OpEd

Kosova në rrezik nga “praktika e zakonshme”

Ishte i kuptueshëm prononcimi i përfaqësuesit të lartë të BE-së, Borrell, kur kërkonte që serbëve në Kosovë t’u mundësohet votimi në referendumin e Serbisë, sepse ai dhe BE-ja nuk e njohin Kosovën si shtet. Por kësaj radhe skandaloz ishte prononcimi i QUINT-it që ishte në linjë të njëjtë me BE-në, ani pse të gjitha vendet e QUINT-it e kanë njohur Kosovën. Kosovës mund t’i imponohen vendime, por së paku Kosova duhet të shprehet se nuk pajtohet me to. BE-ja ka marrë tash një qasje të rrezikshme që, kur nuk ka dëshmi se Kosova ka ndonjë obligim ligjor, thotë se “kjo është një praktikë e zakonshme” dhe duhet të vazhdohet. Serbia nuk kërkon të organizojë votime në Kosovë për shkak të së drejtës së serbëve për të votuar, por për të dëshmuar se Kosova është pjesë e Serbisë. Kosova nuk duhet të pranojë që vetë ta mohojë statusin e saj, e as të jetë “neutrale ndaj statusit”

Kroacia sipas ligjit ua mundëson të gjithë njerëzve në botë që mund të dëshmojnë çfarëdo prejardhje etnike kroate që të marrin shtetësinë e këtij shteti. Dhe i ka të garantuara tash tri vende në Parlamentin e Kroacisë për përfaqësues të diasporës. Numri më i madh i të tillëve është nga Bosnjë-Hercegovina. Afro gjysmë milioni kroatë etnikë jetojnë në atë shtet si “popull konstitutiv”, ndërsa shtetësi kroate kanë edhe së paku 300 mijë qytetarë të Bosnjë-Hercegovinës me përkatësi tjetër etnike. Deri para disa vitesh kur zhvilloheshin zgjedhjet në Kroaci, votimi bëhej edhe nëpër qytete dhe fshatra në Bosnjë-Hercegovinë, në ndërtesa të shkollave apo objekteve të tjera. Kroacia e kishte njohur Bosnjë-Hercegovinën si shtet dhe askush nuk kishte pretendime territoriale. Por Kroacia u qortua disa herë edhe nga miqtë më të mëdhenj të saj. Në BE nuk donin që në ditën e zgjedhjeve në Kroaci disa pjesë të Bosnjë-Hercegovinës të dukeshin si “pjesë e zgjatur e Kroacisë”.

Dhe Kroacia vendosi që tash e tutje në Bosnjë-Hercegovinë, sikur edhe në Australi, Gjermani, Kili e Argjentinë, Zelandë të Re dhe Irlandë, apo kudo tjetër ku ka kroatë me të drejtë vote, të mund të votohet vetëm në ambasada apo përfaqësi konsullore të Kroacisë në ato shtete. Në rastin e votimeve në Bosnjë-Hercegovinë ka tash probleme serioze logjistike, sepse nuk është lehtë që vetëm në përfaqësi diplomatike të votojnë me qindra e mijëra njerëz. Por ligji është ligj dhe nuk mund të bëhet ndryshe. Ishte, por nuk është më “praktikë e zakonshme”.

Pos rastit të votimit të kroatëve në Bosnjë-Hercegovinë në të kaluarën, nuk dihet nëse ka ndonjë shembull tjetër në Evropë që një shtet organizon votime në territor të një shteti tjetër. Rregullat janë të qarta.

Pse atëherë torturohet Kosova duke u detyruar që të pajtohet që Serbia në territorin e Kosovës të organizojë votime, qoftë për zgjedhje apo për referendume. Përgjigja është e thjeshtë: “Kosova nuk është shtet sovran për BE-në dhe OSBE-në”, as për OKB-në apo për ndonjë organizatë tjetër që mund ta “lehtësojë” “grumbullimin e votave”.

