OpEd

Koha e gjeneratës së Republikës

Qasja e njerëzve të rinj në politikë është mundësia më e mirë për një fytyrë të re të politikës. Për një politikë që shtetin e vë në funksion të lehtësimit të jetës për qytetarët. Për një politikan që jeton me komunitetin, por jo nga komuniteti. Dhe përfundimisht për një politikan që frymon me qytetarët

Vendimi për angazhim politik në një vend ku politika është armiku kryesor i progresit është i vështirë. Kjo për faktin se angazhimi i politikanit edhe si veprim, edhe si profesion, në kontekstin kosovar është stigmatizuar. Sado që të gjithë ankohemi për gjendjen e përgjithshme, shpresën nuk e kemi te politika. Aq shpesh jemi dëshpëruar saqë e kemi të vështirë të besojmë se politika, do t`i bëjë ndryshimet që konsiderohen të nevojshme.

Praktika e deritashme e inkuadrimit në politikë të ‘njerëzve të mirë’, dëshmon se ata janë detyruar t’i subordinohen së vjetrës apo krimit. Në të kundërtën kanë përfunduar jashtë subjektit për t`u përballë më pas me fushatë stigmatizuese në opinionin publik.

Kosova është vendi me përqindjen më të madhe të rinisë në Evropë, dhe politika në pothuajse dy dekada ka qenë penguese për ambiciet e të rinjve. Bllokada e Kosovës nuk mund t’i faturohet askujt tjetër pos klasës politike që e vlerësuar me çfarëdo parametri e ka kapë shtetin. Qeverisjes i duhet inovacioni. Nuk kemi kohë të presim t’i zgjidhim problemet e grumbulluara me dekada. Ne duhet të gjejmë mënyra inovative që të krijojmë vlera dhe të hapim rrugë që energjia e rinisë të orientohet drejt zhvillimit të vendit. Mllefi dhe dëshpërimi, të akumuluara, duhet të zëvendësohen me energji e orientim. Ecja e vendit për mungesë vizioni, i shtypur nga ambicia e një grupi për pushtet e pasurim personal, ka krijuar hendek të thellë në shoqëri, e cila vendin e ka vënë në letargji. Kjo ka rezultuar me qeveritarë që punojnë pa shumë mbikëqyrje dhe pa reagim adekuat në situata të caktuara. Kësisoj, vendi ka stagnuar në procesin e integrimit evropian, ndaj sot jemi i vetmi shtet në Evropë që kemi nevojë ende për viza për të lëvizur gjithandej. Atëherë, duhet angazhim i të gjithëve. Rezultatet e proceseve politike janë emërues i përbashkët i pikëpamjeve dhe angazhimeve të të përfshirëve.

Sado që vlera e kritikës nga jashtë është substanciale, vetëm nëpërmjet angazhimit në struktura politike mund të ndikohet direkt. Përfshirja mund të krijojë gjasa për ndikim, por jo pozicioni i vëzhguesit nga anash. Nuk duhet ta harrojmë se jetojmë në një shtet të kapur nga krimi e korrupsioni. Tërë potenciali zhvillimor, ku ngadalë e ku më shpejt, i është vënë në dispozicion një grupi klientelist, që të vetmin interes ka pasurimin klanor. Sidoqoftë, aftësia e politikës është të transformojë procesin politik që proceset në fund të japin rezultate pozitive për shoqërinë dhe jo vetëm përmbushje të interesave individuale të të përfshirëve.

Gjatë të nëntëdhjetave u arrit një konsensus, i cili rezultoi me ndërhyrjen e NATO-s. Konsensusi solli edhe pavarësinë më 2008. Por që nga pavarësia nuk arritëm si shoqëri të ndërtojmë një vizion të përbashkët për të ardhmen e vendit. Koha është që tani ta sigurojmë atë vizion dhe ai natyrisht duhet të përfshijë zhvillimin, inovacionin dhe integrimin e brendshëm dhe të jashtëm të vendit.

Praktikës së observimit të zhvillimeve në shoqëri nga jashtë duhet t`i jepet fund në funksion të ndërrimit të brezit politik, si një domosdoshmëri për politikanë të përgjegjshëm, të cilët interesin qytetar e shohin përtej nevojës së tyre për një vend pune.

Prandaj koha është për patriot konstitucionalistë, të cilët me angazhimin e tyre do ta bëjnë të mundshme që ky vend të lërë vizë nga pika zero. Kritika nga jashtë deri tashti është treguar e pamjaftueshme për t`i korrigjuar gabimet e politikanëve në relacion me politikat publike. Në këtë sens imediate është që brezi politik të përtërihet, si një parakusht për një frymë të re politike, e cila nuk bazohet gjithnjë në inate, trashëgimi, kaprico, por thjesht në prodhimin e ideve, projekteve, inovacionit, praktikisht ofertës reale për qytetarët. Ajo nuk duhet të përmbajë premtime astronomike, por të tilla që nisin nga nevojat themelore: për ambient më të pastër, furnizim të rregullt me ujë e rrymë.

Deri tash, politika ka synuar që problemeve t`i qaset nga lart-poshtë. Është momenti që të përmbyset kjo piramidë dhe gjithçka të nisë nga një utilitarizëm qytetar në funksion të krijimit të atmosferës kur qytetarët e ndjejnë pronësinë ndaj shtetit. Kur i dalin zot atij, duke qenë taksapagues të rregullt dhe respektues ligji.

Prandaj, qasja e njerëzve të rinj në politikë është mundësia më e mirë për një fytyrë të re të politikës. Për një politikë që shtetin e vë në funksion të lehtësimit të jetës për qytetarët. Për një politikan që jeton me komunitetin, por jo nga komuniteti. Dhe përfundimisht për një politikan që frymon me qytetarët!

Është koha e gjeneratës së Republikës!

(Autori është kandidat për deputet nga LDK-ja në zgjedhjet e qershorit)