dhe koordinimit strategjik me Rusinë, nëpërmjet propagandës, sabotimit diplomatik dhe fushatave të dezinformimit, për ta penguar konsolidimin ndërkombëtar të Kosovës.
Pse jo luftë?
Në vigjilje të këtij përvjetori (më 18 qershor, në Prishtinë), teksa po e pranonte çmimin “Doctor Honoris Causa” të akorduar nga Universiteti i Prishtinës, ish-kryetari i GJND-së, profesor Hisashi Owada, mbajti një ligjëratë me titull “Pse luftë?”, duke e vlerësuar situatën aktuale në botë si sfidën më të madhe të mbijetesës, që kërcënon me kolaps të rendit publik ndërkombëtar. Reflektimi i tij mbi natyrën dhe shkaqet e luftës konstatonte nevojën për mekanizma detyrues ndaj shteteve dhe për humanizim të mëtejshëm të rendit ndërkombëtar. “Ndërsa Pakti Kellog-Briand i vitit 1928 nuk mundi ta ndalte Luftën e Dytë Botërore, krijimi i OKB-së me mekanizmat e saj për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, miratimi i Konventës për Gjenocidin dhe themelimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë manifestojnë “valë progresi” të historisë nga një “komunitet ndërkombëtar me shtetet sovrane në qendër” drejt një “komuniteti ndërkombëtar me qendër njeriun”, pohoi Owada, duke e cilësuar rastin e Kosovës si përfaqësues të kësaj tendence: “Ajo që ka arritur Kosova duhet parë si fitore njerëzore e jo si fitore ndërmjet shteteve”.
Mirëpo, kësaj porosie dhe tonit optimist të profesor Owadës, Beogradi sikur i përgjigjet me kundërpyetjen “Pse jo luftë?”, derisa agresioni hibrid dhe aleanca me Rusinë vazhdojnë t’i shërbejnë agjendës së saj shoviniste. Vendimin e tij dhe të kolegëve e sulmoi si “të paligjshëm” e si “kërcënim për stabilitetin”, pavarësisht se GJND-ja nuk ishte marrë me të drejtën për pavarësi, por me ligjshmërinë e shpalljes. Sipas Elena Cirkovic (2010), opinioni i është përgjigjur vetëm pyetjes së miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së (Resolution A/RES/63/3): “A është shpallja e njëanshme e pavarësisë nga institucionet e përkohshme vetëqeverisëse të Kosovës në përputhje me të drejtën ndërkombëtare?”, pa u lëshuar në shqyrtimin e së drejtës për secesion, duke parandaluar në këtë mënyrë krijimin e një precedenti për raste të tjera.
Ndërkaq, Sean D. Murphy (2013) e konsideron aspekt kyç të argumenteve ligjore kuptimin dhe efektet e Rezolutës 1244 të KS të OKB-së, e cila nuk e ndalonte shpalljen e pavarësisë. Por, me gjithë karakterin sui generis që derivon nga suprimimi jokushtetues i autonomisë së saj më 1989, ndërhyrja humanitare për t’i ndalur gjakderdhjen dhe spastrimin etnik të tyre më 1999, administrimi nga OKB-ja që e kishte suspenduar sovranitetin e Serbisë, procesi i negociatave në Vjenë dhe argumentet për abuzimin sistematik të të drejtave njerëzore që e bënin të pamundur status-quo ante (LSE ICAES, 2022), Serbia zhvilloi një strategji manipuluese me qasjen kontradiktore “e gatshme për dialog” dhe “nuk do ta njohë kurrë Pavarësinë e Kosovës” (KOSOVO AND SERBIA AFTER THE ICJ OPINION, 26.08.2010). Ndërsa kamuflohej në procesin e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ajo nisi një fushatë për çnjohjen e shtetit të Kosovës dhe bllokimin e anëtarësimit të tij në organizata ndërkombëtare. Agresioni i saj diplomatik u ashpërsua ndërkohë edhe me operacione të luftës hibride, derisa afërsia me Rusinë si “shpëtim” i ka dhënë sot trajtën më kërcënuese për Ballkanin Perëndimor me projektin e “Botës Serbe”. Toleranca nga Perëndimi për hir të stabilokracisë (Fetoshi, 2025), sidomos pas përshkallëzimit me agresionin rus në Ukrainë, vazhdon ta trimërojë Serbinë në synimet e saj hegjemoniste me pyetjen: “Pse jo luftë?”.
Boshti kërcënues
Që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës (17.02.2008) dhe sidomos pas Opinionit Këshillues të GJND-së (22.07.2010), Rusia e ka përdorur Kosovën si precedent për arsyetimin e invazionit të saj në Gjeorgji (2008) dhe në Ukrainë (me Krimenë në vitin 2014 dhe invazionin e shkallës së plotë nga viti 2022). Nga kundërshtari më i fortë i Pavarësisë së Kosovës, për shkak të “precedentit të tmerrshëm që e shkatërron tërë sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare”, vetëm pas pak muajsh Putin e përdor pikërisht Kosovën si bazë për njohjen e Abkazisë dhe Osetisë Jugore (Putin, 23.02.2008).