Nëse nisesh nga qasja që “Kosova nuk është shtet” atëherë është edhe i kuptueshëm qëndrimi që mban përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, dhe BE-ja. Në rastin më të mirë thonë se janë “neutralë ndaj statusit” apo edhe më keq, “nuk kanë qëndrim rreth statusit të Kosovës”. Duke e përsëritur me vite këtë qëndrim e duke e forcuar edhe më shumë me ardhjen e Borrellit në krye të asaj që quhet diplomaci e përbashkët e BE-së, është inkurajuar Serbia që Kosovën ta konsiderojë si pjesë të saj dhe në praktikë të shndërrohet në disa raste si një territor me sovranitet të dyfishtë paralel.

Është folur shumë për gabimet që bën BE-ja në këtë drejtim, sidomos pas mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e shkel të drejtën ndërkombëtare. E “shkelja e së drejtës ndërkombëtare” ishte argumenti kryesor i 5 vendeve të BE-së që të mos e njohin Kosovën. Në vend që atyre t’u thuhej që ta pranojnë tash, pas mendimit të GJND-së, presioni u kthye nga Kosova. Nisi dialogu dhe Kosova ra në kurth, nga e cila e ka vështirë të dalë. E politika e BE-së tashmë shumë u përshtatet atyre që nuk e kanë njohur, sesa atyre që e kanë njohur Kosovën.

Por ajo që bëhet problematike kohëve të fundit është tendenca e BE-së që të argumentojë presionin ndaj Kosovës edhe në rastet kur Kosova nuk ka ndonjë obligim, duke u thirrur në “praktikën e zakonshme që është vendosur”.

Për disa javë zyrtarë të BE-së në Bruksel privatisht orvateshin të na bindin se Kosova ka obligim që të mos dërgojë njësi të policisë speciale në veri pa pëlqimin e bashkësisë ndërkombëtare. Bile thoshin se “një obligim i tillë është rezultat i dialogut”. Pas shumë kontaktesh, me zyrtarë të Kosovës që ishin të përfshirë në dialog në periudha të ndryshe me zyrtarë të NATO-s, ish-zyrtarë të BE-së, njerëz me qëndrime politikisht të ndryshme, nuk gjetëm asnjë dëshmi të vetme që Kosova të ketë marrë ndonjë obligim të tillë. Bile po të ishte e vërtetë kjo do të ishte një goditje e rëndë edhe për dialogun, sepse si një prej rezultateve më të mëdha të tij përmendet “integrimi i strukturave policore në një të vetme të Kosovës”. Nga këto burime mësuam se Serbia ka dashur ta ketë një premtim të tillë nga BE-ja dhe NATO-ja, por krejt çfarë pati siguruar ishte premtimi i Kosovës, dhënë NATO-s përmes shkëmbimit të letrave të kryeministrit të atëhershëm Hashim Thaçi dhe sekretarit të atëhershëm të përgjithshëm të NATO-s Rasmussen, që Kosova të mos dërgojë njësi të FSK-së në veri pa u konsultuar me komandantin e KFOR-it. Të njëjtat burime thanë se kryeministri i atëhershëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka dashur nga NATO-ja premtime të njëjta edhe për të mos dërguar “policinë shqiptare”, por ka marrë përgjigje se “NATO-ja si prani ushtarake nuk ka kompetenca për çështje policore”.

Kur në fund, pas shkëmbimeve me shkrim, në BE nuk ishin në gjendje të na japin formalisht përgjigjen me të cilën do të dëshmonin se Kosova ka obligim të mos dërgojë njësitë policore në veri, u pa se e vetmja dëshmi për BE-në ishte ajo që u thoshte Beogradi. Në fund, BE-ja doli me spinin se “Ndonëse nuk ka ndonjë obligim formal nga dialogu - është bërë praktikë e zakonshme që Kosova të konsultohet me praninë ndërkombëtare”.

Tash kur Serbia donte të zhvillonte votime për referendumin e saj edhe në territorin e Kosovës, e kur Qeveria e Kosovës refuzoi, BE-ja përsëri doli në mbrojtje të Serbisë. Bile u mundua këtë problem ta trajtojë si “çështje të mundësisë së ushtrimit të një të drejte qytetare, asaj për të votuar”.