Duke manipuluar faktet dhe rregullat që pretendon se i ndjek, ai e përmend Kosovën, jo për ta respektuar të drejtën ndërkombëtare, por për ta ”arsyetuar” politikën e tij revizioniste. Në njërën anë, vazhdon ta mohojë legjitimitetin e saj dhe ta pengojë përmes vetos, e në anën tjetër, tenton ta përdorë për qëllimet ekspansioniste ndaj Ukrainës dhe vendeve të tjera të ish-hapësirës sovjetike (Pineles, 2022). Për të gjitha ndërhyrjet e dhunshme ushtarake kundër liberalizmit dhe në mbështetje të vasalëve të tij autokratë, Putin po i referohet Opinionit të GJND-së, të cilin tani po e konsideron të vlefshëm (Voice of America, 2022).
Pra, manipulimi që Rusia dhe Serbia i bëjnë Opinionit të GJND-së është një strategji e planifikuar e përmbysjes së rendit juridik ndërkombëtar për ndërhyrje hegjemoniste: përdorim i rendit për ta shkatërruar rendin. Ky është thelbi i boshtit serbo-rus, për të cilin Ukraina dhe Kosova janë objektiva testimi të tolerancës ndërkombëtare ndaj qëllimeve hegjemoniste. Serbia, si vend i vogël dhe kandidat për anëtarësim në BE ndjek politikë të përfitimit të dyfishtë: me Perëndimin, si “partnere” për paqen që ka nevojë për mirëkuptim dhe investime; dhe me Rusinë, si aleate historike që ka nevojë për “mbrojtje” nga “agresioni perëndimor”. Një model stabilokracie që legjitimitetin e brendshëm e ruan përmes nacionalizmit e kontrollit mbi mediat, ndërsa nga jashtë balancohet përmes lojës diplomatike me të gjithë (Bieber, 2018).
Duke kalkuluar në tolerimin e Perëndimit, për shkak të interesit strategjik të shkëputjes së saj nga orbita ruse, Serbia ka përfituar nga mbështetja e BE-së dhe njëkohësisht ka vazhduar të forcojë aleancën me Rusinë si “garanci” për projektin hegjemonist “Bota Serbe”. Ka asimiluar strategji dhe metoda të njëjta të luftës hibride, me qëllim të destabilizimit të rajonit, sabotimit të Kosovës dhe minimit të agjendës e të strukturave euroatlantike në Ballkanin Perëndimor. Qendra ruse e spiunazhit në Nish, e kamufluar si qendër humanitare, përqafimet vëllazërore politike e kishtare dhe marrëveshjet e shumta ushtarake, energjetike e informative, e bëjnë Serbinë një proxy të Rusisë që kërcënon stabilitetin dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor.
Kosova si test
Përballë këtij boshti kërcënues, Opinioni i GJND-së është mburojë juridike për konsolidimin ndërkombëtar të Kosovës. Ndonëse e sfiduar gjatë këtyre 15 vjetëve, si pasojë e përplasjeve gjeopolitike, fushatave të çnjohjeve, agresionit propagandistik dhe sulmeve të armatosura kundër rendit kushtetues, ajo vazhdon të jetë një provë e subordinimit ndaj rendit ndërkombëtar, kompromisit dhe mirëkuptimit për hir të vlerave njerëzore. Këtë e dëshmojnë të drejtat e privilegjuara të komuniteteve pakicë, sidomos të serbëve, dhe këtë e dëshmon fryma e kompromisit në dialogun për normalizim të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Prandaj, ky vendim i GJND-së, në kohën e përpjekjeve më intensive të administratës amerikane për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, është një pikë kthese në rendin e trazuar dhe kërcënimin më serioz ndaj lirisë. Sepse, reflektimi i munguar nga Serbia në vitin 2010, e cila vazhdoi agresionin diplomatik e propagandistik me mbështetjen e Rusisë, duke e shkelur rendin e OKB-së, ka ngjizur projeksionet e Putinit për sovjetizimin e Evropës dhe sot bota është para kolapsit. Pyetja cinike, “Pse jo luftë?” për politikën aktuale të Beogradit, e ka bërë sot Kosovën test përfundimtar për tolerancën ndaj qëllimeve hegjemoniste dhe për koherencën e rendit ndërkombëtar.
Opinioni i GJND-së sot është sprova më domethënëse për “fitoren njerëzore” në Kosovë dhe progresin e historisë drejt një “komuniteti ndërkombëtar me qendër njeriun” të profesor Hisashi Owadës.
Autori është drejtor i institutit për studime të luftës hibride “Octopus”