Edhe këtu, BE-ja nuk gjeti ndonjë gjurmë për të dëshmuar se Kosova është e obliguar që të lejojë votimin për zgjedhjet e Serbisë në Kosovë. U tha se “ndonëse nuk ka obligim nga dialogu - është bërë praktikë e zakonshme që të lejohen votimet dhe OSBE-ja të bëjë grumbullimin e votave”.

Ishte i kuptueshëm prononcimi i përfaqësuesit të lartë të BE-së, Borrell, ku kërkonte që serbëve në Kosovë t’u mundësohet votimi në referendumin e Serbisë, sepse ai dhe BE-ja nuk e njohin Kosovën si shtet. Por kësaj radhe skandaloz ishte prononcimi i QUINT-it që ishte në linjë të njëjtë me BE-në, ani pse të gjitha vendet e QUINT-it e kanë njohur Kosovën dhe QUINT-i, së paku deri më tash, nuk pa pasur “qëndrim neutral ndaj statusit të Kosovës”. Kosovës mund t’i imponohen vendime, por së paku Kosova duhet të shprehet se nuk pajtohet me to. BE-ja ka marrë tash një qasje të rrezikshme që, kur nuk ka dëshmi se Kosova ka ndonjë obligim ligjor, thotë se “kjo është një praktikë e zakonshme” dhe duhet të vazhdohet. Serbia nuk kërkon të organizojë votime në Kosovë për shkak të së drejtës së serbëve për të votuar, por për të dëshmuar se Kosova është pjesë e Serbisë. Kosova nuk duhet të pranojë që vetë ta mohojë statusin e saj, e as të jetë “neutrale ndaj statusit”.

Serbia nuk kërkoi për asnjë shtet tjetër të rajonit, as për Malin e Zi, Kroacinë e as për Bosnjë-Hercegovinën, që të mundësohet që shtetasit e Serbisë të mund të votojnë në ato pjesë, pos në përfaqësitë diplomatike. Sepse, së paku formalisht, nuk i konsideron ato si “pjesë të Serbisë” siç e konsideron Kosovën.

shumë gjëra në Kosovë që janë bërë “praktikë e zakonshme” prej asaj që në veri të Kosovës të mos e paguajnë rrymën e deri te dukuritë negative në tërë Kosovën, si nepotizmi, krimi i organizuar dhe korrupsioni. Ndonëse të gjitha ato gjëra janë të paligjshme, janë bërë “praktikë e zakonshme” që nuk do të thotë se duhet të bëhen si dukuri të pranuara as në shoqëri e aq më pak nga Qeveria dhe institucionet e tjera shtetërore.

Një ditë mund të thonë se “edhe veriu i Kosovës është formalisht në Kosovë, por është bërë praktikë e zakonshme që ai të kontrollohet nga Serbia”. Beogradi, që nga çlirimi i Kosovës, ka bërë përpjekje për ta bërë “realitet në terren” se “Beogradi nuk e kontrollon Kosovën, por as Prishtina veriun e Kosovës” si bazë për ndarje të Kosovës. Nuk i ka hequr akoma ato që i quan përfaqësi të komunave nga Kosova në Serbi. Dhe kjo ka qenë një prej arsyeve pse në disa qarqe është dukur reale edhe ideja për ndarje të Kosovës, për shkëmbim territori. Organizimi i zgjedhjeve, dërgimi i njësive speciale në veri, nuk janë çështje të thjeshta të së drejtës qytetare për të votuar apo e operacioneve policore, por janë thjesht një çështje e pretendimeve ndaj territorit të caktuar. Dhe në BE, e sidomos në QUINT, e dinë mirë këtë, prandaj do të duhej që të mos bëjnë më përpjekje për të paraqitur gjërat sikur kanë të bëjnë me diçka tjetër, por me pretendime ndaj territorit, sado që oportune duket në ndonjë moment të caktuar nga aspekti i politikës ditore.